Bibliotekari Gani

Libra

Bibliotekari Gani

Nga: Fatmir Minguli Më: 18 mars 2018 Në ora: 23:31
Kopertina e librit

Me librat, njeriu njihet në periudha të ndryshme të jetës së tij. Mua më ka qëlluar të lexoj libra jashtëshkollorë diku andej nga mosha dhjetë vjeç. Ishte babai, udhërrëfyesi  i parë i rrugëtimeve të mia të leximeve. Nuk ishte thjeshtë një udhërrëfyes por dhe një profesionist përzgjedhës i librave që unë do të lexoja. Rasti më fatlum, për jetën time të brishtë ishte detyrimi nga mësuesja e shkollës shtatëvjeçare “Mehmet Babamusta” në Kavajë, për të bërë reçensionin, ose më mirë të them analizën e romanit “Lulja e kujtimit” të shkrimtarit Foqion Postoli.

Më kujtohet se me stilolapsin që sapo kishin dalë atëhere në qytetin e Kavajës, kam shkruar rreth shtatë apo tetë faqe në fletë fletoreje me katrore për këtë analizë. Më është fiksuar çasti kur mësuesja më lavdëroi për reçensionin. Por ai që u gëzua më shumë ishte babai i cili më blente herë pas here libra të moshës sime si “Aventurat e Tom Sojerit”, “Aventurat e Hekëlberi Finit”, etj. Papritmas pranë krevatit tim po krijohej një bibliotekë e vogël por që rritej dita ditës dhe kishte një sekretar që patjetër isha unë. Isha unë që regjistroja çdo libër që shtohej në ato rafte të ngushta prej dërrase të lëmuar e të lyer me llak. Shënoja me kujdes jo vetëm në fletore por dhe në mendjen time emrin e librit dhe emrin e autorit. Në fund të shkollës shtatëvjeçare mua më caktuan të vazhdoja Politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë. Aty mësova se ajo shkollë kish qenë para luftës, Shkolla Teknike “Harri Fulltz”. Për çudinë time, lënda e letërsisë që unë e kisha shumë për qejf, bëhej me të njejtën forcë e program si matematika, fizika dhe lëndët teknike. Për mua qe një krahëhapje e madhe që më jepte mundësi të kompletohesha me ato dituri që jepnin Naimi, Migjeni, De Rada, Noli, Mjeda e të tjerë.

Profesori ynë i letërsisë ishte Beqir Sinani, një burrë shumë i vjetër por i shëndetshëm dhe i fuqishëm. Kishte mbaruar Universitetin e Kozencës, aty ku pati dhënë mësim Jeronim De Rada i madh. Profesor Beqiri ishte një kapacitet i jashtëzakonshëm, ishte një enciklopedi e letërsisë shqipe. Bashkë me kolegët e tjerë, Gaqo Konomin, që ishte nga fshati im i Nivicë-Bubarit, Dragush Çabejn dhe Qazim Baronin përbënin grupin e paprekshëm nga kushdo arrogant i shkollës sado keq që shkonte me mësime. Ata ishin gati hyjnorë. Profesor Beqiri rekomandonte libra të ndryshëm për të lexuar jashtë programit shkollor dhe ne i merrnim në bibliotekën e shkollës, bibliotekë që ruhej me fanatizëm që nga koha e shkollës teknike të Fulltzit. Fanatizmi i ruajtjes së saj kishte dhe një emër tjetër, çudinë Gani, bibliotekarin e vetëm të saj. Ai kishte një kokë të vogël, shumë të vogël por që mbante mend pozicionin e librave pa patur nevojë për skedarë. Ai ishte shumë njeri i çuditshëm, nuk linte të hynin në ambjentet e bibliotekës as vetë drejtorin e madh të shkollës.

Atëhere ishte akoma herët që të lexoja shkrimtarë të ndryshëm të huaj që të mësoja se nuk ishte ndonjë çudi mospranimi i njerëzve të tjerë në bibliotekë. Këtë e thotë dhe Umberto Eko në romanin e tij “Emri i trëndafilit” për biblotekarin e abacisë, Malakian. Por arsyeja e mospranimit në bibliotekë ishte ndryshe... Guglielmo de Baskerville, një frat frençeskan anglez, zbulon në një farë mënyre se të gjithë të vdekurit ishin të shkruar në një dorëshkrim grek që ruhej me xhelozi në bibliotekën e manastirit, konstruktur si një labrinth i ndërlikuar, ku  lejohej të hynte vetëm biblotekari dhe ndihmësi i tij.” Por për të qenë i sigurtë Ganiu kishte vënë që te dera kryesore një tavolinë të madhe dhe që dukej si një mburojë për të gjithë ne, nxënësit. Mezi e lëshonte një fjalë dhe kur njëherë i kërkova një libër në rusisht ai pa folur fare më solli nga brendësia e sallës “I fundmi i Mohikanëve” të Fenimor Kuperit. I habitur e mora dhe më vonë e falenderova se më kishte zgjedhur pikërisht librin që më duhej. Ai më kishte lexuar mendimin me sy.

Ndoshta ajo bibliotekë ishte më e pasura në gjithë Shqipërinë e atyre viteve.

Vite më vonë Luis Borges Jorge do shkruante se: “Unë gjithmonë kam imagjinuar që parajsa duhet të jetë një lloj biblioteke”, e ndoshta bibliotekari Gani e kishte pasur dhe ai këtë ide, e ndoshta e quante jo parajsë por vend të shenjtë ato hapësira mbushur me rafte që kishin lëshuar bark nga pesha e librave. Ganiu ishte “bukinisti Mendel”, hebreu i Cvajgut, njeriut – libër, që përveç librave nuk dinte gjë tjetër dhe të gjitha ngjarjet e jetës merrnin në sytë e tij një trajtë reale vetëm kur shndroheshin në germa... Edhe unë ashtu do thoja për bibliotekarin Gani, atë që ka thënë Cvajgu për bukinistin e tij të dashur: “tani e kuptova se çfarë kujtese të çuditshme e të jashtëzakonshme kishte Jakob Mendel: ky ishte një katallog i gjallë botëror që ecte me dy këmbë.”

Sa më shumë lexoj aq më shumë më vinë portrete të ngjashme me plakun e urtë me kokë fare të vogël, Gani. Ai e dinte mirë se çfarë ishte një bibliotekë aq sa e madhe apo dhe e vogël qe ajo në ato godina me stil të rëndë të shkollës teknike. Ai e dinte mirë se sa më shumë të shtoheshin radhët me librat e lexuar, në sallën e tij, aq më të mëdha ishin radhët e librave të palexuar, një koleksion, që i madhi Umberto Eko, edhe pse kishte mbi tridhjetëmijë libra në shtëpinë e tij, e quante si një antibibliotekë... Duke kujtuar këtë njeri po aq interesant dhe të ngjashëm me shumë tipa të mëdhenj të biblotekarëve të letërsisë, marrim informacion se studjuesi arbëresh i fshatit Zarë të Kroacisë, Aleksandër Stipçeviç, ishte një nga biblotekarët e mëdhenj të kohëve tona. Ishte drejtor i Bibliotekës së Akademisë së shkencave dhe të arteve të Kroacisë. (Durrës, 12 Mars 2018)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat