Romani “Dy vdekjet e një jete” i shkrimtarit Fatmir Halimi

Libra

Romani “Dy vdekjet e një jete” i shkrimtarit Fatmir Halimi

Nga: Prof. Zymer Mehani Më: 24 korrik 2017 Në ora: 08:50
Kopertina e librit

Romani “Dy vdekjet e një jete” i shkrimtarit Fatmir Halimi kryekëput është roman i tipit postmodern. Romani përmban gjithçka lokale, por edhe universale, prandaj i ndërtuar si i tillë, paraqet një sintezë mjaft të çuditshme të formantit bashkëkohor të artit letrar përgjithësisht, e në veçanti të prozës postmoderne. Proza e Halimit përshkohet me fuqi kozmike dhe me dimensionin kozmopolit.

Kësaj proze i jep hijeshi magjia e fjalës së matur. Atë e ushqen forca sugjestive e fjalës, ngase nëpër të depërton fluidi filantropik dhe ideja për forcën e besimit ndaj të mirave njerëzore, siç janë edhe liria dhe dashuria, por edhe qëndresa dhe mospërulja ndaj situatave të rënda, në të cilat mund të gjendemi në jetë. Mbi të gjitha, në prozën e Halimit peshon a rëndon tema për një dashuri me të gjitha specifikat dhe fshehtësitë e pazbuluara tërësisht, dashuri kjo përplot vuajtje, krajata e peripeci. Në të gjitha fonemat, morfemat, leksemat, stilemat dhe semantemat reflekton vetëm dashuria dhe kënga a himni për dashurinë ideale.

Kjo është një dashuri e zjarrtë, plot sinqeritet, por në fund e ndërprerë pamëshirshëm dhe padrejtësisht. Pra, rrethanat qenë asofare që protagonisti i romanit, Astriti të ketë dy dashuri: e para tejet e madhe, madje që peshon më rënd se tërë planetët, dashuri mbi çdo dashuri tjetër-ATDHEU dhe çlirimi i tij; dhe tjetra dashuri, e gjerë sa deti, sa qielli e Gjithësia, dashuria ndaj femrës, ndaj Valberës së bukur.

Gjatë leximit të këtij romani, lexuesi do të marrë frymë përmes fjalës së shqetësuar, ngase e di se që të jesh triumfues në çdo çështje, edhe në dashuri, duhet të kesh forcë, durim etj, për të përballuar vështirësi, pengesa e vuajtje, herë-herë edhe zhgënjime dhe agoni, të cilat, edhe pse në roman janë individuale, në jetë na duken se janë edhe pjesë e individualitetit tonë në forma nga më të ndryshmet.

Është përshtypja jonë se në romanin “Dy vdekjet e një jete”, temën, me të cilën është rrekur autori, ka arritur ta realizojë, madje edhe në detaje, duke e paraqitur tejet të kompletuar me një kompozicion të ndërtuar vërtet mjeshtërisht, me subjekt të qartë dhe me një stil krejt të veçantë. Në këtë roman gërshetohen ngjarje nga më të ndryshmet, që kanë krejt një qëllim, çlirimin e atdheut dhe lirinë e popullit; hasim në ngjarje që flasin për aktivitetet e grupeve ilegale, pastaj lufta çlirimtare e UÇK-së, dëbimi i poullatës prej trojeve të veta shekullore nga okupatori serbosllav, fati i të pagjeturve, plagë , e cila edhe sot lëngon, jeta, përpjekjet për rindërtim të vendit pas luftës etj etj. 

Po ashtu, shkrimtari Fatmir Halimi, ka arritur që t’i portretizojë me sukses figurat e protagonistëve, të Valberës dhe të Astritit në aspektin edhe estetik, edhe etik. Valberën autori do të na e paraqesë përplot virtyte: të bukur, besnike, të sinqertë, të dhimbshme. Astriti, po ashtu, sikur edhe Valbera është i hijshëm, besnik, trim dhe atdhetar, i vendosur, i panënshtruar në çfarëdo situate, i dashur.

Romani do të përfundojë tragjikisht, me vdekjen e Astritit, të cilit në ditët e para të lirisë, për të cilën sakrifikoi shumë, sapo nisi ta shijojë jetën, i erdhi vdekja tinëzare, kjo vdekje e dytë, e vërtetë dhe e pamëshirshme. Vdekja e parë ishte “Vdekje e gabueshme”, i kishin hapë varr dhe e kishin varrosur një luftëtar lirie, duke menduar se ishte Astriti. Ky në çastet e fundit të vdekjes së dytë, Burimit do t’ia lërë një porosi, sa të sinqertë, po aq të dhembshme, që në këtë botë ai të kujdeset për Valberën, porse, në botën tjetër, kjo, Valbera, do t’i përkasë atij, Astritit!

Astriti, Valberës do t’i premtojë se edhe pse gati po përjetonte edhe vdekjen e dytë, në përjetësi do të jetë e tij gjithnjë.

Edhe Valbera, edhe Astriti-fatkëqinj në dashuri.

Meqë shkrimtari Fatmir Halimi është edhe studiues i letërsisë postmoderne, s’ do mend se nuk është e rastit që edhe romanin “Dy vdekjet e një jete” e ka strukturuar dhe ndërtuar mbi kategoritë stilistike të postmodernizmit, e që vërtet me talentin e tij krijues, brenda faqeve të romanit ka shkëlqyer, duke përdorur një gjuhë të figurshme, por duke e zbatuar edhe intertekstualitetin (citatet nga gazetat, lajmet e radios e të TV etj), që romanit ia shtojnë vlerën edhe më shumë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat