Pier Paolo Pasolini, botohen në shqip dy romane të gjeniut italian

Libra

Pier Paolo Pasolini, botohen në shqip dy romane të gjeniut italian

Më: 5 shtator 2017 Në ora: 18:49
Pier Paolo Pasolini

Botimet Dudaj kanë botuar njëkohësisht dy romane të autorit italian Pier Paolo Pasolini, ‘Jetë e dhunshme’ dhe ‘Djem jete’ që na afrojnë më shumë me gjenialitetin e këtij personalitetit të letrave dhe kinemasë italiane.

Jetë e dhunshme

Pier Paolo Pasolini

Roman

Përktheu: Shpëtim Kelmendi

Botimet: Dudaj

Nr. i faqeve: 412

Fabula e romanit “Jetë e dhunshme” është përvijuar në mënyrë të rrufeshme një mbrëmje të vitit 1953 a 1954… Ishte një ajër i lagësht e i dhembshëm… Po ecja nëpër llucë. Te një stacion autobusi, aty ku fillon kthesa e Pjetralatës, u njoha me Tomazin, fytyrën e të cilit, më pas e kam përshkruar në mënyrë identike…Ashtu siç bëjnë zakonisht djelmoshat romanë, ai u tregua menjëherë i afërt: brenda pak minutash më rrëfeu tërë historinë e tij.

(Pier Paolo Pasolini “Flamujt e bukur”, 1966)

Tomazi, Leloja, Xukabi dhe çunakët e tjerë që banonin në mëhallën e barakave, në Rrugën e Maleve të Pjetralatës, si gjithmonë, pas shujtës së mëngjesit, ia behnin në oborrin e shkollës të paktën gjysmë ore para kohe…

Image
Jetë e dhunshme
 
 
Djem jete

Pier Paolo Pasolini

Roman

Përktheu: Shpëtim Kelmendi

Botimet: Dudaj

Nr. i faqeve: 296

Riçeti, Kaçota, Lenceta, Begaloni, Alduçoja e të tjerët janë çunakë nënproletarë romanë. Ata vërshojnë nga borgatat e Romës së viteve pesëdhjetë për t’ia mësyrë drejt qendrës, duke përshkuar një rrugëtim pikaresk të mbushur me ndodhi komike, tragjike, groteske. Në sjelljen e tyre gërshetohet dhuna e papërligjur me bujarinë patetike: Riçeti shpëton një dallëndyshe që po mbytej, por nuk mund të bëjë asgjë për vogëlushin Xhenezio, të cilin e kish marrë përpara rryma e Anienit; Anjoloja e Oberdani rrinë duke parë Marçelon që jep shpirt në spital, sepse qe shembur shkolla ku banonte dhe e kish zënë brenda. Roma monumentale dhe ajo e spekulimeve ndërtimore janë hapësira kontradiktore në të cilat zhvillohet ky lloj riti nistor i një dite të “djemve të jetës”. Ishte ditë shumë e nxehtë korriku. Riçeti, i cili do të bënte kungimin dhe krezmimin e parë, qe zgjuar që në pesë të mëngjesit; ndërsa zbriste tatëpjetë në rrugën Donna Olimpia, me pantallona të gjata bojë gri e me këmishë të bardhë, më shumë se si një kandidat për t’u kunguar apo ushtar i Krishtit, ngjante si një çunak që çan përgjatë lungoteveres, për të gjuajtur….

Image
Djem jete

Pier Paolo Pasolini

Lindi në Bolonjë më 5 mars 1922. Në moshë të re fillon të shkruajë poezi, duke ndërthurur tekstet në gjuhën italiane me dialektin friulian. Më 1942 del libri i tij i parë “Poezi në Kazarsa”. Veprimtaria e tij poetike përbën një ecuri konstante dhe do të çojë në botimin e disa prej teksteve më të rëndësishme të letërsisë italiane të viteve nëntëqind: “Ajka e rinisë” (1954), “Eshtrat e Gramshit” (1957),“Religjioni i kohës sime” (1961), “Poezia në formë trëndafili” (1964), etj. Në vitin 1955 shfaqet në fushën e prozës me “Djem jete”. Në vijim do të shkruajë edhe romane të tjera, si “Jetë e dhunshme” (1959), “Nafta” (botim postum i vitit 1992). Më 1960-1961 ndodh kalimi i tij në regjisurë, nëpërmjet filmit me metrazh të gjatë “Lypsari”. Në vitin 1973 nis bashkëpunimin me gazetën “Corriere della sera”. Përmes një sërë artikujsh të përmbledhur “Shkrime korsare” (1975) dhe “Letra luterane” (botim postum i vitit 1976) – shkrimtari përballet me probleme shumë therëse të Italisë bashkëkohore. Natën mes 1 dhe 2 nëntorit të vitit 1975, Pasolini vritet në Hidroportin e Ostias, pranë Romës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat