Libri ‘Kapërcimi i vetmisë’ flet për 60 vitet e historisë së Kosovës

Libra

Libri ‘Kapërcimi i vetmisë’ flet për 60 vitet e historisë së Kosovës

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 15:41
Promovohet libri ‘Kapërcimi i vetmisë’

Sot në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, në prani të shumë mysafirëve, është promovuar libri ‘Kapërcimi i vetmisë’, i Dr Muhamet Mustafa, botim përmes të cilit janë sjellë jeta, historia personale dhe familjare, me vetë jetën e Kosovës.

Analisti Nexhmedin Spahiu, tha se ky libër që përmban rreth 500 faqe në të cilat është shkruar historia e Kosovës për 60 vite, pa dyshim se ka kërkuar një punë të vazhdueshme e të mundimshme të autorit.

Spahiu: Të shkruhen 60 vite të historisë së Kosovës

“Në 500 faqe të shkruhen 60 vite të historisë së Kosovës përmes rrëfimit autobiografik, natyrisht është një punë e mundimshme…Libri përmban kujtimet e autorit që nga fëmijëria e tij, fshati, ardhja në Prishtinë, shkollimi, studimet puna…Është edhe një rrëfim për të huajt, për një transformim të shoqërisë tonë, se si një djalë hoxhe arrinë të bëhet kryetar i rinisë së Kosovës, në kohën kur komunistët ishin pushteti”, ka thënë mes tjerash Spahiu.

Mehmet Mehmeti, potencoi se në librin ‘Kapërcimi i vetmisë’, është prezantuar epoka më e vështirë dhe më e lavdishme e popullit tonë të Kosovës.

Mehmeti: Ka përmbledhur epokën më të vështirë

“Muhamet Mustafa, me anë të librit që sot po prezantohet ka përmbledhur epokën më të vështirë dhe më të lavdishme të popullit tonë të Kosovës”, tha ai.

Në anën tjetër, vetë autori Muhamet Mustafa, duke folur për librin e tij, ka theksuar se qëllimi i tij ka qenë të pasqyrojë luftën e vështirë të gjeneratës së tij, por edhe njerëzve tjerë, për ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.

Sipas tij, gjeneratat e reja, si dhe politikanët, do të arrinë të mësojnë nga përvojat e ndryshme të autorit, të cilat janë prezantuar në këtë libër.

Mustafa: Historia nuk fillon me askënd

“Kam pasur për qëllim që një luftë të vështirë që ka bërë gjenerata ime, por edhe shumë njerëz tjerë, lidhur me ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, ta shtroj në mënyrë dhe gjuhë sa më të afërt, të prezantoj përvojat e mia, në mënyrë që gjeneratat e reja të mësojnë diçka, por jo vetëm gjeneratat e reja po edhe politikanët, sepse historia nuk fillon me askënd, gjithmonë ka një rrugëtim në zhvillimin e shoqërisë dhe në zhvillimin e proceseve shoqërore e nacionale…Unë mendoj se gjenerata e re do ta kuptojë më mirë atë pjesë të historisë tonë të dhimbshme”

Ndryshe, gjatë bashkëbisedimit mes autorit dhe të pranishmëve, u përsëritë çështja e gjeneratave të reja, për të cilat u tha se kanë nevojë të njohin më mirë historinë e këtij libri , sepse ajo mbart brenda vetes një nga kohët më sfiduese të historisë kombëtare shqiptare. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat