Poezi me ndjenja të dashurisë për atdheun, dëshmorët...

Libra

Poezi me ndjenja të dashurisë për atdheun, dëshmorët...

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 1 tetor 2017 Në ora: 13:50
Kopertina e librit

Poeti Sheremet Ajazi, i cili tash e një kohë jeton dhe vepron në Kanada, ditë më parë para lexuesve erdhi me përmbledhjen me poezi “Lidhja e Prizrenit” që e botoi KLI ”Arif Shala”.  

Që nga vetë titulli i librit “ Lidhja e Prizrenit” shihet se kemi të bëjmë me poezi të cilat pasqyrojnë një dashuri të madhe të autorit për vendin e tij edhe pse ai tash e një kohë jeton bukur larg nga këtu.

Ideali i lirisë kombëtare dhe i përmasës së plotë të atdheut, përshkon edhe poezitë e Sheremet Ajazit, jo me një patetikë e retorikë epike, por me një ligjërim të natyrshëm lirik, ku përthyhen ndjenjat dhe mendimet e poetit në kohë e hapësirë.

Poezitë e këtij libri sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ku e ka hedhur farën dhe grumbulluar nektarin  krijimit të tij poetik, por mbi të gjitha dominojnë poezitë me motiv atdhedashurie që i këndojnë Kosovës, heronjve dhe personaliteteve të ndryshme atdhetare e po ashtu poezi u kushton vendeve historike dhe të afërmeve . Ndër këto poezi do të veçonim disa si poezitë kushtuar Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Azem Bejtës,  Adem Demaçit, Bajram Currit, Idriz Seferit, Ahmet Delisë, Kosovës heroike, Prekazit, Lidhjes së Prizrenit, Toplicës, Festës së Flamurit, Shqiponjës, Femrës shqiptare, Nënës etj.

Poeti Sheremet Ajazi jeton larg vendit të tij, Kosovës, por që kokën dhe vështrimin e ka përsëri nga Atdheu i të parëve, i burrave e patriotëve të vërtetë. Këtë e dëshmon edhe në vargjet e tij që i shkruan vazhdimisht dhe i prezanton me botimin e librave sa herë vjen në vendlindje  për tua lënë dhuratë lexuesve të vendit të tij.

Si në këtë libër por edhe në librat e tjerë të botuar deri më tani autori shihet se i qëndron besnik temës së atdheut, e cila zë pjesën më të madhe të këtij  vëllimi poetik.

Motivi i atdheut, është motivi që dominon më së shumti në vargjet e poetit  që nga e kaluara, me ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut.

Të gjitha poezitë në librin "Lidhja e Prizrenit" nuk janë të ndara në cikle ngase kanë lidhmëni në mes veti dhe si të tilla na japin një tërësi të pashkëputur duke përshkruar realitetin e lidhmërisë në mes poezive ashtu si është i lidhur edhe vetë autori  me atdheun.

Poezitë e këtij libri korrespondojnë në harmoni të plotë njëra me tjetrën, që për esencë ka idealin dhe domethënien me një fuqi shprehëse dhe gjuhë të fortë poetike.

Ndoshta jeta jashtë atdheut  e shtyn edhe më shumë që të kujtojë të gjitha këto dhe të na sjellë poezi mjaft mirë të realizuara. Në këto poezi ka plotë ndjenja të dashurisë për atdheun dhe dëshmorët por ai  nganjëherë shpreh edhe mërzinë që ndjen në dheun e huaj që njëherësh është dhembje e të gjithë mërgimtarëve të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës. Në poezitë e këtij libri autori shfaq një botë të madhe duke na sjellë realitetin e tanishëm, por edhe shpresën për një të ardhme më të ndritur.

Autori me këtë përmbledhje të poezive shpreh mallin dhe dashurinë për çdo gjë që i mungon  nga vendlindja, por edhe krenarinë për të, për heronjtë, për vendet e bukura që dëshiron ti shoh edhe më mirë që edhe këtu të ketë jetë të mirë për të gjithë e sa më pak të ketë bashkëvendës që mësyjnë botën për një jetë më të mirë, por këtu ti kenë të gjitha sepse për këtë vend është derdh mund e gjak në periudha të ndryshme të kohës dhe vendi meriton të ketë një lulëzim  më të mirë që t’ ia kenë lakmi edhe të tjerët, por…

Duke mbetur në përmasën tematike, poeti gjithsesi në shumicën e poezive  thur vargje për atdheun, për heronjtë dhe figura kombëtare, për flamurin, për vendet historike, për të gjitha trojet shqiptare që dëshiron ti shoh të bashkuara. Motivi i atdheut, motiv që dominon më së shumti në vargjet e poetit  që nga e kaluara, me ndjenjën e dashurisë ndaj tij e përshkon tërë vëllimin poetik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat