Diplomacia e Vatikanit

Libra

Diplomacia e Vatikanit

Nga: Nijazi Halili Më: 2 nëntor 2017 Në ora: 15:17
Kopertina e Librit

Një nga pjesët më interesante të librit "Illyricum Sacrum", është ajo ku flitet për interesimin që tregoi Papa Klementi XI (Kelmendi), për mbledhjen e përpunimin e historisë së Shqipërisë, gjë e cila nuk u bë plotësisht sepse një pjesë e madhe e atyre arkivave, humbën teksa qerrja që transportonte ato për në Venedik, u mbyt duke kaluar Lumin e Drinit në pjesën e Zadrimës. Lidhur me këtë, në faqen 221-222 shkruhet: "Papa Klementi XI, Gian Francesco Albani, nga Urbino me prejardhje shqiptare, kur ishte prift i ri filloi të mbledhë lëndë për historinë kishtare ilire. I penguar  nga detyrat kishtare që shkuan për t’ja shtuar  lartësimin e tij deri në selinë papnore u detyrua të ndërpresë punimet e veta historike. Në fillim të pontifikatit të vet, mblodhi Këshillin e parë të Arbenit nën kryesinë e arqipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, e dha urdhërin që aktet e Këshillit të përktheheshin shqip e ti shihen në gjuhën e të parëve që në familjen Albani kishte mbetë vetëm si kujtim.

Në atë kohë qendra e kishave ilire ishte Raguza(Dubrovniku i sodit )  ku mbaheshin këshillat kishtare të Ilirisë. Pasi që patën qenë mbytur në det ipeshkvinjtë shqiptarë duke u kthyer nga mbledhja, Klementi XI vendosi që mbledhjet ndër dioçezane shqiptare andej e tutje të mbaheshin në tokën shqiptare. Qendra e parë e kishave ilire ka qenë Akuileja, mandej Grado-i, e pasi selia patriarkale ilire u bart në Venedik. Për arsye praktike u caktua Raguza si qendër pasi ishte më e përshtatshme edhe gjeografikisht.

Pasi që selia patriarkale e ilirëve u bart në Venedik, e atje ishin grumbulluar gjatë shekujve dokumente, libra, monumente edhe për Ilirinë, e pasi qe Venediku kishte edhe Institute e njerëz të përshtatshëm për historiografi, Papa Klementi i XI e bisedoi kete ceshtje  me Jezuitët e Venedikut e këta dërguan në Romë at Filip Riceputtin i cili mori në dorëzim nga Papa shqiptar lëndën historike të tij, planin e hartimit të historisë kishtare të ilirëve, e me ndihmën financiare për të përballuar shpenzimet e duhura për atë punë.

At Filip Riceputti me një barkë të Venedikut i ra për gjatë bregut të Adriatikut duke u ndalur në të gjitha qendrat ku kishte lëndë për punën e vet, e nga këto qendra bregdetare dërgoheshin njerëz të tjerë për kërkime historike në qendrat e brendshme të vendit, prej nga i dërgohej lënda e duhur në breg të detit. Këtë punë e vazhdoi deri në qytetin e Tivarit. Prej Tivarit u dërguan lajmëtarë në të gjithë qendrat kishtare të Shqipërisë të cilat iu përgjigjën duke i dërguar secila ndihmën e vet historike te shtruarjes  se ardhshme të kishave ilire. Një qerre me qe, e ngarkuese me dorëshkrime, libra e objekte historike, pasi kaloi të gjitha vështirësitë e baltërave të Zadrimës, u mbyt në ujë duke kaluar Drinin, kështu  qe humbi e gjithë ngarkesa e caktuar për At Riceputt-in.

Riceputti e ndau të gjithë lëndën e historisë kishtare ilire në katër pjesë me nënndarjet e renditjet përkatëse sipas  skemës që kishte përpiluar Klementi XI. Pas vdekjes se tij, At Riceputti me zell e kujdes përfundoi të katër pjesët e historisë kishtare ilire,e kur i pat gati për shtyp, mbaruan ditët e jetës së tij e vdiq. Jezuitët, siç e kanë zakon kur vdes çdo anëtar i shoqërisë së tyre që ka në dorë çdo punë të rëndësishme, ngarkuan që të kujdesej për shtypin e dorëshkrimeve të Riceputtit njeriun e tyre më të aftë për historiografi, At Daniel Farlatin. Ky pasi qe studioi të gjithë veprën e Riceputt-it, u raportoi eprorëve të vet se historinë kishtare te shkruar nga At Filip Receputti, kishte punë me kritere historike të vjetërsuara. Pasi u studjua mirë çështja, e rezultoi si kishte raportuar At Daniel Farlati, eprorët ngarkuan këtë të niste punën përsëri sipas  kritereve historike moderne të kohës.

At Daniel Farlati shkroi, shtypi e botoi katër vëllimet e para të veprës Illyricum Sacrum  dhe më në fund e ndërroi jetë. (AQSH F.1069 D.40 fq.22

“Illyricum Sacrum” është një vepër enciklopedike me 5500 faqe, e ndarë në nëntë vëllime. Në të flitet për historinë e ilirëve, domethënë për historinë e shqiptarëve që kanë jetuar në  faqen perëndimore të Ballkanit, ku shtriheshin fiset ilire. “Illyricum Sacrum” përmban gjithashtu harta, skica dhe ilustrime të shumta për të parët tanë, të cilat nuk gjenden       askund veç në këtë vepër të madhe.

Sipas prof. Aleksandër Stipçeviç, vepra “Illyricum Sacrum”  është një arritje kapitale e historisë evropiane.  Ajo ka rëndësi të dorës së parë si burim të  dhënash për historinë mesjetare të Ballkanit Perëndimor. Vëllimi i parë ka dalë në vitin

1751, kurse i fundit në vitin 1909. Shtatë vëllimet e para janë përgatitur nga Daniele Farlati, kurse dy vëllimet e fundit nga Jakobo Coleti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat