Urat nuk i ndërtojnë vetëm arkitektët

Libra

Urat nuk i ndërtojnë vetëm arkitektët

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 17 maj 2018 Në ora: 11:57
Ballina e librit me të ri me titullin “Urat e komunikim kulturor” të Ismet Krasniqit

Në recesionin e Muharrem  Blakaj - kushtua librit ma të ri të autorit Ismet Krasniqi – Lala me titullin “Urat e komunikimit kulturor- Kontaktet me diasporën shqiptare në Zvicër- reportazh, kronika, recensione” në mes tjerash thuhet: “Artisti e shpreh komunikimin me botën që e rrethon përmes artit. Arti është real, i dukshëm, i prekshëm dhe i ndjeshëm. Por, nuk do të thotë se arti gjithmonë e shpreh realen. Arti, me butësi e shpreh konkreten, abstrakten, arealen, fantastikën, fantazinë dhe me ngjyra, tinguj e dritëhije të arrira, e shpreh të bukurën. Po ashtu, me të njëjtat tipare, por me vrazhdësi, arti e shpreh edhe vuajtjen, pikëllimin, brengat, dhembjet, të shëmtuarën e krimin.

Prandaj, të flasësh apo të shkruash për artin dhe artistin, brenda shpirtit tuaj – tha në mes tjerash Blakaj duhet rezervuar një grimë art, dhe atë art pastaj, duhet ditur si t’ia shpalosësh sepse, shpirti i artistit është i ndjeshëm, i dhembshur e human. Kur ta kesh në dorë veprën e artistit, do të dukët e lehtë, imagjinare, abstrakte dhe me shumë ngjyra si kaleidoskopi. Aty vepron imagjinata për ti zbërthyer ato ngjyra, derisa ta gjesh frymën e ndjeshme të shpirtit të tij artistik. Në mendje të krijohen ngjyrat, nga ngjyrat imazhet e nga imazhet figurat, të cilat, lëvizin në imagjinatë, në shpirt e zemër duke zbërthyer ndjenjën shpirtërore të artistit, sepse artisti nuk flet për shpirtin e vet, por shpërthen me shpirtin e vet.

Prandaj, në pamundësi për ta marrë në duar të gjithë bagazhin e madh të veprës së artistit të shquar zotit, Ismet Krasniqi poet, shkrimtare, aktor i mirënjohur dhe aktivist i organizimit të aktiviteteve kulturore në botën shqiptare dhe diasporë me librin e tij të fundit,me titull: “Urat e komunikimit kulturor-Kontaktet me diasporën shqiptare në Zvicrës- reportazhe, kronika, recensione që nga lashtësia, njerëzimi, për tu lidhur në mes veti, nga një breg, në bregun tjetër kishin filluar ndërtimin e urave.

Image
Me veprën me të re në duart të Krasniqit në duart e lexuesve

Në fillim, urat ishin ndërtuar të thjeshta e me lëndë druri, derisa më vonë arkitektët ndërtuan ura kolosale duke lidhur me njëri tjetrin fshatra, qytete, principata, shtete e perandori. Por, urat nuk i ndërtojnë vetëm arkitektët. Urat i ndërtojnë edhe artistët duke e lidhur artin e tyre me artin e popujve të tjerë, kulturën e tyre me kulturën e popujve të tjerë. dhe përmes këtij libri, artisti ynë, Krasniqi, ndërtoj një urë arti, jo vetëm që lidhë bashkëpunimin artistik e kulturor me një shtet e popull tjetër, por lidhë bashkëpunimin artistik e kulturor me mërgatën dinamike shqiptare që jeton e kultivon në atë shtet.

Porsa ta hapesh librin, do të ndeshësh me artist e artiste, koreografë, valltarë, instrumentalit, këngëtarë, piktorë, pirografi, aktorë, poetë, shkrimtarë e gazetarë. Gjatë leximit, të bëhet sikur je duke e parë koreografin, piktorin, pirografie, rapsodin e lahutarin duke rrëshqitë nga faqet e librit për t’u ngjitur në skenë, dhe bashkë me grupin, djem e vajza bëhen dasmorë që marrin nuse Shotën me duvak, kaçak e luftëtarë lirie duke zënë pritë, martirë të rënë për liri të mbështjellë me flamurin kuq e zi!

Urat i ndërtojnë  artistët duke e lidhur artin e tyre me artin e popujve të tjerë

Të duket se në murin matanë po lëvizin pikturat me burra plis bardhë, të veshur me tirq e jelek, duke e dhënë kushtrim me këngë maje krahu, duke zënë prita malesh në luftë për liri, zymtësi kreshtash nga pushtimet e huaja, errësirë shpellash që strehojnë pushtuesit, lumenj sykaltër që sjellin lirinë, diell rrezet që rritë rininë, natyrë e blertë pas gjakut të derdhur, të rinj të dashuruar e besë lidhur dhe vaje nënash për djemtë e rënë për liri!

Po nga ato faqe të lëmuara libri, sikur shkëputët zëri i rapsodit. Vjen si jehonë nga kohëra të largëta i shoqëruar me tel lahute për t’u ndeshë në mejdane kreshnikësh. Si jehonë kushtrimi ai zë shndërrohet në tinguj çiftelie duke i sjellë para sysh trimëritë e luftëtarëve të lirisë, gjëmimin e topave, shungullimën e detit, bareshën e bukur dhe fyellin e çobanit. Gjithë këta tinguj së bashku sikur krijojnë harmoni për t’i kënduar trimërisë, burrërisë, dasmës e dashurisë. Zëri i tyre- tha Blakaj  i dalë nga shpirt poetësh, nga mendje shkrimtarësh dhe gojë rapsodësh, shpërthen nder breza duke kaluar male, duke kaptuar shkrepa, duke kaluar lumenj e dete derisa arrin të shungulloj në skenat e Evropës. Dhe befas, kur arrin në faqet e fundit të librit, sytë sikur të errësohen. Nuk bien tupanët. Nuk vallëzojnë çikat. Nuk kërcejnë djemtë. Nuk këndojnë rapsodët. Nuk bie fyelli as nuk këndon bylbyli. Mërgata ka mort. Si nga lashtësia vije zëri vajtues i zanave. Pranvera po çel me vajin e qyqeve të  artisti që kishte ndërtuar urat e bashkimit, Agron Bajrami, kishte ikur në amshim! Artistët nuk vdesin. as urat që ndërtojnë, nuk shemben! Natyrë e blertë pas gjakut të derdhur, të rinj të dashuruar e besë lidhur dhe vaje nënash për djemtë e rënë për liri!

Image
Një grup aktivistesh të organizimit dhe mbajtjes të aktiviteteve kulturore në komunën e Klinës, Kosovë dhe me larg

Kultura është ajo që kapërcen kufijtë dhe pengesat midis gjuhëve, ndasive, bindjeve - duke ndërtuar ura

Në fjalën  e tij kushtua librit  me titullin “Urat  e komunikimit kulturor” -Kontaktet me diasporën shqiptare në Zvicër  autori i  librit  në mes tjerash  tha: “ Kultura është ajo që kapërcen kufijtë dhe pengesat midis gjuhëve, ndasive të ndryshme dhe bindjeve të ndryshme, duke ndërtuar ura. Të ndërtosh urat e komunikimit, me veprimtari kulturore, veprimtari libri e forma të tjera të bashkëpunimit, kjo edhe është përmbajtja e këtij libri, duke u fokusuar në relacionet e këtij bashkëpunimi me diasporën shqiptare në Zvicër, po edhe me miq zviceranë.

Kultura është ajo që ndërton ura komunikimi në mes njerëzve duke filluar nga afër e duke u zgjeruar deri në hapësirat më të largëta të globit tokësor. Shqiptarët i ka rastisë koha që të emigrojnë qysh moti  në shtetet e ndryshme  në Evropë e botë, dikur nga përndjekja e pushteteve në vendin e tyre,  të cilët janë detyruar të punojnë punë të llojllojshme për ta siguruar kafshatën e gojës. Për një kohë relativisht të shkurtë janë integruar në mesin ku jetojnë, shkollohen e punojnë. Nuk dallohen nga vendasit për vlerat kulturore që tregojnë, për gjuhën që e zotërojnë. Tani është gjenerata e tretë që u lind e rritet në Evropë; e në këtë moment konkretisht po flasim për Zvicër: nëse në një shkollë shpallen  dhjetë nxënësit më të mirë, tre deri katër nxënës prej më të mirëve janë shqiptarë. E njëjta gjë ndodh edhe me veprimtaritë tjera, si sporti, arti, kultura a letërsia. Si mos ta ndiesh veten krenar kur sheh aq shumë ansamble të këngëve e valleve në të gjitha qytetet kryesore të Zvicrës, e të përfshirë  prej më të vjetërve, të rinjve e deri te grupet e fëmijëve që vërtet të lënë mbresa e të mahnitin me këngën e vallen e tyre. Nuk mahnitemi vetëm ne që jemi të një gjaku, një gjuhe e kombi, por mahniten edhe vetë zviceranët, të cilët shpesh i gjen në programet e tyre qoftë si shikues, qoftë edhe në pjesëmarres.

E njëjta gjë – tha Krasniqi vlen në art e krijimtari letrare. Edhe më të bukur e bëjnë këtë  lidhjet e fëmijëve me atdheun, me ruajtjen e gjuhës shqipe, krahas asaj gjermane, franceze apo italiane, varësisht në cilin kanton gjinden. Integrim i plotë i popujve pa dallim ngjyre, religjioni apo gjinie e qoftë edhe mendimi. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore pse vendosa ta botoj librin me këto  kronika, recensione e reportazhe. Atdhedashuria këtu i ka rrënjët e thella, se u kultivua atëherë kur u përndoqën shumë veprimtarë të çështjes kombëtare në kohët më të egra të sundimit serbo komunist e më vonë edhe të diktaturës  serbe, kur pësuan keqtrajtime, burgosje deri edhe në likuidime të njerëzve atdhetarë e më vonë edhe me veprime gjenocidi kundër gjithë popullatës. Ata që arritën të vendosen në Zvicër, përpos punës për ekzistencë filluan veprimtarinë e tyre atdhetare deri  në organizim dhe  përkrahjen  e proceseve politike pozitive për Kosovën, me përkrahje financiare, materiale e armatim  edhe madje me pjesëmarrje në Luftën e lavdishme të UÇK-së. Disa prej tyre edhe ranë dëshmorë si Agim Ramadani, Sali Çeku, Agim Bajrami e të tjerë...

Pas lufte edhe më tepër forcohen lidhjet Kosovë – Zvicër. Kjo mundësoi që raportet në mes qytetarëve zviceranë dhe shqiptarëve të jenë edhe më afërta, filloi një bashkëpunim në fushën e veprimtarive kulturo-artistike në Zvicër e pastaj edhe pjesëmarrja e grupeve artistike edhe zvicerane në festivalet e shumta që u organizuan dhe po organizohen në Kosovë, Shqipëri e kudo në trojet shqiptare, ku ka pas bashkëpunime të shumta të aktiviteteve kulturore ne bashkëpunimi me ansamblet kulturo-artistike, grupet letrare te shkrimtareve, poeteve dhe të tjerëve. Të gjitha këto janë ura të ofrimit e  bashkëpunimit  në mes  Kosovës Klinës dhe diasporës shqiptare në Zvicër. Kjo shkon edhe më tej në afirmimin e bashkëpunimit në kulturë në mes Kosovës e Zvicrës. Pra bashkëpunimi në vepër në mes kulturave të ndryshme, janë ato urat që ngrihen nëpërmes komunikimit kulturor. Jemi të vetëdijshëm se asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha gjërat që meritojnë të thuhen në një shkrim apo libër, prandaj edhe kësaj radhe mbesin shumë gjëra pa u thënë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat