Ballafaqimi me të kaluarën shton besimin për një të ardhme të sigurtë

Libra

Ballafaqimi me të kaluarën shton besimin për një të ardhme të sigurtë

Nga: Mimoza Cika Më: 17 mars 2017 Në ora: 11:01
Kopertina e Librit

Populli thotë një fjalë të urtë: Më mirë vonë se kurrë.

Me këto fjalë e nisa referatin e librit tashmë të njohur jo vetëm tek lexuesit shqiptarë, „Mashtrimi i madh“ i politologut Bardhyl Mahmuti, që u prezantua në fundjavë në Dyseldorf të Gjermanisë.

U deshën jo pak, por gati 16 vjet pas çlirimit të Kosovës që propaganda serbe mbi krimet e kryera gjatë luftës nën regjimin e Miloshevicit të zbardhet e të shkruhet në shqip dhe anglisht. Vepra „Mashtrimi i madh“  është shumë e qëlluar qysh nga titulli i kopertinës e deri në faqen e fundit, e shoqëruar me foto dhe pika referimi për çdo burim të dhënash. Bashkë me indeksin plot 590 faqe, ky libër historik vjen para publikut pikërisht kur së shpejti do të nisë nga puna edhe e ashtëquajtura Gjykatë Speciale, apo kur ende marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të tendosura. Madje edhe Ballkani sot duket më i trazuar për shkak të marrëdhënieve fqinjësore mjaft të komplikuara.

Konfliktet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës, përçarjet e mëdha në Bosnje-Hercegovinë, mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kroacisë, gjendja në Maqedoni dhe Mal të Zi, justifikojnë edhe njëherë pohimet se Ballkani është "fuçi baruti", e cila mund të shpërthejë në çdo kohë dhe të rikthejë kohën e konflikteve dhe shkatërrimeve, shkruajnë ekspertët gjermanë. Dhe siç thotë autori gjerman i librit „Kosova-Historia e një konflikti“, Erich Rathfelder: „Pa një diskutim të hapur mbi të kaluarën, pa një pajtim serioz mes shoqërive nuk do të mund të fitohet një e ardhme paqësore. Kjo vlen për të gjithë. Por natyrisht edhe këtu në Ballkan. Përse kosovarët si popull, që ka vuajtur shumë, të mos fillojë vetë me zemër dhe arsye këtë diskutim për të siguruar paqen e brendshme? Kjo atëherë do të kishte rëndësi jo vetëm për t'i treguar të tjerëve, por edhe për të qenë vetëkritikë“.

Pikërishit këtë ka pasur parasysh Bardhyl Mahmuti, i cili i vendosur punoi për të sjellë para nesh dëshmi e fakte mbi të vërtetën e  propagandës serbe që prej vitesh e vitesh serviret në mbarë botën duke hedhur baltë mbi Luftën e drejtë të shqiptarëve në Kosovë.

Autori i librit „Mashtrimi i madh“,  ka punuar gjatë rreth 30 muaj duke hulumtuar dhe resheshuar shumë libra, dokumente dhe artikuj për Kosovën dhe Serbinë, për UÇK dhe regjimin e Milosheviçit, duke iu referuar politikanëve dhe ekspertëve apo analistëve e gazetarëve, pro dhe kundër Kosovës, pro dhe kundër Serbisë. E gjitha kjo është një punë jo e lehtë, aq më shumë kur politologu ka si qëllim të flasë me gjuhën e fakteve dhe vetëm të fakteve, sepse kjo vepër që ai ofron sot është një dëshmi mbi të vërtetën e hidhur që përjetuan dy popujt:shqiptar dhe serb. Gjithashtu ky liber është një pasuri për Bibliotekat jo vetëm të gjuhës shqipe, por mbi të gjitha të gjuhëve të ndryshme në botë. Per mendimin tim, „Mashtrimi i madh“ është një libër arkivor që duhet lexuar  jo vetëm nga studjues e historianë, por veçanërisht nga brezat e  rinj. Argumentimi ne detaje nga ana e autorit na bind mjaftueshem se libri i Karla del Pontes (Gjuetia- unë dhe, kriminelët e luftës), Libri i Bardhë i Shërbimit Sekret Serb  apo librat e tjerë të përgatitur në kuzhinën e Beogradit dhe te shpërndara në të gjitha mediet apo qendrat diplomatike dhe institucionet kryesore nderkombetare janë 100%  një propogande e pisët për të mbuluar gjurmët e krimit të vërtetë.

Libri është ndërtuar në dhjetë kapituj qe  kanë prologun dhe epilogun e tyre, duke sjellë fakte të pakontestueshme që vijnë nga Beogradi.  Ai zgjedh prologjet e gjithë kapitujve për t'na ofruar propogandën serbe dhe epilogjet për  qëndrimet e intelektualëve serbë apo të punonjësve të policisë serbe që hedhin tërësisht poshtë propogandën serbe, madje me fakte tregojnë mbi tmerret qe jane ushtruar ne Kosove nga Beogradi.

Libri bëhet edhe më interesant kur politologu Bardhyl Mahmuti ndalet në argumentimin shkencor të faktit mjaft të diskutueshëm edhe në qarqet e ndryshme ndërkombetare: Gjenocid apo jo gjenocid i ushtruar në Kosovë nga regjimi i Milosheviçit.

Shpesh gjenocidi ngatërrohet me krimet e luftës, por politologu shqiptar i cili e njeh mirë gjuhën e politkiës dhe historisë e bën dallimin me argumente dhe fakte: Kur kemi krim, vrasje apo shfarosje dhe kur kemi gjenocid. Beteja qe ai merr përsipër përballë një propagande disa gjuhëshe  nuk mund të fitohet kollaj. Janë 15-16 vite që Beogradi ka punuar dhe vazhdon të punojë intensivisht në këtë drejtim. Mjafton të përmendim CD me mijëra e mijëra dokumente të shpërndara anë e mbanë botes duke njollosur shqiptarët, apo duke i cilësuar udhëhqesit e UCK  terroristë.

Libri përfshin shumë aspekte, shumë personazhe, realë dhe jo realë, politikanë,ushtarakë, gazetarë, ekspertë apo njerëz të thjeshtë civilë. Libri ndalet në ngjarjet më kryesore të viteve të krizës në Kosovë.

Për herë të parë në mars te 1999 ne historinë e Nato-s, Sekretari i Përgjithshëm Javier Solana autorizoi kryekomandantin Wesley Clark, që të veprojë ushtarakisht. Kjo 'ndërhyrje e parë humanitare' e Aleancës Veriatlantike përbënte risi në fushën e të drejtës ndërkombëtare. Kritikët akuzuan Nato-n, se ka shkelur të drejtën ndërkombëtare sepse ka sulmuar pa ndonjë mandat të qartë të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Një ndër kundërshtarët më të flaktë ndaj Ndërhyrjes së NATO-s është edhe demokrati radikal zvicerian,Dick Marty, i cili ka qenë kundër intervenimit të NATO-s ndaj regjimit të Millosheviçit. Marty e sheh pavarësinë e Kosovës si komplot të amerikanëve “për të mbajtur bazën e tyre më të madhe në botë”. Ajo që është më e keqe, sipas tij, lidhet me faktin se “UÇK-në e kanë prezantuar si të ishte organizatë e virgjër dhe bamirëse”. Për këtë arsye, ai u angazhua intensivisht  “që të gjejë provat për të dëshmuar se UÇK-ja është organizatë kriminale, që provokoi luftën, që vrau civilë të pafajshëm dhe i mundësoi imperialistëve amerikanë të ndërtojnë bazën më të madhe të tyre në botë!”., shkruan Bardhyl Mahmuti në librin e tij.

Josef Markos, jurist i së drejtës ndërkombëtare në Grac të Austrisë beson se edhe pse ndërhyrja në Kosovë nxorri në pah dobësitë e të drejtës ndërkombëtare, ajo i dha një impuls të rëndësishëm zhvillimit të saj. Markos duke justifikuar nderhyrjen humanitare te NATO-s me të drejtë shtron pyetjen: „ Çfarë do të thotë gjenocid? A duhet ta përcaktojmë atë vetëm nga këndvështrimi i përgjegjësisë individuale ndërkombëtare në kuptimin e kodit penal, apo mund ta përcaktojmë edhe nga e drejta e grupit? Gjëra të tilla mund të diskutohen deri në pyetjen cinike, se sa njerëz duhet të vriten çdo ditë për të thënë, se kemi të bëjmë me gjenocid, a mjaftojnë 20 të vrarë në ditë apo na duhen 300 të vdekur në ditë?"

Pikerisht pyetjeve te tilla mjaft te diskutueshme ne opinionin nderkombetar ne lidhje me Nderhyrjen e NAO-s(e drejte apo e gabuar) i përgjigjet me fakte autori i librit Mashtrimi i Madh ne faqen 293:

„Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit nuk duhet të ketë miliona të vrarë për ta cilësuar krimin si gjenocid. Vrasja e 1392 fëmijëve shqiptarë, vrasja e 1739 grave shqiptare, vrasja e rreth 10.000 civilëve të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave, dhunimi i 20.400 femrave shqiptare dhe zhdukja  e 1657 kufomave civile dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin fizik dhe biologjik në Kosove. Sipas Bardhyl Mahmutit, të gjitha provat që posedojmë dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se shteti serb ushtroi një fushatë të përmasave të mëdha dhe sistematike që kishte për qëllim të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht popullin shqiptarë të Kosovës, si të tillë.

Prandaj edhe Raporti i Dick Martyt i titulluar “Trajtimi jonjerëzor i personave dhe trafikimi kundërligjor i organeve njerëzore në Kosovë” nuk ka asgjë unike, shkruan autori Mahmuti. Përkundrazi, janë akuza të dëgjuar sa e sa herë në nga goja e atyre që në çdo intervenim të amerikanëve, qoftë edhe në rastet kur qëllimi ishte humanitar, nuk shohin asgjë tjetër pos “komplotit” për të dominuar botën! Akuza që i vishet UÇK-së për «trafikimin kundërligjor me organe njerëzore në Kosovë» është akuza më e mediatizuar lidhur me luftën e Kosovës. Që nga publikimi i librit të Karla Del Pontes e deri te miratimi i projektligjit për krijimin e Gjykatës Speciale për UÇK-në kjo çështje ka zënë një vend të rëndësishëm në të gjitha debatet. Madje, nuk janë të rralla pohimet se “ka edhe dëshmitarë që konfirmojnë vërtetësinë e kësaj akuze”.

Ky Raport i Dick Marty-it, sipas Mahmutit nuk është asgjë tjetër pos sintezë e të ashtuquajturit “Libër i Bardhë “ i përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb. Ai asnjëherë nuk e ka ngritur zërin kundër dhunës që shteti serb ushtronte kundër popullit shqiptar të Kosovës,

Edhe Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, apo siç tashmë është emërtuar me ligj nga Parlamenti i Kosovës si "Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar", doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës, që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit radikal zvicerian, i cili pretendon se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Libri bëhet edhe më interesant kur autori na ofron fakte nga Beogradi të gazetarëve apo aktivistëve serbë për të drejtat e njeriut që shprehen hapur mbi politikën e spastrimit etnik dhe gjenocidit në Kosovë nga regjimi i Milloshevicit. Një prej të cilëve është edhe ajo e gazetarit  serb Miroslav Filipovic, i cili pse ngriti zërin  kundër krimeve të Serbise në Kosovë u dënua me 7 vjet burg. Madje edhe Kryeministri i sotëm i Serbisë  Aleksander Vuciq pati deklaruar në vitin 2013 kur ishte zevëndëskryeministër se: Në Serbi pushteti vriste edhe ata që mendonin ndryshe, edhe kundërshtarët e vet. Ka shume gjëra të tmerrshme me të cilat duhet të ballfaqohemi. Ai madje hodhi poshtë akuzat që drejtoheshin kundër shqiptarëve për vrasjen e gjashtë të rinjëve serbe në kafenenë Panda në Pejë dhe për këtë krim fajësoi pushtetin e Beogradit.

Politologu Bardhyl Mahmuti citon shpesh të dhëna fatale nga „Libri i Bardhë „ i Shërbimit sekret serb botuar dhe shpërndarë në mars të vitit 2000 për të parë më konkretisht se deri ku shkon fuqia e atij regjimi  ekstrem  të udhëhequr nga Miloshevici dhe makineria e tij. Sigurisht që për zhbardhjen e së vërtetës mbi vrasjen e civilëve   ka ndihmuar edhe vete ish shefi i Sherbimit sekret serb, Radomir Markovici, i dënuar me 40 vjet burg. Në letrën drejtuar kryetarit të Serbisë, Timoslav Nikolic, ai kërcënoi se „ne rast se nuk i falet dënimi, do ta bëjë Serbinë që të ulet në gjunjë, nëse publikon listën e krimeve të bëra kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë“.

Sado paradoksale të duket kjo deklaratë, një pohim i tillë është plotësisht logjik në përputhje me verbërimin e tyre ideologjik, shkruan Bardhyl Mahmuti. Por ajo që mbetet shqetësuese është fakti që Beogradi ende nuk eshte shkeputur nga e kaluara e errët edhe sot. Në strukturat e tij udhëheqëse, Vuciq ka emëruar  shumë njerëz që ishin pjesë e makinës së dikurshme vrastare ndaj shqiptarëve.

Kjo situate politike e bën te pashpresë të ardhmen e Serbise  si pjesë e familjes europiane dhe rrezikon të tashmen dhe të ardhmen e gjithë Ballkanit.

Mendoj që libri „Mashtrimi i madh“ është një vepër që meriton mirënjohje dhe respekt  për punën mjaft të vyer dhe me shumë cilësi nga ana e autorit, një vepër që bashkë me faktet ka sjellë edhe mesazhin më të mirë për Beogradin dhe Prishtinën:Të njohim të kaluarën për të parë drejt së ardhmes. Sepse për të diskutuar mbi krimet e tua është më vështirë, ndërsa të tregosh me gisht të tjerët është më e lehtë. Por vetëm kush është në gjendje të tematizojë dhe të diskutojë për veprimet e veta, është në gjendje të komunikojë me kombet e tjera. Por pa falur kriminelët që e kanë vendin në bankën e të akuzuarve. Ndaj edhe themelimi në Prishtinë i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin nga institucionet më të larta shtetërore edhe pse shumë vonë, është një ogur i mirë për të gjithë qytetarët për të folur mbi të vërtetën e së kaluarës me gjuhën e pajtimit.

Sepse siç tha edhe ideatori i kësaj Nisme, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi:“Nuk mund të ketë të ardhme duke mbetur peng i së kaluarës“.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat