Gërshetimi i mendimit krijues dhe filozofik që ngre lartë zërin dhe mesazhin poetik

Libra

Gërshetimi i mendimit krijues dhe filozofik që ngre lartë zërin dhe mesazhin poetik

Nga: Tahir BEZHANI Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 17:48
(Sejdi BERISHA: ”Varrtarët kush do t’i varrosë”, poezi – 2017)

“Një ëndërr e keqe gjumin ma prishi
Erdhi ëndrra tjetër,përherë më la pa gjumë...”
                                                     (S. Berisha)

Në këtë kohë e hapësirë, kur jeta frymon përmes marramendjeve hapësinore, as në tokë as në qiell, mes përplasjeve (pakjeve) të pazakonta, rrugëtimet e njerëzve janë shumëdimensionale, për të gjetur atë rahatinë shpirtërore, si statisfaksion i punës dhe i mundit jetësor, që bënë secili njeri në mënyrën e vetë, për një jetë normale në rrethin e një shoqërie që i takon. Brenda këtyre rrathëve të rrugëtimit jetësor, vetëm poetët (krijuesit), e ndiejnë peshën e kohës, peshën e dhimbjes njerëzore. Poeti, përmes vargut të tij poetik, përpiqet të depërtojë deri në thellësitë ekstreme të shpirtit njerëzor, për të ndier peshën e dhimbjes e dashurisë  njerëzore.

I tillë është edhe poeti ynë, Sejdi BERISHA, i cili me veprat e veta madhore, si në prozë ashtu edhe në poezi, e shkrini një pjesë të tërë të jetës në varg, për t’u shndërruar kështu në një figurë emblematike të artit tonë kulturo-letrar, e duke na lënë në trashëgimi një thesar krijues, letrar dhe të mendimit të thellë filozofik, me shumë mesazhe, me të  cilat gjen shtegdalje edhe atëherë kur është më së vështiri...

Në vargun dhe veprat e S. Berishës, qëndrojnë dhe shkëlqejnë si lapidar porositë për dashurinë njerëzore, amnore, atdhe dashuria, qëndresa dhe rezistenca sublime, të gravura me majën penës së mprehtë, të cilat, sikur të gjitha përnjëherë na sillen në kujtesë, si ikona shpirti e plot humanizëm.

Në librin më të ri poetik, të botuar sivjet, me titull mjaft  sinjifikativ, ”Varrtarët kush do t’i varrosë”, lexuesi i pasionuar gjënë të sinkronizuar bukur e artistikisht vargun Berishian, të ngjeshur me filozofinë e jetës në kohën tonë, në kohën që po e kalojmë. Si zakonisht, fillon me preferencën madhore për atdheun, i cili, mbi të gjitha, është  alfa dhe omega e vargut,  ku poetit i pushon shpirti, i madhështohet shpirti...

Në poezinë “Dhembjet shekullore”, poeti skalitë si në skulpturë zjarrin e vetë të përmallshëm, i cili nëpër shekuj qe një plagë e pashëruar për fatin e kombit dhe të atdheut. Lexojmë: ”Nga Kalaja e Krujës atdheun duhet shikuar e vështruar mirë....!/Ndryshe, mendja, zemra, shpirti dhe syri ngelin të etur dhe të shoqëruar me dhembje shekullore....”! Një inspirim i tillë i shkrirë nëpër kohë, me rastin e vizitës Kalasë së Krujës, del e krijohet edhe mesazhi i kohës për kohët, si imanentë shpirtërore e poetit tonë të madh. Me të njëjtën peshë dhimbje lexojmë edhe poezinë ”Lumturia apo ujëvara e lotëve”, ku aludon se “edhe qiellit ADN-ën duhet bërë/për shikimin e saj drejtë lartësive...”.

Tradita dhe historia si dhembje  dhe peshë që rëndojnë krijuesin e që përjetësojnë kombin dhe atdheun

Sejdi BERISHA, është njëri ndër poetët e kohës së sotme, i cili një pjesë të jetës ia ka “dhuruar” të së kaluarës sonë dhe traditave fisnike, me të cilat u rriten brezat dhe i ruajtëm si mburrje njerëzore, për faktin se mu aty, gërshetohet, jo vetëm tradita, por edhe psikologjia e jetës sonë, për të kaluar drejtë kurrizit të vuajtur në një etapë civilizuese njerëzore. Por, këto tema jete, askush nuk ka mundur t’i anashkalojë, për faktin se janë pjesë përbërëse e jetës nëpër kohëra. Që do të thotë, se nuk ndërtohet ardhmëria pa e ditur rrugën nga ke ardhur. E pra, bazamenti i kulturës së një populli është tradita me të gjithë elementët e saj jetësor. Për këto fakte, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, asnjëherë nuk e harron të kaluarën e tij dhe as të popullit të vet, por i ka si frymëzim të pashtershëm: mullirin, arën, shtegun e malit, livadhet; urën e lumit, proçkës etj. Në poezinë “Muze i traditës,thanë”, që i përkushtohet mullirit të fshatit i cili bluante drithëra për bukën e gojës, ligjëron: ”Çdo gjë/Mendjen në shekuj ma shndërroi/Që shtresojnë e shpalosin kallëzime...” etj.

Poeti, kurrë nuk ndihet rehat dhe as i qetë kur takohet në shtëpitë e zbrazura, ku nuk ndihet zë njeriu, as fëmijë, ku nuk frymon asgjë e gjallë, në një shtëpi të zbrazur, ku dikur nëna shpërndante ëmbëlsi jete për fëmijët dhe familjen. Tymi oxhakut e avulli i bukëve, mjaftonin të ndihej gjallëria. Në këtë prizëm evokimi e mallëngjimi të kujtesës njerëzore, rëndon fuqishëm e ravijëzon zjarrmishëm mesazhin e jetës këndimi poetik plot zharrave, ku vargjet derdhen në rreshta, si në poezinë ”Rëndë gjëmon shtëpia nën dry”, një poezi kjo, sa e prekshme, e ndjeshme, e përjetim i thellë shpirtëror, po aq antologjike, sepse, pasqyron një fragment të jetës, duke aluduar nëpër kohë të kaluara plot strese luftërash. E tani, pas një lirie të fituar me gjak, ky fenomen, kur njerëzit kanë ikur nëpër botë pa i ndjekur kush, por, për kafshatën e gojës, a kërkon  arsye “hetimi” në mendjen njerëzore, a dhemb shpirti...?! Sigurisht se po! Prandaj, kjo poezi e poetit tonë të madh, është antologjike dhe ka peshën e vetë specifike mbase edhe historike... Ja, një fragment nga  kjo poezi jo vetëm emocionuese: ”Merimangat dhe qetësia përqafohen/Në fotografitë e murit-kujtim/Myku është zvarrë/Nuk ka festë kur shtëpia gjëmon nën dry....”. Me këtë temë dhe me këtë ndrydhje të këndvështrimi, poeti ka edhe shumë poezi të tjera, të cilat “bartin” mbi supe situatën e kohës, me, ose padrejtësisht, por gjithsesi, bartin një vule kohe, që le të mbetet për ta komentuar dhe për ta gjykuar jo vetëm lexuesi, por edhe gjeneratat që do vijnë. Tek e fundit, ky është edhe misioni i krijuesit, ndjeshmëria poetike, ku  poetët kanë influencë në shoqëri, kudo, por, ndoshta tek ke ne, më së paku...! Kjo është barrë dhe dhembje e rëndë e kohës...

Image
Sejdi Berisha

Begatia dhe thesari  krijues si dëshmi e madhështisë dhe e dashurisë ndaj njerëzores...

Përkrah këtij mendimi dhe për faktin se Sejdi BERISHA, me kohë ka ndërtuar imazhin e tij krijues, si një autor me afro dyzetë vepra letrare në të gjitha zhanret. Poeti, nuk rri indiferent ndaj asnjë dukurie të shëmtuar. Atë nuk e lejon ndërgjegjja e brendshme, shpirti dhe as njerëzorja. I gjithë ky bagazh krijues dhe i njerëzores, hedhur në kaq vepra letrare, argumenton thesarin që lë një krijues brenda një shoqërie!

Për lexuesin e respektuar, por edhe për argumentin filozofik të vargut Berishian, po sjellë vetëm ca “grimca” fjalësh me peshë plumbi, marrë nga poezia “Çfarë të bëjë me diellin”: ”Sikur diellin në duar ta kisha/Në hall do bija me rrezet e tij/Sa do të përcëllohej njeriu/Sa do mërdhinte liria...”, ose poezia ”Ëndrra tjetër”: ”Një ëndërr e keqe/Gjumin ma prishi/Erdhi ëndrra tjetër/Përherë me la pa gjumë....”. Në këto por edhe në poezi të tjera, hasim universin poetik, të ndërtuar e kënduar fuqishëm e bukur me gjuhën poetike, me metafora të gdhendura  e të sinkronizuara vëmendshëm.

Krijuesi, Sejdi BERISHA, në librin me poezi ”Varrtarët kush do t’i varrosë”, ka sjellë begatinë e shpirtit të tij të mbarësuar me plot dhembje për shumë e shumë  gjera që reflektojnë kohën, e të cilat, poeti i përjeton rëndë jo vetëm nga ligjërimi poetik, por përjetohen edhe nga secili njeri! Duke ndërtuar me sinteza poetike mendimin e stërholluar filozofik, reagon, kundërshton por edhe shprehë pakënaqësinë e tij, sepse, njerëzit çdo ditë humbin respektin ndaj njeri-tjetrit, dashurinë vëllazërore, amnore, familjare  etj...

E gjithë kjo, padyshim se i shkakton plagë krijuesit Sejdi BERISHA, andaj edhe na “goditë” duke na sjellë vargje brilante, si bie fjala në poezinë,”Se kurrë nuk kthehet”: “E, si ta përfundojmë/Se kurrë nuk kthehet/E, si të përqafohemi/Se pelin janë njerëzit/Për shoqi-shoqin/ E, si ta përfundojmë.../E, si t’ia fillojmë....”! Mendoj se këto vargje, kanë aq tharmë poetik me vlerë të madhe njerëzore, humane e edukative, sa që është vështirë ta përshkruash me maje lapsi! Prandaj, argumentoj mendimin  se, Sejdi BERISHA, është një poet i përmasave kombëtare, i një vlere e rëndësie të veçantë për kohen tonë, edhe për kohën që vjen. Ky shkrimtar dhe publicist, pa kursim digjet në flaken e vetvetes, vetëm e vetëm për të reflektuar shpirtin tij humanist në përmasa të njerëzores, cilësi e veti mjaft e luhatur viteve të fundit në shtresat e njerëzimit. Ja, edhe tre rreshta mjaft “kompleksiv: ”Vargu është si flaka/Por kur ndizet njëherë/Kurrë më nuk shuhet ...”!

Sejdi BERISHA, tashmë, një personalitet i njohur i artit letrar dhe i kulturës kombëtare, dëshmuar me penën e tij, vargje u kushton edhe atyre të mëdhenjve, atyre me vlera kombëtare e jo vetëm kombëtare. Një përkushtim me vargje poetike të skalitura mrekullueshëm, i ka praruar edhe për Dritëron e madh, figurën e mirënjohur letrare, me rastin e ikjes nga kjo botë. Ai, ndër të tjera edhe sikur ndërgjegjëson: ”Dritëro/Sot më dogji vargu yt/Edhe etja jote/Që iku diku bashkë me Ty//Nesër kur do mërzitem më shumë/Do ngre dy gota raki/Një për Ty/Edhe një prapë për Ty/Se në gotë /Vargu digjet për njeriun.”! Janë këto vargje të derdhura me një subtilitet shpirtëror për mikun e letrave, për poetin kombëtar, Dritëro Agollin.

“Por pusho i qetë në tokë, baba, se fort ke qenë i lidhur me te”, ose zëri dhe malli poetik për ngritjen e kujtesës ndaj atërores...

Në letërsinë shqiptare, por edhe atë botërore, kemi lexuar poezi, poema, tregime e romane kushtuar më të dashurve të tij-prindërve, të cilët janë të skalitur në vëmendjen tonë, tek secili për jetë e mot. Por, tek Sejdi BERISHA, motivet atërore dhe amnore, janë karakteristikë  e veçantë, si në prozë ashtu edhe në poezi.  Poezitë për babën, dalë aq të zjarrta, përvëluese e përmalluese, thua se  sikur  autori, të kishte mbetur që dje pa babanë e sot pa nënën e tij të dashur. Nuk do zgjerohesha në këtë tematikë të pasosur kurrë, por nuk tejkalohet pa theksuar “grimca” të poezisë së  S. Berishës, vargje të cilat parafytyrojnë njeriun e dashur gjatë tërë jetës.  Kam lexuar nga të mëdhenjtë botërorë,si bie fjala, Jesenini, që me aq përkushtim i rrekët mallit për nënën, ndërsa Berisha, shkruan për babanë: ”Baba/zëri yt edhe sot sa i ëmbël/Tash po e kuptoj/Tash po e kuptoj atë shikimin tënd tej maleve/Sipër qiellit nën palët e tokës/Por pusho i qetë në tokë, baba/Se fort ke qenë i lidhur me te/E putha edhe njëherë varrin/Derisa loti im e dogji barin....”. Të kësaj natyre e plot zjarr malli, i dedikohen poezitë edhe për nënën, për motrën e cila i ka vdekur e vogël, për të gjithë familjarët e tij. Ngritja e kujtesës në piedestale të larta njerëzore, autorin, në tërësi e bëjnë të madh, dhe se figura e tij duhet të trajtohet me vëmendje e përkushtim njerëzor, aq sa është edhe njerëzorja e tij për njerëzimin...!

Sejdi BERISHA, nuk do na dukej krijues i përmasave të gjera kombëtare, sikur poezisë të mos ia falte e dhuronte tërë qenien e vetë edhe shpirtërore dhe emocionale, dhe atë në emër të kauzës njerëzore, pa çmim vlerash, dhe sërish poeti, pa pushim aludon: ”rrini me mua vetëm edhe pak/derisa ta them atë fjalën e cila nuk po vjen....”!

Për librin me poezi të Sejdi BERISHËS, ”Varrtarët kush do i varrosë”, nuk munda të shkruaj gjithë atë që mund ta lexojë një lexues si unë, por, u përpoqa të vë në dukje ato vlera të pakontestueshme letrare, me artistiken e përsosur, me mesazhin e njerëzores, si një obelisk poetik, e të gjitha këto,tek lexuesi çojnë porosinë e “detyrimin” për lexim sa më shumë të poezisë dhe të librit në tërësi...!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat