Poeti shqiptar që mediton, ëndërron dhe krijon

Libra

Poeti shqiptar që mediton, ëndërron dhe krijon

Nga: Baki Ymeri Më: 2 prill 2018 Në ora: 17:24
Kopertina e librit

Poezia është një Zonjë e lartë që bashkon zemra dhe përjetime. Poezia e mbëlton harmoninë në botë. Ajo është nëna e dashurive të shtrenjta. Kështu ka thënë Mihai Eminesku, poeti më i famshëm i Rumanisë që kishte admirim të madh ndaj gjuhës shqipe, dhe jo më kot Mitrush Kuteli konsideronte se Eminesku kishte origjinë shqiptare. Një karakteristikë e këtillë për poezinë vlen edhe për një poet të talentuar kosovar me banim në trojet e Skandinavisë: Naser Xani, shqiptari që mediton, ëndërron dhe shkruan: “Kur nis të hedh ëndrra nëpër vargje/ Fjalët marrin një udhë zjarri/ Stilolapsi hyn në grevë urie/ Tek unë ndizet zjarr përmallimi.”

  Vargjet e këtij poeti mërgimtar gërshetohen me trupin, shpirtin, zemrën dhe gjakun e Kosovës. Shumëkush prej nesh mund të krijojë programe të shkëlqyeshme, të bëjë premtime e të japë mendime, sepse ky është misioni i shkrimtarit. Por pakkush ka fuqinë ta krijojë me pluhur yjesh kështjellën që e ëndërrojmë. Naser Xani e ka këtë forcë magjike për të na dëshmuar se e njeh mjeshtrinë e artit për të krijuar art. Ai nuk inkorporohet në kategorinë e romantikëve të ngujuar në shtëpi, por din të shtegtojë rrugëve të jetës dhe brigjeve të vendlindjes ku e inspirojnë ujërat e përbujshme të Ibrit: “E ndjej se diçka më rrah në zemër/ Shpirti nga gjoksi do të dalë/ Larg jam tretur Ibër e Kosovë/ Shoh se nga gjiri i dheut lind një strall”. Dhe më tej: “Natën më bart era në fshatin ku u linda/ Më duket se dëgjoj siç bie një fyell/ Buzëqeshur i flas qytetit ku u rrita/ Në çdo cep të tokës  zbret i ngrohtë ai diell”.

Të kesh forcën që ta jep rinia dhe t’u besosh njerëzve – ja qëllimi mbi të cilin ngritet një lider! Jo për liderë në fushë të politikës e kemi fjalën, por për liderë në fushë të poetikës. Energjia e njeriut nuk mund të krijohet nëse nuk ke pranë vetes lojalitetin ndaj të tjerëve, respektin, dashamirësinë dhe mirëkuptimin. Edukatën morale, familiare dhe kombëtare. Me rëndësi është të jesh ai që din t’i hapë dyert pa i trishtuar të tjerët. Dyert e shtëpive dhe portat e zemrës, duke e respektuar fjalën, herë pas here duke refuzuar lumturitë e jetës për një jetë ekstravagande. Qëllimi elementar është të krijosh vlera dhe të arrish suksese, duke e mbushur karrocën e jetës me flutura dhe fjalë. Duke i nderuar dhe lumturuar ata që të njohin, që të lexojnë dhe adhurojnë. I këtillë është Naser Xani, i drejtë dhe energjik, besnik ndaj vendlindjes dhe atdheut: “Më fal Kosovë/ Të lutem më fal shpirti im/ Kur t’u deshta ta ktheva shpinën/ Më mori era përtej valëve të jetës/ Tretur dikund në mërgim”. Dhe më tej: “Të dua Kosovë/ Nëpër qiellin tënd fluturoj / Çdo natë si pëllumb/ Ndalem një çast e kuvendoj:”

Fuqia jonë për ta bashkuar me fjalë botën tonë të shpërndarë gjithandej, është një fuqi hyjnore. Këtë fuqi nuk e ka vetëm rinia, por edhe mençuria, përvoja e jetës, dashamirësia për t’i lexuar klasikët tanë dhe bashkëkohanikët tanë. Për t’u respektuar si shkrimtar, duhet të sakrifikosh kohën dhe energjitë, ditët me punë dhe netët pa gjumë, duke dëshmuar kështusoj se je një artist që din t’i ushqejë dëshirat e të tjerëve. Xani është një shpirt i hapur që din t’i anashkalojë vështirësitë e jetës. Potenciali i tij intelektual krijon atmosferën e një jete të theshtë, por të denjë për ta njohur dhe shijuar jetën letrare. Vjershat e tij nuk degdisen nëpër malet me lisa  legjendarë, por e krijojnë pemën e jetës së mbëltuar npër brigjet e atdheut. Ai din ta respektojë fjalën që krijon vlera: “Ti je lule në vargun tim/ Lule e bukur. Lulebozhure/ Të mbollëm në kopshtin me trëndafila/ Pranverë e verë  tërë gëzim.” Dhe më tej: “Të ujitem me lot e gjak/ Kur dielli kishte harruar këtë tokë/ Udhët me gjemba në kufi/ I kemi çarë me gjoks e lot” (Kosovës).

Në kuadrin e kësaj vepre defilojnë subjekte interesante mbi vendlindjen dhe mërgimin, mbi Ibrin, mamanë dhe dëshmorët e kombit, por edhe motive që ta përkujtojnë sintagmën “Kur më troket muza në dritare”. Poetin e frymëzojnë zanat e malit dhe muza e Kosovës që e shoqëron në trojet e mërgatës shqiptare: “Mikja ime e stinëve/ Një këngë derdh mbi degë shtogu/ Më erdhe në këto vende nordike/ Me vrull e cicërimë zogu”. Dhe më tej: “Ta hapa derën të putha në ballë/ Të shtrëngova fort me dashuri/ Rri më mua sonte të lus/ Të zbres i heshtur lot mbi ato sy” (Muza ime). Poeti dehet me fjalë, dhe fjala krijon fjalë: “Anjë gotë verë s’e vura në buzë/ Në asnjë udhë s’i tremba pelikanët/ As detin nuk e trazova me fjalë/ Veç jam ulur mbi këto dallgë/ Si në imagjinatën time të përhitur/ Duke e kërkuar urtësinë e njeriut/ Që s’e gjeta në asnjë strofë/ E tëra më duket skajshmërisht/ Mbi tryezë jam unë/ Dhe shkrimet e mia me stilolaps/ Që presin si fëmijë/ T’ua hap dritaren për fluturim” (I dehur).

Muza defilon edhe në disa vargje tjera të denja për lexim dhe admirim. Poeti nuk është një hije e degdisur, por një dritë që shkëlqen. Ai din ta luftojë ligësinë dhe ta afirmojë mirësinë. Vetëm të marrët shkojnë të vetmuar në luftë. Poeti nuk është i rrethuar me mercenarë, por me zana dhe muza që të joshin për të vajtur nga drita në dritë: “Afër detit rri mejtuar/ Si zog malli mbyllur në kafaz/ Kur më vjen muza ime në mesnatë/ E bukura e brishta në këngë/ Një mijë ngjyra do t’i zbraz/ Mbi letrën e bardhë të mërgimit/ Një mijë stërkala deti/ Që vijnë si dallgë me tallaz” (Pa titull). Ka edhe shumë për të shkruar për këtë libër vlerash të veçanta, por këtë po ua lëmë lexuesve dhe dashamirëve të artit që dinë t’i vlerësojnë dhe afirmojnë vlerat lirike të mërgimtarëve tanë. (Bukuresht, 2 Prill 2018)

SHËNIME PËR AUTORIN

Naser Xani u lind në fshatin Polac të Drenicës, më 2 Gusht 1959. Babai i tij, Sylejmani, ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës. Rrjedh nga një fshat që ka dhënë disa poetë tjerë më parë, si Azem Xani, autor i disa librave, një nga to kushtuar Shaban Polluzhës, bashkëluftëtar i tij në betejat për bashkim kombëtar. Ishte dëshmitar i gjallë i gjenocidit antishqiptar të masakrës së Tivarit. Pas tij vjen Halil Xani që ka botuar mbi 10 vëllime, etj. Në vitet ’60-të shpërngulen në Mitrovicë, ku kreu shkollën fillore dhe të mesmen Teknike. Studimet në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik i ndërpreu në vitin 1981 për motive politike. Për shkaqe ekonomike, në vitin 1988 mori udhën e mërgimit drejt Norvegjisë, ku jeton dhe krijon. Është angazhuar në të gjitha aktivitetet, së bashku me mërgimtarët shqiptarë, në të gjitha aspektet. Me shkrime letrare është marrë kur ishte  nxënës i shkollës së mesme, sidomos që nga viti 1981. Shkruan poezi dhe këngë folklorike, të cilën e ka edhe pasion të veçantë. Mori pjesë me poezi në Antologjinë e parë të Krijuesve Shqiptarë  në Norvegji,  e cila doli nga shtypi në vitin 2018. Aktualisht jeton në qytetin Dramen të Norvegjisë, dyzet kilometra larg nga Oslo,  ku jetojnë shumë mërgimtarë shqiptarë, të vendosur aty nga të gjitha trojet tona etnike, por më shumë nga Kosova e Maqedonia. Ky është vëllimi i tij i parë poetik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat