Procesi i edukimit, familja dhe shkolla moderne…

Libra

Procesi i edukimit, familja dhe shkolla moderne…

Fran Gjoka Nga Fran Gjoka Më 20 prill 2018 Në ora: 11:26
Libri “Edukimi në Familje dhe Shkollë

Ka pak kohë që ka dalë nga botimi dhe po bën qarkullim të suksesshëm libri i fundit i sociologut Gëzim Tushi (Mjeshtër i Madh): “Edukimi në familje dhe në shkollë”. Është një punë shumë vjeçare e kombinuar midis kërkimeve dhe studimeve teorike për specifikat dhe vështirësitë e procesit të edukimit postmodern të të rinjve, e kombinuar edhe me praktikën e gjërë si pedagog në disa universitete të vendit.

Libri është një sfidë për autorin, i cili ka realizuar një trajtim të integruar të faktorëve komplementarë, që kanë rol dhe ndikim në ndërtimin e procesit të edukimit të fëmijëve në familje, shkollë e shoqëri. Që nga titulli i librit por edhe në kapitujt e gjërë të tij, duket këmbëngulja për të vlerësuar dhe rivlerësuar në përputhje me kohën, rolin e pazëvedësueshëm dhe kontributin thelbësor që ka familja në rolin e saj dhe shkolla në misionin e vet të pandryshuar edukativ. Në këtë kontekst janë trajtuar edhe problematikat që shoqërojnë dhe shqetësojnë marrëdhëniet prind, mësues, nxënës.

Autori ngul këmbë me forcë, argumenton gjërësisht se pavarësisht ndryshimeve konceptuale që kanë ndodhur nga ndikimet turbulente që kanë sjellë efektet e postmodernitetit në jetën e fëmijëve dhe të rinjve tanë, përsëri duhet pranuar pa mëdyshje, se në këtë sistem të ri modern të edukimit, faktorët dhe institucionet tradicionale sikurse janë familja, shkolla dhe shoqëria, kanë mbi vete pjesën më të madhe të detyrimeve dhe përgjegjësisë.

Kur kam bideduar me autorin se cila ishte arsyeja thelbësore që e shtyu atë që të bënte një libër kaq të plotë për edukimin dhe sfidat e tij, ai u përgjigj se kryesor ka qënë fakti që në shoqërinë shqiptare, më sakt në perceptimin public, ka një koncept jo vetëm të njëanshëm por dhe të thjeshtëzuar për mënyrën si duhet ngritur “godina” dhe ndërtuar procesi i edukimit, si duhet kuptuar edukata dhe si duhet të bashkëpunojnë mes tyre institucionet e edukimit, faktorët familjarë, pedagogjikë e socialë.

Sipas mendimit të Gëzim Tushit diagrama e ndërlikuar dhe kompleksiteti i edukimit, sukseset dhe “abortimet” e tij në kohën e sotme duhen kuptuar në thelbin e tyre. Sepse problemet dhe vështirësistë e edukimit në familje e shkollë, nuk janë thjesht gjëra që duhen vlerësuar në sipërfaqe si pjesë e “paradokseve teorike” postmoderne, që vjen nga kufizimi dhe reduktimi i gabuar i përmasave teorike të konceptit edukatë, e shoqëruar me një lloj ndarje fizike e metafizike e komponentëve dhe instrumenteve të edukimit. Autori me të drejtë evidenton në libërin e vet si shkak kryesor, një lloj tendence të copëtimit metafizik të procesit të edukimit, që vjen nga mungesa e koherencës dhe abandonimi i veprimit të sinkronizuar të gjithë faktorëve, aktorëve dhe instrumenteve edukativë që ka shoqëria shqiptare ne dispozicion për të rindërtuar me frymë të re, tërë punën edukative me fëmijët dhe të rinjtë.

Edukata dhe “revolucioni konceptual” i edukimit

Autori bën një analizë të gjërë të krizës që po kalon sot “edukata paternaliste”, mënyra dogmatike e edukimit, si një përpjekje plotësisht e dështuar përballë qëndrimeve refraktare të të rinjve dhe adoleshentëve mendjehapur. Kjo është arsyeja pse edukimi është bërë procesi më i vështirë për tu realizuar si duhet, por njëherësh tejet i domosdoshëm për përgatitjen e “qytetarit të ardhshëm” të shoqërisë tonë. Sigurisht tradita jonë edukative ka vlerat dhe mangësitë e veta, që duhen njohur dhe pranuar.

Por autori i librit mendon se është koha për të bërë një “revolucion” konceptual dhe edukativ” në familje, shkollë dhe shoqërinë civile, në mënyrë që procesi i edukimit të jetë sa më adekuat me kohën. Sigurisht ata që e kanë më vështirë këtë punë, janë prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë. Sepse ata janë aktorë të rëndësishëm të edukimit dhe disiplinës. Kjo i bën ata shpesh herë të “urrejtshëm” nga të rinjtë. Jo aq për natyrën e tyre liberale e antikonformiste por edhe për faktin që idetë, njohuritë dhe instrumenet edukative që përdoren nga prindi në familje dhe mësuesi në shkollë janë të vjetëruara e jo shumë të përshtatshme. Paternalizmi i fortë dhe imponues me të rinjtë, si mbeturinë e edukatës patriarkale e supersociale, thotë autori është në kundërshtim me frymën e lirisë së individit.

Në libër autori analizon një lloj “krize edukative” që ka kapur familjen shqiptare, krizë e cila në perceptimin publik gabimisht interpretohet sikur është tregues i faktit që në shoqërinë shqiptare është duke “shteruar fuqia edukative e familjes. Kjo shfaqet në një lloj krize të identitetit dhe komunikimit edukativ në familjen shqiptare, në tronditjet e forta që ka pësuar modeli i vjetër i autoritetit prindëror në synimet për edukimin familjar dhe qytetar të të rinjve. Sociologu Tushi është i mendimit se një nga aksionet e mëdha për të ringritur në nivelin e duhur procesin e edukimit është lufta e përgjithshme politike e sociale për të stabilizuar familjen.

Shkolla dhe vështirësitë e edukimit

Shkolla si institucion i rëndësishëm i dijes dhe edukimit, është trajtuar gjërësisht nga autori. Me bindjes se shkolla nuk është institucion pasiv ndaj edukimit, për pasojë ajo nuk mund të ketë aftësinë të edukojë “vetvetiu” pa rolin thelbësor të mësuesit. Në të vërtetë nga e kaluara jonë na është ngulitur ideja e gabuar, e rolit ekskluzivisht edukativ të shkollës si instrumenti bazë i edukimit të nxënësit në rrugën e formimit qytetar. Në këtë pozitë të privilegjuar të rolit dhe përgjegjësisë së shkollës ka diçka që është e vërtetë dhe ndërkaq, ka dhe një shikim semplist që e ngarkon shkollën jo vetëm me pjesën e saj të merituar të përgjegjësisë por dhe me atë që është përtej mundësive të saj.

Pavarësisht mendon autori se “edukimi mbetet mision i pandryshuar i shkollës”, ai është dakord me gjykimin e sociologëve të edukimit se në kohën postmoderne, nuk është vetëm shkolla por është “tërësia e shoqërisë” që edukon. Në të cilin padyshim që shkolla duke shmangur një lloj njëanshmërie jo fort edukative, ka sidoqoftë vendin, pozicionin dhe rolin e vet të respektuar.

Natyrisht autori është ndalur gjërësisht në tiparet edukative që duhet të ketë mësuesi në shkollë, sepse integriteti i tij përbën kuintesencën e figurës së mësuesit në procesin e edukimit. Në libër ka analiza të faktorëve dhe shkaqeve të konfliktualitetit në marrëdhëniet mësues nxënës, por dhe gjetje e rekomandime se si mund të zgjidhet problemi i konfliktit mësues nxënës në shkollë ashtu si dhe konflikti prind fëmijë në familje. Autori mendon se ka rëndësi që në këto marrëdhënie, për të shmangur konfliktet e kota e artificiale, vështirësitë e komunikimit interpersonal, është e nevojshme që aktorët (prindi, mësuesi, nxënësi) të mësohen që të lujanë rolin sipas pozicionit që ka secili në sistemin e edukimit.

Kjo është arsyeja pse duhet vlerësuar drejt “statusi” i secilit, si parakusht për të ndërtuar lidhje sociale e marrëdhënie edukative me konsensus, pa konflikte të tepërta e të panevojshme. Aftësitë edukative të mësuesit janë baza e suksesit. Por kjo mendon sociologu Tushi, nuk bëhet me punë rutinë por përmes një procesi të “diagnostimit pedagogjik” të personalizuar të secilit nxënës. Të gjitha këto kanë vlerë për të ndërtuar pastaj “frymën edukative” të shkollës, si institucion në tërësi, funksionet educative e disiplinore të saj. Në se për arsye të ndryshme tek nxënësi tronditet besimi tek vlerat e personalitetit të mësuesit dhe frymës së shkollës, atëherë i gjithë procesi i edukimit është i dështuar.

Libri i Gëzim Tushit është i mbështetur në mendimin pedagogjik dhe sociologjik postmodern dhe ka në qëndër konceptin e rindërtimit të “tërësisë edukative të shoqërisë”, në të cilin duhet të përfshihen si të barabartë, familja, sistemi shkollor, shoqëria (mjedisi social), natyrisht edhe roli edukativ i ligjit, që gjithashtu edukon.

Në këtë kontekst sipas autorit, kur flasim për sistemin e madh edukativ, duhet kuptuar se ai është përtej hapësirave të kufizuara edukative të shkollës. Kjo do të thotë se duhet të kemi parasysh ndërtimin dhe vënien në eficencë të veprimit të sistemit edukativ, që ndihmon të rinjtë të “vetëorientohen” me vetëdije të lirë, në mënyrë autonome, duke qënë të lirë në të njëjtën kohë të zgjedhin midis alternativave edukative që shoqëria ka vënë në dispozicion të individit.

Në përfundim të analizës së vet, autori thekson se në se duam të ndërtojmë bazat e vërteta të edukimi në shoqërinë tonë, nuk duhet t’i mbajmë sytë dhe t’i përplasim përgjëgjësitë vetëm mbi “supet e brishta” të shkollës. Në kushtet kur ajo është institucion që ndikon në formimin e “vlerave bazike” të qytetarit, që janë të përbashkëta dhe karakeristike për shoqërinë moderne, shkolla bëhet institucion jo vetën në dispozicion të edukimit të nxënësit, por të gjithë shoqërisë, sepse parimet që ajo kultivon shërbejnë të rinjve për tërë jetën.

Shkolla moderne është pjesë e jetës dhe edukimi i nxënësve nuk mund të bëhet as jashtë, as kundër parimeve morale që vetë jeta i imponon shkollës shqiptare.

Si përfundim, shoqëria shqiptare sipas sociologut Gëzim Tushi, ka nevojë të rishikojë “strategjinë edukative”, si një proces social gjithpërfshirës në të cilin padyshim familja dhe shkolla mbeten aktorë themelorë, të përhershëm, të përjetshëm të saj. Pa këtë strategji, do të jetë e vështirë që të presim nga shkolla që të plotësojë të gjithë vakumet edukativë që vijnë nga “sektorët” e tjerë të jetës sociale, që e pengojnë procesin e vetëedukimit dhe orientimit edukativ të njeriut, që të dijë të organizojë sjelljen personale dhe të ndërtojë ardhmërinë sociale të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat