Monografia e Albert Zholit, “Artisti i Popullit”, Reshat Arbana një rrëfim tundues dhe befasues

Libra

Monografia e Albert Zholit, “Artisti i Popullit”, Reshat Arbana një rrëfim tundues dhe befasues

Nga: Dr. Sulejman Muça-politolog Më: 4 janar 2018 Në ora: 09:23
Kopertina e librit

Deri në ardhjen në dorë të lexuesit, Monografia për të cilën jemi mbledhur këtu sot, ka rrugëtuar në 7 vjet punë, studim, seleksionim, debat, korrigjime pa fund, biseda, dialog me Mjeshtrin Arbana, shtime, heqje, zëvendësime, të cilat mi bënte thuajse çdo mbrëmje miku im Albert Zholi sa herë takoheshim. Kjo monografi, për vite të tëra ka qenë kryefjala e bisedës tonë. Përgjegjësi pa fund, ankth dhe korrektësi deri në përkushtim absolut.

Tani që e kam në dorë dhe e prek, them se në të tri kolonat e ndërtimit të një vepre letraro-artistike, ana estetike-artistike dhe mesazhore, e them me bindje që, autori ka ditur ti ruaj në unitet, ti zhvendosë në harmoni, ti përcjellë plot kureshtje. Në çdo fjalë, fjali, faqe, kapitull, autori është treguar korrekt në logjikën e ngjarjeve, besnik në rrëfimin e personazhit, luajal në konceptimin e veprës në tërësi. Në vepër nuk ka tepri, nuk ka fjalë boshe, nuk ka mbivlerësime, nuk ka tendencë, por vepra në tërësinë e saj ka një lidhje logjike dhe një vërtetësi fisnike.

Në këtë vepër, figurat e latuara artistike, ideja për të qenë në çdo hap të veprës vetvetja, për të qenë korrekt me rregullat dhe normat e të shkruarit të një vepre të përgjegjshme, autori na ka sjellë një vepër të bukur, elegante, që në çdo faqe vrapon dhe mendon nga kureshtja për të kaluar në faqen tjetër se kaq intrigues është mënyra e rrëfimit. Në 21 veprat e nxjerra nga duart e tij, Albert Zholi është paraqitur si një shkrimtar modern, që lexohet nga të gjitha grupmoshat.

Ndërsa në këtë libër, duke pasur parasysh eksperiencën e madhe të akumuluar në mënyrë sistematike, duke pasur parasysh vlerat dhe mangësitë e veprave të mëparshme, në këtë monografi vjen më i plotësuar dhe tejet sqimatar në përcjelljen e qëllimit dhe idesë së veprës.  Fragmentet jetësore të personazhit në vepër janë përcjell me art, ku filozofia e shprehjes artistike ka gjetur një mënyrë komunikimi elastik dhe shumë koherent. Në libër, gëlojnë jeta, hidhërimi, gëzimi dhe trishtimi, hareja dhe pesimizmi, dëshira dhe pengesat, e njohura me të panjohurën, realja me irealen, e bukura me të shëmtuarën, e madhërishmja me të voglën, delikatja me ashpërsinë, virtyti me vesin, dëshira me realitetin, kureshtja me konkreten, që plotësojnë njëra-tjetrën në funksion të subjektit të veprës.

Reshati vjen në këtë libër origjinal, me karakteristikat e tij jetësore, me vullnetin, kërkesat, dhimbjet, sukseset, synimet, pengesat por dhe tërheqjet e nevojshme, me të gjitha ato cilësi dhe virtyte që e kanë bërë atë, aktorin më të dashur ndër bashkëkombësit tanë. Jeta e tij lëviz mes reales dhe ireales, aq sa fragmente jetësore duken shumë të pabesueshme. Ajo që e fisnikëron portretin e Bacë Reshatit në vepër është ajo që, ai mbetet një intelektual korrekt, një qytetar tradicional, një aktor shumë planesh, por në radhë ta parë një patriot i vërtetë, ajo cilësi që na mungon më së shumti sot ne të gjithëve. Libri që kemi në duar flet me gjuhën e zemrës, arsyes, realitetit figurës artistike. Monografia i ngjan një vepre artistike me shije të hollë, figuracion brilant, mesazh koherent, por mbi të gjitha me një thirrje shpirtërore: Ta duam dhe vlerësojmë më shumë artin shqiptar, të lartësojmë më shumë atdheun. Dije-Përparim-Kulturë-Shqipëri, ky është kuarteti që gdhend në kujtesën e ço lexuesi vepra e re e Albert Zholit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat