Psicho, absurdi ekzistencial i një personazhi triller - Bota Sot
Psicho, absurdi ekzistencial i një personazhi triller

Libra

E enjte, 16 gusht 2018

Psicho, absurdi ekzistencial i një personazhi triller

Nga: Albert Vataj Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 18:59
Kopertina e librit

Shqyrtim i psikës së personazhit te "Psycho" e Ilir Muharremit është e themelta e shtjellimit të një vepre, kur kryekëput ky personazh e kumton në vetvete tërësinë e këtij ansambli solemnitetesh narrative që zëfillin në këtë roman.

Psikika është mendim i çliruar nga caqet, nga pengimet, nga nevoja për të kërkuar në realitetin e gjërave dhe gjendjeve, reminishencën e një çasti. Loja e errët e një botëkuptimi, i cili qaset nëpër një boshllëk të eci symbyllur.

Personazhi në "Psycho" i Ilir Muharremit është thjeshtë një konvencion. Ai është një enë në të cilin autori mbart lëndën e lëngshme të mendimit. Bota e kufizimeve të kësaj qasje është një epruvetë ku zhvillohet një reaksion kimik, është vlera filluese dhe përfundimtare e një alkimie gjendjesh dhe situatash.

Dialogu më shumë se sa si i tillë, si shkas çlirimi, si nevojë për të çmbushur një brendi që është gati të plasë, kryekëput është një monolog.

Personazhi femër që rastësisht kryen punën e kamarieres, shërben trajtesës, në funksion të ligjërimit, është aty gjithnjë dhe vijon të jetë në tërë kohështrirjen e personazhit kryesor si pikëmbështetje.

Trilli mbetet vetëm një lloj kamuflazhi i tematikës, bisedore dhe botkuptimore, rregulli i normës. Një lloj kadegorizimi i tekstit. Ai është më real se çdo gjasmim tjetër.

Ai nuk është psikopat, ose në përpjekjen e tij për tu dukur si i tillë, rreket të na tregojë gjendjen e degraduar dhe të pashpresë ku përpëlitet e sotmja. E sotmja, sepse për të nuk ka të nesërme. Mjafton e djeshmja që ai të ketë atë të sotme për të cilën ka nevojë dhe së cilës i qëndron përsipër, jetues, vëzhgues dhe ndëshkues.

Ajo çfarë e shqetëson deri në caqet e një rasti patologjik është ajo që mundojnë të gjithë. Në pamundësi të gjej dikë ti flasë, të kërkojë të na dhurojë kënaqësi duke na dëgjuar, ne mbyllemi në vetvete me të shkuarën që na shtyp fort e më fort dhe papushim dhe të sotmen që është ka rastësore dhe merr kuptimin vetëm si mundësi kumtimi.

"Psycho" ka zgjedhur të tregojë, të jetë. Ai është sepse mendon. Ai mendon sepse vetëm kështu mund ta deshifrojë rebusin e dendësuar të errësirës, pjellë e së cilës është, duke qenë dhe viktimë.

Në këtë lojë gjendjeje rrëfimtarie, reales dhe përjetimit është kaq i kthjellët dhe kaq rromujë. Sapo kërkon të bashkojë caqet e një qëllimsie, të tjera ndan.

Megjithëse në vetvete ai është një mendim i trajtëzuar në një sajim anatomik që i bashkëngjitet një e djeshme dhe një e tashme, gjithçka që tregon ai as që e mendon. Ai tregon jetën e vet në një film pa zë. Kudo që ai është merr me vete atë ngjizje të cilën duhet ta tregojë. Edhe kur e bën e bën në një gjendje trasi. E sotmja është retrospektiva që merr trajtë përmes gojimit të tij.

Parë ne kontekstin filozofik, Psycho" duhet trajtuar dhe mëtuar si absurdi ekzistencia. Vetëm përtej kësaj të çare ne arrijmë të këndejmi çfarë ky psiko mendon dhe është.

Filozofia e absurdit mëton se përpjekjet e bëra nga qenia njerëzore për të gjetur kuptimin absolut dhe për të paracaktuar pozicionimin e vetvetes brenda universit do të dështojnë sepse nuk ka një kuptim të tillë. Kjo duke u karakterizuar nga skepticizmi i tij rreth parimeve universale të ekzistencës. Prandaj, ai sugjeron që kuptimi i ekzistencës është krijimi i një kuptimi të veçantë, pasi jeta është e parëndësishme në vetvete dhe se mosekzistimi i një kuptimi suprem i jetës njerëzore është një situatë gëzimi dhe jo shkretimi, pasi kjo do të thotë që çdo individ i racës njerëzore është i lirë të krijojë jetën e tij, duke ndërtuar të ardhmen e tij.

Duket e pashmangshme për të gjetur në tendencën njerëzore për terren, origjinën e konceptimit të absurdit. Njeriu vazhdimisht ndjek parimin e arsyes. Asgjë nuk është për shkak se. Çdo gjë duhet të ketë një shkak apo arsye që e justifikon atë. Përputhshëm këtij përkufizimi personazhet e "Psycho" i orvaten një nevoje rimodelimi të vetvetes, duke e ribërë atë nga rrënojat e përvojave të së shkuarës. Hyjnë dhe dalin nga ky petk, shpesh pa mundur të jenëi diçka tjetër.

***

Sa më shumë që përpiqesh për të parë përtej rrëfimit trillin, aq më e papërputhshme pikas realen e përvojës dhe rutinoren.

Saora trilli është një maskë që shkrimtari i ka vënë personazhit të tij, mendimit të transformuar në një trajtë njerëzore.

Një identitet pa emër që hyn dhe del nga zhgualli i një miti që është Majk Tayson.

Ai nuk mban maskën e trillit, se ka frikë të ballafaqojë fytyrën me realitetin, por se druhet se gjithçka që ai mendon, thotë dhe bën është kundër një perceptimi racional. Bota së cilës ai i përket është ajo që kërkon me ngulm të çlirohet prej saj. Realiteti jetësorë që ka konsumuar rishqyrtohet si rivlerësim, si një e shkuar që e tashmja e ndëshkon me pendim.

Gjithsesi ai vjen përmes kësaj narrative të tjetërllojtë duke blatuar gjithçka nga vetja, nga një identitet i cili edhe pse i ka humbur të gjitha, ka diçka që kërkon ta mbrojë me ngulm, mendimin, atë të urtin deri në përkorje dhe të çarturin deri në çmendim.

Ai është gjithnjë aty. Askush tjetër nuk shkon as nuk vjen në atë strofull të vetmisë që e shkrifton shoqërimi një kamarieren, që duket se më shumë se si e tillë, ajo është ana e tjetër e mendimeve të tij.

Gjithçka që e përbën skenën ku përqaset ky kumt, në një farë mënyre janë përjashtuese, sepse kallëzimin që ai ka, duhet ta tregojë ashiqare, pa ndikesa të tërthorta. Ai dhe vetja, e shkuara dhe e tashmja, pa të ardhme. Gota dhe kamarierja, sëmbimi i kujtesës dhe pendimi gjithnjë në funksion për të cilën ai është.

Nevoja për tu zbrazur është një nevojë për të akuzuar, për të denoncuar, një e natyrshme për ta treguar ashtu siç ajo ka frikë të ndjehet si reale, ngase ka në brendinë e saj copëza që e komprometojnë me moralin.

Nevoja për të qenë psiko, sepse vetëm kështu është vetja. Ajo vetvete së cilës nuk kanë se çfarë t'i keqkuptojnë, keqinterpretojnë, keqtrajtojnë.

Për të jo domosdo duhet të jesh i urtë, të meritosh të jesh vetvetja, përkundrazi, gjendja e mëvetësuar e ndihmon atë të prek limitin, t'i qaset caqeve që do të ishin të pamundshme në një sens parametrash standard arsyetimi.

Psika e ndihmon të arrijë atë balancë, atë përparësi që e favorizon në këtë çlirim nga pengimet, mentaliteti. Ajo e trysni për të qenë çfarë duhet dhe kurrsesi jo çfarë ke zgjedhur të jetë.

Për të menduar dhe për të thënë çfarë e mundon dhe çfarë mendon, për të qenë një vetvete që zgjedh vullnetlirë të jetë i mosvarun kurrqysh nga kurrçka që e trysnon.

Ai është aq psiko siç mund të jetë secili nga ne, nga çdonjëri që është i mëdyshur të zgjedh, të jetë vetja apo çfarë fabrikon makineria monstrioze e moralit.

Asocialiteti brendashqisor është më shumë si një racionalizim i kompromentuar nga nxitimi për të mbrojtur nga erozioni, shkapërderdhja, një lloj gjendje ambigue.

Ai duket se nuk e vret mendjen se ç'thonë dhe ç'mendojnë ata që përbëjnë mendësinë e atij realiteti, nëpër të cilin ai kalon si një hije, pa rënë në sy dhe pa trazuar asçka, asaj të shkuare dhe të tashme të cilën e refuzion dhe e denoncon në gjithçka dhe insistueshëm, sikur kërkon të gjejë mes këtyre rrënojave diçka që i mungon, diçka që as ai nuk di se çfarë është.

Druhemi të dëgjojmë çfarë vërtetë na shqetëson, me pretendimin se duke u fshehur ose duke e refuzuar, je çliruar prej saj, ndërkohë që ajo të bluan duke shpërbërë gjithçka tënden, për të krijuar një fabrikim seri të identitetit.

Ilir Muharremi ka krijuar një rrëfyes, i bindur se nuk ka pse të gjej domosdo një institucion të zbrazjes së asaj që e trazon. Sendërgjuar ka gjithashtu një realitet që e zotëron në fare pak gjëra në funskion të asaj që shprehet që njiherash mbetet gjithçfarë ai është.

Pavarësisht nxitimit për ta ambalazhuar me trillin si orjentim strukturor i fragmentarizimin si nëndarje të gjinisë së romanit, "Pstycho" është një absurd ekzistencial.

Ajo që ndesh në këtë lojë rrëfimtarie është të flasësh çfarë dhe si e mendon, përkundër tërësisë së përvojave të prozës sonë letrare, të cilat druhen të jenë të çlirëta, për msopajtim me prishjen e syprinës së rrjedhshme të gjerave në batakun e moralit.

Vulgariteti i ligjërimit është një çlirim nga mbikqyrja, nga barra e rëndë e normës dhe persekutimit të kodeve dhe rregullave, është një e atypëratyshme ashiqare e fshikullusve të moralit dhe normës. Një realitet armiqësor që terron gjithëçmos nga shpresëhumbja dhe zemërplasja, nga një që vetveten ligane i'a faturon si e keqe e botës. Uni i tij diku-diku është mbytës, është imponues në tërësinë e herës rrëfyese, është një un ku është vendosur qendra e botës, është diçka e pretenduar se i ka shpëtuar kthetrave këtij kaosi për tu ofruar si "shenjtor" në këtë ferr. Është ai, për të mos qenë askush tjetër.

Dlirësia e rrëfimit i bën personazhet e "Psyco" tmerrësisht të përpiktë në çfarë ato zgjedhin të nxjerrin nga thellë vetët e tyre.

Ka kaq shumë syçelje, urtësi, çlirim, sa do të kishte nevojë sekush nga ne ti jepej.

Ndoshta gjithçka që ato sy shohin, ato mendime që mbrujnë, janë zërat e tyre ato që i kallëzojnë ato të këqija linçuese. Gjithëkjo më shumë se para tyre është brenda tyre. I ngjet një shtjelle përpirëse.

Ne shohim çfarë duam të shohim, dhe ajo çfarë ato duan është gjithçfarë që neve jemi. Njerëzorja sado titane të jetë përpjekja për ta ndarë nga gjithçka tokësore, e ka të pamundur të ngrihet më lart se akuzues. Si i tillë ai nuk mund të dliret nga ajo që e mban të lidhur me të keqen, mizerjen, ferrin, sepse ne jemi çfarë mendojmë dhe gjithçka rreth nesh është në përputhshmëri të përpiktë me brendinë që pasqyron në realitet.

Ne mendojmë, sepse duam të ekzistojmë dhe çdo orvatje për ta projektuar në një kënd tjetër vetveten të çon te "Psycho".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test