Kreu i parë

Libra

Kreu i parë

Nga: Lis Bukuroca Më: 6 maj 2018 Në ora: 20:42
Lis Bukuroca

Ashtu si në kllapi dëgjova një trokitje në derë, e cila mund të vlerësohej edhe si bukur nervoze. Pak më vonë, u dëgjuan dhe trokitje të njëpasnjëshme. Pas disa çasteve, goditje ca më të rënda me grushte. Në fund mosdurimit iu shtuan  edhe shqelmat.

- Hapni derën, përndryshe do ta hapim me forcë!, - dëgjova një zë kërcënues.

U ktheva në anën tjetër, duke menduar se isha në ankth të rëndë nga alkooli i tepruar dhe mbylla përsëri sytë duke mbuluar kokën daulle me nënkresë. Një grimë më vonë, dëgjova përplasjen e derës në murin e korridorit të ngushtë, nga u hodhën furishëm në dhomën e fjetjes një tollovi hijesh të çrregullta. Kujtova se u shemb hoteli dhe u rrotullova ngadalë dhe plot mundim. Duke hapur e mbyllur kapakët e syve me shpejtësi, përpi-qesha të qartësoj përvijimet e tyre, por vështrimi i skicave njerëzore, më turbullohej dhe përzihej, aq, sa më dukeshin se nga një njeri, shkëputeshin hije, krijesa, që silleshin e mbështilleshin, duke u ngritur drejt tavanit për t' u kthyer përsëri dhe trupëzuar nga ai që qenë shkëlfitur apo shkafanjitur. Ishin dhjetë apo tridhjetë veta, nuk kuptoja. Aq sa më shumë përpëlitja qepallat, aq më shumë përfitonin formë revolet në duart e tyre. Pikat e shiut stërvec përplaseshin në dritare, nga përthyenin shkërpica blu të njëpasnjëshme të makinave të policisë në rrugë. Ato përziheshin si në piktura abstrakte me ngjyra në një shkrirje të vazhdueshëm dhe trajta në shlyerje e sipër, duke ofruar një imazh të kapshëm,  por që fanitej orë e çast. Paska ndodhur diçka, mendova dhe u përpoqa të mbledh veten.

Suita e hotelit ishte aristokratike dhe me orendi në stilin e barokut; një sallon i madh, një banjë e madhe me një vaskë, ku mund të laheshin dy gra, dy gra dhe një burrë, ose dy tre burra, ose dy burra dhe një grua. Në mes të sallonit gjendej një tavolinë e ulët, një divan mbështetur në mur për tri veta, një majtas në krye për dy dhe përballë tij, një kolltuk për një vetë. Në mes të tij derdhej një llambadar me qindra kristale varur, nga përthyheshin qindra xixa dhe shkëlqarnin në përflakje të llojllojshme.

Në zyrë gjendej një tryezë e madhe shkrimi, mbi të cilën rrinte pezull llamba, ku hapur e mbyllur, qëndronin shtrirë disa libra të mi. Dhoma e fjetjes ndahej nga një korridor i ngushtë dhe ngrihej përball dhomës së ndejës. Në mes të saj gjendej krevati. Aty ku përfundonte ai, një hap më larg, mbështetej në mur dollapi nga druri i qershisë me tri kanata dhe nën to, tre sirtarë. Në mur zvarritej një pikturë e madhe e perëndeshës së Hënës, Luna.

Një njeri, i gjatë si skërfyell, lavrak dhe i shkordhur, mbante një letër në dorë. Ndoshta nuk ishte dy metra i gjatë, por stërzgjatej para krevatit sikur të ishte katër; diku dyzetë vjeçar, me flokë bionde, me një vështrim shpues dhe me një pamje të ashpër, që më përkujtoi përshkrimet e Tacitit. Ai bëri një hap drejt krevatit, ktheu kokën nga kolegët e tij me një shikim të ftohtë, të pjerrët dhe urdhëroi nëpunësitë e policisë:

- Gjeni armën!

Policët u shpërndanë nëpër dhomat e apartamentit.  Dy, me tesha civile si edhe ai, ngelën në dhomën e fjetjes dhe më vështronin me shikim të përzier, që nuk arrija ta zbërthej, ishte vështrim keqardhjeje apo përbuzjeje. Ai me letër në dorë më pa me një buzëqeshje tepër të lehtë sa qëndronte pikërisht në kufirin në mes buzës në gaz, disi ironike dhe kënaqësisë:

- Ngrihuni, me urdhër të Gjykatës për Krime të Rënda arrestoheni si i dyshuar për vrasjen e shkrimtarit Noah Rosentreter, burrin e dashnores tuaj!

- Sa është ora ju lutem?

- Gjashtë pa 20, profesor!

- Profesor?! Nga kjo informatë ju lutem!? Nuk paskësha fjetur as gjysmë ore...

- Më vjen keq. Ashtu është bërë kallëzimi: “Doktor profesor Leu Trumcaku ka vrarë nga xhelozia...”, lexoi në fletën, që mbante në dorë.

- Profesori ka vrarë nga xhelozia!, - përsërita. E Ju kush jeni? Pse nuk prezantoheni?

- Ah, më falni ju lutem, unë jam Gerhard Thiutisk, komisar, kryekomisar...

- Aha, në rregull, sidoqoftë unë nuk mund të arre-stohem,-  ndërhyra derisa lëshoja me plogështi kë-mbët nga krevati dhe gjersa merrja syzet nga komodina. Sapo i vura, pash se kryekomisari nuk ishte edhe aq i gjatë dhe jo aq i vrazhdë në pamje.

- Natyrisht se mundeni, - vazhdoi ai. Çdo fjalë që shqiptoni, mund dhe do të përdoret si dëshmi kundër jush para gjykatës. Ju duhet të merrni edhe një avokat. Nëse nuk mund t' i mbuloni harxhimet, do t' iu sillet një nga arka e shtetit. Për ju mendoj se nuk vlen kjo, kur mund të paguani një apartament në një hotel kaq të shtrenjtë. Ju keni të drejtë edhe të heshtni zoti profesor...

- Unë jam shkrimtar zoti kryekomisar. Si profesor punoj vetëm dy herë në javë. Për nga natyra e profe-sionit, nuk mund të hesht. Unë edhe kur nuk flas, edhe atëherë çirrem. Kryesisht atëherë dëgjohem larg dhe njerëzit pyesin për arsyen. Kemi profesione krejtësisht të ndryshme, kur  ju nuk flisni, ka paqe jashtë, kur hesht unë, murmurojnë me pyetje, shtrëngojnë nofullat dhe pyesin për kokëvarjen. Kjo dëgjohet shumë larg. Heshtja juaj gëzon njerëz, heshtja ime dëshpëron, - i thash unë disi duke u ndjerë dhe krenar për epërsinë time. Më dukej se nuk kisha fjetur tre muaj. Përpiqesha të mbaj drejtpeshimin dhe solla kokën për të zhdërvjellë qafën, që më dukej e shtangur.

- Në rregull, - pëshpëriti ai duke shtrënguar nofullat dhe duke më bërë të qartë se nuk kishte nge të vazhdonte me shqyrtimin e paradokseve, se heshtja mund të shkaktojë më shumë telashe, se urdhri i shprehur dhe shoqëruar me hov pushteti, madje në përputhje të plotë me vrullin dhe kokëfortësinë e ligjit dhe të pasionit gjerman për  ta zbatuar.

- Kush qenka vrarë?, - pyeta duke mos qenë i sigurt se kisha dëgjuar mirë.

- Shkrimtari zviceran Noah Rosentreter!

- I plagosur apo i vdekur?

- I vrari është i vdekur, i vdekur tërësisht, jo pak i vdekur,  zoti profesor!,- tha me një nënqeshje.

- Gabim! Ai paska vdekur pak, pjesërisht! Ai nuk vdes kurrë tërësisht sepse është shkrimtar i madh,- shtova unë. Kryekomisari nuk u përgjigj, por bëri disa hapa për t' i hedhur një sy sallonit. Nëpunësit e policisë hapnin e përplasnin kanatet e dollapëve, zbraznin sirtarët dhe valixhen duke hedhur gjësendet, që nga përplasja e tyre në dysheme, prodhonin oshtima të ndryshme: herë cikërrima, herë ushtimë e mbytur, herë përplasje librash. Një komisar u afrua pranë abazhurit dhe fotografoi. Ai nxori nga një çantë dorëzat dhe pasi i veshi, me dy gishta, ngriti lart të brendshmet e vockla të Lizës; të zeza, të qëndisura dhe i lëshoi në një qese najloni të tejdukshëm. Ai u buzëqesh dhe ndoshta mendoi: “Brekë që peshojnë më pak se pesë gram!” Dhe kishte të drejtë, nëse kishte menduar si unë. Liza mbathte krejtësisht të vockla, viteve të fundit herë pas here fare.  Gratë që mbulonin edhe mollaqet me brekë, nuk lumturoja. Ato ishin në gjendje të më shuanin krye-ngritjen sa ora. Komisari me aparat vazhdoi në dhomën tjetër të apartamentit, nga dëgjohej shkrepja dhe bëri dhjetëra fotografi. Disa çaste më vonë, u kthye përsëri në dhomën e fjetjes. Nxora këmishën nga dollapi, që e vetmja ishte akoma varë, mora kollaren nga dyshemeja, e lidha duke u parë në pasqyrën e tryezës për trukim, që gjendej para dritares, vesha mantelin, vura kapelën, vesha brekët, gjersa një komisar dhe kryekomisari, qëndronin të mërrolur si politikanët rus, por tani, me revolet në këllëf. Sapo mbarova, përsërita:

- Unë nuk mund të arrestohem!, - zoti kryekomisar.

- Këtë do t' ju dëshmoj!, - tha ai.

- Këtë harrojeni!, - i pëshpërita ngadalë  dhe vura kapelën e zezë mbi kokë. U nisa për t' i kërkuar këpucët, gjersa dy komisarët më ndiqnin hap pas hapi.

- Këtë do ta përjetoni zoti profesor, këtu kam urdhër – arrestin,  – dhe tundi fletën në ajër me një buzëqeshje cinike derisa ecte drejt meje.

- Dallimet tona janë konkrete, dhe të prekshme, - vazhdoi ai duke ecur pas meje. Ju si shkrimtar, mund të ëndërroni, të krijoni personazhe dhe ngjarje, unë si kryekomisar, zbatoj urdhra dhe ndaloj njerëz konkret, shkurt, kriminelë e delikuentë. Ju fitoni pse sajoni, trilloni ngjarje, unë fitoj sepse pas dëshmimit të veprave,  tërhiqet një njeri i rrezikshëm nga komunikacioni, - përfundoi me një buzëqeshje prej fituesi duke më parë me kokë ca të ngritur pjerrtas, nga lartë.

Romani Ngjyrat e dashurisë mund të porositet te amazon.com
* (Me temë erotike, vetëm për lexues të moshës madhore ) 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat