Drenica e pushkës dhe e penës - Bota Sot
Drenica e pushkës dhe e penës

Libra

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Drenica e pushkës dhe e penës

Nga: Xhemail PECI Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 09:01
(Vështrim për librin e Bedri Tahirit, Toponimia e Galicës, Prishtinë, 2014)

Pena mëmëdhetare gjithmonë u ngre një himn pushkëve liridashëse, krismave të saj që kumbuan si himne lirie, në mbrojtje të pragut stërgjyshor, prandaj në sfondin e një simbolike të veçantë, Bedri Tahiri bashkon tehun e sopatës, grykën e pushkës dhe majën e penës.

Ai bashkon në sfondin e penës së tij atdhetare, në qëllimin e tyre të shenjtëruar: Ahmet Delinë, Azem Galicën dhe Hasan Prishtinën. 

Prandaj, kjo penë e cila e bën mishërimin e së djeshmes me të sotmen dhe gjithsesi edhe me të nesërmen e këtij trualli të larë me gjak fatosash të lirisë, kjo penë e cila përndritë flakët e pushkëve kryengritëse, është gjithë gjakim e frymëzim në shpalim të epikës së një heroizmi që rron ndër shekuj e që përkon aq shumë me atë të eposit të kreshnikëve.

Kjo penë, jo rastësisht, sikur takohet me lahutën për të gdhendur në kujtesë kronikat e ditëve të përgjakshme. Si nëpër mitet dhe legjendat, edhe pena e shkrimtarit dhe studiuesit ndalet tek numri shtatë. E përkushtimi për ta përshkruar Rrethimin e Shtatë të Galicës, nuk ka se si të mos na e përkujtoj përkushtimin e Marin Barletit për ta përshkruar Rrethimin e Shkodrës.

Galica kalon nëpër rrathët e ferrit që ia kanë ngritur hijenat grabitqare, por kjo penë që u rri si një sogjetar amshimi kokave krynegritëse të Galicës sy-shqiponjë, dëshmon se Galica, e me të edhe e gjithë Drenica trime, ngjallet herë si feniks prej hiri e herë si salamander prej zjarri:

“Në mesin e këtyre vendbanimeve me tradita luftarake e patriotike, emri i të cilave na ngjall ndjenja të veçanta respekti e admirimi, qëndron edhe fshati Galicë. Galica, me gjakun e bijve dhe bijave të veta, në çdo gur e në çdo shkëmb, e shkroi historinë e pashlyeshme, e cila i sfidoi të gjitha historitë borgjeze e tendencioze që patën karakter falsifikues e denigrues.

Galica shtrihet midis kodrash e brigjesh gjysmë të zhveshura në verilindje të Drenicës së Kuqe, mu në mbarim të vargmaleve të Qyqavicës mitike.”

Duke nxjerrur në sfondin e historisë kryetrimat e lirisë së mëmëdheut, Bedri Tahiri dëshmon se nuk shkruan për pupla të buta e as për sallonet mbretërore me shkëlqimin e tyre verbues. Përkundrazi, ai shkruan për fatosat e kombit, për prijësit legjendarë, për udhëheqësit dhe komandantët të cilëve, siç do të thoshte Bajroni për trimat e Sulit, armiku nuk ua pa shpinën kurrë.

Bedri Tahiri është studiuesi dhe kronisti që kujton emrat-emblemë, tek shpalos historitë e tyre. Ai dëshmon për dhembjen e murosur si nëpër mitet dhe legjendat, por në mënyrë të veçantë ai shpreh dashurinë e tij për çdo pëllëmbë të kësaj toke që e lindi dhe e rriti, madje-madje duke shënuar jo vetëm për rrjedhën e krojeve e të burimeve, por edhe për fatin e gurëve të vendlindjes.

Është prandaj e natyrshme të thuhet se ai ka shkelur çdo shteg e ka rrahur çdo rrugë, ka bredhur çdo mal e kodër të vendlindjes, duke mbajtur shënime e duke shpalosu kujtime brezash, në mënyrë që dëshmitë të mbesin jo vetëm përmes asaj që thuhet, por në mënyrë të veçantë edhe nëpërmes asaj që shkruhet.

***

Libri i Toponimia e Galicës, i shkrimtarit, publicistit dhe studiuesit të pandalshëm Bedri Tahiri, nuk është thjesht vetëm një studim për toponiminë e Galicës. Më shumë se kaq, ky libër është një sintezë e një studimi të mirëfilltë nga aspekti gjuhësor, por gjithsesi i shkrirë aq bukur në një me historinë, mitin dhe legjendën. Libri në fjalë është dëshmi e qartë se autori ka shprehur gjakimin dhe dashurinë e tij, përkushtimin dhe krenarinë për Drenicën.

Librit i prinë kapitulli i parë Drenica, ndërsa autori i qaset studimit të tij edhe nga prizmi i përfshirjes administrative të kësaj treve, të përbërë nga 107 fshatra, duke i renditur ato me përpikmëri të veçantë.

Bedri Tahiri duke shkruar kështu për toponiminë, ai dëshmon njëkohësisht edhe për historinë. Ai e bën këtë në një mënyrë sa origjinale po aq edhe simbolike, duke lënë të nënkuptuar faktin se Drenica është e butë si dreni në ëndrrën e saj të bukur për liri, por në qoftë se dikush guxon dhe ia prish këtë ëndërr, Drenica merr gjak në vetull. Nga ky prizëm, ai shpalos të vërtetat historike në pikëpamje kronologjike…

 “Numri i atyre që luftuan dhe rezistuan kundër pushtuesve turq, austrohungarezë, bullgarë e posaçërisht kundër atyre serbë, është shumë i madh. Nga treva e Drenicës u dalluan: Bejtë Galica, Ahmet Delia, Ramadan Bajraktari, Shaqir Smaka, Azem Bejtë Galica, Shotë Galica, Bekë Galica, Mehmet Delia, Lec Gradica, Zenel Baica, Ilaz Reçaku, Fazli Berani, Bajram e Xhemë Tërnafci, Halit Bajrami, Mehmet Gjeli, Shaban Mangjolli, Shaqir Pirraku etj.”

Në qasjen e tij prej studiuesi të përkushtuar autori përballë lukunisë së çmendur të “sllavokominsitëve çetnikë”, vë amanetin gjithmonë aktual të Azem Bejtë Galicës, se “besë me shka nuk ka”. Përballë besimit që kishte Fadil Hoxha në ta, ai vë sërish mençurinë e përfaqësuar nga plaku Tair Berisha, i cili duke u përballur me Fadil Hoxhën në fshatin Berishë, do t’i rikujtonte atij porosinë e madhe të breznive orëmira: “Mos kij besim te serbët! Gjithmonë na kanë mashtrue e kanë me u mashtrue”.

Dhe, sërish e njëjta gjë. Amaneti i brezave, më mirë se gjetkë, u ruajt pikërisht këtu, në Drenicë. Në hirin e Feniksve të lirisë u rilind fara jonë çlirimtare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me Komandantin legjendar, ADEM JASHARIN, e cila kurorëzoi suksesshëm aspiratat tona shekullore, pra solli Dritën e Bardhë, solli L I R I N Ë dhe P A V A R Ë S I N Ë!”

Kapitulli i dytë, i titulluar Galica në faqet e historisë, është gjithashtu një kronikë me përmasa të një poeme të mirëfilltë, në të cilën shpaloset qëndresa epike e galicasve.

 “Me patronimin e toponimit të parë, pra me emrin Kolë lidhet edhe vetë emri i Galicës. Kështu në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk, të vitit 1445, si Kalica dhe Kaliça. Edhe në regjistrimin e vitit 1455 del si katund i madh, me 30 shtëpi e me emrin Kalica.”

Bedri Tahiri dëshmohet kështu kështu si studiues me vëmendje të veçantë kushtuar fakteve të rëndësishme, por ai njëkohësisht e dëshmon veten edhe si historian e publicist që nuk lë anash as detaje të tjera, të cilat i shpalos nga thellësia e shekujve dhe tek flet për lashtësinë e vendbanimit Galicës në raport me toponimet që e dëshmojnë vetvetiu një gjë të tillë, siç ishte toponimi Katuni i moçëm…

Nuk ka dyshim se nën petkun e simbolikes, vendin e rrëfimtarëve të djeshëm e zë studiuesi i sotëm, dhe se vendin e vajzës së mitur përballë ujqërve e zë Galica, e gjithsesi edhe Drenica gjatë historisë, e zënë breznitë orëmira për ta shuar etjen e lashtë tek kroi i bekuar i lirisë së ëndërruar aq shumë.

Me thekse të veçanta, autori është ndalur tek përkatësia e fisit, duke dëshmuar sërish përkushtimin e tij të veçantë rreth një studimi sa të rrallë po aq edhe origjinal:

“Të gjithë banorët e Galicës i përkasin një barku dhe një fisi, fisit KUÇ…Të këtij fisi janë edhe Prekazi, Tërnafci, Abria, Murga, Lutogllava e Pejës, një pjesë e Tërdecit, një pjesë e Lushtës dhe një pjesë e Mikushnicës, andaj edhe sot e kësaj dite pjesëtarët e këtyre vendbanimeve i ruajnë këto lidhje dhe nuk lidhin krushqi e martesa.”

Pena i ngre më tej një himn pushkës, krismave të saj që kumbuan si himne lirie, në mbrojtje të pragut stërgjyshor, prandaj në sfondin e një simbolike të veçantë, Bedri Tahiri bashkon tehun e sopatës, grykën e pushkës dhe majën e penës:

“Galica është histori në vete. Sakica e Prekazit e Pushka e Galicës janë të vizatuara në derë të mbretit,-kishte thënë Osman Kryshevci.

Dhe, kishte të drejtë. Vërtet pushka e Galicës nuk pushoi që nga koha e Perandorisë pushtuese otomane. Më 1908 është vrarë Bejtë Galica, në Betejën e njohur kundër Shemsi Pashës, që u zhvillua në afërsi të Deviçit. Gjatë vitit 1917 shumë djem shqiptarë vajtën xhynli dhe humbën e u tretën në dhera të huaja.

Më 15 korrik 1924, me qëllim të shtypjes së rezistencës disavjeçare, ushtria serbe filloi sulmin kundër Arbërisë së Vogël, e cila, që nga fundi i vitit 1923, përfshinte vetëm fshatrat: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë.

Beteja qe e përgjakshme. Ushtria dhe xhandërmia serbe pësuan humbje të mëdha. Nga luftëtarët e lirisë u varën pak, por, në shenjë hakmarrjeje u dogjën të tri fshatrat dhe u masakruan mbi 80 veta, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Vetëm në Galicë u vranë 34 veta.”

 “Galicasit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhanë ndihmesë për çlirimin e vendit. Ata luftuan në Jeni Pazar, në Kolashin, në Artakoll dhe paskëtaj kudo me Brigadën e Shaban Palluzhës. Ata përjetuan edhe masakrën e Tivarit dhe marshimin për në Vërshac dhe Banat. Edhe pas mbarimit të luftës, shumë trima ngelën maleve, duke vazhduar edhe më tutje të mos pajtoheshin me pushtetin e ri, të veshur me lëkurë qengji e që vepronte të shqyente me dhëmbë ujku.

Galicasit vazhduan edhe më tutje. Grupe-grupe vajtën edhe në luftërat e Kolashinit, Sanxhakut, Pazarit të i e deri te Rashka.”

 “As në luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së, galicasit nuk qëndruan duarkryq. Më 5 prill 1998, djemtë e Galicës, para Obeliskut dhe varrit të Azem Bejtë Galicës dhanë betimin dhe fromuan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare, të cilat vepronin në kuadër të Brigadës 114 “Azem Galica”, gjegjësisht “Fehmi Lladrovci”.

E në shpalim të një historië sa të lavdishme po aq edhe të dhimbshme, histori për të cilën që moti poeti romantik anglez Bajroni kishte shkruar se “në këngë dhe në vajtim u drodhën fustanellat”, pena sikur takohet me lahutën për të gdhendur në kujtesë kronikat e ditëve të përgjakshme. Si nëpër mitet dhe legjendat, edhe pena e shkrimtarit dhe studiuesit ndalet tek numri shtatë. E përkushtimi për ta përshkruar Rrethimin e Shtatë të Galicës, nuk ka se si të mos na e përkujtoj përkushtimin e Marin Barletit për ta përshkruar Rrethimin e Shkodrës. Në penën e publicistit Bedri Tahiri, Galica kalon nëpër të shtatë rrathët e një ferri që përmban krime makabre.

Megjithatë, Galica është ringjallur nga hiri i vet, si Feniksi dhe, përkundër vështërsive të shumta, sot gjallon në trojet e veta stërgjyshore.”

Bedri Tahiri kujton emrat, shpalos dëshmitë e tyre, dëshmon për dhembjen e murosur si nëpër mitet dhe legjendat, por në mënyrë të veçantë ai shpreh dashurinë e tij për çdo pëllëmbë të kësaj toke që e lindi dhe e rriti, madje-madje duke shënuar jo vetëm për rrjedhën e krojeve e të burimeve, por edhe për fatin e gurëve të vendlindjes.

Përfundimisht, me përkushtimin e tij tepër të veçantë ndaj së kaluarës historike në përgjithësi, e në këtë libër - rreth toponomistikës së Galicës në veçanti, shkrimtari dhe studiuesi shkrihen në një.

Pena lartëson sërish pushkën, adhuron zemrat e forta dhe nderon mendjet e urta që rrahën dhe punuan pa rreshtur, për lirinë e mëmëdheut.

Drita e penës dhe flaka e pushkës bëhen një dhe se duke qenë i brumosur me një atdhedashuri të tillë, Bedri Tahiri përkulet jo vetëm sikurse në betimet e lashta ilire, përpara lisave shekullorë e përpara gurëve të truallit stërgjyshor.

Ai shkon shumë tej se kaq, sepse ai e ka fatin dhe privilegjin e veçantë, të cilin e hasim rrallë, prandaj është sa kënaqësi po aq edhe krenari ta themi se ia kemi lakmi, sepse Bedri Tahiri në nderimin e tij krejtësisht të veçantë, e vë në praktikë vargun e madh të poetit të himnit kombëtar Aleksandër Stavri Drenova-Asdrenit, i cili u përkujtonte shqiptarëve porosinë e madhe të heronjve dhe dëshmorëve të të gjitha kohëve, porosi aktuale edhe sot e edhe mot: Amanet ju lëmë shpirtat tanë!

Duke lartësuar këta shpirta me veprat e tij të njëpasnjëshme, Bedri Tahiri përkulet jo thjesht para monumenteve të heronjve apo busteve të dëshmorëve, jo përpara statujave por si rrallëkush, ai përkulet përpara shpirtave të tyre të përjetshëm. Këtu, edhe qëndron madhështia e një kombi të vogël por me zemër të madhe lirie, tek sheh se si një nga pinjojtë e breznive orëmira, me penën e tij të denjë u thurë kurora lavdie pikërisht atyre të cilët ai ka pagëzuar aq bukur si flakadanë të lirisë, gjaku i të cilëve e bën shumë më të shenjtë atdheun dhe flamurin tonë; emrat e të cilëve ndriçojnë rrugën e lirisë sonë, duke i dhënë kuptim jetës sonë dhe krenarisë sonë të ligjshme prej së qenunit: shqiptarë e bij shqiptarësh….

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test