Poezi si një buqetë lulesh shumëngjyrëshe për fëmijë - Bota Sot
Poezi si një buqetë lulesh shumëngjyrëshe për fëmijë

Libra

E mërkurë, 23 maj 2018

Poezi si një buqetë lulesh shumëngjyrëshe për fëmijë

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 09:01
Kopertina e librit

Vëllimi poetik për fëmijë “Kolonë cicërimash” të autorit Bajram Bashota, ka një larmi të pasur tematike  ku i këndohet natyrës,prindërve, nxënësve dhe shkollës, vendlindjes, atdheut, heroizmit të dëshmorëve …. Si e tillë, ky libër me poezi të shkurtra i gjason buqetës së luleve shumëngjyrëshe, sepse janë poezi  për fëmijë e vetë fëmijët janë lulet me të bukura të jetës!

Libri hapet me poezinë “Shkrirja e borës” ku thotë:

“Po çka ka bora,

Nisi m’ u shkri

Marsi i ngrohtë

Tash ia ka mbërri.”

Ashtu siç është e veçantë bota e fëmijëve, është e veçantë edhe letërsia për fëmijë si zhanër letrar. Për ta ‘kultivuar’ këtë lloj shkrimi për fëmijë, duhet njohur mirë botën e fëmijës dhe shpirtin e tyre të çiltër...

Autori ka një ndjenjë të veçantë  për fëmijët ku për këtë ka ndikuar edhe puna e tij mbi 40 vjeçare në arsim dhe kështu e njeh mirë  botën e fëmijëve dhe shkruan poezitë e tij pikërisht për atë që  u pëlqen më së shumti fëmijëve.

Në poezinë “ Nxënësi i mirë”, autori ndër tjera thotë :

“Të jesh nxënës i mirë / Është e madhe kënaqësi / Të duan shokë e shoqe / Nënë, baba e fqinjë, / Të do edhe mësuesja, / Se të bëhet i mirë / Nuk është e vështirë ”/ .

Bashota në këtë përmbledhje sjell poezi për të gjitha stinët e vitit dhe në to përshkruan bukuritë natyrore  që sjell secila stinë veç e veç. Ndonëse natyra nga stina në stinë ndryshon, por të gjitha këto ndryshime  fëmijët i duan dhe ato bukur  ua paraqet autori në vargjet e tija në këtë libër.

“Erdhi pranvera / Me lule plot /Fëmijët dalin / T’ lozin me top /

……..

Vera sjell /Diell dhe vapë / Herë, herë sjell / Shi dhe shtrëngatë /

…………

Vjeshtë, o vjeshtë / E bukur vjeshtë / Ti na solle / Mollë e pjeshkë /

……..

Në fushë e n’ mal, frynë veriu / S’është përjashta më bariu / Bora bie, hiq pa ndalë / Ka zbardhë fushë edhe mal” /

Në këtë përmbledhje gjejmë edhe poezi  me tema historike  e kombëtare  që u kushtohen datave  të rëndësishme  të historisë  kombëtare  por edhe personaliteteve të  dalluara e sidomos  i këndon luftës së lavdishme të UÇK-së dhe dëshmorëve të sajë të rënë për liri.

Në poezinë “Kulla” autori ndër tjera thotë:

“Kur kris topi, dridhet mali

Hiq s’ frikësohet Adem Jashari

Lumja ti kullë, kënd ke brenda

Adem Jasharin me shtatë zemra.”

Ose poezia kushtuar njërit ndër luftëtarët e dalluar të UÇK-së të ZOLL i cili po si Mic Sokoli dikur u hodh mbi tankun e armikut dhe ia hodhi bombën brenda në tank. Me atë rast ai i shkaktoi humbje  armikut, ndërsa vetë fitoi pavdekësinë, ishte ky Isë Havolli, ku autori ndër tjera thotë :

“Mu te tabet u flijove

Emri yt flamur Kosove”

Autori disa poezi ua kushton prindërve  dhe përmes tyre i porositë  fëmijët që ti duan dhe respektojnë  prindërit e tyre  nga se ai i cili nuk respekton prindërit,nuk respekton askënd.

Andaj bota poetike e poetit Bajram Bashota është e pasur dhe depërton thellë në shpirtin e fëmijës. Ai me vargjet e tij të pasura i bënë për vete lexuesit e sidomos fëmijët shkollar. Ai arrin të thotë shumë me pak vargje  dhe kështu zgjon mendime dhe emocione  dhe nxitë lexuesin që të mos ndahet nga leximi i poezive të tij. Këto vargje të thurura në këtë përmbledhje  lexohen me një frymë dhe me shumë ëndje. Madje ato bëhen edhe më tërheqëse për fëmijët ngase shumica janë të ilustruara dhe ilustrimet paraqesin besnikërisht përmbajtjen e poezive.

Edhe recensenti i librit Xheladin A. Çitaku në recensionin e tij për këtë libër ndër tjera thotë : “Motivimi i autorit konsiderohet i frymëzuar nga rrjedhat e përgjithshme nëpër të cilat kalon, duke rezultuar me sajimin kompozicional të ideotematikës adapte, që përfshinë elementë bazike  të edukimit formues, të cilat duhen ngulitur si përbërës të karakterit dhe personalitetit të fëmijës. Dashuria për atdheun,trimëria, tradita,historia virtyti defilojnë nëpër titujt e poezive në këtë vëllim me potencialin përmbajtjesor që  i ngarkon autori, në stilin e shtuar,ritmin e vazhdueshëm,Brenda tabanit të konvencës.”

Poeti sjell edhe dy poezi në formë dialogu, ndërsa  librin e përmbyll me këto vargje:

“Çdo ditë ora  / Tik-takun s’ndalon  / Tregon kohën / Kohën që perëndon” /

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test