Mbretëria e ëndrrave dhe rruga drejt përjetësisë

Libra

Mbretëria e ëndrrave dhe rruga drejt përjetësisë

Nga: Baki Ymeri Më: 6 gusht 2017 Në ora: 20:42
Kopertina e librit

Asllan Dibrani është një nga publicistët më të zellshëm të diasporës shqiptare, jo vetëm në Gjermani. Poezia e tij është e qartë dhe e freskët si vesa e mëngjesit. Në cilësi të piktorit, ai ka dhuntinë për të ndritur një tokë të pasur dhe të mbushë qiellin me lule dhe erëtimë. Në pikturat e tij mbretërojnë ndjenjat, tingujt e ngjyrave dhe qetësia e shpirtit. Si publicist, autori ka reflektuar realitetin e Kosovës me besim dhe guxim, me një përkushtim kombëtar total, duke krijuar miq dhe dashamirë të panumërt, gjithandej në botë.

Ekzistojnë poetë, të cilët që nga fillimi i krijimtarisë së tyre, e kanë përcaktuar si devizë shpëtimin e kombit. Me një guxim të denjë kauzash të larta, ata i kanë shprehur shqetsimet e tyre edhe nga zgafellat e kazemateve armike, duke krijuar kështusoj në lirikat e tyre, një lëvizje protestatare, liderët e të cilave  u shndërruan në shpresa për t’i ndryshuar gjërat në të mirë të vizionit të tyre. Autori i këtij libri është njëri nga ta.

Si poet, autori del në pah duke u dhënë prioritet figurave legjendare të kombit, si Gjergj Kastrioti, Adem Jashari, Nëna Tereze etj. Asllani është një shpirt i hapur drejt dritës, drejt detit, drejt ngjyrave, drejt qiellit, drejt vendlindjes. Gollaku i tij paraqet një mozaik ku natyra gërshetohet me historinë. Bota në të cilën jetojmë përfaqëson shprehjen e dashurisë ndaj Zotit, ndaj Familjes, ndaj Kombit dhe ndaj Atdheut.

Edhe pse ende i ri, autori ka përshkuar të gjitha rrugët e jetës, duke përjetuar madje edhe traumat e ishkazematave komuniste jugosllave të përsekutimit politik: ”Bashkë me fillimin e beharit/ Universiteti gjallëronte/ Pushtuesit ma dhunuan djepin/ Duke kërkuar t’ma burgosnin/ Ëndrrën time për liri.” (Arrestimi është rrugëtimi drejt lirisë). Pas Zotit vjen mamaja. Autori i përulet Atdheut, Skënderbeut dhe nënës: “Të përulem oj Nënë/ Pas Zotit,  vetëm Ty të  përulem në këtë botë/ Me duart tua prej prangave më ngrehe/ E me gjakun e zhbërë në lot.” Dhe më tej: “Kur u ndamë atë nate ne errësirë/ Ti ishte plaga më e madhe që më dhemb/ Dhe fjala jote: Mbahu o bir!"

Tema  qëndrore e lirikës së autorit mbetet dashuria: ”Kur të pashë/ Moj e bukura e dheut? Qielli ndriti zemra u trazua/ Rrezet e diellit shkëlqyen/ Dhe yjet e natës më rrëmbyen? Në ballin tënd gjeta oqeanin e dashurisë”. (Krenari e shenjtë). Para nesh kemi një krenari kosovare kur atdheu na thërret, kur shpirti shëtit me mendimin, kur Zoti i fjalëve i dhuron gërmadha fjalësh të blerta, duke ia mënjanuar pagjumësinë e fjalëve. Në vargjet e Dibranit dëgjohet buçitja e dheut dhe frymëmarrja e fjalëve. Stili i tij është i thjeshtë dhe i drejtëpërdrejtë, pa metafora banale, por me një sensibilitet të fuqishëm. Tekstet janë të mbrujtura me një dinamizëm të rrallë, ndërsa tensioni i tyre reflekton një shpërthim ndjenjash që shkrihen në një rrjedhë të përjetshme. “Ti Drenicë moj Zonjë e rëndë/ I thirre burrat për mejdan,/ Shaban Polluzha një trim vigan/ Luftoi për Kosovën me jatagan.“ (Lidhi besën për Shqipërinë).

Poezia e madhe lind nga ide të mëdha, nga sentimente dhe nga faktet e njerëzve që e ndërtojnë jetën. Poezia lind jo kur duam ne, por kur don ajo. Poeti e kupton jetën si një mrekulli, e jo si një njohje. Kosova në vargjet e autorit reflektohet me nyanca tragji-komike, me skamje, varfëri e papunësi, me largimin e sivëllezërve tanë nga trojet amtare. Së bashku me buçitjen njerëzore, autori ngjitet dhe zbret nga qielli. Tek-tuk në vargjet e tij ballafaqohemi me një qetësi hyjnore, si dhe me një dashuri të hatashme ndaj vendit të tij, prej nga buron edhe titulli i librit: ”Atdheu i ëndrrave të mia”.

Ekzistojnë vetëm ata që ëndërrojnë, thekson Shileri në një varg të tij.  Autori nuk fshihet në shpellën e ëndrrave të bardha, siç fshihen muxhahedinët në shtjellëne e vargjeve satirike. Fshikullimi i dembelizmit dhe fanatizmit islamik është një karakteristikë speciale e poezisë dibraniane. Autori nuk ka gjë kundër njërës apo tjetrës fe, por kundër fanatizmit dhe fundamentalizmit fetar. Poezia është një ndjeshmëri e shpirtit njerëzor, përshkrimi i një çasti të përjetuar. Lirika e Asllan Dibranit është jo vetëm klasike, por edhe moderne, ngase frymëzimet e vargut të tij ndërlidhen me realitetin konkret të aktualitetit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat