Ndjenjë përherë e zgjuar, etje përherë e pashuar është dashuria për nënën - Bota Sot
Ndjenjë përherë e zgjuar, etje përherë e pashuar është dashuria për nënën

Libra

E hënë, 21 maj 2018

Ndjenjë përherë e zgjuar, etje përherë e pashuar është dashuria për nënën

Nga: Milazim F. KADRIU Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 07:58
Rrahman Hyseni “ Nënës” ( grup autorësh – poezi ) , botues SHB “Atunis” – Prishtinë, 2017

Vëllimi poetik “Nënës” i autorit Rrahman Hyseni është një vëllim voluminoz dhe me vlera të mira letrare e të organizuara mirë. Këtu Hyseni, sjell poezi të  mbi 160 autorëve nga e gjithë gjeografia jonë. Dhe mund të themi grumbullimi dhe përzgjedhja e këtyre poezive nuk ka qenë e lehtë për autorin e librit, por që një dashuri dhe respekt i madh për nënën ka bërë që të bëhet kjo punë e çmuar si nga Hyseni, ashtu edhe nga autorët tjerë të përfshirë në këtë libër.

Dashuria për nënën është ndjenjë përherë e zgjuar, etje përherë e pashuar. Këtë e dëshmojnë edhe autorët përmes poezive të tyre të prezantuara në librin “Nënës”.

Poetët e prezantuar në këtë libër nuk mund të mbajnë të ndrydhur në vete dashurinë për nënën por që atë e shprehin botërisht, dikush më thellë e dikush më artistikisht, por që të gjitha këto vargje janë vargje shpirti e që burojnë nga zemra e krijuesve, kushtuar njeriut më të dashur të tyre – Nënës.

Poetët në poezitë e tyre thanë atë që e ndjejnë si shtrëngim të brendshëm të pa tjetërsuar për nënën në përgjithësi.

Disa nga autorët e poezive të këtij vëllimi portretin e nënës e paraqesin përmes vuajtjeve dhe sakrificave, qofshin ato fizike apo shpirtërore, ato arrijnë megjithatë ta përmbushin idealin e tyre të lartë e fisnik, vazhdimësinë e jetës. Duke mëkuar fëmijët e tyre ato mësojnë të ardhmen, derisa vjen një ditë e bardhë për të gjithë.

Autori i librit Rrahman Hyseni  ndër tjera thotë : ” Nëna është ajo që sakrifikon çdo gjë për fëmijën e saj, madje duke mos e thënë as edhe një fjalë të vetme, as duke mos u ankuar kurrë, pavarësisht vështirësive që ajo përjeton gjatë gjithë kohës ndaj kujdesit tënd.

Ky libër do të ishte vetëm një pikë uji në oqean, karshi veprës së nënës. një nder, që poetët me vargjet e tyre i bëjnë nënës, dashurinë që secili e shpreh në mënyrën e vet, vepër, që nëse e shohim edhe nga një prizëm tjetër, është një ngritje dhe vetëdijesim për disa nga ata që kanë harruar Zotin e tyre duke keqtrajtuar nënën.”

Ndërsa recensenti i librit Zymer Mehani  shprehet : “Çdo njëri prej autorëve të vëllimit poetik “NËNËS” me përmendjen e emrit nënë, e ka përmendur kuptimin e vetë jetës, të ardhmërisë, të gjithësisë ! Sa herë që jemi ulur pranë saj gjithmonë kemi ndjerë afërsinë që askund tjetër s’do ta ndjenim në jetë. Loti i saj është plot magji, ngase dhe shpirtin e një gjakatari e bën që të zbutet. Ka rrëqethje ai lot, ka bukuri, sepse bart mbi vete një univers ndjenjash. Është një lot i kristaltë e i madhërishëm. Është vetëm loti i nënës që ngjall një shpirt.”

Në libër janë edhe disa vështrime të shkurtra nga Fadil H. Curri, Selvete Abdullahu, Milazim F. Kadriu, Bilall Maliqi, Dan Ibrahimi dhe Maxhun Osmanaj.

Në vazhdim do tua prezantojmë disa citate të vështrimeve të tyre për librin “Nënës” ( poezi nga grup autorësh ), përgatitur nga Rrahman Hyseni.

Fadil H. Curri : “ Në librin “Nënës”, tërë diskursi i poetëve dhe poeteve qëndron lartë në vlerat letrare, kuptohet edhe në frymën emocionale, sidomos kur poezitë  kanë të bëjnë me botën e nënave , pra narracioni letrar ndërthurë  larushinë e poezive  që janë të përfshira në librin “Nënës”, grup autorësh.”

Selvete Abdullahu : “Të shkruash për nënën është bekim  i shenjtëruar. Ajo që fali jetë për të sjellë jetë nuk ka fjalë që e zëvendëson veprën e madhe të saj. Kjo mund  të jetë vetëm nëna. Nëna është emri i parë që ne e thërrasim kur kemi dhembje ose ndihemi keq. Ajo që  krahasohet me dhembje ose  ndihemi keq. Ajo që krahasohet me mëmdhen dhe me tokën, rritë, ushqen dhe është  në proces.”

Bilall Maliqi :  “Poezi për nënën kanë shkruar penda të njohura  gjithandej trojeve shqiptare, të cilët figurën e nënës e kanë  skalitur mjeshtërisht në vargje poetike, duke zgjedhur kështu fjalë  dhe shprehje  më të mira që dalin nga thellësia e shpirtit.”

Dan Ibrahimi :  “Poetët e paraqitur në këtë libër emblematik, secili në mënyrën e tij, kanë ndarë nga zemra  thërrime e përmallimesh, kujtimesh, përqafimesh dhe ndjesive të tjera tërësisht të sinqerta, kanë bërë krahasimet nga më të bukurat e mundshme  dhe kanë zgjedhur epitetet më të veçanta për të duke e pikturuar përmes vargjeve , secili në mënyrën e tij. Nëse ka dashuri të vërtetë përtej  interesave  ajo është dashuria e nënës për fëmijët që nuk pushon në asnjë rrethanë.”

Maxhun Osmanaj : ”Të shkruash për nënën, të përqafojnë dy drithërime : kënaqësia dhe obligimi. Nëna, kjo madhështore e shpirtit, kjo perëndeshë shekujsh, kjo rreze dielli, që kurrë së pushon së ngrohuri. Atëherë si mundet njeriu pa diell, pa ngrohje të përjetshme, pa tonelata dashurish, që  bart në shpirtin e saj dhe u dhuron fëmijëve, bashkëshortit, familjes, shoqërisë ,botës.?! Veç ti Nënë, je ajo që mbush boshllëkun e çdo shpirti.”

Përveç shtytjes për pacenueshmërinë e shkëlqimit të figurës së nënës dhe peshës së madhe të temës, meritë për daljen në dritë të këtij libri ka autori Rrahman Hyseni që mblodhi gjithë këta poet e poezi në një vëllim poetik të përbashkët.

Andaj mund të themi se ky libër është i kompletuar dhe do të pritet mirë nga lexuesi sepse të gjithë njerëzit ndjejnë dashuri për nënën dhe se poezitë e këtij libri dashurinë për nënën do ta thellojnë edhe më shumë dhe lexuesi do të përjeton çaste të këndshme gjatë leximit të poezive në librin poetik ”Nënës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test