Vargje që përshkruajnë temën e heroizmit të dëshmorëve të UÇK- së

Libra

Vargje që përshkruajnë temën e heroizmit të dëshmorëve të UÇK- së

Nga: Milazim F. KADRIU Më: 14 prill 2017 Në ora: 20:03
Kopertina e librit

S.Ismaili-Ilirida ditë më parë erdhi  para lexuesve me librin e saj më të ri të titulluar “Pushkët e lirisë”. Si edhe në librat  e tjerë edhe në këtë libër dominon motivi patriotik që është preokupim i autores që ti këndoj UÇK-së  dhe heroizmit të dëshmorëve dhe gjithë atyre që dhanë kontribut të çmuar për lirinë e Kosovës.

“Pushkët e lirisë” i autores S. Ismaili Ilirida  përmban tri poema : Moj Drenicë ta puthsha pushkën (poemë për Drenicën heroike),Pushkët e lirisë- zë kushtrimi (poemë për trimat e Llapit e të Gollakut), Kaçaniku shkëmbë e gurë, si dhe katër poezi: Pushkën top për Shqipëri ( Dëshmores Hyrë Emini ), N’ Gorozhub erdhi komandanti ( Mujë Krasniqit- Komandant Kapuçit), Llapashtica kështjellë baroti, Komandanti simbol lirie ( Xheladin Gashit - Komandant Plakut ) .Këto poema dhe poezi  janë  rrëfime lirike me elemente të rrëfimeve  epike e dramatike,që njëherësh himnizojnë luftën tonë për çlirim kombëtar kundër armiqve shekullor.

Për ta fituar luftën për lirinë dhe çrrënjosjen e okupatorit shekullor, për shumë trima, martirë, e heronj, kurrë nuk ka pasur hezitim. Ata as që e kanë kursyer  jetën e tyre për ta fituar lirinë. Ata janë flijuar, janë skalitur, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë ende në vargjet, këngët dhe krijimet artistike.

Vargjet e këtij libri  përshkruajnë temën e heroizmit dhe të flijimit si koncept atdhetar. Autorja shpalos botën e vet poetike, të frymëzuar nga betejat  heroike UÇK-së  me përplot luftëra, ku protagonist kryesor ishin trimat që ranë për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Vargjet e këtij libri  i karakterizon një motivim i thellë, një notë e theksuar atdhetare dhe një adhurim për dëshmorët të cilët sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.

Pikënisje e rrëfimit poetik bëhet pikërisht lufta e lavdishme çlirimtare, shpaloset lavdia e saj, heronjtë dhe dëshmorët e saj në krye të të cilëve qëndrojnë legjendarët  Adem Jashari, Zahir Pajaziti. Në vargjet e saja në poema dhe poezi autorja  përmend shumë dëshmor të UÇK-së por edhe shumë  luftëtarë të UÇK-së që dhanë kontribut të çmuar për lirinë e Kosovës.

Këto vargje kanë ngjyrën e gjakut, krenarinë e dëshmorëve dhe gatishmërinë e tyre për flijim, vetëm e vetëm për ta fituar lirinë. Janë balada të përgjakura të cilat flasin se historia jonë nuk duhet të harrohet kurrë e as protagonistët që me gjakun e vet shkruan kapitullin më krenar të saj.

Po t’i marrim për analizë vargjet e poemave dhe poezive të këtij libri , vërehet lirizmi poetik, sepse subjekti lirik i vargjeve  arrin që dëshmorët dhe betejat e UÇK-së ti ngrejë lart deri në kaltërsinë diellore.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte shpresa e një shekulli të ri, e cila u lind  në Kosovë, ku autorja në vargjet e saja jo vetëm i jep jehonë luftës  për lirinë e Kosovës, por edhe vë përmasën e motivit e të idealit të Ushtrisë Çlirimtare, e cila i doli në mbrojtje atdheut.

Ajo  në tërë librin mban konstant rrëfimin e vetë të idealizuar dhe shprehjen e vetë të formësuar. Ajo është fare e drejtpërdrejtë dhe këtë rrëfim ajo e peshon bukur gati në të gjitha vargjet  e sajë. Çdo varg të këtij libri  autorja  e përshkon me një ndjenjë të shprehjes së bukur, me ndjenjën shpirtërore.

Si poemat ashtu edhe poezitë e  prezantuara në këtë libër rrezatojnë vlera të mëdha ngase mëtimi i autores është shpalosja e idealit, e bëmave, e sakrificës sublime dhe karakterit të tyre të veçantë.

Dëshmorët e UÇK-së ishin rreze dielli, në qiellin e errët shqiptar. Ata ishin bijtë e bijat e kësaj toke që me heroizmin e vet shkruan faqen më të ndritshme të historisë sonë. Flaka vullkanike e lirisë e ndezur në zemrat e tyre u bë frymëzim dhe zgjoi botën artistike të  shumë krijuesve që  të reflektojnë poetikisht në ndriçimin e këtyre figurave legjendare, të cilat janë më meritorët që ne sot jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës.

Ky libër është vëllim përkushtimesh poetike që përmes vargjeve krijuese  shfaqet një mesazh  i cili është rikujtues për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Andaj vëllimet e tilla poetike janë libra të cilat nuk duan ta sfidojnë lexuesin por ta spikasin me dije për luftën dhe sakrificën  si ngjarjet më të mëdha historike të cilat i kemi përjetuar e sidomos në luftën e lavdishme të UÇK-së.

Të shkruash për dëshmorët në fakt nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse të përkulesh para veprës së tyre monumentale, që është bërë për ne  dhe kështu do të jetë edhe për brezat e ardhshëm shqiptarë.

Librat e tillë si ky  i autores S. Ismaili-Ilirida  e mundin harresën për të kaluarën, e sidomos për luftën e lavdishme të UÇK-së .

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat