Kur psikanaliza mundet nga artistikja - Bota Sot
Kur psikanaliza mundet nga artistikja

Libra

E enjte, 20 shtator 2018

Kur psikanaliza mundet nga artistikja

Sherafedin KADRIU Nga Sherafedin KADRIU Më 15 mars 2018 Në ora: 13:02
(Për romanin “Rrënjët e Kaçës” Prishtinë, 2008, autor Tahir Dalipi)

Romani “Rrënjët e kaçës”, (Prishtinë, 2008), i autorit Tahir Dalipi, nis me një tematikë të motivuar nga fenomene të predisponuara psikanalitike, të cilat, për një rrugë të mirë të ecjes, dominojnë përmbajtjen në raport me artistiken. Kjo rrugë, edhe ashtu ngatërrohet nga synime të kundërtash  që  kompleksojnë edhe më zgjidhjet që mund të konsiderohen krejt të lehta, të paktën për moralin tradicional, e ndonjëherë edhe për pikëpamjet bashkëkohore sociale e filozofike që ka personazhi kryesor ndaj familjes.

Po, a ndodh kështu në të vërtetë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, më parë le të ndjekim subjektin e romanit, që me pakë fjalë është ky: Dalldyshi rritet pa babë në një fshat të Malësisë së Karadakut, me një lidhje të natyrshme me  nënën, e cila kujdeset për gjithçka, shpeshherë edhe kujdes i tepruar, siç veprojnë nënat zakonisht.  Një fëmijë i urtë që shoqërohet vetëm me Sihanën, që është një vit më e vogël, po e thonjtë në përballje me të tjerët. Dashuron Sihanën, sikur edhe ajo Dalldyshin, por nëna nuk ia do për grua. Pas shpërnguljes në qytet martohet me Hijen, me të cilën ndahet pas një muaji, ndërsa me gruan e dytë, Fatlumen ndahet rreth pas një viti.  Takimi me Helenen, sikur ia hap sytë për korrigjimet e veprimeve të gabuara, ndërsa përfundimi romantik, - martesa “e vonuar” me Sihanën është në funksion të mbizotërimit të artistikes në raport me psikanalizën e dalldisur. Natyrshëm që këtë vijë kryesore të subjektit e shoqërojnë edhe një varg të tjerash, të cilat e përplotësojnë sfondin veprues. 

Natyrshmëria e kallëzimit të ngjarjeve nis me përsiatjet e narratorit  për vetë bëmat e tija, të cilat nuk përputhen me njohjet e përvojën e tij, me thellësinë e të kuptuarit kritik të situatave nëpër të cilat ai ecën si personazh kryesor. Dyzimi përshkohet nga një mllef i shpërfaqur e i pamatur mirë, nën ndikimin e traumave të pësuara që në fëmijëri, të cilat kanë lënë pasoja në zhvillimin e tij të mëvonshëm në trajtën e komplekseve. Dhe, kompleksi vjen e ndërlidhet me këngën e Hasan Agës dhe Çikës Potureshë, të cilën ua kërkon këngëtarëve dhjetëra herë me radhë, natën e vonë në restorantin pa emër, ku vetëm kënga e pija e tepërt mbizotërojnë atë skenë dritëzash të zbehta. Mu për këtë, heroi i romanit del të jetë një dallkauk i mençur që të shëtitë nëpër botën e tij sa reale, aq fiktive, sa letrare, aq psikike sepse ka kohë që burgu neurotik e ka bërë të veten. Ky është heroi i kapur keqas nga traumat psikike që të befason gjatë tërë rrugëtimit të tij, në njërën anë me përsiatjet në unison me vlerat e traditës, teksa synimet e tija gjakojnë të renë e domosdoshme, në anën tjetër me veprimet arrogante, të cilat shpërfaqen jo njëherë të dyzuara.

Mungesa e babës te balada e Hasan Agës, njëjtë si te vetë Dalldyshi  lidh dy ngjarje, të cilat në themel të gjykimit të tyre kanë urrejtjen për babën, të cilit as ia përmend emrin kur i ia kujton nënës një harmonikë goje të sjellë nga ai, qysh në fëmijërinë e tij: Ma ka sjell .... edhe ty të kishte blerë një xhaketë (f. 59), ia kujton nënës Dalldyshi. Urrejtja për babën është kompleksi i Edipit që e përcjell deri fund personazhin e këtij romani. Kjo mund të jetë arsyeja pse përshkallëzohet impotenca natën e parë të martesës me Hijen. Kush është Hija dhe çfarë sheh Dalldyshi në hijen e Hijes, janë pyetje të cilave vetëm psikanaliza mund të japë përgjigje të duhura. Edhe kritiku, edhe lexuesi, në këtë zallahi mendimesh e veprimesh, në ndonjë çast sikur përcëllohen nga burgu neurotik, megjithatë ata arrijnë të pikasin zgjidhjen e traumës, që sërish sipas psikanalizës është identifikimi me prindin që Dalldyshi e arrin, ani pse vonë. Këtu duhet kërkuar shkakun e rikthimeve në të kaluarën, sidomos rikthimeve në fëmijëri, rikthime që nuk ndodhin thjesht sa për të kujtuar atë kohë që me vështirësi mbahet mend, por pse ngjarjet e asaj periudhe kanë lënë vragë në jetën e më pastajme të personazhit, e që kur rikujtohen duket se ndihmojnë për mjekim të traumave.

Heroi i romanit nuk i beson të ardhmes së vet. Atë e kundron nga larg, si të ishte hije e huaja. Ka rënë në një kllapi prej së cilës nuk zgjohet dot, as natën e parë të dhëndërisë, pranë nuses së bukur shumë, e cila të dalldisë  “me ato flokët e zeza të lëshuar për shpine dhe, ca prej tyre, sipëri faqeve të bardha si biluri, me sytë e mëdhenj ngjyrë bari e plot shkëlqim, me mollëzat që i huazonin pak të kuq nga buzët si të mbuluara me lëvore qershie e që i bënin roje hundës së vockël, me ato momente buzëqeshjesh  që i përngjanin hapjes së kutisë me diamante ...” f. 8.  Ky paragraf përshkrues i asaj nate gëzimi e urimi, në vend se të qe mbushur me dashuri, siç ndodh zakonisht, përkundër, u mbush me urrejtje e përbuzje, herë lutje e kërcënime, që zukasnin pa ndërpre... Shkaku i ndodhisë është shkallëzuar trizash qëllimisht: gjakimi për dashurinë e parë që duket se është fjalë goje, bile në ato momente, moralizimi i pa sprovuar dhe impotenca e dhëndrit.  Dhe, këtu nis për t’u psikologjisur nyja e lidhur fort, e quajtur martesë.

 Meditimet e heroit të romanit, ato ndërdyje të fuqishme, për t’i hapur rrugë mohimit e shkatërrimit të tjetrës (Hijes) krejt për teke andrallash, zbërthejnë kode të trishtueshme të traditës sonë jo krenare për pozitën e femrës sonë në shoqëri. Megjithatë, në Rrënjët e Kaçës, femra është kërkuese deri në fund për përmbushjen e jetës me dashurinë e vërtetë, përkundër njëmijë pengesave  (Sihana),  është luftarake për jetë më të mirë,  përkundër thashethemeve të të tjerëve (Helena), është e moralshme dhe e çiltër, përkundër nënshtrimit ndaj fatit (Hija), po ka edhe të tilla që janë marroqe e grindavece, si Fatlumja. Nëna e Dalldyshit, Hana, dhe inxhja Maliqe, nëna e Sihanës, janë dy personazhe të portretizuara bukur. E para, në qëndrime, vendime e veprime paksa burrërore, po nënë në shprehje e përdheli, ndërsa e dyta, e urtë, punëtore dhe e dashur në varfëri. Duket se autori ka pasur parasysh njëzimin e emrit të personazhit me moshën, vendin, profesionin, dukjen, karakterin etj. sikundër ndodh edhe me personazhet meshkuj. Të dy palët, jo në kuptimin ndarës, por në aspektin gjinor, nuk dalin të rastit, sepse secili prej tyre ka rrugën e vet të ecjes në raport të ndërliqur me të tjerët dhe kësaj ia ka arritur nëpërmjet gjuhës figurative përshkruese, medituese dhe dialoguese.

Përgjithësisht, karakteret e meshkujve të emëruar, si dajaTafë, xha Zymeri, xha Ceni, Beqa e ndonjë emri çamarroku të fëmijërisë së tij, secili në raport me tjetrin është tipizuar bukur. Personazhet tjerë janë shokët e punës të ndërmarrjes Ndërtimtari që po gllabërohej nga ndërmarrja Ndërtimtari i Madh.  Në njërën anë janë zyrtarët rajonalë të Ndërtimtarit të Madh të bashkuar me ata të Ndërtimtarit të vogël, që i mëshojnë të njëjtës vrimë të kavallit, në anën tjetër janë punëtorët e Ndërtimtarit të vogël. Të parët janë të gatshëm për shtypje në aspektin ekonomik e nacional, të dytët janë puthadorë, ndërsa  të tretët të gatshëm të qëndrojnë në mbrojtjen e organizatës së  tyre punuese. Meditimi se “arsye e vetme e të jetuarit mbetej mposhtja e kundërshtarit” (f. 41),  nuk mishëron rënien për ideal, por përballjen për bukën e gojës, për punë e për jetë sepse pas rrethimit të punëtorëve nga forca policore, jo me shkopinj, po me armë zjarri, ... të pafuqishmit i duhet vetëkontrolli (f. 41) – shprehet narratori. Kjo është filozofia e veprimit në përballje me gllabëruesit e djeshëm. Ka diçka nga filozofia e qëndresës paqësore në këtë ndërthurje veprimesh sprovuar për herë të parë nga bashkëkombësit e shkrimtarit. Si duket në trille a vërtetësi të këtilla, që nuk ka rëndësi në është njëra a tjetra, se mjafton e vërteta e romanit, autori nuk i ka ikur përvojës intelektuale, ani pse në realitet, ai ka mbrojtur një vijë tjetër, atë të përballjes me armë me okupatorin, kur lufta fliste me tanke e topa.

Në këtë roman, të rëndësishëm mbeten dialogët që paraqesin dramë të vërtetë. Ndoshta, na bie rrallë të lexojmë dialogë si ai ndërmjet Dalldyshit e Hijes natën e parë të martesës, të shoqëruar shpeshherë me gjysma fjalish e fjalësh, me meditime, sigurisht pa zë, me heshtje si ari në ndonjë moment etj. Dhe,  pas një dëshire për jetën e përbashkët, ata flasin me shikime të qarta. Dalldyshi: “zhduku oj, shporru më” (f. 18), ndërsa Hija: kurrë sytë mos t’i pafsha” (f. 18). Hijen edhe mund ta kuptojmë, të ndjejmë me të, por Dalldyshin assesi. E mu kjo mënyrë ndërtimi, kur autori nuk arrin ta bind ndjekësin që ta dojë heroin e tij, po të dojë dikë tjetër, - sikur i jep romanit objektivitetin që rrallë e gjejmë gjatë leximeve.

Takimi me vashën që do Dalldyshi, Sihanën, shkëmbimi i puthjes me të, biseda e lehtë, edhe pranimi se i bën mirë ato minuta, nuk e lehtëson lexuesin. Ai ka mendjen te Hija, e cila humbet krejtësisht si fizik, po ndoshta si karakter e shfaqur në ndonjë personazh tjetër, pakëz te Helena e më shumë te Sihana, kundruar në aspektin psikanalitik, gjithsesi. Në këtë mënyrë, në “Rrënjët e kaçës” ngjarjet bëhen më komplekse mu për shkak të një ndërthurje të qëllimshme të artistikes me psikanalizën, e kjo e dyta në funksion të kompleksimit të së parës.  Në këtë shpërbërje do duhej parë vlerat psiakanalitike që bart ky roman, sidomos në raport me vlerat e traditës të  shtresëzuara në kujtesën e popullit. 

Romani ka edhe ndonjë mangësi, sidomos aso të cilat kryesisht kanë të bëjnë me anën teknike, si bie fjala faqosja joserioze, lidhja jo e mirë etj. Në këtë rast, forma nuk do të duhej injoruar; ajo shpërfaqet para përmbajtjes, dhe si e tillë ofron shijen e parë. Ndërsa, në aspektin përmbajtjesor zgjidhja e konfliktit e arrirë para epilogut prej një gjysmë faqeje shkrim, e bën këtë të fundit një aneks teknik.

A është gjykim meritor, ky yni?

Vënia në pah e ndonjë të mete të akëcilës vepër letrare, nuk e shterpëzon të përgjithshmen, përkundrazi, e bën më serioze, me kusht që qysh në fillesë vlerësimi të jetë pajtuar me konstatimin se secila kategori estetike është relative. Parë nga ky këndvështrim, gjykimi ynë për “Rrënjët e kaçes”, nuk merr përsipër të jetë zëri i romanit, pse vetë romani ka zërin e tij. Ndërsa, interpretimi i një zëri të tillë, është jo vetëm i natyrshëm, por edhe i domosdoshëm, në mos për tjetër, sa për t’ia zgjidhë gojën heshtjes, e cila flet me gjuhën standarde në secilin rast, edhe si përshkrim, edhe si meditim,  edhe si dialog, që dëshmon edhe për njohjen e fjalorit të shqipes, të cilin pa të drejtë ndonjëherë e akuzojmë për pamjaftueshëm të pasur në raport me gjuhët tjera. Përkundrazi, sa shprehje të bukura mund të ndërtohen me shqipen, pa ia pasur lakmi as edhe një gjuhe tjetër! Po ky konstatim vlen edhe për kritikun: nëse me gjuhën e tij arrin t’i emërtojë mjetet e veta, jo për t’i krijuar autoritet mjeshtërisë së tij (sipas Samjuel Batler), as për ta cytur autorin t’ia nisë nga fillimi, por për ta zbuluar përmbajtjen, para se burimin e saj.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test