Libër për krimet e Serbisë ndaj oacientëve dhe stafit të QKUK-së në vitet 1998-99

Libra

Libër për krimet e Serbisë ndaj oacientëve dhe stafit të QKUK-së në vitet 1998-99

Më: 4 maj 2018 Në ora: 10:42
Nga promovimi i librit “Krimet dhe Keqtrajtimet e Pacientëve dhe Personelit Mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga Forcat Policore dhe Ushtarake të Serbisë Gjatë Luftës në Kosovë 1998-1999”

Në promovimin e librit “Krimet dhe Keqtrajtimet e Pacientëve dhe Personelit Mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga Forcat Policore dhe Ushtarake të Serbisë Gjatë Luftës në Kosovë 1998-1999” që u promovua sot, autori Salih Krasniqi tha se prokuroria e shtetit tani ka më shumë prova për ngjarjet të cilat kanë ndodhur në QKUK në vitet 1998-1999.

Sipas tij Prokuroria e shtetit duhet të veprojë në bazë të këtij dokumentacioni të cilat do të mund t’i gjejnë edhe në arkivin e QKUK-së.

“Unë i kam bërë një ftesë prokurorisë në bazë të këtyre dokumenteve, faktografive të cilat janë regjistru me i fillu hetimet”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Libri në fjalë pasqyron përmasat e gjitha formave të dhunës dhe presionit që pushteti serb i ka ushtruar mbi pacientët dhe personelin shëndetësor në njërën nga institucionet kryesore të shëndetësisë në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

Ai tha se ky libër u është kushtuar personelit mjekësor shqiptar, që kanë punuar në spitalet ushtarake të Kosovës në kushte të jashtëzakonshme, pacientëve të plagosur në burgjet e Dubravës,  atyre që i dolën në ndihmë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilëve që kishin nevojë për ndihmë mjekësore.

“Ky është libri i parë faktmbledhës që dëshmon për veprimet barbare në përmasat e gjenocidale të pushtetit serb ndaj pacientëve dhe personelit shëndetësor në QKUK, gjatë luftës së fundit për liri të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ismet Salihu nga Instituti për Hetime të Krimeve të Luftës, i cili është edhe recensent i këtij libri tha se krahas punës së deritanishme të stafit në grumbullimin dhe publikimin e nëntë librave, kanë bashkëpunuar edhe me hulumtues individualë dhe shoqata të pavarura që janë angazhuar në hulumtime për krime të luftës.

“Si rezultat I bashkëpunimit te Insistutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë me hulumtues individualë është edhe ky libër që po e promovojmë sot”, tha Salihu.

Azem Hajdari, recensent tjetër i librit, tha se ky është një libër me vlera të mëdha që është dëshmuar “jo vetëm në kontekstin shkencor por edhe ne kontekstin e hapësirës dhe kohës”.

“Vlera e këtij libri shtohet në peshë sidomos për faktin se ai vjen si model dhe si mesazh për studiues të shumtë që t’i përvishen punës dhe t’i nxjerrin në dritë të gjitha krimet që i kreu Serbia në Kosovë”, theksoi ai.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat