Sabri Maxhuni Zbërthyes i kodeve

Libra

Sabri Maxhuni Zbërthyes i kodeve

Nga: Demir Behluli Më: 3 prill 2017 Në ora: 12:57
Sabri Maxhuni Zbërthyes i kodeve

Në moshën time pasionet nisin e zbehen dhe dëshirat mpaken, por disa gjëra, sa më shumë kohë që kalon dhe sa më shumë shtyhem në vorbullën e viteve, aq më në pah dalin dhe aq më kënbëngulëse behën. Një nga këto “vese”, siç e quan Umberto Ego, është leximi, që më ka shoqëruar që në rininë time të hershme dhe vazhdon të më mbajë gjallë edhe sot. Leximi është një nga pasionet e mia të vjetra dhe nën hijen e këtij pasioni, të cilin vazhdoj ta ushqej edhe tani në moshën e pleqërisë së thellë, kam rizbuluar Sabri Maxhunin -Novosella- jo vetëm si një mik të mrekullueshëm, me të cilin kemi ndarë së bashku kohën dhe fjalët, por dhe si një autor mjaft serioz e me përgjegjësi intelektuale në prurjet e tij në fushën e historisë dhe të mendimit shqiptar. Sot, kur kriza e mendimit është në krye të listës së krizave të një shoqërie, të ndarë mes vetit me kufij e barriera të shumta, një zë ndryshe, është një zë që ngrihet kundër krizës, kundër injorimit të së vërtetës dhe amplifikimit të demagogjisë.

Ky është zëri i mikut tim të kahershëm, Sabri Maxhuni Novosella, shqiptarit të paepur, që me penë e rezistencë aktive për shqiptari ka dëshmuar shpirtin e tij të madh prej intelektuali elitar dhe mendimtari me sqimë. Sa herë që fatet e popullit shqiptar kanë qenë në udhëkryq, e kam parë Sabri Maxhunin të angazhuar me penë e dituri, me ide e platforma, me aksion atdhetar e koshiencë atdhetare, për të ndezur një pishtar, për të projektuar një shpresë për të ardhmen tonë kombëtare. Natyra e tij optimiste, zhdërvjelltësia dhe mendjemprehtësia, që e kanë karakterizuar gjithë jetën, kanë kulmuar në tentativën e tij të guximshme shkrimore, në rreth njëzet libra, në qindra shkrime, investigime dhe analiza të tij. Këto janë një pasuri e madhe e historisë së popullit shqiptar, e mendimit shqiptar, të çliruar nga kufizimet që burojnë nga interesa të ngushta oborresh politike dhe kompleksesh të së kaluarës komuniste.

Njohja e gjatë me Sabri Maxhunin nuk ma ka lehtësuar përgjegjësinë, por ma ka bërë atë më të fortë, për të shkruar një analizë sa më realiste rreth asaj se çfarë sjell ky mendimtar në rrafshin e mendimit tonë kombëtar, ku qëndron e reja e qasjes së tij në raport me qasjen e përgjithshme të historiografisë shqiptare. Jo për hir të miqësisë, pasi për hir të saj pijmë kafe e qajmë hallet tona të shumta, që si gjithë shqiptarëve na kanë zënë në këtë cep të tokës e qiellit ku rrojmë, por për hir të asaj që e përveçëson Sabriun si një individ që beson tek një kauzë e shenjtë dhe të cilës i ka përkushtuar gjithçka, që kur ishte në moshë rinore e deri sot, ndërmora shkrimin e këtij libri. E ndërmora mundimin e shkrimit të këtij libri, në rrekjen për të bërë një analizë të veprës së tij të gjërë dhe të kompletuar, për të dëshmuar atë dashuri të madhe që ai na sjellë në çdo faqe të kësaj vepre, si një nxitje për të reaguar ndaj historisë, ndaj të ndodhurës mbarëshqiptare, ndaj të kaluarës dhe të sotmes së popullit shqiptar. Ka shumë kohë që unë e kam ndjekur me interes Sabri Maxhunin, kam lexuar e rilexuar të gjithë librat e tij, kam mbajtur shënime e kam reflektuar rreth tezave të tij në kohështrirjen e mendimit të ri shqiptar.

Nuk mund ta mohoj se qëndrimet publike, mediatike dhe të shfaqura në librat e tij të shumë të autorit Sabri Maxhuni Novosella, përcillen me thjeshtësi dhe qartësi disa nga të vërtetat, që nuk na janë thënë siç duhet ne shqiptarëve, ngase shumëçka na është servirur kokëposhtë, nën hijen e dyzimit, mashtrimit dhe demagogjisë; pasi historianët e mendimtarët tanë, jo rrallë kanë çuar ujë në mullirin e dizinformimit kolektiv, duke na i paraqitur shumë ndodhi të së kaluarës nën truke dhe sajime të kota. Sabri Maxhuni na mëson se pa njohur me rrënjë të kaluarën, pa njohur meritat, plagët, heronjtë, tradhëtarët, kauzat, defektet, përndritjet, traumat, pa njohur gjithçka si në një radiografi të përpiktë, në kohëhapësirën historike, nuk mund të kemi një histori të shkruar drejt e saktë, një të kaluar me kode të deshifruar, si mundësi për të projektuar ura të qëndrueshme atdhetarie ku mund të kalojnë e sotmja dhe e ardhmja e kombit shqiptar. Në zbërthimin e saktë dhe të detajuar të historisë Maxhuni vendos kodet e tij, kode që fshehin farët e të ndodhurës shqiptare, çfarë është projektuar dhe realizuar në reaksionin historik shkak-pasojë. Këto kode ai nuk i shpik nga mendja e tij, por me dijet dhe intuitën që e karakterizon, duke gërmuar në thellësi të ngjarjeve, të rrethanave, heronjve, protagonistëve të tyre, i gjen ato në materien historike, në ekstraktin e mendimit shqiptar në kohë, në përvojën kolektive të breznive shqiptare, në rrugën e lirisë dhe progresit kombëtar. Dihet se edhe në periudhat më të errëta të njerëzimit, dija njerëzore është zhvilluar në vijimësi. Ajo kurrë s’ka patur shkëputje.

E reja, novatorja nuk mund të jetë një zhvillim, një kërcim nga hiçi. Në këtë kuptim Sabri Maxhuni ecën në gjurmët e kolosëve të mendimit shqiptar, të korifejve iluministë që kanë ngulur piketa në kujtesën e mendimit shqiptar. Maxhuni e nderton mendimin e tij ndryshe jo për hir të ndonjë fiksioni, por për shkak të qartësisë së tij për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, qoftë dhe kur ajo është në dëm të shqiptarëve. Sabri Maxhuni, ky depërtues në palcën e identitetit historik të popullit shqiptar, na shfaqet si një zbërthyes kodesh të ngjarjeve të kësaj historie, të rrjedhave të saj të trazuara. Ky zinxhir kodesh që po ju parashtrojmë, ka ekzistuar, nuk janë shpikur nga Maxhuni, por ky i fundit i ka zbërthyer ato, duke zbuluar pas tyre shumë domethënie historike, të vështruara nën një optikë ndryshe nga ajo çfarë na ka paraqitur deri më tani historio-grafia komunsite, ajo e ekskatedrës dhe e historianëve që iu shërbejnë interesave të ngushta oborrtare partiake. Mendoj se këto kode kanë ekzistuar, kanë qenë të ditura në rrethe të ngushta mendimtarësh e dijetarësh, herë herë dhe janë shqiptuar me zë të lartë, e zeza mbi të bardhë, si në rastin e ndonjë mendimtari antikonformist, si bie fjala Fishta e Konica, por vetëm kaq. “Vija e kuqe” në përgjithësi nuk është shkelur dhe shumë të vërteta që tashmë po dëshmohen-dhe kësaj i ka shërbyer dhe po i shërben mirëfilli dhe vepra e Maxhunit- kanë qenë dhe për fat të keq vazhdojnë të jenë të mbuluara me hije dyshimi dhe keqkuptimi. Portreti prej mendimtari i Sabri Maxhunit është ai i një kërkimtari të thellë, që vështron përtej fakteve dhe detajeve historike, që interpreton me qartësi e thellësi ngjarjet, dukjet, fasadat dhe thelbin e tyre, duke nxjerrë në pah tipologjinë historike të kauzës së kohë-hapësirës shqiptare.

Ai zbërthen kodet e të ndodhurave dhe me atë të tyre hap dyert e një interpretimi të ri të së kaluarës, duke synuar që historinë ta vështroj në njëherësh në rrafshin sinkronik dhe diakronik, si një mundësi për ta përdorur atë për të sotmen dhe të nesërmen. Duke njohur më së miri lëndën historike që bën objekt shqyrtimi, Maxhuni nuk mbetet në renditjen e fakteve, për të kjo gjë nuk është kryesorja, pasi, siç kanë vënë në dukej dhe të tjerë, faktet dhe të ndodhurat janë po ata për gjithëkënd që merr në shqyrtim një çështje historike; e veçanta është se ky autor di të interprteojë faktet dhe dokumentet, të reflektojë mbi të ndodhurat e kombit shqiptar, të shpalosë ide, kauza, vizione që janë aq aktuale për mbarë shqiptarinë, që të dalim më në fund të gjithë, siç jemi, edhe pse të ndarë mes veti nga kohët e këqija, në rrugën e mbarë të progresit e begatisë, në rrugën drejt një shtet të përbashkët kombëtar.

Siç thotë me të drejtë Av. Dr. Serxho Mazreku: “Jo rrallë nëna jonë histori ne shqiptarëve na ka treguar kërcënueshëm duart e njerkës, duke na ushqyer me një mitologji të dalë boje e pse jo qesharake, ndërkohë që modelet e ngjarjeve, modelet e heronjve, modelet e rrugëve nga ka kaluar rezistenca dhe progresi kombëtar drejt ardhmërisë, i ka fshehur nën velandonin e keqpërdorur nga politika. Në zigzaket e saj, aty ku duket sikur filli humbet në një “vrimë të zezë” e të pakuptimitë, m’u aty z. Maxhuni gjen fijen e mplesur dhe e shpleks, gjen modelin aty ku deri më dje është servirur demonizmi absurd”. Duke vështruar në rrafshin horizontal dhe vertikal të historisë së shqiptarëve, për më tepër duke pasur një pikëpamje origjinale mbi ato pjesë të historisë sonë kombëtare, shpesh të mbuluara me pluhur dykpuptimesh e hamendësimesh të rëndomta, Sabri Maxhuni ia del të ndërtojë këndvështrimin e tij të plotë mbi ngjarjet më të rëndësishme që i kanë ndodhur popullit shqiptar. Ideja që përçon kryefund gjithë procesin e tij shkrimor duket se është ajo e luftës dhëmb për dhëmb të shqiptarëve me falangat pansllvaiste, me urditë e tyre përbidëshme të krimit dhe zulmës shfarosëse, që për shekuj të tërë i mbuloi trojet tona me gjakun dhe shkrumbin e lënë prapa nga barbarët, që, siç thotë Maxhuni erdhën nga Karpatet si skllevër, duke iu kërkuar ndihmë shqiptarëve dhe u bënë plangpriësh barbarë të zotërve të tyre fisnikë.

Kur flasim për “kodet” që gjallojnë në çdo faqe të veprës së Maxhunit, kemi parasysh ato ngjarje, rrethana, protagonistë etj, të cilave Maxhuni, duke iu qasur në thelbin e tyre, duke i zbërthyer dhe nxjerrë në dritë të diellit, i përdor si “lëndë të parë” për të gatuar “bukën” e një historie ndryshe. Bie fjala, ndarja e Kishës së Krishterë në vitin 1045, në Kishën Katolike me qendër në Romë dhe Kishën Ortodokse me qendër në Konstandinopol (Stambolli i sotëm), është “kodi” ku Maxhuni parasheh gjithçka që do të ndodhte më vonë në disfavor të shqiptarëve, territoret e të cilëve u ndodhën në zonën e konfliktit dhe për shqiptarët nisën kohët e përplasjeve dhe konfrontimeve të forta, që nga pushtimet deri tek tentativat e dëshpëruara për të na shpopulluar e zhbërë nga faqja e dheut.

Për këto dhe të tjera do të flasim hollësisht në këtë libër, por ajo që dua të ngre qysh në krye të herës është fakti se Sabri Maxhuni më shumë se analist, më shumë se historian, më shumë se mendimtar, është misionar. Gjithë vepra e tij e dëshmon më së miri këtë fakt. Gjithë veprimtaria e tij atdhetare, politike, intelektuale, e tregon me detaje dhe me këmbëngulje këtë dimension të tij. Maxhuni është një misionar i shqiptarisë, por jo një misionar folklorik, nga ata që këndojnë mbrëmje në vatër, buzë oxhakut, këngë maje krahu (edhe këto misionarë na lypsen, sigurisht), por një misionar i përgatitur me dije të thella, të cilat i vë në lëvizje dhe i shfrytëzon për të na dhënë një vepër të kompletuar, shprehëse dhe domethënëse, aq të nevojshme në këto rrjedha të rrethave të reja të fatit të ri të popullit shqiptar dhe të kohës së shqiptarëve në sijudhesën ballkanike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat