Poezia si dhembje e shpresës për të ngadhënjyer mbi harrimin

Libra

Poezia si dhembje e shpresës për të ngadhënjyer mbi harrimin

Nga: Enver Sulaj Më: 4 prill 2018 Në ora: 16:49
Kopertina e librit

Vëllimi me poezi „Lot mbi oqean“, i autorit Prend Ndoja, është refleksion i një shpirti poetik mbi mërgimin, dashurinë ndaj atdheut, robërinë, vështirësitë e jetës dhe, para së gjithash, me dehumanizmin e njeriut përballë realitetit në të cilin jetojmë. Ndonëse poezitë e para i ka shkruar para shumë vitesh, që në shkollë të mesme, është vëllimi „Lot mbi oqean“ me të cilin ai paraqitet me sukses para adhuruesve të poezisë, me tërë dinamikën e vargut, rrjedhshmërinë e larushinë tematike.

Këto poezi janë refleksion dhembjeje, malli e meditimi për humbjen dhe shpresën e njeriut, që e ka të shenjtë lidhjen me atdheun, me njerëzit e gjakut, me familjarët e tij të dashur, me miqtë e dikurshëm me të cilët ka kaluar jetën rinore, jo rrallë të mbushur me momente dramatike, sepse e tillë ishte historia e popullit tonë në këto troje. Përgjithësisht, këto janë motive të njohura në letërsinë tonë, të cilat poeti i riaktualizon, duke krijuar vargun e tij origjinal, pa eksperimentuar e pa asnjë përpjekje për t‘i dhënë poezisë mision të pamundshëm. Poezia e Ndojës ngërthen në vete temat, idetë dhe shqetësimet e këtij nënqielli të shumëvuajtur, por pa rënë asnjëherë në patetikë e pa rrëshqitur në prozaizëm. Është poezi që lexohet me ëndje, e ndërkohë, vëren se idealizimi i vendlindjes kushtëzohet nga mungesa e distanca fizike, e cila të bën ta ndjesh më thellë e me shumë dhembje vendin tënd. Për të nuk vlen thënia latine „Ubi bene, ibi patria“, por janë idealet e një atdhetari të devotshëm që atdheun e ka të shenjtë, e ka në zemër kudo që të shkojë.

Libri „Lot mbi oqean“ është dëshmi e një ekspresioni të sinqertë, por me ngarkesë emocionale, ashtu siç është vetë poezia - dallgë shpirti, që të rrëmben e të hedhë në skajet më të largëta e të panjohura të shpirtit njerëzor, për të hakërryer kundër pushtuesve shekullorë e mohuesve të atdheut, që këtij vendi i kanë sjellur shumë fatkeqësi.

Poeti s’gjen askund qetësi, veç në ëndrrat për vendlindjen, tokën, gjakun, atdheun nga i cili u largua një ditë të rëndë okupimi, me shpresë se do të kthehet për të sendërtuar ëndrrën e tij mbi dashurinë e munguar, për nënën, miqtë e dikurshëm të rinisë e të idealeve jetësore. Disa nuk janë më, ndërkaq mungesën e tyre poeti e shpreh me dhembje e nostalgji.

Poeti nuk ekzaltohet nga metropoli ku jeton, në vendin e ëndrrave dhe të shpresës për botën e lirë; nuk joshet nga asgjë, as nga dritat vezulluese e rrokaqiejt e lartë, as nga jeta luksoze e mundësitë e shumta që të ofron një shtet i fuqishëm, si SHBA. Ai, ashtu si poezia e tij, është i lidhur me tokësoren, me vendlindjen e me mërgimin, që në letërsinë tonë, ka prodhuar mijëra vargje që shpalosin dimensionin tragjik të jetës. E, pikërisht, është mërgimi që në këtë vëllim e shqetëson skajshmërisht poetin:

Mërgim, vonë e kam vërejtur: 

-Ti qenke një dhelpër e vërtetë,

Ta fala një vit,

M’i more tridhjetë...

(“Mërgimi“)

Aktualiteti politik e shoqëror, plagët e kombit tonë, sfidat e shtetndërtimit e përpjekjet për të zënë ritmin e humbur, e ngacmojnë dhe e frymëzojnë poetin që të ketë një pikëshikim kritik, me një dozë satire e sarkazme, por gjithnjë në suaza të një qëllimi fisnik, për të përmirësuar sjelljet e veprimet në të mirë të atdheut tonë të shumëvuajtur. Si iluminist, ai bën thirrje për dije e arsimim të mirëfilltë:

Zgjohu Ora e dijes, 

Me petkun që të ka hije,

Me ty të përqafohet, 

Vetëm ai që ka dije.

(“Arsimi”)

Bota krijuese e Ndojës shtrihet edhe në horizonte tjera tematike, përveç vendlindjes, që paraqitet jo vetëm si dhembje e mungesë, por edhe si krenari, shpresë e adhurim, duke kaluar në shtresat kuptimore të himnizimit e adhurimit për figurat tona kombëtare (Shën Tereza, Luigj Gurakuqi, Ibrahim Rugova e deri te portretizimi i luftëtarit të rënë në fushëbetejë).

Libri „Lot mbi oqean“ vjen në duart e lexuesit pas një përvoje të gjatë jetësore e krijuese të poetit Prend Ndoja. Është kjo dëshmi e një shpirti poetik që e peshon fjalën, mbushur me një lirizëm të sinqertë, që kap dimensionin moshë në të gjitha fazat e saj, për të shpalosur ndjenjën fisnike për bukurinë fizike dhe madhështinë e shpirtit të njeriut. Peizazhi magjepsës, përjetimet e shtresuara në kohë, sensi për të bukurën që ofron jeta dhe dashuria deri në vuajtje për atdheun, bëjnë që libri të lexohet me ëndje edhe për mesazhet e shëndosha që jep dhe veçantitë artistike. Rimat e realizuara mjeshtërisht, sensi për të vrojtuar e për të depërtuar në të pazakontën si dhe larushia tematike e poezive, sikur duan të na thonë se Ndoja ka jetuar gjatë me poezinë, duke pritur ditën që të paraqitet para lexuesit me këtë libër, pikërisht në muajin mars, në muajin e zhvillimeve të vrullshme historike, për të bërë kështu, në njëfarë mënyre, edhe një homazh nderimi e respekti për të gjithë ata që i dhanë vulë identitetit tonë kombëtar e kulturor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat