“Bashkë me fundvitin” një roman interesant dhe me vlera

Libra

“Bashkë me fundvitin” një roman interesant dhe me vlera

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 15 tetor 2017 Në ora: 19:49
Kopertina e librit

“Bashkë me fundvitin” është romani i fundit i autorit Fation Pajo. Një roman që përcjell mesazhe dashurie, krenarie dhe mirësie. Në këtë roman autori mundohet të përcjellë një temë nga më ngacmueset për realitetin shqiptar, atë të emigracionit. Gjithë librat me këtë tematikë, aktualisht janë ndër temat më të suksesshme, për vetë larminë e ngjarjeve, ndjeshmërinë e popullit tonë rreth kësaj teme, pasi jemi ndër vendet me emigracion më të lartë në botë.

Nuk ka familje shqiptare që të mos ketë një, apo më shumë pjesëtarë në emigracion, ndaj dhe letërsia me këtë temë është sa prekëse, po aq dhe e dashur për krijuesit. Romani i Pajos është shkruar me ndjenjë, me konceptim kontemporan, me figura letrare tejet të harmonizuara, me një realizëm shumë të besueshëm dhe mesazh shumë koherent. Në roman situatat kalojnë ngjeshur, ku dramat dhe debatet jetësore përcjellin njëra-tjetrën në mënyrë lakonike. Autori në vepër nuk tregohet i ngurtë, as i tejhapur në përshkrimin e personazheve dhe të ngjarjeve.

Ai është munduar të ruaj sensin e masës, të dallojë qartësisht karakteret e personazheve, duke i sjell para lexuesit ata të vërtetë dhe qartësisht të dallueshëm. Në tërë kohështrirjen e romanit, ngjarjet, personazhet, dialogët, meditimet, janë pasqyruar me vërtetësi, të shkruara me ndjeshmëri artistike duke përjashtuar artificialitetin dhe fantazinë e shfrenuar. Romani ka një subjekt tejet bashkëkohor dhe fin. Trajtimi i ngjarjes është bërë në mënyrë elegante duke pasur tërësisht në mbikëqyrje anën estetike të ndërtimit të veprës letrare. Tema në tërësinë e saj përcjell vështirësitë e jetës familjare në emigracion të cilat kanë probleme të shumta. Në disa raste ajo karakterizohet dhe me prishje të ekuilibrit dhe mbarëvajtjes midis prindërve, si në rastin e çiftit Kumi.

Lufta midis së drejtës dhe mashtrimit vjen një ditë dhe përfundon, kuptohet me dhimbje, sidomos për fëmijën. Valbona e kupton se nuk mund të vazhdohet jeta në mënyrë të tillë me atë bashkëshort, Kujtimin, që prish para nëpër kazino dhe me femra të klubeve, s'sheh rrugë tjetër, kërkon ndarjen, të cilën e realizon. Njeriu i mirë e ka fatin pas derës. Kështu asaj i vjen në "ndihmë" mënyra e saj e të vepruarit si nënë e si shqiptare me karakter të fortë ndaj dashurisë për edukimin e fëmijës. Ndihmon fare rastësisht vajzën e avokatit, Xhohnit, të çështjes së ndarjes së saj, Njohja mes tyre solli fillimin e një dashurie të re për të dy.

Valbona, nënë e përkushtuar ndaj fëmijës bëhet nënë e dashur dhe për vajzën e Xhohnit, duke i dhënë fund kështu një jete të vështirë të fillimit dhe nisjen e një jete të re e të bukur. Pas një muaji nga kryerja e të gjitha veprimeve të martesës e sistemimit në apartamentin e ri ata po shkonin me pushime. Javën e fundvitit, tashmë familje e re, vendosën ta kalonin në një nga vendet më të bukura të kontinentit. Po shkonin atje, ku ëndrra dhe realiteti janë një. Në vendin e ëndrrës amerikane për këdo, në Las Vegas-in e famshëm. Dita tjetër e dashurisë së bukur erdhi, më e bardhë, më e diellt se tjetra. Mbi shtratin bashkëshortor duket se mbiu një lule erëmirë. Dashuri me një shkëlqim shpresëdhënës…

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat