U bë promovimi i vëllimit poetik me titullin “Në ëndrra digjet nata”

Libra

U bë promovimi i vëllimit poetik me titullin “Në ëndrra digjet nata”

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 5 qershor 2017 Në ora: 09:55
Kopertina e vëllimit poetik me titullin “Në ëndrra digjet nata”

Në imagjinatën e veprës me titullin “Në ëndrra digjet nata” të poetit Hasan  Qyqalla parakalojnë një mori ngjarjesh, mesazhe të rëndësishme të lexuesi, të shikuara në planin individual dhe kolektiv, ndaj të cilave mban qëndrim prej intelektuali kundrejt një bote të luhatshme, herë-herë deri në fluiditet  pa besueshmërie

Në praninë e një numri të madh të dashamireve të librit nga Tetova dhe Kosova në Pallatin e Kulturës “Oda” në Tetovë  u bë promovimi vëllim poetik me titullin  “Në ëndrra digjet nata” të autorit Hasan Qyqalal. Në recesionin e dr.  Zejnepe Alili- Rexhepit  dhe fjalëve përshëndetëse të tjerëve në mes tjerash u theksua: “ Spektri i gjerë tematik që vë kontura polisemike idesh e shprehjesh, me të shumtat përmbushje metaforike, e përbën vëllimin më i ri poetik të këtij poeti. Gjatë portretizimit të tij, si autor i dhjetëra  veprave, personalitet i njohur në botën e shkrimeve dhe kulturës shqiptare, hidhet dritë, jo vetëm mbi vlerat krijuese të këtij poeti, por duke e njohur atë edhe si indikator të afrimit të shumë shoqatave të krijuesve të Mërgatës, në një Lidhje të përbashkët kulturore,  si kryetar i Lidhjes së krijuesve shqiptarë të Mërgatës .

Në veprën e Qyqallës gjejmë ndërthurje vargjesh të një harmonie estetike, ku ndjehet përjetimi i ngritur mbi ndërgjegjen e krijuesit nga përsiatjet dhe përvoja jetësore. Kjo bindje, ndoshta e detyron autorin që të rrëfehet se në çka beson, gjë që e tipizon botën e ndjeshme të poetit dhe intelektualit.  Koha e krijimit, objektivisht përkon me përjetimet thellësisht njerëzore mbi përsiatjet sociale dhe filozofike që përmbushen me vlerat artistike të poezive.

Pas leximit të dorëshkrimit  pa titulluar nga autori tha në vazhdim të  fjalës se saj dr. Zejnepe Alili- Rexhepi - më dukej e logjikshme zhvendosja e shumë poezive, më saktësisht rirenditja tematike që të impononte edhe ndarjen e poezive në cikle, në saje të përputhshmërisë tematike, prej ku realisht doli edhe titulli “Në ëndrra digjet nata”. Në mjaft poezi, ëndrra është bartëse e jetës, është ndërlidhje e reales me imagjinaren. Ëndrra e poetit, në vazhdimësi, është referenca e shtytjeve jetësore, pavarësisht se shpeshherë ajo është si “vera e absurdit dhe buka e indiferencës”. Një vepër e realizuar artistikisht, si “Në ëndrra digjet nata”, jo vetëm që ngërthen tërë përvojën e krijuesit, tani më prej kohësh të dëshmuar me disa vepra poetike, por edhe për arsyen se poeti ka bërë kapërcime drejt modernizimit të vargut që shihet  në poezitë  e poetit.  

Megjithëse, në tërë veprën e këtij poeti të vyeshëm shtrohen mesazhe, si paralajmërime që sjellin ndonjë gjykim, vargjet  sikur shtegtojnë bashkë me frymëzimin e shkrirë në lirizëm njësor e simfoni fjalësh. Nga një botë e hapur shpirtërore shpalosen sentenca të jetës, shkruar në vargje, me ndjenjën e fisme të poetit - protagonist, ndaj të gjitha situatave njerëzore, nisur nga tema sociale, e ngarkuar me udhëtimet e vështira të mërgimtarit pa adresë, me mallin e papeshuar të vendlindjes. E Atdheu i poetit, mbetet si dëshmitar motesh të stuhishme, që skicon portrete fytyrash të ngrëna nga ndryshku i kohës - hipokrizia.  Në disa poezi biografike,  poeti shpalos histori, ngjarje e portrete heronjsh, ku e kaluara përshkruhet në miniaturë, por skicime këto të mjaftueshme, për të depërtuar në thelbin e individualizimit poetik drejt lëngatës kolektive. Nëse jo për gjë tjetër, së paku për ta ruajtur të pa rrënuar ekuilibrin e qenies me bindjen: “forca e heshtjes është shpërthyese”, ndonëse mirëfilli dihet se në katrahurat e shoqërive të pa konsoliduar mund të llogarisim vetëm në ndonjë “pafajësi ujku”.  Mall motesh të përhumbur.

E Atdheu i poetit, mbetet si dëshmitar motesh të stuhishme, që skicon portrete fytyrash ...

Poezitë e këtij cikli të petitit  Qyqalla, përshkruajnë  antiteza të jetës, si kryqëzime ndjenjash drejt dyluftimesh të përbotshme. Mbi këtë tezë edhe e krijojnë formulën: mendje - zemër  arsye - logjikë, për të përkujtuar se jeta dhe arti kaherë janë harmonia dhe kundërshtia më e fuqishme. Transmetimi figurativ, përmes metaforash: sy - ndjenjë  frymëzim - zjarr, shënjon simbole origjinale që shpërndajnë reflekse nga ndjesi shpirti. Përgjithësisht këto janë vargje që tingëllojnë këndshëm dhe derdhen bujshëm në ndjesinë e gjithkujt që e admiron poezinë. Natyra e lirikës intime, është si një dritare vezulluese që e përçon edhe vajin e brendshëm drejt shtigjesh të lumtura, duke mos e lënë lotin të shpërthejë...

Mërgimtari është kalendari i moteve të humbura pa Atdhe”,  në tokë të huaj, ku drita dhe errësira janë një, ku hareja dhe hidhërimi e kanë humbur ritmin.

Pas ciklit të parë, ku janë vendosur poezitë më të arrira artistikisht, jo vetëm për frymëzimin, por edhe për idenë dhe formën e lirshme poetike, cikli i dytë, i titulluar “Më shumë se mall”, sendërtohet përmes figuracionit poetik, ku dashuria shihet si monogram kuptimplotë fjalësh të thurura e të ndërthurura.

Për poetin nuk është e lehtë të pohojë se: “Mërgimtari është kalendari i moteve të humbura pa Atdhe”, atje larg në tokë të huaj, ku drita dhe errësira janë një, ku hareja dhe hidhërimi e kanë humbur ritmin, duke ia zënë vendin njëri-tjetrit, meqë atje fare pak të shërben “gjyqi i arsyes” për pse-në e largimit nga toka jote, atje vetëm i përulur e paguan taksën për mëkatin e kontradiktave në vendin tënd.

Në poezitë e këtij poeti janë me dhjetëra vargje që  garojnë për të rikthyer imazhe kujtimesh, për të kuptuar sa afër kishin qenë derisa thurnin ëndrra jete. E nganjëherë edhe dhembjet palosin ëndrra, tek përkunden në shtratin e zemrës si fjala e shndërruar në zë - melodi, gjegjësisht formon pentagram ndjenjash, përjetim imagjinatë. Andaj, “Asnjë poet, asnjë letrar, nga cilado qoftë letërsi, nuk ka vlerën e duhur vetvetiu, ai fiton vlerë duke u kryqëzuar me poetë dhe letrarë të tjerë. Cikli i tretë, me titullin “Mall përtej shekujsh”, sikur e plotëson triptikun ideor-tematik, ku gjithmonë në fron ngjitet fjala - revoltë kundrejt perëndive, aty ku shtrihet tradita, gjurmë, thesare. Në këto poezi ka revoltë, ironi e grindje edhe me “perënditë” pa e deshifruar deri në thellësi shtresën e pazbuluar, fshehur nën imazhin hipokrit, ndonëse pikërisht aty mund të gjendet një forcë rrënuese që djeg si zjarri i dashurisë për kombin.

Në imagjinatën e poetit Hasan  Qyqalla parakalojnë një mori ngjarjesh, mesazhe të rëndësishme te lexuesi, të shikuara në planin individual dhe kolektiv, ndaj të cilave mban qëndrim prej intelektuali kundrejt një bote të luhatshme. Edhe pse, metaforat ndeshen në pikëtakime variantesh gjuhësore, thënë simbolikisht, me po atë melodi vjershërimi ndër shekuj, këto vargje janë si shkëndija që flakërohen nga shikime të mprehta në goditje shpatash...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat