Botime të reja: Dy libra të vyer vijnë në gjuhën shqipe

Libra

Botime të reja: Dy libra të vyer vijnë në gjuhën shqipe

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 16:36
Kopertina e librit

Dashurologjia dhe Shkolla e Jetës janë librat bestseller, të autorit të njohur kroat Bruno Shimlesha, i cili është një njeri shumëdimensional, njëlloj siç edhe letërsia e tij është poliedrike dhe e shumanshme, ndërsa atë në gjuhën shqipe e ka sjellë Shtëpia Botuese DAMO.

Këta libra janë dy gur themeltarë në botëkuptimin ballkanik e mesdhetar të kësaj lloj filozofie, dy botime të shkruara nga një dorë dhe mendje elegante, nga një mendimtar i rafinuar e fort i përgjegjshëm për përçimin e vlerave më realiste e të zbatueshme në jetën e përditshme, për sytë dhe mendjet e lexuesve, duke synuar pandalshëm atë zdritjen, ndriçimin final të pritësit të këtyre mesazheve të panumërta të ndërgjegjshme apo krejt të pavetëdijshme, që ngjallen e burojnë në çdo faqe të këtyre dy librave të vyer.

Kështu Dashurologjia do të përbëjë një derë të panjohur për në këtë botë kaq magjepsëse e mbresëlënëse ku pluskon dashuri nga çdo por, në kuptimin më thelbësor e të gjerë të këtij termi kaq universal të dashurisë në çdo formë dhe mishërim.

Ndërsa Shkolla e Jetës do t’ju ndihmojë që vërtet të “shkolloheni” në shumë aspekte nga më të çmuarit në rrugëtimin tuaj jetësor, duke u lartësuar më tej në botëkuptimin tuaj, duke u dëlirësuar e shkathtësuar në hapat tuaj.

Dashurologjia ka 330 faqe dhe kushton 9 Euro, ndërsa libri Shkolla e Jetës ka 213 faqe dhe kushton 7 Euro, si dhe përkthimin e tyre në gjuhën shqipe e ka bërë Elvi Sidheri, ndërkaq lexuesit të dy këta libra mund t’i gjejnë në të gjitha libraritë në Kosovë dhe Shqipëri.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat