“Zoti i dashurisë” libër i ri me poezi nga Engjëll I. Berisha

Libra

“Zoti i dashurisë” libër i ri me poezi nga Engjëll I. Berisha

Nga: Dedë Preqi Më: 23 gusht 2017 Në ora: 17:40
Engjëll I.Berisha

Duke lexuar njërin prej librave më të ri të poetit Engjëll I.Berisha, «Zoti i dashurisë» në të cilat vargje  vërejmë përveq botës së brendshme të poetit dhe vullkanin që shpërthen në fjalë me natyrën e poetit realist dhe me plot imazhe e rrëfime të shpirtit artistik, që theksojnë, përjetime të ndryshme e tragjike, ballafaqime e trauma, përngritje dhe përkryerje të jetës…

Teki Dërvishi, një ndër publicistët e rrallë të kohës thotë, Engjëll I.Berisha, nuk ngazëllehet pas «motivit me modë»,se gjuha lirike e tij dëfton ato pamje dhe pikëpamje artistike, që nesër mund ta bëjnë leje njoftimin e kohës dhe brezit të tij. Ndërsa shkrimtari Anton N.Berisha,  shkruan, Engjëlli ballafaqohet me një realitet të rëndë, tragjik, në të cilin krijon dhe jeton, dhe brenda këtij realiteti, vetëm arti i del në ndihmë, përmes të cilit i kundërvihet dhe synon mbijetimin e vet si qenie njerëzore.

Unë mendoj se tendenca e një poeti të mirëfilltë nuk është vetëm të shkruaj, apo të thotë diçka në vargje, por përmes poezisë,  poeti synon formulën më të përsosur që inkuadron temat e kritikës dhe vetëdijës krijuese, kundër dukurive negative, që janë produkt i krijimit të pavetëdijshëm i njeriut.

Në librin më të ri me poezi me titull »Zoti i dashurisë » botues:Bogdani, Bruksel 2016, meriton jo vetëm një vështrim  të thjeshtë frymë-shkurtër, sa për ti dhënë shpirt një leximi të rëndomtë, por lënda të cilën e trajton poeti në vargjet e tij, të bënë të investosh edhe më shumë kohë nga kureshtja, duke e gjetë edhe vetën në ato përjetime.

Prodhimet e shpirtit poetik në vargjet e këtij poeti, jo vetëm që synojnë nga tërësia dhe bota e mbushur me plot epizode , në të cilat ndalet dhe humbët shpeshherë në vetë-harresë, por, poashtu autorin gjithnjë e mundon fati tragjik i popullit të vet dhe e kaluara e hidhur që vështirë mund të harrohet, ku vetëm Zoti, ai që i jep shpirt durimit dhe në saje të dashurisë së tij, do e ngushëlloj …

Të veqojmë një poezi nga ky libër me titull,  /fundi i dramës/- Liria, një tablo e re, krejt e re si buka e re, erdha ti marrë trupat e vëllezërve shkrumbuar, vetëm këndet e errëta më prisnin, i mbuloja grumbullin e eshtrave me dheun e paqës dhe me shenjën e emrit, Martirizimit. Është e vertetë se autori asnjë  milimetër nuk i largohet realitetit, të cilën e përjeton vetë dramën barbare dhe masakrat që shkakëtoj regjimi serb ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Përveq tjerash poeti i këndon edhe lirisë, paqës ndërnjerëzore, dhe në një poezi të këtij libri me titull, /paqë e dashuri/ thotë: Ata që s’bëjnë paqë, nuk bëjnë as dashuri, janë të çveshur, s’di si e bëjnë Lirinë!

 Poeti Engjëll I.Berisha, me shumë respekt i përkujton dhe u kushton vargje edhe poetëve e publicistëve të mëdhenj, sikur Ali Podrimës, Teki Dërvishit, Azem Shkrelit dhe të tjerëve, duke pasë në konsideratë se linjat e vargut poetik dhe kulturës së letrave shqipe, arrijnë përmes këtyre pendave dhe vlerave që ka let¨rsia shqiptare, të cilat meritojnë respekt të përjetshëm nga gjeneratat e reja.

Poeti Berisha, pse jo, i kushton vargje edhe Shqipes së tij, (bashkëshortës fisnike) asaj që, në udhët e jetës i mbollën së bashku pemët më të ëmbla të dashurisë dhe ardhmërisë, që nënkupton trashëgimtarët, apo fëmijët, si natyrë e përgjegjësisë  njerëzore dhe si relacion në përputhje me cilësinë dhe nektarin më të frytshëm dhe më të çmuashëm që trashigohet nga njerëzimi.

Në poezitë e Engjullit, gjejmë edhe plot motivacione që lidhen me jetën dhe sfidat e saj, ku autori me guxim merr përgjegjësi për të shprehur qëndrueshmërinë e vet të pa tundur, edhe pse gjurmat e historisë së brisht e popullit të  vet, më tërë këtë ngarkim shpirtror dhe ndjenjave të theksuara në këto vargje, autori e ka pozitivitetin e vet të fuqishëm, i cili nuk dorëzohet, por ngadhnjen me vizionin e dashurisë dhe paqës ndërnjerëzore, që i jep edhe titullin këtij libri «Zoti i dashurisë».

Lirika e poetit Engjëll I.Berisha, është përveçse një komponim i lirë, por edhe një refleks i fuqishëm që del nga bota e brendshme shpirtërore edhe ato që ndikojnë nga rrjedhat e shpirtit të trazuar nga imponimet e dhunës  e represaljet e kohës së egër, që shënuan një histori të brishtë, një  çmenduri njerëzore ndaj qenjës së vet, gjegjësisht ndaj popullit shqiptarë, duke e përjetuar këtë tragjikë deri nën lëkurë.

Shkrimet e poetit Engjëll I.Berisha, e kanë burimin dhe rrjedhën e kahershme, që nga libri i parë me poezi “Ditë me hënë e me nuse”(1991) “Avenytë e Muzgut” (1994)  tregimet “Diaspora shqiptare” 1993) “Gjarpëri në shishe” poezi (2000) “Masakra e Mejës e Korenicës” publicistikë, “çati eshtash” poezi (2003), “Kujtesë e dehur” poezi 2003, “Dyert e qiellit”, rrëfenja -publicistike(2005), “Rikrijimi i librit”, përmbledhje të opusit (2006), “Rroli edukativ i bibliotekave shkollore dhe publike në Kosovë”(2011), “Haw Much Times for age” poezi të përkthyera në gjuhë angleze, SHBA(2010), “Martirët e Korenicës” monografi, (2013”, “Zoti i dashurisë”, poezi(2016) Bruksel dhe librin me poezi”Mosha e fjalëve”, të përkthyer në gjuhë rumune (2017).

Autori në fjalë ka bashkëpuar me shumë gazeta dhe revista në faqet e kulturës, në vitin 1993, themeloi revistën letrare” Gazeta letrare” dhe redaktor i saj, si dhe duke bashkëpunuar në të përditshmen Bota Sot dhe në të përjavshmen “Eurozëri”. Është fitues i disa shpërblimëve për poezinë dhe librin më të mirë, poashtu përfaqëson disa antologji brenda dhe jashtë vendit. Shkrimet e autorit janë intenzive edhe sot në shumë revista dhe gazeta. Autori është magjisër i bibliotekarisë, i cili punon  dhe e drejton këtë Institucion të kulturës dhe dijes në Gjakovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat