Poezia e autorit Naim Salihu - Bota Sot
Poezia e autorit Naim Salihu

Libra

E shtunë, 18 gusht 2018

Poezia e autorit Naim Salihu

Nga: Prof. Zymer Mehani Më: 20 dhjetor 2017 Në ora: 10:18
Kopertina e librit

Vëllimi poetik “ Në vetullën e diellit” është përmbledhja e parë e autorit Naim Salihu, gjatë leximit të së cilës lexuesi shpesh, për disa çaste ka për t’u ndalur që të mendojë, ngase ka për t’i sjellë kënaqësi në përjetimin e vlerave poetike dhe të shumëllojshmërisë së motiveve, por njëkohësisht do të impresionohet edhe me një anë tjetër të saj, me trajtat artistike, të cilat nuk janë pretendim i madh i autorit në asnjë pikëpamje, sepse ai është ndalur te bota e ndjenjave të veta subjektive dhe me to kryesisht i ka përshkuar të gjitha poezitë e veta.

Autori Naim Salihu shquhet edhe për gjurmim dhe trajtim të motiveve të lashta, që në vargjet e tij janë të gërshetuara dhe të stolisura me ngjyra atdhedashurie.

Kafeja u poq

Kafeja gufoi

Gati seç u derdh

Pakëz më përvëloi

Lashtësia më mori

Mbi pjergull m´shaloi

 

Gjyshin tim e pashë

Me pushkën në dorë

Me vdekjen për liri

Kishte lidhë kurorë

 

S’dinte shkrim-lexim

Jo s’dinte të shkruaj

Vatrën s’mund ta shihte

Nën kthetrën e huaj

(Poezia “Në lëkurën e ogiqit”)

Kjo zgjedhje e motiveve me gjeturi dhe modesti i ka ndihmuar shumë autorit Naim Salihu dhe ka bërë që kjo përmbledhje të shquhet në mënyrë edhe më impresive dhe si më e begatshme, sepse si e tillë lexuesit do t’i sjellë kënaqësi të pamohueshme, ngase në to do të gjejë edhe shumë sekuenca intime, me të cilat është e përshkuar deri diku poezia e tij.

Fustanin që ta dhurova

Shtrenjtë ta pata blerë

E shqyem në shkarravina

Në parajsën verë

Si oktapodi nga deti

Zemrën ma mbështolle

Ibret e pis seç më bëre

 Dashurinë e nxore

Dorëzohem, gjunjëzohem

Në gërshet të betohem

Për ato mollët e kuqe

Jo kurrë nuk pendohem

(Poezia “Sikur oktapod”)

Ajo me çka, në rend të parë përshkohet përmbledhja e Salihut, në shumë poezi, është toni i theksuar i mitikës, i cili është i trajtuar në vargjet, ku rikujtohet e kaluara e njerëzimit, të cilin shpesh e ka lënduar jeta plot helm, duke ia vulosë ndjenjën e tij humane si cilësi shpirtrore.

Hermesi në dorë

Latonte pandorë

Eu si urdhëroi

Hefesti ta ndërtojë

Prometeu s’e besoi

Epimeteu e mori

Vëllain s’e dëgjoi

Por, eu si ia drodhi

(Poezia “Pandora”)

Vlerat poetike të poezisë së Naim Salihut mund të vërehen dhe kuptohen vetëm nëse i shqyrtojmë në tërësi, d.m.th. nëse e kemi parasysh faktin se tingujt jetësorë në poezitë e tij nuk janë të qetësuar.

Përmbledhja “Në vetullën e diellit” padyshim duhet pranuar si kontribut të dukshëm dhënë letërsisë sonë dhe si hap të parë të autorit, si tufë poezish, në të cilat fuqia e ndjenjave poetike është ngritë në një nivel të lartë artistik.

Në vargjet e përmbledhjes së autorit Salihu vërehet dora mjeshtërore e tij. Pra vërehet mjeshtëria, ndërtueshmëria, zhdërvjelltësia në përdorim të gjuhës dhe pasurimin e saj me elemente dhe figuracion të bukur. Orkestrimi i toneve është harmonik përkah përmbajtja, lakimet dhe dridhjet lirike janë bukur impresive përkah motivet dhe shtrimi i tyre, por edhe përkah përpunimi dhe shtjellimi.

Gjuha e poezive të autorit Naim Salihu është e pastër dhe e rrjedhshme. Në të ka madje edhe fuqi retorike, duke u bërë origjinale dhe me ngjyra individuale si instrument i domosdoshëm i transponimit të trajtave poetike.

Poezia e autorit Salihu shquhet për laryshi figurash letrare dhe vargu i tij është metrash, llojesh dhe rimash të ndryshme, që vërtet përmbledhjes ia shtojnë vlerën. Motivet që autori i ka shtjelluar në vargjet e veta janë: motivi atdhetar, i kurbetit, social, etj.

Dhe krejt në fund, konstatojmë se poezitë e Naim Salihut, të përfshira në këtë përmbledhje janë realizime të bukura dhe të arritura të këndshme letrare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test