Romani që përmes rrëfimeve të At Zef Pllumit sjell zërin e përjetimeve të dhembjes së një kohe

Libra

Romani që përmes rrëfimeve të At Zef Pllumit sjell zërin e përjetimeve të dhembjes së një kohe

Nga: Mikel Gojani Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 09:50
Mëhill Velaj: Hyji në skëterrë (roman), botoi Galaktika Poetike “Atunis”, Prishtinë 2016.

Shkrimtari, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në Stamfort, ka ardhur npara pak kohësh me romanin e tij të ri “Hyji në Skëterrë”, që duhet thënë se të ndihmon shumë të kuptosh jo vetëm nga teknika e romanit, por edhe të mësosh prej pjekurisë artistike të tij.

Mëhill Velaj u lind në vitin 1957 në fshatin Gllogjan (Lugut i Baranit) – Pejë. Ka studiuar Gjuhë dhe letërsi shqipe. Ka punuar si mësimdhënës për nëntëmbëdhjetë vjet, derisa më 1998 ka migruar në Amerikë. Jeton në Stamford.   Me krijimtari letrare merret qysh herët. Shkruan poezi,prozë dhe publicistikë. Ka shkruar edhe për fëmijë. Në Amerikë ka vazhduar veprimtaritë e tij letrare dhe kulturore. Ishte nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, tash është anëtar i kryesisë së kësaj shoqate. Librat e tij janë botuar edhe në gjuhën angleze dhe gjuhë të tjera botërore.  Në vitin 2011 në manifestimin letrar dhe kulturor “ Dom Mikel Tarabulluzi” në Stubëll të Vitisë u laureua me Çmimin “Agim Ramadani”.  Deri me tash ka botuar këto vepra letrare:  Gërshetat e Aulonës, poezi (1995) Metamorfoza e rruzullit, poezi (2007), Lule që rritemi në gur, poezi (2009), Ishulli i pulëbardhës, novela e tregime (2009)  Unë e tij Etyde, poezi (2010) E nëse jeto jo, poezi (2010) Ourwalk in time, poezi në anglishte (2010), Qyqja në hanin e ferrit, poezi (2011) Në maje pene, publicistikë (2011) Kodi i parajsës (Codul Raiului), poezi në rumanishte (2011), Silueta e varrit (Ls Silhouettes de la tombe), poezi në frëngjishte (2012),  Unë e solla Doruntinën, tregime, (2012), 100 rrënjë të gjithit bohem, antologji poetike për Tahir Deskun (2012),  Me gjakftohtësi roman (2014), Përtej ëndrrave të mia, poezi (2015) Hyji në skëterrë, roman (2016) etj.

Prozatori Velaj nëpërmjet këtij romani  bën përpjekje  për të shpalos tablo nga një periudhë tepër e trishte më esencat e saja tragjike, që në Shqipëri ka shkaktuar ideologjia ekstreme komuniste, e cila tehun e persekutimit e kishte të orientuar në drejtim të shtresës së intelektualëve, gjegjësisht të klerit katolik shqiptar,i cili gjatë viteve të sundimit të kësaj ideologjie përjetoi kalvarin më të tmerrshëm që njeh njerëzimi, duke u burgosur, vrarë dhe persekutuar në mënyrën me barbare. Nga kjo dorë tiranike u vranë qindra klerikë, mirëpo duke mos u gjunjëzuar asnjëherë para atyre xhelatëve.

Autorit Velaj, kësaj radhe, i frymëzuar është kryesisht nga libri dokumentar, “Rrno vetëm për me tregue”,  i fratit, i cili përjetoi persekutimin më makabër nga ajo ideologji, Atë Zef Pllumi.

Në prologun e librit autori Velaj për lexuesit jep sqarimin më autentik rreth qëllimit të botimit të kësaj proze me përmbajtjen tematike, përkatësisht me temën bosht të hedhjes dritë mbi figurën e kryeprotagonistit të romanit, At Zef Pllumi, duke dhënë edhe personazhe të tjerë, që edhe më tepër i japin fuqi këtij vargu të prozës së gjatë.

Në fillim të romanit, në prologun e tij, duke folur rreth këtij libri, autori Velaj shton se duke lexuar librin “Rrno vetëm për me tregue” të simbolit të ikonës së  qëndresës katolik në Shqipëri, At Zef Pllumi, më lindi ideja  që të shkruaja këtë roman  dhe t’ia përkushtoj atij. “Në të njëjtën kohë shfletova libra, gazeta të kohës, nga kujtimet e të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë, kronikën e fatit të njerëzve që aspironin idealin e lirisë e të demokracisë, të vetëbesimit dhe të guximit të atyre që vdiqën dhe u shfarosën në kampet dhe burgjet komuniste, të optimizmit dhe të shpresës se atyre që mbijetuan skëterrës totalitare komuniste, shpirtit të sakrificës  dhe të vuajtjeve të familjeve të tyre në përballimin e situatave nga më të vështirat  në rrugëtimin e kaluarit të dhimbjeve e sakrificave, në kampet e internimit, gjurmët dhe vragat që ato kanë lënë nga ana fizike dhe shpirtërore për të mbijetuar. Frati mendjehollë kishte vuajtur 26 vite burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës”, shton ndër të tjera shkrimtari Velaj. 

Libri i Velajt është një roman  historik në zhanrin e letërsisë dokumentare, i ndarë   në dhjetë kapituj tematikë, që krijojnë një strukturim unikat përmbajtjesor. Në dhjetë këta kapituj vërejmë ngjarje dhe situata nga më të ndryshmet, që dëshmojnë shpirtin titanik të atij individi të asaj kohë që përballej me atë realitet tepër të egër dhe vrastar, si dhe ngadhënjimin e tij ndaj asaj së keqe.

Librit i paraprin një moto me fjalët e kryeprotagionistit të romanit Atë Zef Pllumit, i cili thotë:

Me thënë gjithçka për historinë,
Është me thënë më tepër se gjithçka.
Prandaj: Rrno vetëm për me tregue!
Beso për me shpresue...

 (At Zef Pllumi, fq. 7)

Lajtmotivi i prozës së Velajt është jashtëzakonisht interesant dhe me skena tepër të larudhme, por edhe interesante, që bëjnë prozën të lexohet me një frymë. Protagonistët e romanit, Arianiti dhe Maria, me  të cilët njëherësh edhe fillon romani, janë dy faktorë të cilët veç në fillim të ngjarjeve i japin shpirt prozës. Arianti, i cili kishte tre vajza, megjithatë pas tre vajzave ai dëshironte dhe priste të ketë djalë.  Dhe kjo dëshirë e tij u plotësua, ngase pa kaluar shumë kohë Maries i lind djalë. Arianiti e donte shumë gruan e tij po ashtu edhe fëmijët, të cilët ishin aq të mbarë sa që mendjen gjithherë e kishte vetëm tek ta. Arianiti shpeshherë mendonte  që ishte me fat që kishte një grua si Marien, për të gjitha vitet që kishte kaluar bashkë  deh ato që u kishin mbetur për të jetuar. Traditat familjare dhe ritet e fesë katolike, besimin te Zoti, i ndiqnin me zell dhe dëshirë të madhe, dhe nuk linin festë dhe çdo të diel të shkonin te Kisha e Vjetër e Françeskanëve. Dardani shkonte gati çdo ditë për të marrë  mësimet e para në teologji  nga At Gjergji. Po ashtu, më vonë, faktorë të ndryshëm lanë gjurmë  në jetën e tij. Arianiti birit të tij dhjetëra herë i kishte treguar  historinë e vëllait të tij Dardanit, nga i cili edhe mori emrin. 

Kaptinë të veçantë autori paraqet vijimi i Dardanit në liceun e qytetit, i cili kishte filluar të merrte mësimet e para në gjuhë të huaj dhe në filozofi klasike. Pas mbarimit të Kolegjit Françeskan Dardani nuk vonoi shumë dhe u shugurua meshtar, ku pas një kohe u kthye meshtar në kishën e fshatit, gjegjësisht të vendlindjes dhe kryente shërbesat fetare, po ashtu shkruante artikuj dhe shkrime të tjera, i cili pa kaluar shumë kohë arrestohet nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Një mëngjese pranvere dëgjohen disa të trokitura të rrëmbyeshme të portës së kishës, ku ishin  pjesëtarët e sigurimit të shtetit të cilët e kërkonin fratin. Frati nxitoi të hapte derën, meqenëse motra e tij, Martja, e cila çdo ditë pastronte kishën, edhe pse shunmë e trishtuar, ajo e ndoqi prapa të vëllanë. Dradani e hapi portën, ndërkaq ata Dardanit iu drejtuan me këto fjalë:

Ju jeni Dardan Drenicari, meshtari i kishës, -pyeti rreshteri.
Po, -iu përgjigj Dardami, duke e parë tinëz në sy.
Ju e keni shkruar këtë artikull, e pyeti përsëri rreshteri.
Po, iu përgjigj përsëri Dardani meshtari.

Në emër të popullit jeni i arrestuar, - i tha përsëri rreshteri dhe i dha shenj që  dy oficerëve të Sigurimit, që kishte në krah, për t’ia vënë prangat. Ashtu të prangosur  dhe në errësirë hipën  me forcë, duke e shtyrë xhipin e degës së Punëve të Brendshme, për ta çuar në birucat e burgut. E arrestuan pa i thënë arsyen  dhe pa ditur pse.  Në atë kohë ndodhte shpesh që oficerë të sigurimit  shkonin  nëpër shtëpitë e të përndjekurve  nga pushteti komunist dhe rrëmbenin djemtë dhe vajzat e tyre, por edhe të afërmit e tyre, i arrestonin dhe i degdisnin nëpër burgje dhe kampe burgimi dhe internimi të largëta dhe të tmerrshme... (fq. 81.)

Motrës së Fratit Martes në ato momente të trandshme shpirtërore lotët i  shkisnin faqeve...

Në vazhdim autori Velaj në mënyrën më brilante përshkruan përjetimet më të trishta që i i has frati në burgjet e errëta të Shqipërisë komuniste, duke filluar nga burgu i qytetit të Jugut dhe në shumë burgje të tjera.

Autori Velaj, me talentin e tij, me forcën e penës së tij, këtë përvojë e ka shndërruar në bukuri tronditëse artistike, në letërsi artistike,  ku gërshetohen, përmes mallit të pashterur për jetën, tragjikja e shkaktuar nga shteti, mirëpo, në fund edhe ngadhënjimi  kundrejt së keqes. Rreth 200 faqet e këtij libri, , lexohen si një roman, pra duke u bazuar tërësisht në librin dokumentar “Rrno vetëm me tregue” të  At Zef Pllumit, fryma humane e të cilit ngrihet mbi atë përditshmëri tiranike. Vlerë tjetër fondamentale është se të gjitha ngjarjet e ndërkallura të tij, shpesh të pabesueshme, janë të vërteta, të përjetuara nga At Pllumi  apo bashkëvuajtësit e tij. Sikurse libri dokumentar “Rrno vetëm me tregue”, po ashtu edhe romani “Hyji në skëterrë”, pra i bazuar në ngjarjet dhe situatat e librit të parë, janë një dëshmi e madhe dhe besnike me nivel të lartë artistik të një pjese të saj kohe skëterrë, që përjeton edhe “Hyji”, bashkë me arrestimin e bërë, duke kaluar nëpërmes hetuesisë  sfilitëse, gjyqit, dënimit, absurd dhe dhunues për sot, vetëm nga shkaku i “poezisë”, që është metaforë e njerëzores, e lirisë së brendshme, e ëndrrës dhe e kundërshtimit. Pastaj përjetimet e tij në burgje si një ferr real.

Tablo interesante autori përshkruan edhe periudhën e kohës së lirimit të Atit;  kthimi i tij në vendlindje dhe hedhja e evokimeve në reminishencën e largët; njohja me persekutimet që u ishin bërë gjatë asaj kohe shumë klerikëve të tjerë, po ashtu edhe bashkëfshatarëve të tij etj., po ashtu edhe vazhdimi i misionit të cilit iu kishte përkushtuar qysh herët, deri në momentin e frymës së tij të fundit më 25 shtator 2007.

Pra, romani “Hyji në skëterrë”, i autorit Mëhill Velaj, është një roman që në mënyrën më mjeshtërore  përshkruan gjithë makthet që mund të kalonte një i dënuar për agjitacion e propagandë, në kufirin mes jetës dhe vdekjes, që ishte frati At Zef Pllumi. Në rreth 200 faqe  libër, të cilat të shtyjnë njëra pas tjetrës të lexosh edhe më, edhe më rrëfehen ngjarje, ndjesi, përshkrime dhe personazhe, të cilat në të gjitha rastet janë reale. Këtë dramë jetësore e  kishte vërtetuar vetë  protagonisti real At Zef Pllumi, në librin e tij tashmë të njohur, dhe nga cilat ngjarje ka ndërtuar këtë roman të bukur shkrimtari Velaj.

Prandaj, krejt në fund mund të konstatojmë se At Zef Pllumi me rrëfimet dhe përjetimet e tij  sjell zërin e dhembjes së Shqipërisë, të  një kohe të dhimbshme dhe kreshpëruese.

Këto ngjarje që i prezanton autori Velaj, mënyra e shtjellimit dhe aspektet tjera tepër të realizuara e bën këtë roman të veçantë e magjepsës, pasuri të letërsisë shqipe, në llojin e vet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat