Doli nga shtypi librit “Të shkruash gjelbër” i autorit Afrim Berisha

Libra

Doli nga shtypi librit “Të shkruash gjelbër” i autorit Afrim Berisha

Më: 1 maj 2017 Në ora: 11:10
Kopertina e librit

“Të shkruash gjelbër”, është një përmbledhje e shkrimeve, opinioneve dhe analizave të Afrim Berishës (zyrtarë i lartë në Agjencinë për  Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës} , të cilat janë botuar në gazeta ditore, revista dhe portale të ndryshme të agjencive të lajmeve gjatë periudhës kohore 2006-2015.

Janë disa arsye që e kanë nxitur autorin për ti përmbledhur këto shkrime në formën e një libri:

Së pari, të gjitha temat e trajtuara në shkrime e kanë në fokus një çështje: mbrojtjen e mjedisit. Pastaj, edhe pse këto shkrime kanë qenë të botuara paraprakisht në gazeta, revista e portale, jo të gjithë dashamirësit e shkrimeve për çështjet mjedisore kanë pasur mundësinë ti lexojnë ato, andaj përmes përmbledhjes në një format të librit, lexuesit do të kenë rastin jo vetëm që ti lexojnë, por edhe të shohin llojllojshmërinë e temave dhe dallimet në mënyrën e qasjes ndaj problemeve të trajtuara.

Gjithashtu, mënyra e trajtimit të problemeve përmes shprehjes së opinionit në formë të shkrimeve publicistike është një mundësi më e mirë për të ndikuar tek publiku në sensibilizimin e tyre për mbrojtjen e mjedisit.

Duke ditur faktin se në Kosovë, librat që në fokus e kanë çështjen e mbrojtjes së mjedisit janë të rrallë, ky libër do të jetë një mundësi më shumë për të pasuruar fondin e librave që trajton këtë çështje.

Prandaj, “Të shkruash gjelbër”, më shumë se një libër është një thirrje për veprim, është një zë i gjelbër dhe një doracak për mbrojtjen e mjedisit i cili shpresoj të ju hyjë ne shërbim lexuesve të rëndomtë, studentëve, atyre që dëshirojnë të kenë njohuri më të gjëra për çështjet e mjedisit, por edhe atyre që e pëlqejnë publicistikën me tema mjedisore.

Parathënie

Duke lexuar librin “Të shkruash gjelbër”, një nga veçoritë që e ngacmon vëmendjen është ndërlidhja mjeshtërore që ka bërë autori në mes te gjuhës mjedisore, letrare dhe asaj tradicionale. Kjo e bënë librin tërheqës për tu lexuar jo vetëm për ata që kanë njohuri për mbrojtjen e mjedisit por edhe për ata që për herë të parë lexojnë një libër që në fokus ka problemet mjedisore. Një stil i tillë i të shkruarit është i përshtatshëm dhe i lehtë për tu lexuar dhe për tu kuptuar nga kategori dhe profile të ndryshme lexuesish. 

Veçanti e përmbajtjes së këtij libri është edhe diversiteti i temave të trajtuara dhe përfshirja sektoriale dhe tematike e çështjeve që ngërthen në vete ai.

Në shkrimet dhe komentet që e kompletojnë këtë libër i gjejmë të trajtuara pothuajse të gjitha temat dhe problemet mjedisore duke filluar nga zonat e mbrojtura, ajri, uji, toka, biodiversiteti, pyjet, mbeturinat, ndryshimet klimatike etj. Kjo përmbajtje e bënë librin gjithëpërfshirës, të larmishëm dhe të këndshëm për lexim.

Për çështje praktike dhe tematike, libri është i ndarë në katër kapituj. Në kuadër të kapitujve përkatës temat e trajtuara janë përfshirë sipas qasjes që kanë ndaj problemeve të caktuara. Kështu në kapitullin e parë zënë vend temat që trajtojnë gjendjen aktuale në sektorët e ndryshëm mjedisor. Në kapitullin e dytë përfshihen temat që përshkruajnë sfidat mjedisore, ndërsa në kapitullin e tretë grumbullon temat që përpiqen të qartësojnë vizionin për mjedisin.

Duke analizuar temat e trajtuara, kuptojmë se përmes shkrimeve dhe komenteve të tij, autori guximshëm është përfshirë edhe në shumë debate dhe çështje që kanë qenë aktuale në kohën kur janë shkruar, sikurse ishin debatet për Termocentralin Kosova e Re, Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Integrimet Evropiane, Taksat mjedisore, Trajtimin e kafshëve apo edhe për Krimet Mjedisore, duke ofruar argumente dhe fakte bindëse në mbështetje të qëndrimeve të tij.

Në disa segmente të tij libri trajton edhe tema shumë specifike mjedisore që i shumë rrallë i hasim shumë në spektrin e shkrimeve dhe analizave mjedisore tek Ne. Të tilla janë për shembull trajtimi i çështjeve sikurse janë: Ekonomia e Gjelbër, Ekoturizmi, Trajtimin e problemeve mjedisore në e mediat e shkruara, Ngatërrimet në terminologjinë dhe konceptet mjedisore etj.

Në disa raste shkrimet e këtij libri, provojnë të trajtojnë edhe parashikimet mjedisore për të ardhmen sikurse janë prezantuar në opinionet: Rritja globale e popullsisë dhe sfidat mjedisore dhe në atë për Sfidat e gjeneratave të ardhshme  në raport me mungesën e ujit. 

Në shkrimet dhe opinionet e Afrim Berishës, përveç stilit shumë elegant të trajtimit të problemeve gjejmë edhe shumë informata të rëndësishme që të jep të kuptosh që autori në të gjitha rastet e prezantimit të opinioneve të tij paraprakisht ka hulumtuar për temën të cilin e ka trajtuar.

Ai po ashtu, për të gjitha temat e trajtuara ka sjellë shembuj, praktika, statistika dhe fakte, qofshin ato në nivelin nacional, rajonal apo global, duke i dhënë kështu librit një karakter profesionale dhe duke e pasuruar edhe më shumë përmbajtjen e tij.

Autori i librit “Të shkruash gjelbër” në shumë raste ka përdorur referenca të ndryshme, citate e burime qofshin ato nga hulumtime, studime, dokumentet strategjike, baza ligjore, projekte apo edhe burime tjera relevante për temën e trajtuar, një element ky që i bënë shkrimet e tij të jenë jo vetëm thjeshtë opinione por më shumë se kaq të jenë analiza dhe hulumtime profesionale për çështje specifike mjedisore.

Ajo që tërheq vëmendjen gjatë leximit të librit është fakti se në libër trajtohen probleme mjedisore në periudha të ndryshme kohore që e pasuron librin edhe dimensionin kronologjik duke prezantuar kështu në një formë edhe zhvillimet kohore dhe progresin e arritur në sektorin e mbrojtjes së mjedisit.  Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme të nënvizohet edhe fakti se disa nga shkrimet edhe përkundër se ka kaluar kohë kur janë shkruar kanë mbetura shumë aktuale edhe për kohen e sotme. 

Në shumicën e shkrimeve të tij autori shkon përtej, pretendimit për të sjellë një opinion apo një analizë mjedisore, sepse ai guxon të japë rekomandime dhe porosi se si të zgjidhen problemet e caktuara mjedisore, rekomandime këto që janë të qëndrueshme dhe relevante. Pothuajse në të gjitha rastet problemet e trajtuara në shkrimet janë përpjekje dhe kontribut për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes.

Një pjesë e shkrimeve që i gjejmë në këtë libër janë si reagime ndaj zhvillimeve mjedisore, që në disa raste e shprehin mospajtimit me një problem të caktuar mjedisor e në disa raste tjera ato tentojnë të sugjerojnë për rrugën më të përshtatshme për të zgjidhur problemin në fjalë. Ky libër lirisht mundë të klasifikohet edhe si një libër kritik mjedisor për faktin se autori nuk ngurron të identifikojë institucionet përgjegjëse për një problem të caktuar.

Një veçori tjetër që mundë ti atribuohet librit, është edhe karakteri edukativ që ka ai. Duke vë në pah kontributin që mundë të japin qofshin individët apo edhe grupet e caktuara në mbrojtjen e mjedisit apo duke sjellë shembuj konkret të veprimit, libri mundë t’i shërbejë secilit për të rritur nivelin e njohurive për mjedisin apo edhe për të ndryshuar sjelljet në raport me  mjedisin. Më shumë të shprehur këtë veçori e gjejmë në shkrimin për “Kulturën mjedisore”, atë për “Iniciativat e gjelbra” dhe në atë “Ta ruajmë tokën është i vetmi planet me çokollatë”.

Ajo që bie në sy dhe që e bënë librin edhe më simpatik, është edhe përzgjedhja shumë interesante dhe tërheqëse e titujve të shkrimeve por edhe e vetë titullit të librit.

Si përfundim mundë të thuhet lirisht se “Të shkruash gjelbër”, është një libër multidimensional, i fokusuar në çështjen e mbrojtjes së mjedisit por që ka edhe vlera të pakontestueshme publicistike, edukative, hulumtuese e profesionale.

Libri “Të shkruash gjelbër”, qoftë për nga temat që trajton, qoftë për nga stili i të shkruarit apo edhe për nga gjithë përfshirja e problemeve, është një libër unik andaj meriton të zë vend në bibliotekën e secilit dhe të evidentohet si një botim i rrallë në literaturën shqiptare.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat