Pak histori nga kohët e zjarrta të Malësisë së Madhe

Libra

Pak histori nga kohët e zjarrta të Malësisë së Madhe

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 8 mars 2017 Në ora: 21:05
Kopertina e librit

Kohët e fundit më ra në dorë libri me titull, “Pak Histori Nga Kohët e Zjarrta”, e autorit Pjetër N. Ivezaj.  Si pjesë e rubrikës, ndër libra të lexuar, po i sjellë lexuesit sado pak njohuri për daljen në botim edhe të kësaj vepre, si dhe disa shënime mbi këtë vëllim prej nja 200 faqesh i paisur gjithashtu edhe me fotografi historike të protagonistëve kryesorë.  Përmbajtja e librit të Z. Ivezaj, e botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve, Art Club në Ulqin, fund vitin që kaloi, është një kontribut me vlerë për ndriçimin e mëtejshëm sado pak të historisë së gjatë e të vuajtur, por të lavdishme të Malësisë së Madhe dhe popullit të saj, ndër shekuj.

Protagonistët e librit janë pesë bajraqet e mëdha të Malësisë së Madhe me pesë udhëheqsit e tyre – por pa përjashtuar rolin e bajraqeve të tjera më të vogëla, gjithsejt 26 sipas autorit -- dhe përfaqsuesve të tyre të asaj kohe në Shqipërinë e Veriut.  Fjala është për bajraqet më të mëdha të Malësisë së Madhe të asaj kohe dhe përfaqsuesit e tyre:  Hoti me bajraktar të parë, Çun Mulën; Gruda me bajraktar të parë Smajl Martinin; Kelmendi me bajraktar të parë Ujkë Gilën; Kastrati me bajraktar Dodë Preçin dhe Shkreli, me bajraktar Marash Dashin.  

Në librin e tij autori Pjetër N. Ivezaj mbulon ngjarjet historike nepër të cilat ka kaluar Malësia e Madhe duke i ndarë ato në tre periudha historike prej pothuaj 100-vjetësh: deri në vitin 1900, pastaj prej vitit 1900 e deri në vitin 1916 dhe  më në fund prej vitit 1916 e deri në vitin 1943.  Ai thotë se kjo është periudha që malësorët e kanë quajtur si, “Koha e luftërave dhe koha e zjarrtë”, ndërkohë që ata janë përleshur dhe kanë luftuar vazhdimisht pa u trembur, as pa u përkulur para forcave armike shumë më të mëdha në numër dhe shumë më të përgatitura për luftë, qofshin ato turke ose sllavo-malazeze.  Por, përveç luftërave të vazhdueshme, siç ve në dukej autori, malësorët ishin gjithashtu të angazhuar paralelisht në mbrojtje të vendit edhe me përpjekjet për ndërkombtarizimin e situatës së vështirë nën të cilën jetonin ata në trojet e veta.  Në lidhje me këtë, ai sjellë për lexuesin një përmbledhje dokumentacioni origjinal-- bazuar në një literaturë të pasur -- memorandumesh, protestash, kërkesash dhe thirrjesh të ndryshme të nënshkruara nga ana përfaqsuesit e fisve të malësorëve, drejtuar shteteve të Europës dhe enteve ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësitë e tyre diplomatike në Shkodër dhe në Podgoricë.  Dokumentohen tubimet e ndryshme dhe logje kuvendesh të bajraktarëve të Malësisë së Madhe dhe besëlidhjet midis tyre gjatë periudhës që mbulon libri, si dhe kauzat për të cilat bisedohej dhe arrihej në marrveshje dhe besë, përfshirë edhe përgatitjet për luftë kundër armikut.

Në memorandumet dhe me kërkesat e tyre drejtuar botës së “qytetëruar” të asaj kohe, malësorët kërkonin ndihmë dhe mbështetje për të shpëtuar popullin e Malësisë së Madhe nga gjëndja e mjeruar në të cilën gjëndej, si rrjedhim i okupimeve, luftërave, shtypjeve dhe diskriminimeve shekullore ndaj popullsisë së kësaj treve.  Njëkohsisht, me kërkesat e tyre, ata i bënin thirrje, jo vetëm sulltanëve të Turqisë, por kërkonin edhe mbështetje ndërkombëtare që Malësisë së Madhe t’i njiheshin të drejtat legjitime për realizimin e aspiratave të veta kombëtare për liri e pavarësi si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.  Si një shembull tipik i këtyre kërkesave të malësorëve ishte ai, drejtuar Turqisë në vitin 1905 dhe botuar në gazetën “Shpresa e Shqypnis” në Dubrovnik, ku si kusht për të hequr dorë nga armët, Malësia e Madhe këmbëngulte në: “Njohjen e kombësisë shqiptare pa ndryshim feje; Amnisti për të gjithë shqiptarët; Çeljen e shkollave dhe kishave në gjuhën shqipe; Pranimin e çdo feje nga shërbimi turk; Përmirësimin e rendit publik me ligje që t’u përshtaten interesave të Shqipnisë, dhe më në fund ata kërkojnë, Liri fjale – liri shtypi dhe liri mbledhjesh”.

Ndërsa në një peticion të datës 8 maj, 1878 krerët e Shkodrës, Uqlinit, Tivarit, Podgoricës, Grudës, Kelmendit, Kastratit e të tjerë i dërgojnë peticion proteste ambasadorit francez në Stamboll, në emër të “katolikëve dhe myslimanëve, vëllëzër që prej shekujsh”, që të intervenonte kundër lëshimeve dhe aneksimeve të trojeve shqiptare nga ana e Malit të Zi, nën presionin e Rusisë.  Një muaj më vonë, më 9 qershor, 1878, krerët shqiptarë i dërgojnë protesë Vezirit të Shkodrës, me të cilën, sipas diplomatit francez në Shkodër Zhan Ponse, “Malësorët kërkuan një shtet të pavarur autonom që do t’i afrohej Evropës.”

Roli i Malësisë së Madhe në historinë kombëtare të shqiptarëve dihet nga historia e mirëfilltë, sidomos nga historia e shënuar nga të huajt, megjithse ka patur përpjekje – nga mbrenda, për arsye ideologjike dhe nga jashtë për arsye politike e të tjera -- për ta minimizuar dhe për t’a shtrembëruar atë në të kaluarën, thotë autori.   Libri i Pjetër N. Ivezaj sjellë hollësi dhe dëshmi me vlerë të shënueshme në këtë fushë, për një njohje më të mirë të disa prej hollësive dhe dokumentacionit origjinal bazuar në burime të dorës së parë që ai sjellë me këtë rast, për një periudhë të historisë së Malësisë së Madhe në veçanti dhe të Shqipërisë në përgjithësi.  Ishte kjo një periudhë e mbushur me lëvizje patriotike, mendore dhe politiko-shoqërore të jetës dhe luftërave të shqiptarëve, jo për pushtim të tokave të tjerëve, por për mbijetesë -- e pasqyruar nga veprimtaritë dhe luftërat e malësorëve -- vetëm e vetëm me qëllim për të ekzistuar dhe për të jetuar në liri dhe pavarësi nga zgjedha e okupatorëve huaj osmanë dhe sllavë.

Autori i librit, ‘Pak Histori Nga Malësia e Madhe’, Pjetër N. Ivezaj thotë se “Malësia e bëri të vetën në kushte të një feudalizmi të pa zhvilluar, të prapambetur, gjithnjë në mesin e dy ose më shumë zjarreve, nën rreziqet e shumta nga jashtë dhe nga brenda.”  Por “Në kushte shumë të vështira”, shkruan ai, “Ishte Malësia ajo që, në masë sado të vogël mbante lidhje me Evropën përmes, në rend të parë priftërinjve katolikë dhe krerëve e bajraktarëve, faktikisht pra nepërmjet parisë fisnore.”   Mirëpo megjithë meritat e tyre, ai konstaton se pothuaj të gjithë këta, gjatë një periudhe jo shumë të largët, ishin shpallur tradhëtarë e anti-kombëtarë.  Por, autori thotë se megjithë trajtimin jo të mirë nga historia e kaluar, që besoj se do të thotë sidomos historia komuniste, që shumë prej tyre i kishte shpallur tradhëtarë dhe armiq, ishin malësorët ata që megjithse gjithmonë në mbrojtje dhe në luftë të trojeve të veta, sipas tij, “Për më shumë se pesë shekuj kanë ruajtur traditat, folklorin, gjuhën, besën, ligjet dhe zakonet autoktone iliro-shqiptare”.

Libri, me anë dokumentacionit që paraqet, shpalos edhe të dhëna mbi jetën, veprimtarinë dhe sidomos hollësi për bashkpunimin me njëri tjetrin të krerëve të Malësisë së Madhe të asaj kohe, kur vinte puna për mbrojtjen e interesave të përbashkëta, jo vetëm të Malësisë së Madhe por edhe të mbarë kombit shqiptar.  Është gjithashtu edhe një paraqitje e një pjese të historisë së shqiptarëve të asaj kohe, duke treguar, ndoshta tërthorazi, edhe disa prej zakoneve dhe traditave shqiptare, gjendjen ekonomike dhe demografike të asaj treve, por edhe kryengritjet e shumta të malësorve dhe shtypjen e tyre, mënyrat e egra të sundimit osman mbi shqiptarët dhe hollësi të tjera historike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat