Agimi i lirisë

Libra

Agimi i lirisë

Nga: Bedri Tahiri Më: 23 shtator 2017 Në ora: 15:17
Adem Jashari

Janari i vitit 1960 nisi me tërsëllëk të madh. Borë, shoqte e fërfëllizë.

Qamet fare. Me plas guri e druri, siç i thonë një fjale. Mbi shtëpinë e Rrahimit, nga Prekazi i Epërm, si për inat, te gjitha sikur kishin rënduar më tepër se gjetkë. Krongjijtë, si dhëmbë drangoi, lëshoheshin frikshëm deri poshtë. Pemët dhe lisat çaheshin përmes nga barra e rëndë. E shoqja, Fazilja, një malësore e regjur nga Rashani, pëpelitej brenda në dhomë nga dhimbjet e lindjes. Ishte agu i ditës së pare të javës së dytë, kur nje zë cirrës grisi blozën e trarëve te shtëpisë.

Edhe tri krisma pushkësh u tretën në humbetirën e pafund të bardhësisë vrasetare. Djalë lindi, djalë- jehuan lugje e male, duke u përthyer ne lisat qindvjeçarë të Varrëve të Shalës. Nuni mjekërbardhë nuk u lodh edhe aq, pa u hamendur e pagëzoi AGIM.

Agim Ramadani çdo ditë rritej dhe lëshonte shtat si molla në rremb. Edhe shpirti i tij i çiltër brumosej dhe burrërohej mirë e mbarë nëpër odat e kuvendet drenicare. Të bëmat heroike të Ahmet Delisë dhe të Ramë Islamit iu kishin thadruar thellë në mendjen brilante. Sa e sa herë kishte dalë në kodrën ku qe zhvilluar betejat. Djaloshin e xigëlonte papra kureshtja për të mësuar edhe më. Kur u ul ne bangat e shkollës që mbante emrin e kryetrimit të Kosovës, Azem Bejta, çdo fjalë të mësuesit përpiqej ta përpinte, interesohej dhe pyeste për gjëra, që kalonin kufijtë e moshës se tij.

Dashuria për këngën, librin dhe armën

Agimi si fëmijë i parë kishte shumë ëndrra për ditët kur do të çlirohej Kosova, por kishe edhe një barrë më të madhe, i duhej t’i ndihmonte të atit, Rrahimit, në mënyrë që të rriteshin e të shkollohen: Brahimi, Bislimi, Samiu, Fehmiu, Shukrija e Fatimeja. Krahas të tjerave e donte edhe këngën, veçan atë të trimërisë.

Prangat e robërise ishin shtrenguar aq shume sa kërkelithnin në të këputur. Urrejtja për arrmkun rritej e rritej. Djaloshi i idealeve të larta ishte bërë smonim i trimërisë, i burrërisë e i mençurisë. Mitrovica me rrethinë frymonte me emrin e Agim Ramadanit. Kudo e gjeje dhe s’bëhej aksion pa të, ishte njëri ndër organizatoret e Demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981, që shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia.

Agim Rrahim Ramadadani si pjesëtarët i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve me urtësinë dhe mençurinë e tij i priu karvanit te pajtimit te gjaqeve në rajonin e Mitrovicës, Drenicës, Shalës por edhe në shumë vise shqiptare me force shpirti, urtie, dashurie e intelekti mori pjesë si pjestarë i kësaj lëvizje që i printe Atdhetari dhe burri i madh i Kosovës dhe i gjithë Shqiptarisë Anton Çeta.

As ndjekjet, ndaj tij s’ishin te vogla. Halë në sy e kishin. Edhe shërbimit ushtarak serb i kishte bishtëruar. Ishte betuar në besë e ne flamur se s’do të veshte uniformë tjeter, pos asaj te ushtrisë shqiptare dhe e mbajti fjalen.

Shqipërinë e kishte ëndërr të pashuar, dy herë kaloi në shtetin amë. Herën e parë me 1992, ndëkaq hëren e dytë me 1995.

Që në fillim ra në kontakt me grupet ilegale e militante. Ishte në lidhje edhe me Adem Jasharin, me komandantin e UÇK-se dhe me prijës te tjerë të luftës çlirimtare. Ashtu, në ilegalitet, na duhesh më shumë, i thanë ata. Dhe nuk ua prishi fare. Agimi vepronte para syve të armikut. Vetura e tij kurrë nuk ndalej. Hynte brenda në qytet, operonte, agjitonte, organizonte me gjithë ç’duhej. Kërcnimet nuk e zbrapsnin dot nga rruga e mbarë.

Më 1993, në hyrje të Pejës, policia serbe e rrahu mizorisht dhe ia theu tri brinj. Edhe gjykata serbe më 10 nëntor të vitit 1994 e dënoi në mungesë për armëmbajtje pa leje. Por, kot, aq i bënte trimit. Kur shkau lufton për tokën e huaj, ç’presim ne për vatrat stërgjyshore?

Ngjarjet e Qirezit-Likoshanit, veçan Epopeja e lavdishme e Jasharëve të pavdekshëm, e prekën thellë në shpirt. Zemra i gufonte. Por, ah duro zemër e duro sa duron mali me borë! Familjen ende nuk e trazonte. E shoqja, Sanija me fëmijët: Afërditën, Adnanin, Flamurin e Albanin nuk i dinin të gjitha. Dorën në zemër, e kishte të vështirë jetonin pranë punktit policor dhe kazermës ushtarake, andaj çdo trimëri kërkonte njëqind mjeshtëri. Megjithatë, shpejt gjerat dolën sheshit. Shumica e të rinjve të lagjeve të Mitrovicës si Shipol, Vaganicë, Vërnicë, Tavnik e Lushtë, i kishte rekrutuar në radhët e UÇK-së. Me ata që vajtën për armë qe edhe i vëllai, Bislimi, i cili u plagos rëndë në pusinë e Padeshit, më 10 korrik 1998. Aty ngeli për jetë Adem Ramadan Galica e shumë shokë tjerë të idealit.

E gëzofsh armën e re, ore bir

Qielli i mbarsur me re të zeza ngulmonte në të shpërthyer. Pas rënies së komandantit Legjendar Adem Jashari, makineria serbe planifikoi edhe një tjetër ofensive për t’i dhënë fund Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. O zot, sa kokëgdhë u treguan tutkunat! Po ku mund të zhbëhej vullneti i një populli për LIRI?! A kishte force që t’i pengonte lulkuqet për ta sjellë PRANVERËN?!

Për here të fundit Agimi ishte në shtëpi më 21 shtator 1998, rrëfen nënë Fazilja. Dhe nuk qëndroi shumë veç dy orë, se s’kishte kohë. Zemra m’u bë mal, kur ia pashë armën e re, një snajperkë të flakëruar. E kishte një kallashnikov të vjetëruar dhe më dhibsej, sepse luftës nuk i dihej.

E gëzofsh armën e re, ore bir!- e urova kur e përcolla në të errur, për në Ashlan. Më nuk e takova për të gjallë, - mbaron ajo duke i fshirë lotët që pa dashur e kishin tradhtuar.

Sy me sy me vdekjen

E marta e 22 shtatorit 1998nu gdhi e zymtë fare. Operacioni “Qyqavica” nisi me ashpërsinë e ortekut mbytës. Nga të katër anët krisma, mitralime e granatime. Toka dridhej e qielli lotonte. Ashlani kështjellë me bedena. Kodra e vogël villte zjarr. Drangonjtë sypatrembur kamxhikonin kuçedrën shumëkrerëshe që synonte ta shteronte Leskovën. Zëri çift i snajperës së Agimit krijonte melodi magjepësese. Edhe zogjtë këngëtarë ia kishin lakmi. Të lumtë syri e gishti, o trim, që po u merr gjak mbi vetull katilave të pashpirtë!- jehonin male fusha.

Edhe dita e tretë ecte rrokullimë e luftimet s’kishin të ndalur. Djajtë me tanke e me pranga kishin hapur shtigje. Shqipet e lirisë zunë majat e maleve. Uria kërcnonte si shpata Damokleut. Një gjysëm molle ndahej në disa pjesë.

-O burra, na ranë pas shpine!- mezi u dëgjua një zë i mbytur nga rafali i gjatë i mitralozit serb.

Sakaq shkreptinë edhe grykëhollat e lirisë. Kukulelet e tyre mbytëse tmerruan Qafmalin mes Ashlanit dhe Lubovecit. Lëndina bleroshe zu të skuqej me gjak lirie. Dy plumba vrastarë e kishin marrë edhe Agimin. Shtati i tij hepohej, por nuk jepej. As plumbat nuk po i shkonin huq. Gjaku i rrjedhte lumë. Edhe fuqia zu t’i shteronte. Edhe një here, duke u ngrënë shtatin, ngriti dorën për ta pare orën. Ajo shënonte fiks 16. Lart në qiellin e përflakur sogjetonte një shqipe krahapur. Sa fort i mori lakmi. U dha qepallave të rënduara.

Mbajti edhe vesh. Nga Kroi i Sokolave vinte një zë kumtë ogurbardhë: poeti luftetar Mustafë Shyti, thurte heroizma dhe me gjak lirie latonte vargjet e pavdeksisë.

-Ashtu ore vllaçko, ashtu, të lumtë!-bëri me vete duke i mbyllur sytë buzagaz.

Nata nuk po vinte. As dielli nuk po ikte. Përreth asgjë s’pipëtinte.Yjet kishin ngatërruar rrugët. Hëna s’po dukej gjëkundi.

Rënia e komandantit të Kompanisë së tretë të Batlionit të dytë të Brigadës142 të ZOSH, trimit të paepur, Agim Ramadani, ua kishte këputur krahët edhe luftëtarëve...

Sot trimi pushon në varrezat e Dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e nderoi me gradën Kolonel.

Betejat i dhanë emrin më të merituar: DËSHMOR I KOMBIT.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat