Baladë për një idealist zemërthyer nga zhgënjimi

Libra

Baladë për një idealist zemërthyer nga zhgënjimi

Gani Bajrami Nga Gani Bajrami Më 19 dhjetor 2017 Në ora: 09:24
Hamit Gurguri

Shkrimtari dhe publicisti, Hamit Gurguri,  i cili jeton dhe vepron në Suedi, para lexuesit shqiptar së fundmi është paraqitur me librin e tij të 27-të, me titull “Gishti mbi Ohër”, që është një roman me një temë nga fatkeqësia ajrore mbi Ohër, e cila ngjau më 20 nëntor 1993, e në të cilën humbën jetën 116 udhëtarë  dhe anëtarë të ekuipazhit.

Edhe pse autori i 27 veprave letrare e publicistike, Hamit Gurguri, nuk preferon botimeve të tij t’ua përcaktojë gjininë, “Gishti mbi Ohër”, sipas strukturës së kompozicioni t që ka si vepër letrare me ngjarjet, personazhet, situatat, temat, motivet, është roman. Mbi fabulën e një ngjarje të vërtetë autori krijon personazhet artistike dhe me to zhvillon idenë e tij për të përcjellë situata e mesazhe të ndryshme te lexuesi.

Romani “Gishti mbi Ohër” është një libër interesant, është tablo e jetës së një mërgimtari, një të riu idealist nga Manastiri i Maqedonisë, i cili si i ri u angazhua me mish e me shpirt në luftën antifashiste dhe në rindërtimin e vendit, por kur i kuptoi mashtrimet e pushtetit maqedonas në llogari të shqiptarëve u zhgënjye aq shumë sa është e vështirë të shpjegohet.

Romani që duket si një roman i një personazhi apo biografik, ka një arkitekturë të shumëtrajtshme, me kryepersonazhin Lame Arnauti, por ka edhe disa personazhe të tjera që paraqiten nëpër faqet e tij dhe i japin frymëmarrje. Romani në të vërtetë është një baladë për Lame Arnautin, një idealist zemërthyer nga zhgënjimi, që është boshti kryesor dhe strumbullari i ngjarjeve, rreth të cilit vërtiten ato. Ai me zhgënjimin e tij të madh është pjesëmarrës në tërë dramaticitetin e romanit dhe shpërfaq një histori zhgënjimi dhe dëshpërimi me sekuenca të shumta dramatike të trishta e të dhimbshme.

Kryepersonazhi Lame Arnauti, djali i vetëm i Naum dhe Rina Arnautit, i lindur në Manastir dhe i edukuar më shumë nga gjyshi prej nënës në Ohër, ishte një luftëtar i dalluar në luftën kundër okupatorit bullgar të viseve shqiptare në Maqedoni. Ai bashkë me shumë moshatarë, që aktivitetin antifashist e filluan në SKOJ,  i bashkohet Brigadës partizane kosovare-maqedone.

Si i ri ai rrëmbehet nga ideologjia komuniste dhe euforia e fitores së luftës. Ai bëhet pjesë e pushtetit të ri komunist në Maqedoni, duke mos i vërejtur ndërskamcat e këtij pushteti. Si partizan i dalluar ai avancohet dhe dërgohet me shërbim në Shkup, e më pastaj caktohet të shkojë në Moskë në shkollën për pilot, ku e gjen edhe konflikti jugosllavo-sovjetik, i njohur si Informbyroja. Pas kthimit nga Moska bëhet pjesë e sigurimit ushtarak në Shkup, shërbim ky që me intensitet të madh po vepronte për spastrimin e viseve etnike shqiptare në Maqedoni, si dhe për kolonizimin e trojeve të tyre me popullatë sllave.  Aty ai fillon t’i sheh padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve, por edhe lajthitjet dhe mashtrimet e tij nga idealet e mëdha që kishte për liri.

Jeta në mërgim ha shpirtin në heshtje

Një udhëtim në Suedi në kuadër të një delegacioni jugosllav, si njohës i aviacionit, për të bërë porositë për pjesë të aeroplanëve, Lame Arnautit ia ndryshon rrjedhat e jetës. Takimi me Riten, një vajzë finlandeze që shoqëronte atë dhe i përkthente, si dhe kërkimi i strehimit në Suedi, është një etapë e re në jetën e tij. Ai shpëton nga kthetrat e pushtetit sllavo-komunist maqedonas, krijon një lidhje bashkëshortore shumë të lumtur me Riten, por vazhdimisht jeton me brengën e madhe të mërgimtarit: mallin për atdheun, për varrin e të atit dhe për nënën që e kishte lënë të vetmuar në Manastir.

Jeta në mërgim duket se atij ia hëngri shpirtin në heshtje. Ndonëse nuk kishte informacione për nënën, ai e kishte fare të qartë se ajo do t’i vdiste pa e parë, ashtu siç i kishte vdekur edhe babai gjatë kohës kur ky ishte në Moskë.

Si ngushëllim për mungesën e atdheut, në kopshtin e tij ai kishte krijuar gjeografinë e atdheut shpirtëror me shumë drurë që secilit i kishte vu emër me etiketa: Manastiri, Ohri, Shkupi, Kruja, Prizreni, Jeni Pazari, Tivari, Nishi, Vraja, Prishtina, Vushtrria, Shkodra, Arta, Janina, Preveza, Vlora, Durrësi, Tirana, Elbasani, Tetova, Dibra...

Gjatë punës disavjeçare në Suedi, Lame Arnauti, përjeton fatkeqësi dhe e humb gishtin e tij tregues, mu në 40-vjetorin e lindjes. Ai nuk i lejoi mjekët ta hedhin atë gisht, por atë e dërgoi në një fabrikë të qelqit dhe e futi në një arkë xhami, në të cilën u gdhend emri e mbiemri, ditëlindja dhe dita e prerjes së gishtit. Atë gisht ai mendonte të mos e varroste diku jashtë atdheut, por në vendlindjen e tij, në Manastir, apo në afërsi të Kishës së Shën Naumit në Ohër, me që ishte i besimit ortodoks.

Në vitin 1991 Lame Arnautit, i bie në dorë një broshurë me të dhëna nga regjistrimi i popullsisë në Maqedoni dhe kur sheh se vendlindja e tij, Manastiri, që tani e quanin Bitola, kishte rënë në gjashtë për qind me shqiptarë, ashtu siç kishte rënë edhe Ohri, atij i bie pika dhe mbetet i paralizuar. Ndodhi kjo në ditën kur kishte marrë njoftimin se ishte pensionuar.

Dy vjet më vonë vdes. Rita bën kremimin e trupit të tij dhe bashkë me urnën me hirin e trupit të djegur dhe gishtin në arkë qelqi udhëton me aeroplan për Shkup. Nga Shkupi do të shkonte në Ohër, aty ku Lame gjakonte ta kishte varrin, në oborrin e Kishës së Shën Naumit.

Atë ditë ishte mjegull dhe aeroplani dirigjohet për në Ohër, ku pëson havari dhe pësojnë 116 udhëtarë e anëtarë ekuipazhi.  Ekipet e shpëtimtare në një çantë gjetën gishtin e Lames në arkën e xhamit dhe atë e kthyen prapa në Suedi.

Romani fillon me një emigrant muzicient, Ramosh Ranishta, që merr një letër nga avokati Berilson, i cili, siç i shpjegon kur takohen, emrin e Ramoshit e kishte nxjerrë nga një reportazh në gazetë lidhur me një koncert të mbajtur. Avokati i tregon se një bashkatdhetar i tij, i quajtur Lame Arnaudson (mbiemri i ndërruar në Suedi), që kishte vdekur para disa vitesh, kishte lënë me testament dy palë kostume kombëtare, një palë për meshkuj e një palë për femra, për t’ia dhënë ndonjë shoqate kulturore shqiptare. Ramoshi i mori ato kostume të bukura që dukej të ishin të Malësisë së Mbishkodrës, por kuptoi se në arkivin personal të Lames kishte edhe gjëra të tjera, për të cilat nuk tregoi interesim. Kur i tregoi shokut të tij, Miroshit, për këtë, ky i fundit u interesua dhe pa se në mesin e shumë letrave e fotografive ishte një ditar dhe një arkë qelqi me një gisht të mbyllur në të. Ai bëri kërkesë ta huazonte ditarin.

Pasi e lexoi ditarin, Miroshit iu zgjua kureshtja për ta hulumtuar edhe më shumë rastin dhe i radhit ngjarjet e romanit. Ai mësoi se ishte Rita, bashkëshortja e Lame Arnautit, që kishte pësuar në mesin e 116 viktimave në aksidentin në Ohër dhe nuk kishte arritur ta përmbushë amanetin e bashkëshortit .

Romani përfundon me përmbushjen e pjesshme të amanetit të Lames, disa vjet më vonë nga Miroshi, i cili bën varrosjen e gishtit në arkën e qelqit në oborrin e kishës së Shën Naumit.  

Zhgënjimi me të kaluarën shkakton traumë të rëndë shpirtërore

Autori i romanit “Gishti mbi Ohër” ngjarjet, personazhet, dialogët, meditimet, i ka pasqyruar bindshëm dhe me ndjeshmëri artistike dhe estetike të ndërtimit të veprës letrare, ndërsa me mjeshtri ka përcjell edhe mesazhe dashurie, krenarie dhe mirësie. Temën, me të cilën është rrekur, autori, ka arritur ta realizojë, madje edhe në detaje, duke e paraqitur tejet të kompletuar me një kompozicion të ndërtuar vërtet mjeshtërisht, me subjekt të qartë dhe me një stil krejt të veçantë.

Në roman gërshetohen ngjarje nga më të ndryshmet, që lidhen me preokupimin e shqiptarëve për çlirimin e trojeve të tyre etnike dhe peripecitë e jetës nën sundimin e huaj, si dhe me hallet e jetës në mërgim. Në këtë plan janë kujtimet dhe përsiatjet e Lame Arnautit për Manastirin, duke rikujtuar edhe ngjarje nga koha e Vilajetit të Manastirit gjatë kohës së pushtimit turk, por edhe tani nën ripushtimin maqedonas pas përfundimit të luftës antifashiste, pushtet ky që zhvillon aksione të shumta spastrimi etnik duke i detyruar shqiptarët të shpërnguljet për në Turqi. Ka aty rrëfime edhe për kolonizimin me popull sllav të Manastirit, Shkupit, Ohrit...

Në këtë roman Gurguri hyn ndjeshëm në botën e kryepersonazhit të tij, nëpërmjet të të cilit pasqyron ngjarje në trojet shqiptare dhe në Suedi. Përmes shumë tablove vërejmë se gjatë rrugëtimit jetësor, Lame Arnauti e ka ndier dhe e ka përjetuar peshën e kohës, peshën e zhvillimeve historike, politike, kulturore e shoqërore të atdheut, që në të shumtën e rasteve janë treguar shumë të pamëshirshme, shumë të padrejta dhe shumë të egra, pothuajse në të gjitha sferat e jetës.

Për shkak të së kaluarës së tij, personazhi kryesor ka shqetësime të shumta të natyrës psikologjike ose shpirtërore. Ai si idealist i madh nuk kishte dalluar në fillim mashtrimet komuniste dhe tani po jetonte zemërthyer nga zhgënjimi, me një plagë të thellë në shpirt për shkak të besimit naiv:

“Tani, pasi e analizova jetën, karrierën, emigrimin, jetën time në vend të mirë dhe përparimtar, disi po më ngufatë e kaluara ime, veprimtaria ime që me krenari e quajta revolucionare...  Unë, nuk luftova për liri, po luftova që të ndërrohej zaptuesi. Nuk luftova për barazi, por luftova që të binim në robëri më të keqe se që ishim. Ashtu më doli gjithnjë rezultati. Karriera ime ishte fatkeqësi, apo unë vetë isha fatkeqësia, i priva fatkeqësisë, eca me fatkeqësinë, apo e ndolla atë që nga Siberia ruse, apo e solla atë me armët, ideologjinë dhe aeroplanët rusë ....”

Kështu thotë Lame Arnauti, tani në moshë të shtyrë, i cili si gjimnazist i ishte bashkëngjitur lëvizjes antifashiste në Manastir dhe pastaj Brigadës partizane kosovare-maqedone , i bindur se më nuk do të kishte  prapaskena, dredhi dhe shtypje të njeriut ndaj njeriut.

Me fjalë të zgjedhura, me një gjuhë mjaft të fuqishme, shkrimtari arrin të paraqet botën e brendshme të njeriut që lufton me vetveten. Është një dramë e trishtueshme kur njeriu gjithnjë lufton me vetveten, zhgënjimi me të kaluarën e tij i shkakton traumë të rëndë shpirtërore.

Refuzimi i një dashurie të sinqertë dhe kurthi i një dashurie të porositur

Romani ngërthen një radhitje ngjarjesh dinamike, shkruar me një stil të lehtë dhe të kuptueshëm për lexuesin. Libri e mban lexuesin të ngërthyer në një ndjesi të përhershme me ngjarjet, situatat dhe përjetimet e personazhit kryesor. Prandaj, lexuesi, kudo që ndalet nëpër faqet e librit, e has gjendjen shpirtërore të personazhit kryesor dhe përjetimet e tij jetësore, por edhe praninë e dy përkufizimeve tematike, mërgimin si plagë dhe, atdhedashurinë si gjakim. Mbase kjo edhe mund të jetë një karakteristikë e veçantë e prozës së këtij autori, i cili gati çdo temë apo motiv e shtrin në këto dy rrafshe tematike.

Në këtë gërshetim temash e motivesh, që autori i trajton, hasen plot situata të mbushura me emocione, gëzime e pikëllime, pritje dhe ankthe të zakonshme të një mërgimtari të moshuar që jeton me ëndrrën e stisur e lotin e ndrydhur duke e kërkuar vendlindjen e tij, së paku për një varr të trupit të tij dhe gishtit që po e ruante në arkën e xhamit.

Përgjatë romanit paraqiten shumë kontraste jetike. Mjaft mirë përshkruhet situata kur Lame Arnauti refuzon një dashuri të sinqertë nga bashkëmoshatarja dhe fqinja e tij, Irena Vardari, e cila jo vetëm që e dashuronte atë, por kishte treguar edhe përkujdesje të veçantë për nënën e tij kur e nxorën nga shtëpia, ndërsa të atin ia arrestuan si kullak, derisa Lame ishte me shërbim në Shkup.

Në anën tjetër, Lame për pak nuk  bie në kurth të një dashurie të porositur. Ishte Sllavka ajo që i vardisej me qëllim për ta futur në kurthet e aksioneve antishqiptare. Me gjithë atë Lame gjen gruan e jetës në Stokholm të Suedisë me të cilën u martua dhe kaloi një jetë të lumtur bashkëshortore, me të vetën brengë që nuk patën së paku një fëmijë.

Janë disa tablo të realizuara mirë në të cilat pasqyrohet dashuria e bukur dhe e trishtë e dy njerëzve që takohen rastësisht në Stokholm të Suedisë. Lame Arnauti, që ishte pjesë e delegacionit jugosllav, paraqitet si një djalosh i ri, i pashëm dhe energjik, e në anën tjetër spikat që në shikim të parë dashuria e çiltër e Rites, vajzës finlandeze që ishte shoqëruese e tij dhe përkthese, e cila do të bëhet gruaja e tij e jetës. Një dashuri  e bukur dhe e dëlirë, e zjarrtë dhe e sinqertë, pa komplekse. Pra, autori krijon tablo të bukura nga jeta bashkëshortore e këtyre dy të rinjve që po përjetonin çastet më të bukura të dashurisë  dhe po thurnin ëndrrën e të ardhmes.

Në fund mund të thuhet se edhe me këtë roman autori Hamit Gurguri dëshmon se është njëri ndër prozatorët e dalluar jo vetëm për sasi, por edhe për cilësi, ngase në secilën vepër të tij letrare shihet përkushtimi, talenti, durimi artistik dhe njohja e mirë e temave që trajton. Gjuha e rrjedhshme që përshkon tërë librin, tregon për një përvojë të veçantë të autorit në lëmin e prozës.

Shënime për shkrimtarin Hamit Gurguri

Hamit Gurguri është njëri ndër krijuesit më të frytshëm në diasporën shqiptare. Ai merret kryesisht me prozë, por edhe me përkthime nga suedishtja në shqip dhe anasjelltas. Është autor i 27 librave të botuara:

 “Kah Guri i Plakës” (2004), “Flatrat e Lirisë” (2005), “Kalaja e pakryer” (2005). “Miroshi” (2006), “Burrëreshat” (2006), “Mësuesja ime” (2007), “Himni i Shotës” (2008), “99 vjet rrugëtim” (2008), “Kur takohen flamujt” (2009), “Zëra në Vukovar” (2009), “Ah, Toplicë 1” (2010), “Dorë e motrës” (2010), “Shtriga e bardhë” (2011), “Brezi i djallit” (2011), “Klithja nga Baltiku” (2012), “Ngulfatë në heshtje” (2012), “Ah, Toplicë 2” (2012), “Burizani” (2012), “Ah, Toplicë 3” (2013), “Enigmë mërgimi” (2013), “Hajdar jo” (2014), “Vragë Peshterri” (2014), “Bija e qenit” (2015), “Burri në provë” (2016), “Rritu princeshë” (2016), “As Alia as Ilia (2017) dhe “Gishti mbi Ohër (2017).

Ai u lind në fshatin Godanc të Drenicës më 1 nëntor 1949. Me profesion është jurist. Jeton dhe vepron në Suedi. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat