Një vepër e rrallë me vlera historike

Libra

Një vepër e rrallë me vlera historike

Nga: Baki Ymeri Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 18:44
(Faridin Tafallari, Dhimbje krenare, Botoi Lilo, Tiranë 1998)

Libri i Faridin Tafallarit „Dhimbje krenare”, është një vepër e rrallë e diasporës sonë. Kujtime, dokumentacion, korrespondencë. Libri ka 407 faqe dhe strukturohet në tre pjesë plus kapitulli me dokumente e fotografi, pasthënia dhe kronologji evenimentesh historike (1996-98). Këtë vepër të rrallë  memorialistikës sonë, e karakterizojnë: shqiptarizmi, kujtimet e paharruara, vrrulli patriotik, forca e brendshme shpirtërore dhe stili individual. Shumëkush prej nesh e din se babai i historisë llogaritet filozofi dhe historiani i periudhës antike greke Herodoti. Historia është shkencë shoqërore e cila studion të kaluarën e shoqërisë njerëzore gjatë evolucionit mijëra vjeçar të njerëzimit. Bazohet në të mbledhurat e dokumenteve dhe materialeve të shumta të cilat grumbullohen nga arkeologoët, antropologët. Autori i kësaj vepre nuk është as arkeolog e as antropolog, por një krijues i mirëfilltë që studion periudhën e betejave tona për liri dhe çrobërim nga thundrra çetnike e Serbisë vrastare.

Autori ka zemër të gjerë dhe shpirt të florinjtë. Kosovari digjet për komb e atdhe. Jo të këtillë i kemi edhe ata të Mini-Albanisë. Ja se ç’i shkrova njërës nga Fieri: “E nderuar! Sintagma „po mendohem” ka karakter pesimist që ma kujton poezinë „Zemërimi”. Ka kodra e kodra mes kopracëve të Shqipërisë që i ka trembur diktatura staliniste dhe kosovarëve zemërgjerë të cilëve nëse u thua se kjo punë kushton 100 euro ti dërgon 200 apo 300. Derisa nga Shqipëria vetëm tre vetën kanë porositur libra, nga Kosova kanë porositur 100 vetë. Sabile Bashës, Ramadan Memetit dhe Flora Brovinës u kërkova nga 400 euro për një vëllim bilingv e ata më dërguan nga 600. Kur u thash se 200 ua kthej prap, ata më thanë: Jo! Ato i ke për një kafe! Shqipëria ia shiti Manastirin e Shën Naumit jugosllavëve, atje gjëmon kënga serbe, atje ia botuan librin antishqiptarit Vuk Drashkoviq, atje na e vranë Plakun e Maleve (Bajram Currin), Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, kolonelin Ahmet Krasniqi etj. Po mundin tim për Mirënjohjen, kopertinën sipas shijes sate dhe grumbullimin e lëndës që më morri 8 orë kush do ma paguajë? Po të ishe poete e dobët nuk do humbja kohë për Ty. Unë nuk jam lëmoshtar dhe nuk lus askend për para por veproj sipas ndërgjegjes sime për afirmimin e vlerave tona gjithandej në botë. Koha kushton sepse Zeit ist Gold. Po qe se më keqkupton, lirisht mund të më blokosh!”

Image

Faridin Tafallari, përveç lëndës me vlera të larta historike, na jep një fjali ku na i përkujton hajdutët e Kosovës që rrinin stacioneve e merreshin me gjëra të këqija, “e me çka nuk merren!”. Disa sosh i kam parë edhe vetë në stacionin hekurudhor të Berlinit (1992), duke i demaskuar pastaj me epitetin “Kopilat e Kombit”. Hajdutë trenash, vjedhës çantash, hajdutë automobilash. Nuk e di në ka edhe sot maskarenj të këtillë që na turpërojnë në botë! Historia rrënjët e saja i ka që nga koha e shfaqjes së njeriut, pra që në kohët e lashta, kurse historia e atdhetarizmit të autorit të kësaj vepre i ka rrënjët që nga viti 1973. Libri “Dhimbje krenare” cekë shumë gjëra interesante që ndërlidhen me jetën dhe veprën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka. “Mbërritëm te Jusufi në Untergrupenbach...”Kemi plotë shokë në dhomë, i tha Bardhi Faridinit, kurse ky ia pret: “Bardhi, kjo mua nuk po më pëlqen por... Po, por a janë të mirë të gjithë?” Në libër ballafaqohemi edhe me një nostalgji të veçantë: “Iu afrova varrit të parë e fillova t’i heq borën anash e vazhdova tek i dyti dhe tek i treti. Nuk më flet asnjeri. Eu, them, si qenka kjo botë! Këtu i kam tre shokët, tre bilbilat e Kosovës. Do të bisedojmë për bashkim se nuk kemi rrugë tjetër.”

Historia e kësaj vepre lidhet me fatin tonë të pafatshëm në histori, lidhur me padrejtësitë që na janë bërë gjatë historisë, lidhur me Konferencën famëkeqe të Londrës, lidhur me periudhën e kobshme të sundimit titist, lidhur me vjekjen e tre dëshmorëve të pavdekshëm të Kosovës, por sidomos me vrrullin e tyre të pandalshëm gjatë pregaditjes së terenit për ta shkëputur Kosovën nga thundrra jugosllave. Shqiptari i thot Gruas grua, Zonjës zonjë dhe Zotit zot. Faridini këto emërtime i shkruan me germë të madhe siç veprojnë gjermanët e popujt tjerë të civilizuar: Zot, Grua, Zonjë. Shqiptari digjet për muhabet dhe qerasje: „Parafytyroja atë mëngjes dhe ato biseda të ngrohta nëpër netët pa gjumë, e përsëri ishim të pangopur me biseda. Akoma isha para Jusufit, Kadriut, Bardhoshit dhe doja t’i kujtoja të gjitha se më sihte shkrumuar zemra dhe kaloja nga një takim në tjetrin, në një bisedë a demonstratë, dhe ja, jam në Gjenevë, Zyroh. Më sillen në kujtesë brohoritjet me megafona: Ja vdekje, ja liri! Republikë, vetëvendosje! Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”

Dhe më tej: „Sa kohë i kam kërkuar të tillë shokë dhe ja si u takuam! Të bashkoka ideali, ideali i shenjtë i atdheut e në veçanti i atdheut të pushtuar. Pjesa e parë e librit mban titullin Nata e fundit të Dhjetorit. Jos vëmendjen përvjetori i rënies së tre heronjve. „Në ballë të këtij populli dhe këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme” (Jusuf Gërvalla). Në këtë vepër briliante ka edhe shumë e shumë faqe e fragmente tejet interesante lidhur me atë periudhë të bujshme të përpjekjeve shqiptare për liri e pavarësi. Për momentin po ndalemi me kaq, konform thënies popullore: Pak e për merak!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat