Një vështrim kritik mbi librin "Valëvitjet e fjalës“

Libra

Një vështrim kritik mbi librin "Valëvitjet e fjalës“

Nga: Zeqir Asllani Më: 1 maj 2017 Në ora: 17:57
Libri „Valëvitjet e fjalës“

Pak fjalë për autorin e librit „Valëvitjet e fjalës“ zot. R. Dërmaku,vjen nga një familje fisnike me rrënjë të lashta të atdhetarizmit shqiptar. i lindur me 10. 11. 1956, në fshatin Shipashnicë e Epërme, komuna e Dardanës (ish. Kamenicë). Rrjedhë prej një familje të mesme fshatare por e frymëzuar për lirinë dhe çështjen kombëtare.

zot. Dërmaku,një intelektual,profesor, gazetar,poet,veprimtar dhe ish.i burgosur politik, i cili asnjëherë nuk u ndalë së vepruari edhe pas ardhjes së tij në mërgim. Ai atdhedashurinë e tij, më së miri e shpreh përmes vargjeve në librin e tij, „Valëvitjet e fjalës“

Ramiz Dërmaku shquhet ndër krijuesit e devotshëm tek i cili shkrimi dhe leximi ishte dhe mbetet pasion i tij,dashuri e shpirtit të tij,mënyrë e të jetuarit me të cilin jeton në të njëjtin çati,ku përmes vargjeve të gdhendura stolisë dhe ndritë mendimet e tija.

“Valëvitjet e Fjalës”,është libër i prushit të madh poetik,ku jep një mesazh të fuqishëm, mes të cilave poeti pastron shpirtin poetik,zhveshë fytyrat e shëmtuara në shoqëri,përmbysë zhgënjimet,zgjon ëndrrat dhe shpresat e njerëzve për rreth.

 Ky libër është si një lum gurgullues që buron e del në dritë buzë Danubit të Asdrenit në Bukureshtin e ambasadorit të shqiptarëve , Baki Ymerit e në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore Amanda Edit të Shqiptarëve të Rumanisë . Krijimi i poezisë dhe artit përgjithësisht kushtëzohen nxitën e motivohen nga imperativi i brendshëm,i shpirtit dhe i kohës. Aty ku vepra letrare krijohet nga motive artistike,gjithsesi është në funksion më të thellë me traditën. Atdhedashuria,zjarri e malli për tokën e loken forcërisht të braktisur janë elementet qenësore që përcjellin poetin. Vargu i poetëve që krijohet në mërgim kanë në brendinë e vet shtatë koret e bukës së misrit të pjekur mbi çerep e nën saçin e skuqur. Këto ditë me ra në dorë përmbledhja poetike „Valëvitjet e Fjalës“e autorit Ramiz Dërmakut, vargjet e tija poetike në subjekt dëshmojnë thellësinë e rrënjëve të atdheut thellësinë e shpirtit të poetit të skalitura mbi përmendoren e vargjeve e që si një skulptor i rrallë me një mjeshtri hyjnore, portretizon ngjallë e përjetëson ikonat legjendare.

Autori i kësaj përmbledhje poetike me tërë madhështinë shpirtërore e artistike ka paraqitur dashurinë sublime, si diçka të shenjët që gjithmonë u kënduan Ninullat nga nënat e gjyshet tona,në djepa e që u farkuan edhe në shpirtin prush të shqiptarit,ngase gjëja më e vlefshme e jetës, liria ishte e prangosur me zinxhirët e robërisë. Ëndrra për ta parë e prekur atë, për të cilën nëpër dekada u anatemuan patriotet më të flakët të kombit janë subjekti që e përcjellë poezinë patriotike të Ramiz Dërmakut.

Në vazhdim poeti i shkruan universales duke i gdhendur personalitetet me majën e lapsit dhe me butësinë dhe mençurinë e shpirtit. Sa më thellë që hyjmë në brendinë e vargjeve poetike,gjejmë porosi të veçanta,mbi përjetimet e vështira të kombit dhe poetit, të cilat i bëjnë rezistencë si shkëmbi valëve të pa mëshirshme dhe furtunave të detit.

 Por,shkëmbi ngelët shkëmb,strall i pa tretur.

Poezia e krijuar në mërgim ushton dhe është si krismë pushke në jetësim të gjithë atyre që nuk e kursyen atë me të vlefshmen universalen në këmbim të lirisë të cilën e gëzojmë në sot në vatrat tona shekullore.

Të bëhesh poet nuk është diçka e lehtë,duhesh të kesh ardhur në këtë botë me dhunti për të shkruar,me dhunti për kapjen e mendimeve të shpejta të tjerëve,për t´u shprehur dhe për t´u thënë të tjerëve,atë që e ndjenë ndryshe nga ata.

……mos u bëj poet nëse s’mund të lindesh

me secilin varg,të lindesh me secilën fjalë…

mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh

për secilin varg,të vdesësh për secilën fjalë…

(Azem Shkreli)

Pra,përmbledhja poetike“ Valëvitjet e Fjalës“,është libër i prushit të madh të zemrës,ku jepet mesazh i fuqishëm mes të cilave subjekti pastron shpirtin,zhveshë fytyrat e shëmtuara në shoqëri,përmbysë zhgënjimet,zgjon ëndrrat, nxënë të imagjinuarën shpresat e shpirtit dhe njerëzve për rreth dhe i sjellë lexuesit vlera të mirëfillta poetike.

Duke shëtitur me kënaqësinë e shpirtit nëpër vargjet poetike te librit „Valëvitjet e fjalës“ në fillim ndeshemi me poezinë e shkruar me 28 nëntor të vitit 1968 kushtuar Kosovës,ku autori mes tjerash thotë:

Kosovë mori nënë

Pse po rënkon,

Hekurat e rënda

Bijtë e tu s´ti lanë.

Për të vazhduar më tutje me një poezi titulluar:

Gjallëria e Kombit tim

Ku poeti përmes metaforave bënë kushtrimin sikur në kohën e Skënderbeut,duke apeluar se ka ardhur koha e artë.

Ti qëndisim malet

Me ushtar lirie

Nuk jetohet më

Nën tutelë skllavërie.

Fryt i gjallërisë shpirtërore,që ushqen muzën e vargut,që nuk harron t´i sjellë lexuesit të mirëfilltë ngjarjet e Pranverës së Madhe të 11 e 26 Marsit,dhe të 2 Prillit të vitit 1981, që mes tjerash nga thellësia e shpirtit,burojnë vargjet:

Mbi trupin e ngjyer kuq

Qelin vetëm Yje,

Ne jemi zogj shqipesh

Bijtë të kësaj Dardanie.

Këtu gërshetohet ideja etike,moralja me bukurin e mendjes dhe të shpirtit,që janë një kushtrim rinie.

Atentati dhe tradhtia kombëtare,me rastin e vrasjes së tre lajmëtarëve të lirisë në Untergruppebach të Gjermanisë: Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës,ishte një pushkë vrastare në zemër të rinisë patriotike kosovare, ishte një akt barbar i shërbimeve sekrete dhe argatëve të djallit të asaj kohe, duke menduar ata,se me këtë atentat do të rritet frika mbi popullin shqiptar si shtati i territ pa hënë, por ndodhi e kundërta amaneti i tyre u bë punë e ndezur vravashkë e pa fikur deri në lirinë përfundimtare. Andaj me plotë të drejtë edhe poeti shprehet kështu;

Ajo zemër e dorë katile

Që shou jetra në Untergrupebach

Ngjalli urrejtje nacionale

Kurrë në Kosovë s-jetojmë më nën shkja.

Libri ngërthen në vete ngjarje kombëtare dhe tema patriotike,andaj poezia kushtuar Legjendës të Kosovës:Prekazit dhe Jasharëve,sa është poezi patriotike,por me një porosi të qartë: për brezat që do të vijnë pas nesh,në ruajtjen e traditës sonë kombëtare!

Në Prekaz engjëjt ilir

Jetën ja dhuruan Atdheut

Një Baladë lumë shqiptarie

Kreshnikët shndrisnin si Ylber.

Poeti vazhdon shtegtimin e tij poetik me figurat me markante të UÇK-së,duke ju kushtuar vargje e Epitafe lavdie gjithë atyre me të cilët zhvilloi aktivitet e bëri jetë,kurse ata u sakrifikuan për Lirinë e Kosovës si:

Gjeneral Agim Çela,Sali Çekaj,Agim Ramadani,Avdi Xhaçku, Kolonel Tahir Zemaj dhe gjithë ushtarëve të tjerë heronjve dhe martirëve të Kosovës!

Në mes tjerash shkruan :

Në Logjë prinë koloneli

Nënë-loke zhagat me fishek,

Nuk duron kurrë më shqiptari,

Nën zgjedhën e huaj me mbet.

Poeti si pa dashje sërish kthehet në një periudhë të vështirë të popullit shqiptarë dukë shfletuar kalendarin e vuajtjeve tona nëpër dekada,këtu ndalet te mësuesi intelektuali dhe patrioti Fazli Grajqevci:

Një botë e brendshme me shkronja

Thesar i diturisë,

Eci i pa trembur Fazli Grajçvci

Në çelit e burgut,

Pa u nënshtruar para shkinisë...

Ngjarjet e pas luftës,poetit i zënë frymën në fyt e pikërisht, vrasja e gazetarit kosovarë: Bardhyl Ajetit, pakë sa i´a ngritin dozën e pesimizmit dhe fshanë:

Ajo dorë, fytyrë ugurzezë

Që shtien dorë mbi gazetarë

Është qyqare e mashtruar

Pa dëgjoni, ai është tradhtarë.

Këtu poeti, shpreh mllefin e pa kontrolluar,sepse poetet janë engjuj vargjesh që kursejnë mallkimin por…….dhembja ishte e madhe…..

Dhe gati në fund ,asnjë poet e as edhe Ramiz Dërmakut, nuk i shpëton pa e prekur shpirtin e zjarrtë të Nenës,prej nga edhe fillon jeta, andaj mes tjerash vargjet e bukura:

Ka një butësi zëri e fytyra

Rrudhat si shtretër lumenjsh të shtjerrë,

Nga gropat e syve buron drita,

Nëna ime Enciklopedi e vjetër.

Kështu pra e tërë kjo përmbledhje poetike e patriotike është e stolisur me mjete të dendura poetike si epiteti,metafora krahasimi etj,zëri i pa shtjerrë i Ramiz Dërmakut,ku vargu dhe shpirti i poetit rrinë në një artere gjaku, dhe se tradicionalja e përcjellë poetin .Shpresohet se Ramiz Dërmaku nuk do të ndalet me kaq,duke u përpjekur që talentin t´a thelloi me mjete shprehëse e tematikë me të përgjithësuar përmes një pune vetëmohuese. Poetin e mban në jetë fuqia e poezisë dhe mjeshtëria e latimit të vargjeve si përfundim ka një porosi: Ai benë thirrje,që mos ta harrojmë të djeshmen e hidhur, mos t´i harrojmë gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, t´a respektojmë, të çmojmë, t´a duam njëri-tjetrin dhe t´a ndërtojmë ardhmërinë mbi themelet e shëndosha e jo mbi fatkeqësinë e të tjerëve,në mënyrë që armiqtë shekullor e të tjerët t´na kenë zili dhe lakmi.

Ne nuk guxojmë të harrojmë të kaluarën e hidhur të popullit shqiptar,që nga koha e heroit tonë historik, Gjergj Kastriotit: Skënderbeut,duhet të punojmë sot,për ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik,që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë e ndritshme!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat