Në diskurset e procedimit letrar

Libra

Në diskurset e procedimit letrar

Nga: Prend Buzhala Më: 6 korrik 2017 Në ora: 10:06
Kopertina e Librit

Janë disa shtysa që e kanë motivuar Mikel Gojanin ta bëjë një libër për Nasi Lerën: etja e madhe për lexim, kur autorët nga Shqipëria në do kohë i kishim të pakët (Lera njihej me vëllimin e tregimeve “Dita e tretë”,  që u botua nga Ndërmarrja Grafike Botuese “Rilindja”, më 1980, po ashtu edhe me romanin “Të jetosh kohën”), së bashku me vlerësimet a pritjet e lexuesit të Kosovës (receptimit) që ia bënin veprës së këtij shkrimtari, si Anton Pashku apo Ali Aliu etj; është diplomimi në degën e Letërsisë e Gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës me temën kushtuar prozës së Nasi Lerës; janë kontaktet e para me shkrimtarin diku në vitet ''90 dhe intervistat të botuara në mediet e shtypura të Kosovës; më në fund, është dhe kureshtja e një lexuesi të pasionuar për t'i shijuar vlerat artistike të veprës së këtij shkrimtari në vazhdimësinë e viteve dhe të dekadave.

Gjatë gjithë kësaj periudhe Mikel Gojani ka pasur shkrime kritiko-letrare dhe intervista të botuara që i kushtohen veprës së këtij prozatori.

1. Profili dhe zëri i një prozatori të ndërligjshëm

Së këndejmi, shkrimi i Mikel Gojanit na shfaqet më shumë se një lexim i rëndomtë. Ky shkrim, duke u strukturuar brenda një vëllimi, merr trajtën e një monografie a të një studimi monografik. Na shfaqet dhe më shumë se një shpalosje studimore: aty kemi dhe një histori leximi a të recpetimit letrar (reciptimi është term teoriko-letrar i studiuesit gjerman Hans Robert Jaus, te vepra "Estetika e receptimit").

Tashmë vepra e Nasi Lerës është pjesë e pandashme e gjithë proceseve krijuese në letërsinë tonë, që nga kohët e mugëta të diktaturës e deri në ato të tranzicionit dhe të zhvillimeve të tashme.

Periudha e krijimit të prozës në Letërsinë shqipe gjatë viteve ’90 e këndej, deri në dekadën e parë të shekullit XXI, do të mund të karakterizohej si Letërsi e çlirimit tematik, e atij artistik dhe e çlirimit estetik. Letërsia shqipe, në të dy krahët e saj, në Shqipëri dhe në Kosovë; pati fatin e keq që të ndërlidhej qoftë me dogmat komuniste shtetërore, qoftë me censurën politike që kufizonte tematikën e me rrudhjet tjera artistike, për të mos thënë dhe me prirjet anti-artistike e antihumaniste, si ndodhi në Shqipëri. Por në Kosovë, letërsia shqipe pengohej nga politika sunduese antishqiptare serbe. Nëse flitet për letërsinë shqipe të pas viteve të ’90-ta, flitet në kuadrin e ndryshimeve politike, që sollën edhe lirinë e shprehjes e të botimit. Nëse ky çlirim ndodhi si pasojë e rrethanave të reja që u krijuan me plasjen e rrathëve të ekzorcizmave të shteteve totalitare, nën të cilat jetuan shqiptarët, atëherë romani shqiptar i kësaj periudhe, gjithsesi, do ta ketë ndjerë këtë ndryshim të horizontit të receptimit  (H. R. Jausit): do të hiqen ndalesat mbi shkrimtarët e anatemuar, do të shtohet numri i shtëpive botuese dhe i firmave të reja të autorëve, do të botohen artikuj, recensione, monografi studimore e madje edhe libra të tërë historiko-letrarë, do të botohen një numër shumë më madh i veprave letrare, do të bëhen përkthime të reja të veprave të letërsisë botërore, do të përhapet tregu i botimeve, do të formohen klube, shoqata e forma të reja organizimi dhe do të botohen revista të reja e faqe të reja për letërsi në shtypin ditor. Mbahen konferenca shkencore që i kushtohen letërsisë. Tashmë krijuesi do të gjendet përballë sfidës estetike: si do të krijosh sa më shumë vlera artistike apo si do të botosh libër, kur nuk e ke më përballë as censurën as vlerësimin jashtëletrar të artit? Dhe, tashmë përgjegjësia i bie barrë më së shumti vetë krijuesit, përballë shumë fenomeneve tjera që do të shfaqen gjatë këtyre viteve. Larmia e madhe e tipologjisë së romaneve, ka shënuar gjithnjë një vijë ngjitëse.

Ndryshe nga shumë autorë të tjerë, Nasi Lera e ka ruajtur poetikën.

Në këto lëvizje kaq të ndjeshme kulturore e letrare, zëri i Nasi lerës u shqua në dy krahë: si prozator dhe si përkthyes i shquar i një vargu veprash me vlerë që shënojnë poetikën më të thelluar letrare të kohës sonë. Në një shkrim personal (timin) për romanin e tij “Ana Zh” kam shënuar:

“Te Lera vërehen lehtë këto procese transformuese; që vjen me gjeneratën e prozatorëve të estetizmit modern (me kreacione estetike të suksesshme) e të fantasticienëve të prozës moderne. Dashuria krijon një gjeografi të shenjtë të botës. Kështu duket se e ligjërojnë personazhet e romanit ‘Ana Zh.’ të Nasi Lerës.”

E pra, të gjithë romanet e Lerës, në të gjitha kohët, i ruajnë përmasat e poetikës së modernitetit në prozë. Dhe këtë përmasë të kësaj poetike, arrijnë të shqiptojnë edhe kritikët e përfshirë në këtë vepër si Ali Aliu, Jorgo Bllaci, Agim Baçi, Ylli Polovina, Josif Papagjoni, Rudolf Marku, Fatmira Nikolli, Visar Zhiti, Arta Marku etj.        Të dëshirueshëm do të ishin dhe autorë të viteve ’70 e ’80 që kanë shkruar për këtë prozator.

Mikel Gojani ka arritur që, këtë botë komplekse letrare, të na e prezantojë brenda një vëllimi të ndarë në tri pjesë. Dy pjesët e para “Bota letrare e tregimit të Nasi Lerës dhe “Në botën e romanit” janë shkrime autoriale, kurse pjesa e tretë "Repetimi kritiko-letrar (Proza e Nasi Lerës në majën e penave vlerësuese)" dhe e katërta "Dialogë me shkrimtarin Nasi Lera (Intervista)" përfshin praninë e veprës në prozë të Nasi Lerës, te mendimi kritik e studimor u autorëve shqiptarë gjatë dhjetëvjetëshave të fundit, si dhe intervistat e këtij prozatori për mediet e ndryshme.

Studiuesi Mikel Gojani thekson me të drejtë vepra e Nasi Lerës paraqet “Një botë letrare e pasur, e nuancuar dhe shumështresore”. E ka hetuar se Nasi Lera, përpos kësaj ndërligjësie në artin e mirëfilltë, është dhe ndër stilistët më të mirë të letërsisë sonë, duke e forcuar këtë mendim me pohimin e Robert Elsies: “Lera është ndër stilistët më të mirë ndër prozatorët e sotëm në Tiranë... Sikundër ndodh me mjaft prozatorë të tjerë shqiptarë, edhe Lera romanet i ka më pak bindës se tregimet.”

Por a është kështu?

Dhe M. Gojani, duke e ruajtur objektivitetin e secilit për ta thënë mendimin e vet, vjen me mendimet e studiuesve e kritikëve tjerë që i vlerësojnë lart romanet e Lerës.

Kësisoj, ky vëllim na shfaqet më kompleks dhe më gjithëpërfshirës. Nëse te ky pjesët e para janë kujtimet ato që i ringjall leximi, si një triumf mbi kohën për të mos e lënë të mbytet në boshllëk; atëherë këta libra ringjalljesh nëpërmes leximit, janë një përmendore e bukur e lexim-kujtesës, përmendore e përjetimit dhe e kënaqësisë së leximit krijues...

2. Strukturat komplekse të rrëfimit

Nga ana tjetër, si nëpërmes leximit autorial që Mikel Gojani ia bën veprës së Lerës, si nëpërmes leximeve përfaqësuese të tjerëve; do të vërehet se proza e këtij krijuesi që nga vitet '90’ta e këndej, si me përmbajtjet,si me diskurset e procedimet letrare, si me strukturat artistike a kompozicionale, si me larushinë e personazheve të ndërliqshëm, si me strukturat komplekse të rrëfimit; në mënyrë të pandërprerë pushton hapësira të reja të rrymimeve e lëvizjeve komplekse të jetës, shoqërisë dhe historisë. Këto struktura komplekse, i ngërthejnë pothuajse të gjitha veprat romanore të Nasi Lerës. Ato kundrohen po ashtu edhe te leximet e të dy palëve, te autori Gojani dhe te punimet e zgjedhura për këtë vëllim.

Po ashtu edhe te leximet e të dy palëve, te autori Gojani dhe punimet e zgjedhura.

Të gjitha këto situata jetësore, historike, shoqërore e të realitetit tranzicional, përpiqet t’i paraqesë si gjendje shpirtërore që ndryshojnë vazhdimisht, që shënojnë ngritje e pjekuri.

Të gjitha këto situata jetësore, historike, shoqërore e të realitetit tranzicional, përpiqet t’i paraqesë si gjendje shpirtërore që ndryshojnë vazhdimisht, që shënojnë ngritje e pjekuri të vazhdueshme të vetëdijes historike e jetësore. Është personazhi i këtyre romaneve që gjithnjë e paraqet dhe synon ta shqiptojë të vërtetën në kuadrin e një vizioni të mundshëm si në planin e filozofisë së jetës, si në planin personal, si në atë të subjektivitetit krijues. Prandaj, interpretimi, zbërthimi dhe studimi i tipologjisë së romanit të sotëm, bëhet me kërkesën për t’i parë marrëdhëniet e autorit me veprën dhe, së këndejmi, me rrjetin e pasur të tipologjisë së përbërësve të rrëfimit, autorit si bartës rrëfimi, narratorit dhe personazhit.

Letërsia jonë tashmë vjen unike, jo e copëzuar si nën diktaturë. Nuk është për t’u habitur, prandaj, pse edhe vepra  letrare e shkrimtarëve të ndaluar, si Martin Camaj, Kasem Trebeshina, Visar Zhiti, Bashkim Shehu, Adem Demaçi, etj etj., vjen në mesin tonë me kaq vonesë, kur kemi parasysh faktin se këta e kishin bartur në emrin e tyre personal shenjën emblematike të letërsisë, por edhe të kombit e të vendit të tyre. Ndërsa kjo letërsi, na vjen triumfuese mbi anatemën aq të gjatë politike e pushtuese, që u ushtrua ndaj këtyre autorëve e ndaj veprës së tyre. Po ashtu, edhe romanet e Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit, Nasi Lerës, Zija Çelës, Bashkim Shehut, Visar Zhitit, Petrit Palushit, a Ridvan Dibrës; apo Rexhep Qosjes, Mehmet Krajës, Beqir Musliut, Jusuf Buxhovit, Anton N. Berishës, Bajram Sefajt, Ibrahim Kadriut, Mexhid Mehmetit, Anton Gojçajt etj., paraqitet qoftë tema e personazhit të këtij tranzicioni dramatik të shoqërisë shqiptare; qoftë lufta si përbërësja kryesore stilistike-tematike e autorëve nga Kosova; qoftë ajo e rezistencës nacionale e të së brendshme të individit kundruall shoqërisë shtypëse pushtues. Disa prej romaneve të kësaj kohe, karakterizohen nga një mënyrë e re e shkrimit, sado që u pritën pak me hezitim dhe moskuptim nga lexuesit, apo edhe nga studiuesit...Se sa ka arritur Mikel Gojani të depërtojë në këtë botë të ndërliqshme të kësaj vepre, ai e thotë vetë këtë ndërgjegjshëm:

"Mendoj që botimi i këtij libri krijon mundësi më të mira për studiues të tjerë të ardhshëm të jetës dhe veprimtarisë së shkrimtarit Nasi Lera, që përmes ndonjë libri tjetër të plotësojnë dhe të nxjerrin në dritë ndonjë botim më kualitativ dhe më gjithëpërfshirës. Unë, botimin e këtij libri, për jetën dhe veprimtarinë e shkrimtarit Nasi Lera, e konsideroj një borxh modest karshi vlerave dimensionale që ngërthen tregimtari dhe romansieri Nasi Lera."

3. Qenësia dhe funksioni i lexim-studimit për prozën

Të mos harrojmë, secili kritik e ka gjedhen (modelin) e vet të leximit. Epoka Moderne kërkonte vetëm Leximin e Tekstit, kurse që nga Niçeja e këndej, kërkonte vetëm Interpretimin. Dhe, ta përkujtojmë: edhe kritika letrare shkon përtej kësaj "vetëm lexim teksti a vetëm Interpretim", për deri sa estetika e repetimit na sugjeron kontekstet e përmendura, ndërsa strukturalistë e autorë si Bart-i etj., do të nxjerrin trikotominë Autori-Vepra-Lexuesi.

Nëse leximi konsiderohej një art i lashtë, që nga kohët e dijes së Talmudit, mbi dyzet shtresat e kuptimit të secilit fragment të Torës. Dhe kjo është përpjekja parë e suksesshme, sadopak hetuese, më serioze që i kushtohet këtij shkrimtari. Për të nxjerrë përfundime më të drejta interpretuese, studimore, vepra e këtij shkrimtari do lexuar. Do lexuar me dije, me pasion dhe me objektivitet.

Këtë gjë e kishte parasysh autori i këtij vëllimi, mbasi, duke përfshirë autorë, ndonjë që nga kohët e përparshme, prezanton një rëndësi të shumëfishtë të mendimit tonë historiko-letrar: për ta parë Fjalën e Drejtpërdrejtë të krijuesit letrar dhe Fjalën Receptuese pranë njëra-tjetrës nëpër kohë e në kohë.

E ku krijuesi na shfaqet, si natura naturans, dhe kur tash bartet tek shkrimet e autorëve të tjerë bashkëkohës, na del si natura naturata, si portret i përveçëm i secilit prej nesh dhe si portret yni i përbashkët, i identitetit nacional, kulturor e letrar.

Studiuesve të ardhshëm, prandaj, u mbetet t’i shohin lidhjet e prozës së Lerës me mite, literaturën botërore, krijimtarinë gojore, se si ato ndërthuren në pepotikën postmoderne edhe si hipertekste, si tekste artistike.

Kësisoj, edhe Mikel Gojani nuk iu ka larguar misionit të kryehershëm që e ka pasur dhe e ka ende edhe sot kritika letrare: për të qenë urë lidhëse a ndërmjetësuese në trinomin lexues-vepër-krijues. Së këndejmi, kjo kritikë letrare pikësynon komunikimin sa më të qartë e më të lehtë, duke e kërkuar të njëjtën gjë edhe për autorin, si kriter estetik. Së këndejmi, edhe autori Gojani, duke vënë që në titull të veprës së tij formulën “repetimi kritiko-letrar”, shëmbëllyeshëm Emil Shtajgerit (“Arti i interpretimit”) dhe të autorëve më të njohur evropianë të historisë së interpretimit e të praktikës së interpretimit; nocionet e tij sintagmatike kritiko-letrare “art i mirëfilltë letrar” që i referohet esencës estetike të letërsisë artistike dhe “lexim më i thellë“ e “interpretim më i mirëfilltë” që i referohen vlerësimit kritik, të çojnë te qenësia dhe funksioni i interpretimit për krijimin letrar si tërësi të strukturuar.

Do theksuar, se edhe ky shkrim recensional, i detyrohet një gjuhe metakritike, mbasi objekt leximi është vepër leximesh kritiko-letrare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat