Një shkrim krenarie për guzimtaren Naxhije Doçi

Libra

Një shkrim krenarie për guzimtaren Naxhije Doçi

Nga: Dr. Xhavid Duraku Më: 17 shtator 2017 Në ora: 07:55
Naxhije Doçi

Unë Dr. Xhavid Duraku-Pediatër në Qendrën Spitalore në Prizren dëshiroj t'i shkruaj disa fjalë nderimi dhe falënderimi për shoqën time të klasës në Shkollën Normale të Prizrenit, tash Prof. Naxhije Doçi (atëherë Naxhije Destan Bajraktari). Për fillim, falënderimin do ta bëj për poezinë e mrekullueshme që e shkroi Naxhija Doçi nga përshtypjet e saja për manifestimin e organizuar në Përvjetorin e Maturimit tonë shkollor, mbajtur në qershor të vitit 2017. Poezia mbanë titullin “Brezit tim shkollor” dhe në të autorja ka bërë një përshkrim të mrekullueshëm përplotë edhe me ndjenjësi përmallimi për atë ditë veçantie të takimit tonë si gjeneratë. Në veçanti, në poezinë “Brezit tim shkollor”, e që është e përfshirë edhe në librin e saj më të ri me poezi, titulluar “Vargëzim mbi gjurmë”, flitet kryesisht për kohën tonë si nxënës në Shkollën Normale të Prizrenit. Më së shumti flitet për vështirësitë e shumta që i kemi përjetuar atëherë ne nxënësit shqiptarë të shkollës sonë nga udhëheqësia e nga personeli serbë në shkollë, si edhe nga disa përkrahës të tyre shqiptarë, si thonë edhe vargjet:

Muza me derdhje përmallimi

krihte flokët atë ditë 

motet përthekonte në shtegtim ekstaze.

….

rrëfimet sikur gjasonin në romane,

në renditje të theksuar edhe përjetimet

storje me vete nëper shkallët e jetës.

“Brezit tim shkollor”, f.63

Ishin kohë tepër të rënda në Kosovë vitet e 60-ta të shekullit njëzet nën pushtimin e gjatë dhe shtypës serb. Do të doja të isha poet që t'i formuloja fjalët më të bukura, më të fuqishme dhe të rënditura mirë, me të cilat do ta përshkruaja nderimin tim për shëmbëlltyrën e Prof. Naxhije Doçit, që ta përshkruaja karakterin dhe veprimtarinë reale dhe shumë të guximshme atdhetare të saj në atë kohë, por edhe në vazhdimësi. Kombit tonë i nevojitën njerëz, i nevojiten gra me zemër të bardhë, gra fisnike, bujare dhe humane si Naxhije Doçi, që lirisht mund të them se është një heroinë e vërtetë e kohës. Prof. Naxhije Doçit nuk iu tremb kurrë syri as atëherë kur ishte nxënëse e Shkollës Normale të Prizrenit, dhe as më vonë nga kërcënimet dhe ndëshkimet e shumta që i bëheshin asaj, si edhe shumë shqiptarëve të tjerë nga pushtuesi serb në Kosovë. Ajo i përballoi e palëkundur vështirësitë, duke vepruar pa u ndalur dhe me përkushtim të madh në të mirë të Kosovës dhe të popullit shqiptar, dhe për këtë duhet të flitet.

Në konkretizim të fjalëve të mësipërme që i thash do ta përmendi vetëm një rast shumë të veçantë, nga veprimtaritë e saja të shumta atdhetare si nxenese, që nuk do ta harroj kurrë as unë dhe as krejt gjenerata jonë, e as krejt shkolla e atëhershme Normale e Prizrenit. Ishim atëherë në vitin e tretë të shkollimit. Fjala është për një fjalim madhështor dhe shumë përmbajtësor që e pat mbajtur atëherë Naxhije Doçi në korridorin e Shkollës Normale, në Prizren. Atë ditë pranvere të vitit 1965 në shkollën tonë mbahej një takim me rininë e shkollës, kuptohet takim i organizuar nga udhëheqësia e shkollës dhe qëllimi i takimit, si zakonisht, ishte si të mbaheshin të heshtur dhe të ndrydhur nxënësit shqiptarë në shkollë. Tema e takimit ishte:“Edukimi dhe senzibilizimi i rinisë së shkollës me patriotizmin socialist jugosllav”! Pas fjalimit të mbajtur nga drejtori serb i shkollës dhe nga trumbetarët të tjerë të udhëheqësisë, se si pat rënë një heshtje e rëndë në korridorin e madh të shkollës sonë, ku mbahej takimi. Në atë heshtje të çuditshme e edhe trishtuese do të thoja, për një moment do të dëgjohet një zë i guximshëm vajze, diku nga fundi i asaj hapësire të madhe shkollore:

- A ka mundësi të ma jepni fjalën mua?! – Ishin fjalët që i dëgjuam.

Në sallë prapë ra heshtja, por tani një heshtje tjetërfare, ishte më shumë një heshtje me habi drithëruese nga guximi, ndërsa kokat e të pranishmëve në tubim se si u kthyen vetvetiu kah zëri i dëgjuar. Ata që e kishin organizuar takimin u shtangën në vend nga habia dhe mllefi urrejtës. Nuk deshtën në fillim ta linin që të fliste, por sikur qenë të detyruar.

Mbaj mend pastaj kur doli në foltore shoqja jonë e klasës, Naxhija D. Bajraktari dhe kur e filloi fjalën e saj, që nuk e kishte të shkruar si parafolësit, por që fjalët i dilnin nga zemra aty për aty, nga vuetjet dhe nga padrejtësitë e mëdha që i bëheshin asaj konkretisht në shkollë, duke e quajtur të familjes reakcionare, që po e kundërshtonin pushtuesin serb në Kosovë. Në të vërtetë në atë fjalim Naxhije Destan Bajraktari fliste kushtimisht për padrejtësitë e mëdha që na bëheshin përgjithësisht ne nxënësve shqiptarë në shkollë dhe në tërë Kosovën. Fjala e saj jehonte edhe për përjashtimin e padrejtë e kriminal nga Shkolla Normale e Prizrenit, që i ishte bërë motrës së saj më të re se ajo, Sanije Bajraktarit, nx. kl.-II-të. Përjashtimi i bërë me pa të drejtë shkollimi kurrkund në Jugosllavinë e atëhershme.

Gjatë fjalimit jehues e përmbajtësor të Naxhije Destan Bajraktarit, tani Naxhije Doçi, më dukej se jo vetëm dritaret e shkollës që dridheshin, por dridheshin edhe muret e shollës, e edhe krejt hapësira shkollore përreth Shkollës Normale të Prizrenit. Të mbahej një fjalim i tillë haptas para atyre që i krijonin dhe i montonin padrejtësitë e tilla fatale dhe diskriminimet nacionale, para bashkëpunëtorëve vendorë të pushtuesit serb në Kosovë, për atë kohë ishte një guxim tepër i madh, ishte edhe sakrificë e madhe, e do të thoja se ishte rrezik i madh edhe për jetën. 

 Jo vetëm mua, por edhe të gjithë ata të cilët ishin me mendimin e Naxhijes na entuziazmoi aq shumë fjalimi sa që në korridorin-sallë të Shkollës Normale të Prizrenit filloi një duatrokitje e madhe dhe e pandalur, të ciln kurr më në jetën time nuk e kam përjetuar si të tillë. Si i ri që isha, gëzimi im atë ditë ishte i pakrahasueshëm. Më është dukur se me fjalët e saja jehuese, me zërin e saj si heroinë u këputën hallkat e prangave sërbosllave. Më besoni se nga ajo ditë botën e shihja më ndryshe, disi më bukur dhe me rrugëdalje më të ndritëshme nga frymëzënja e madhe në të cilën jetonim ne shqiptarët. Tani më dukej se edhe dielli shndërriste më mirë, më dukej edhe sikur ishim më unik në bindjet tona si gjeneratë dhe në kuptueshmërinë e realitetit në të cilën jetonim. Pas këtij fjalimi, nxënësit e klasëve të larta në shkollë, e pastaj edhe të tjerët (kuptohet në përshpëritje) filluan ta quanin Naxhije Destan Bajraktarin me një emër, për ne të gjeneratës njëherë paksa si i çuditshëm. E quanin Xhamila e Alzhirit.

Shkolla Normale në Prizren, tempulli i diturisë nuk ka dhënë vetëm pishtarë të arsimit, por edhe shumë heroina e heronj. Ndër to që meritojnë të përmenden është edhe profesoresha Naxhije Doçi, atëherë flamurtare  e gjeneratës, ndërsa më vonë sërish atdhetare e përkushtuar dhe mësimdhënëse shembull në Kosovën tonë, inspirim i fisnikërisë dhe i mirësisë për ardhmërinë. Naxhije Doçi përveç cilësive të larta njerëzore që ka dhe me shpirtin atdhetar e bujar që disponon, tërë jetën është munduar edhe për ngritjen e cilësisë në arsim për popullin e vet  në Kosovë, e vetëdijshme se vetëm me arsimim cilësor do të përparojë Kosova jonë e dashur. Përherë ishte dhe është trime, atdhedashëse dhe frymzuese për të mirë.

Naxhija Doçi ka përjetuar të këqija të shumta si nxënëse në Shkollën Normale në Prizren, se e kishte babain e saj, bashkë edhe me axhallarët e saj të burgosur politikë, që vepronin pa u ndalur në kundërshtim dhe për largim të pushtuesit serb nga Kosova. Për këtë pushtuesi serb, si denim frontal kundër tyre, i kishte përjashtuar si familje për më se shtatë vjetë, pa te drejtë hyrje-dalje të askujt tek ta.

Përkundër vështirësive të shumta, Naxhije Doçi do të qëndrojë përherë e pathyer përballë furtunave. Edhe sot si një shqiponjë me fletë vepron pa u ndalur. Është personalitet me mendje të ndritur e me shpirt atdhetar, përherë aktive dhe frytdhënëse duke na sjellë, ndër të tjera edhe libra me vlerë, si në prozë ashtu edhe në poezi.

Ju lumtë profesoreshë e çmuar, Naxhije Doçi!

Zoti Ju bekoftë Juve, bashkë edhe me famlje e Juaj!

Mburrem dhe jam shumë krenar që e kam pasur Naxhije (Bajraktari) Doçi shoqe te klasës në Shkollën Normale, në Prizren!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat