Doli nga shtypi libri me poezi "Sakrificë gërshetash" i poetes, Minire Rukovci-Hyseni

Libra

Doli nga shtypi libri me poezi "Sakrificë gërshetash" i poetes, Minire Rukovci-Hyseni

Zymer Mehani Nga Zymer Mehani Më 12 prill 2017 Në ora: 23:32
Kopertina e librit

Këtyre ditëve doli nga shtypi vëllimi poetik “Sakrificë gërshetash” i poetes Minire Rukovci-Hyseni. Botoi SH B “PROKULTPRESS” me drejtor Mr. Fatmir Halimi dhe recensent e lektor Prof. Zymer Mehani

Një jetën tonë letrare, poetja Minire Rukovci-Hyseni kësaj here erdhi me përmbledhjen poetike “Sakrificë gërshetash”, në të cilën na e paraqet botën e saj poetike me rrjedha normale dhe me angazhim krijimtar të sintetizuar, me laryshi tematike dhe me artikulim poetik, të pajisur me motive dhe ide poetike të realizuara estetikisht.

Si për shumë poetë të tjerë, edhe për poeten Minire Rukovci, botë e madhe dhe temë tejet e veçantë është vendlindja, së cilës i këndon me të gjitha problemet, kujtimet, ëndrrat, heroizmin e qëndresën nëpër shekuj deri më sot. Është kjo një botë poetike  dhe një motiv i dashur për poeten, që vazhdimisht na përcjell në shumë poezi të përmbledhjes në fjalë:

O vendlindja ime je e shenjtë për mua

Shpirti më freskohet sa herë të kujtoj

Asnjë vend në botë sikur ty nuk dua

zemra më qetësohet sa herë të vizitoj

(“Vendlindja ime”)

Me dashuri të madhe poetja Rukovci do t’i përjetësojë në vargjet e veta edhe shumë figura dëshmorësh, siç janë Besnik Restelica, Naser Sekiraça, Muharrem Mehmeti, trimi Ukshin Kosumi, dëshmoret Ylfete Humolli e Antigona Fazliu etj.

Për Ylfeten poetja do të tregojë:

Në protestë e vranë të voglën Ylfete Humolli,

I tregoi armikut që s’do ta durojmë,

-Kështu vdesin bijtë dhe bijat e këtij trolli,

Por regjimin tuaj kurr s'do ta pranojmë.

(“Sakrificë gërshetash”)

Ndërsa për dëshmoren Antigonë Fazliu do të thotë se:

Luftoi sypatrembura e vogla Antigonë

Si një yll shëndriti në radhët e ushtrisë

Jetën që e fali për atdheun tonë

Kosova e quan “BUKUROSHJA E LIRISË”

(“Bukuroshja e lirisë”)

E për dëshmorin e lirisë, Muharrem Hyseni. Poetja Minire Rukovci do të sqarojë:

I riu Muharremi  na shkruajti një letër,

Kosova jonë e dashur kërkoka pasuri tjetër.

-Ju përshëndes të gjithëve, më së shumti  nënën,

Por s’mundem t’ia duroj më Kosovës gjëmën.

S’mund të qëndroj më këtu për t’fitua pare,

Dua t’i bashkohem Ushtrisë Çlirimtare.

(“Muharrem Mehmeti”)

Një poezi, ndër më të bukurat të poetes Rukovci, që na rikujton shumëçka nga ditët e stuhishme të luftës, është edhe poezia “Nëna dhe fëmija”, në të cilën nëna është personifikim i të gjitha nënave kosovare që sakrifikuan shumë për familjet dhe fëmijët e vet, madje deri në flijim.

Në këtë poezi kemi një dialog të zhvilluar mes fëmijës dhe nënës, kur në rrethana dhe kushte të vështira, nga vuajtjet dhe nga frika, tek fëmija nxitet kërshëria për të pyetur të ëmën për atë situatë të pazakontë.

Të goditura janë  vargjet, ku nëna i shpjegon të birit se armiku edhe pse i armatosur gjer në dhëmbë, ai do të mundet, sepse “zemra e tyre është si zemër lepuri” dhe agimi i lirisë, në saje të trimërisë dhe sakrificës së UÇK-së, është afër :

Ushtarët e armikut kanë dhe rroba hekuri

Por zemra e tyre është si zemër lepuri

Zemra e UÇK-së është sikur çelik

Po i bën ballë armikut, në këtë mot të lig

-Qëndro biri im, qëndro edhe pak

Çlirimi i Kosovës, tani është në prag

(“Nëna dhe fëmija”)

E shtrirë tematikisht në disa rrathë preokupimi mbi një gurrë frymëzimi, poezia e poetes Minire Rukovci do të zërë të kridhet herë-herë edhe në kthim retrospektiv. Në këto suaza preokupimi krijues i kësaj poeteje do të përpiqet që t’i zgjerojë koordinatat e refleksivitetit dhe të emocionalitetit të vargut të saj. Kujtimet, ëndrrat, vetmia, dhembja, dashuria prindore, gjësendet e moçme, si llampa e kasollja do të bëhen fjalë kyçe të poezisë së autores.

Ja një kujtim i bukur nga e kaluara jonë, që çdonjërit prej nesh na mallëngjen:

Sa mëpëlqen kur të shoh, moj llampë

Truri më sjell shumë kujtime

Sikur jam mes tridhjetë anëtarësh

Kur ka qenë fëmijëria ime

(“Ah, mojllampë e moçme”)

Në vargjet e poetes Minire Rukovci vërehet qartë preokupimi imagjinativ me jetën në tërësinë e saj dhe në nuancat e mbajtjes së saj. Në disa poezi ky preokupim herë-herë merr edhe intonacion nostalgjik, por fatmirësisht asnjëherë nuk përshkohet me pesimizëm.

Ngase jeta identifikohet nëpër shumë forma të përmbajtjes së saj, në shumë sprova, shqetësime, vuajtje, dhembje, vizioni poetik i Minire Rukovcit ia del që t’ia kthejë jetës shpronësimin shpërtëror, ta vërë në lëvizje frymën qëndresatare për të vazhduar përpara pathyeshmërisht.

Në poezinë e Minire Rukovcit do ta hasim edhe motivin e qytetit, që është edhe preokupim poetik i poetes.

Në çdo familje gjenden

Nga dy-tri makina

Secili për vete

Do që të jetë pronar

Kështu është bllokuar

Pra edhe Prishtina

S'ke kah të kalosh

Zoti na bëftë çare

(“Si mund të ketë shëndet”)

Në vargjet e veta poetja Rukovci ka ravijëzuar edhe figurën engjullore të mbesës së vogël dhe simpatike, Hirës. Kjo vogëlushe

… ështëshumë e vogël 

Me të madhin emër
E shoh qëleximin 
E adhuron me zemër

Të gjithë emrin Hira

E dini çdo të thotë

Shpellaku KUR’ANIN

E zbrit i MadhiZot

(“Hira”)

Në shtegtimin e saj poetik, poetja Minire Rukovci i këndon edhe shpresës për një jetë të re dhe ëndrrës së papërfunduar për dashuri ndaj njeriut, ndaj atdheut dhe respektit ndaj dëshmorëve, duke u përpjekur që ta zbulojë e ta pasurojë kuptimin e jetës, duke mohuar vese dhe duke pranuar virtyte.

Gjuha e poezisë së poetes Minire Rukovci është poetike, letrarisht e ndërtuar mirë, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma, përveç katër poezive, të cilat i ka shkruar në dialektin gegë. Vargjet janë të thurura bukur me figuracion poetik.

Dhe krejt në fund, poetes Minire Rukovci ne i urojmë suksese të mëtejme në rrugëtimin e saj poetik me frymëzime të bardha, ndërsa ty lexues i dashur, të urojmë lexim të këndshëm kudo që të jesh!.                                      

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat