U promovuan dy librat e Ilir Muharremit “Moskuptimet” dhe “Psycho”

Libra

U promovuan dy librat e Ilir Muharremit “Moskuptimet” dhe “Psycho”

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 22:12
Foto nga promovimi

Sot në Klinë, në kuadër të aktiviteteve të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në sallën e kuvendit komunal u organizua promovimi i dy librave të autorit Ilir Muharremi, profesor në UP. Më fjalë përshëndetëse në emër të shoqatës u paraqit prof.Bashkim Hoti kurse me një fjalë urimi dhe mirënjohje u paraqit z.Skënder Merturi, drejtor DKRS-Klinë.

Për librin ‘‘Moskuptimet’’ me një kumtesë u paraqit profesoresha e letërsisë znj. Vjollca Dibra, e cila ligjëron në Universitetin e Prizrenit ‘‘Ukshin Hoti’’, ndër të tjerat tha: “Formulimi i përmbajtjes, jo vetëm përcakton kapituj a tërësi, po edhe nënkapituj. Unë veçoj tri tërësi a pjesë, do të thosha labirintesh, ku përvijohet vrojtimi i autorit: Religjioni, Arti, Njeriu. Pjesën e parë autori  e përmbledh brenda kornizës së titullit “Zoti dhe ekzistenca”, të dytën, “Arti dhe vlera” dhe të tretën  “Njeriu i revoltuar si dominues”.

 Me një recension analitik për romanin ‘‘Psycho’’ të autorit Ilir Muharremi u paraqit para të pranishmeve kritiku letrar Mahir Morina i cili theksoi: “Struktura e librit nuk e paraqet një ngjarje, po bëhet ngjarje e paraqitjes, ku romani zhvillohet si rrëfim i së kaluarës, ideve, pikëpamjeve e bindjeve krejt brenda një mbrëmje në një lokal nate, me një personazh kryesor, dhe një femër banakiere si personazh dytësor, ku i pari i rrëfen të dytit nga ngacmimi deri të trillimi, edhe pse i ngarkuar me trajtimin e shumë temave, nuk ndahet në kapituj, fillon e mbaron pa respektuar rregulla letrar, fokusohet në fuqinë e mendimit si determinim i vlerës dhe esencës e cila efektizon funksionin e idesë.”

Pas kumtesave u organizua edhe një debat të cilin e filloi shkrimtari Vilson Culaj. Ai diskutoi për konceptet filozofike veçanërisht ato ateiste që përmban libri “Moskuptimet”. “A duhet të jesh ateist të shkruash për ateizmin”, kurse Muharremi ka replikuar “Jo gjithherë duhet të jesh ateist të shkruash një vepër ateiste siç është “Moskuptimet”.

Të pranishëm në promovim ishin profesor, drejtorë shkollash, drejtor komunal e nxënës të shkollave si një kombinim i natyrshëm të cilin e ndërton aktiviteti artistik.

Organizator: Shoqata Kulturore ‘‘Jehona e Dukagjinit’’ dhe Komuna e Klinës.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat