Misioni i shenjtë i një misionari

Libra

Misioni i shenjtë i një misionari

Nga: Ajete Zogaj Më: 26 prill 2017 Në ora: 16:05
Libri "Misionari i arsimit kombëtar"

Shtjellimin e këtij recensioni për librin e prof. dr. Mehmet Halimit,”Misionar i arsimit kombëtar” -(Nga ditari im -Shënime dhe kujtime) do ta filloj me një thënie të F. N. Babeuf, i cili e vlerëson kështu misionin dhe rolin e mësuesit:“Në shoqërinë e ardhshme personalitet kryesor do të jetë mësuesi e jo gjenerali”.

Përkufizim

Në letërsinë shqipe përgjithësisht, e në atë që krijohet në Kosovë veçanërisht, memuaristika si zhanër letrar (ku bëjnë pjesë: letërkëmbimi, kujtime e shënime, autobiografi dhe forma të ndryshme të ditarëve personalë nga autorë fushash të ndryshme), nuk është edhe aq e njohur tek ne. Botimi i këtij libri e plotëson këtë gjini letrare, duke na sjellë një qasje ndryshe shkrimi, nga një mësues i cili në rrethana të vështira ekonomike e shoqërore iu qas edukimit të brezit të ri.

Prandaj, libri më i ri i autorit Mehmet Halimi, “Misionar i arsimit kombëtar”- (Nga ditari im- Shënime dhe kujtime),është një vepër, i cili lexuesit i sjellë një libër sa real aq edhe të këndshëm për lexim, ndërkaq, studiuesi mund të ‘gjurmojë’ formën dhe mbarështrimin e një ditari personal të një mësuesi, si dhe ndërlidhjen e këtij ditari me shënime e kujtime, duke vënë në epiqendër rolin dhe misionin e mësuesit në rrethanat e asaj kohe!

Ky libër pasqyron rolin e mësuesit shqiptar, misionin e shenjtë të mësuesit në shërbim të kombit e të atdheut, duke edukuar gjeneratat e reja me dije, kulturë dhe shkencë. Kombi ynë përgjatë historisë kaloi nëpër kohë të vështira dhe kohë të mira.

Prandaj edhe treshja siç thotë autori në libër (Mehmet Halimi, Abdyl Hoxha dhe Hasim Vranovci), e kishim marrë me shumë përkushtim punën me nxënës dhe edukimin e gjeneratave të reja që në fillet e punës së tyre me ditar në dorë, në shkollën fillore të Raincës në trevën e Preshevës, atje ku atëbotë më së shumti kishte nevojë për mësues shqiptarë.

Në këtë libër lexuesi do të sforcojë edhe më shumë bindjen për misionin e shenjtë të mësuesit, apo siç kanë thënë me të drejtë disa pedagogë klasikë se: “Thirrja mësues është thirrja më e bukur, por njëkohësisht është edhe përgjegjësi më e rëndë”.

Hyrje

Libri ”Misionar i arsimit kombëtar” - (Nga dituari im - shënime dhe kujtime), i autorit Mehmet Halimi, është ndryshe nga librat e trajtesat e tij studimore, që në thelb kanë çështjet e gjuhës dhe onomastikës. Në libër janë gërshetuar bukur historia, letërsia, puna në arsim dhe preokupimet e popullit tonë në ato vite në rrethana shumë të vështira kohore.

Që në parathënie, autori sqaron lexuesin me qëllimin e hartimit të këtij ditari me shënime e kujtime, me rastin e 58 – vjetorit të shërbimit të tij si mësues në shkollën tetëvjeçare të Raincës së Preshevës. Ai rikujton nevojën e madhe që kishin, jo vetëm këto treva për mësues shqiptarë, por edhe skamjen e prapambeturinë, kushtet e rënda për punë e shkollim, si dhe mbylljen e shkollave në mungesë mësuesish.

Shënimet e këtij ditari të autorit, Mehmet Halimi përfshinë vitin shkollor 1958 / 1959, por siç e thotë edhe vet autori në parathënie, ditari përmbanë edhe shënime  e ngjarje të tjera në retrospektivë apo edhe perspektivë.

Prandaj, autori që në parathënie sqaron lexuesin: “Ditari im (shënimet e mia) ka të tashmen si epiqendër dhe si trung e strumbullar, kurse të kaluarën dhe të ardhmen si dy degë lisi me hije episodike, ndërplotësuese e shpjeguese…..” (citim nga parathënia).

Libri ndahet në dy pjesë: Pjesa e parë “Përgatitjet paraprake për t’u bërë mësues” dhe pjesa e dytë “Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 1958 / 1959” si dhe pjesën e tretë “Kalimi i pushimit veror në vendlindje, në Cernicë dhe “Shtojca”- si pjesë e veçantë e plotësuese.

Pas parathënies, në pjesën Hyrje, autori ka dhënë një historik të shkurtër të fshatit Raincë, pozitën e saj gjeografike, doket, zakonet, mikpritjen si dhe gjendjen e arsimit në Luginë të Preshevës dhe në Raincë në veçanti.

Shënimet e këtij ditari fillojnë nga data 13 gusht 1958 në Gjilan, ku autori së bashku me kushëririn e tij, Abdylin pasi kalojnë një natë në Gjilan, në shtëpinë e Aliriza Rexhepit, dërgojnë dokumentet për punësim si mësues në Shkollën Tetëvjeçare në Tërnovc, për të vazhduar me shënimet e datës 3 shtator 1958, kur autori merr lajmin e gëzuar për pranimin e tij mësues në Shkollën Tetëvjeçare të Raincës, nga drejtori i kësaj shkolle Nexhat Ramadani.

 Me mjaft sinqeritet, autori në ditar pasqyron edhe këshillat e prindërve (pasi që rrjedh nga një familje e cila la gjurmë në historinë tonë kombëtare, axha i autorit dhe babai i mësuesit Abdylit, Ramiz Cërnica, ishte tribun popullor dhe mendjendritur e atdhetar,  jo vetëm i Anamoravës por i tërë Kosovës).

Ai i këshilloi mësuesit e rinj, autorin dhe të birin e tij Abdylin, që të mos i koritnin, t’ua zbardhin fytyrën, të fitonin respektin dhe besimin, sepse “Lisin e rritë kmesa – burri e naltëson besa”.

- Po e fituat besimin e popullit keni fituar përkrahjen e tyre, por nëse e humbni besimin e tij, keni humbur çdo.

- I këshilloi ai mësuesit e rinj.

Në ditar autori shënon ngjarje ditore gjatë punës së tij me nxënës, vështirësitë dhe pengesat, por mbi të gjitha spikatë dashuria dhe entuziazmi i këtyre mësuesve për përhapjen e diturisë tek nxënësit e tyre. Nëpërmjet këtij ditari, autori shpalos gjithë ato peripeci e sakrifica,  jo vetëm të tij e të shokëve të tij mësues, por edhe të nxënësve dhe familjeve të tyre. Kushte të rënda jetësore i përcillnin ata dhe familjet e arsimtarëve.

Pushteti ua merrte edhe miellin e fundit që kishin në magje.

Me mjaft origjinalitet është dhënë edhe mikpritja e fshatarëve të Raincës për tre mësuesit e Anamoravës, të cilët ishin shembull i mirë për banorët e këtushëm.

Një vend të rëndësishëm në këtë ditar zënë edhe përshkrimet e natyrës së fshatit Raincë, ku nganjëherë autorit i ngjallnin pamjet e fshatit Grykas të mësueses Afërditë të autorit Sterio Spasse.

Ndër ngjarjet e shënuara nga autori janë edhe dasmat dhe gazmendet familjare në të cilat ftoheshin mësuesit siç i quanin ‘jabanxhi” si dhe mikpritja tejet bujare për ta.

Autori mbanë pothuajse çdo ditë shënime, duke shënuar edhe imtësitë, mbarëvajtjen e orës, pastaj rrugën, të cilën e bënin deri në vendlindjen e tyre, ndalesat gjatë rrugës, te vajza e hallës, në Bujanoc, pastaj  tek motra, në Gjilan,  të cilën e donte shumë, etj.

Mjaft mbresëlënëse janë edhe kujtimet dhe shënimet e autorit për axhën e vet,  Ramiz Cërnicën, pastaj për takimin me Raif Halimin në burgun e Mitrovicës së Sremit, mikpritja dhe bujaria në familjen e etnologut të shquar Kadri Halimi, sidomos nga e ëma e tij,  të cilën autori thotë se e respektonte si nënën e tij, si dhe bashkëshorten e Kadri Halimit, të cilën autori e cilëson si nënë dhe si motër të tyre për kujdesin dhe shërbimin e treguar ndaj tyre), në kohën kur autori përgatiste provimet, por  edhe motivimi që i bëri ai dhe puna e tij!

Në një pjesë të këtij ditari është dhënë edhe koha e përgatitjes së provimeve, shëtitjet nëpër vendet pitoreske të Raincës, pastaj ndejat e tyre në dhomën e banimit në objektin e shkollës së Raincës, etj.

Ajo që vlenë për t’u theksuar është edhe paraqitja e shkollimit të femrës shqiptare në atë kohë, jo vetëm në Raincë në shkollën, ku shërbenin mësuesit e Anamoravës, por gjithandej ishte e mjerueshme. Femra shqiptare nuk shkollohej përtej viteve të shkollimit, të cilat ishin të detyruara me ligj.

Kjo i shqetësonte mësuesit e rinj të këtij brezi dhe shtresën e intelegjencisë shqiptare, prandaj në çdo takim dhe kudo që u jepej rasti sensibilizonin rëndësinë e shkollimit të femrës shqiptare.

Më pas, si intermeco (apo shkëputje nga ngjarjet ditore duke mos mbajtur datë dhe vend), të këtij ditari, autori shpalos edhe shumë kujtime e shënime, ku me shumë modesti e thjeshtësi, pa zbukurime e hijeshime, mjaft natyrshëm e me spontanitet, pasqyron rrënjët apo trungun e tij familjar, trung ky, i cili u bëri ballë rrebesheve kohore. Në këtë trung familjar të familjes së dr. Mehmet Halimit bënin pjesë: Mulla Halim Ahmeti (Cërnica, gjyshi i Mehmet Halimit, i cili si luftëtar vullnetar i Idriz Seferit, u plagos në luftë kundër turqve, u zu rob dhe u dënua me 8 vjet burg, kurse Ramiz Ahmet Cernica, i cili për shkak të kërkesës së tij për bashkim me Shqipërinë, me 10 korrik 1945, në Prizren, u dënua me 20 vjet burg të rëndë. Raif Ramiz Halimi, u dënua me vdekje, dënim ky që iu shndërrua në 20 vjet burgim të rëndë: Kadri Halimi, etnolog i njohur, u dënua tri herë me burg gjatë  sistemit komunist të Jugosllavisë: në Goli Otok u mbajt 26 muaj, kurse më 1961 si udhëheqës i “Organizatës për Bashkim Kombëtar”, u dënua me shtatë vjet e gjysmë burg të rëndë.

Autori i këtij ditari, prof. Dr. Mehmet Halimi, u lind, u rrit dhe u edukua në këtë familje patriotike, duke përjetuar të gjitha këto vuajtje shpirtërore si njeri dhe intelektual i mirëfilltë kombëtar, por asnjëherë, duke mos synuar të ngritët mbi këto vlera, e duke mos i keqpërdor këto vlera… as edhe kur i përshkruan në këtë ditar...Ngritja e tij intelektuale dhe profesionale, është një ngritje me ngulm e mund, me punë vetëmohuese e sakrificë, duke ngritur, nderuar e lartësuar punën e pararëndësve të tij, të familjes e të kombit. Prandaj, në listën e ditarit të nxënësve të tij, të cilën autori e jep në përmbyllje të librit, shohim se nxënës të dr. Mehmet Halimit, sot janë mjekë, profesorë, deri tek niveli akademik…kjo mbase e bënë profesorin e nderuar të krenohet me punën e tij prej arsimtari të dikurshëm e misionarit të sotëm.

Në veprën e autorit, fund e krye mbizotëron e rrezaton energji e mirësi, falënderim e mirënjohje, duke manifestuar fisnikëri e bujari, drejtësi e bamirësi, ai shpalos shpirtin e tij humanitar, me zemërgjerësi e thjeshtësi njerëzore, dëshmon për identitetin e tij madhështor si njeri e si mësues shembullor dhe edukator, misionar i shenjtë i arsimit të popullit të vet.

Ndaj, mund të themi se Akademik Mehmet Halimi nuk është vetëm një gjuhëtar i njohur, një mjeshtër i dialektologjisë shqiptare, por edhe onomosticient, leksikologë e folklorist, i cili me anekdotat e tij, me rrëfimet elokuente me mesazhe e porosi të caktuara, në ndeja shokësh e kuvende burrash, ndjek stilin e metodën e Anton Çettës, si i këtillë ai është edhe një mësues  e profesor Universiteti, është një punonjës edukativ arsimor në shkolla, një misionar e pajtimtar në Oda e kudo që shkoi, ai la porosi e këshilla, kreu dhe po kryen detyrën e tij të shenjtë si misionar i arsimit kombëtar. Sepse punët dhe hallet e popullit i kupton më mirë, jo ai që jeton gjatë, por ai që vëren dhe i përjeton shpirtërisht e interesohet jetësisht.

Begatia gjuhësore e ditarit

Duke pasur parasyshë se autori i këtij libri – ditar, në pjesën më të madhe të studimeve të tij u është qasur studimeve gjuhësore, begatia gjuhësore e shton vlerën dhe peshën e këtij libri.

Shumë fjalë dhe shprehje gjuhësore, janë një gurë burimi e frymëzimi, mbase janë sentenca jetësore të cilave vitet nuk ua zbehin rëndësinë.

Ja se si shprehet autori: “Kujtesa është gjah, e shkrimi është kurth, ashtu siç e zë kurthi gjahun, shkrimi e zë, e shënon dhe e përjetëson kujtesën”, apo, “Fjalët i merr era, por shkrimet mbesin”, sepse “hekuri ndryshket, druri kalbet e lumi shterret, por fjala e shkruar mbetet”,  “Ashtu si gjaku që qarkullon nëpër trup e uji nëpër tokë  ashtu qarkullon edhe dija nëpër botë”, apo  sentencat e krijuara nga autori dhënë si tituj të shkrimeve në ditarin e tij: “Leximi është freskim mendor e shpirtëror”, “Puna me vullnet ka bereqet”, “Etja për lexim të fisnikëron”, “Kujdesi i motrës nuk paguhet me florinjë”,”Kur vjen motra, gëzohet votra – kur vjen vëllau, gëzohet trau” etj, janë një begati e vlerë e veçantë e këtij  ditari.

Përfundim

Duke pasur parasysh se autori i këtij libri është mësues, i cili me punën e tij vetëmohuese, arriti majat e ngritjes profesionale dhe titujt shkencorë deri në anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ky libër si dhe puna dhe angazhimi i tij është një motivim dhe nxitje për breza të tërë mësuesish e studiuesish.

Mbase, libri “ Misionari i arsimit kombëtar” – (Nga ditari im - shënime e kujtime) i Mehmet Halimit, mund të shërbejë si libër model për shumë mësimdhënës, madje, ai mund të shërbejë edhe si model i librave ditarë të kësaj natyre.
Sepse “Hapi i atyre, që prijnë është më i fortë, se i atyre, që vijnë vijnë pas” (Pjer Kornej). Libri shquhet për një kulturë të gjerë gjuhësore, filozofike, pedagogjike e psikologjike.

Autorin e karakterizon të shkruarit objektiv pa paragjykime të çfarë do lloji qofshin ato.

Mehmet Halimi, shkruan qartë e rrjedhshëm, me një sintaksë të zhdërvjelltë me kulturë të gjerë letrare dhe përgjegjës ndaj mendimit dhe fjalës së shkruar (sepse ajo që shkruhet – ruhet dhe se fjala e shkruar është gur i muruar!).

Mendoj se libri “Misionari i arsimit kombëtar”, (Nga ditari im- shënime e kujtime), do të gjejë lexuesit e vet, dhe do të pritet mirë, në radhë të parë nga mësuesit, dhe lexuesit e kritika përgjithësisht!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat