Mendime për librin e botuar ”Gjurmë bardhësie”

Libra

Mendime për librin e botuar ”Gjurmë bardhësie”

Besim Perjuci Nga Besim Perjuci Më 11 korrik 2018 Në ora: 12:35
Kopertina

Vepra ”Gjurmë  bardhësie” – monografi për jetën dhe punën, bashkëudhëton me Copëzat e hollësive jetësore, që shigjetohen kujdesshëm e me përmbajtje rrëfimtare, të cilat natyrshëm mbajnë lidhjen kohezive midis tekstit autobiografik dhe saktësisë kohore, botuar kohë më parë në edicion të Shtëpisë botuese “Lenagrafik”, Prishtinë, autor Demë S. Ibraj.

Të panjohurat që dalin nga bota e autorit Demë S. Ibraj, nëpërmjet rrëfimeve sakaq të thjeshta e të kuptueshme, me nuanca autobiografike që, kohën dhe ngjarjet do t’i lëvizë nga e shkuara e tij evokuese, natyrshëm do t’i nxjerrë nga thesari i kujtesës për t’i artikuluar si të përjetuara në perioda të ndryshme kohore, duke e qartësuar motivacionin dhe qëllimin e derivuar si storie të jetës së autorit, ligjëruar në formën e rrëfimeve mimetike me gjithë semantikën e saj, e për të vënë kontakt me lexuesin vetëm atëherë nëse lexuesi i përjeton si të tilla. Prandaj, si i tillë, ky shkrim ka për modus prozën që preferon formën narrative të rrëfimit autobiografik.

Dashuria e paprekshme ndaj prindërve dhe kujdesi i madh i vajzës Lana/Iliriana/ me letrën drejtuar babait/autorit/, në të cilën shkruante:”Babi, shpresoj që Viti i Ri të të sjellë shumë shëndet dhe harmoni me gjithë ne. Uroj që shpejt të kem në dorë një libër tëndin autobiografik… Me shumë dashuri, Lana”. Me këtë edhe do të hapen faqet e para të librit dhe kjo letër do të bëhet shtysë e pashmangshme dhe moment vendimtar që, autori Ibraj t’i çaset me përkushtim kërkesës-dëshirë të së bijes, për t’i hyrë me vetëdije një pune kaq serioze e të mundimshme duke i ngacmuar kështu neuronet e kujtesës së largët, mbi gjenezën historike familjare të fisit Krasniqe e njohur për bëmat historike, kanunore e trashëgimtare ndër shekuj, dhe për të vazhduar mëpastaj për jetën dhe punën, gjithnjë në kuptim të një monografie autobiografike.

Gjurmues i viteve të heshtura në rigjetjen e hollësive jetësore

Në udhën e nisur të jetës, harresa nuk mund të fshihet. Mendim ky, që do të bëhet lajmotiv i rrëfimit të autorit Demë S.Ibraj, në librin me titull “Gjurmë bardhësie”, titull, poashtu sa simbolik aq dhe domëthënës, gjithnjë në funksion të ligjërimit të përjetuar me identitet të ekuilibruar me logjikën e rrjedhave reale të ngjajeve, që do të rrinë përjetë të menduara në hambarin e kujtesës së autorit

Dhe, kur sintagma e figuratizuar”Gjurmë bardhësie”, të zbërthehet vëmendshëm e me artikulim mendimi të drejtë, do të kuptojmë të vërtetën e saj, të cilën edhe vetë autori përpiqet, përgjatë gjithë tekstit, ta shtjellojë me prezantim domëthënien e kësaj simbolike. Me fjalë tjera, janë shenja letrare/semiotike/të jetës së përjetuar që nuk mund të zhduken e zbehen, shenja të dukshme të një të kaluare të heshtur e që ndjellin bardhësi, liri mendimi, dashuri për njerëzit, për vendin e lindjes, për gjithçka që buron si diçka me rëndësi nga shpirti i autorit, nga historia e ditëve të hershme të jetës së tij, e cila përmbrenda me krejt kthjelltësinë e mendjes do të skalitë shpresat në shtegun e të sotmës për një të ardhme të bardhë, të bukur e të ëndërruar.

Vrapi i autorit Ibraj për ta gjurmuar të kaluarën më të hershme, por dhe atë në vijim, është i pashmangshëm, ndonëse përpjekjet e tij herë në veten e parë e herë në veten e dytë dhe të tretë, bën që narracioni të reflek-tojë diversitetin e ngjarjeve në kohë dhe hapësirë edhe të personazheve nga rrethi i ngushtë familjar apo më i gjerë fisnor, pa ndonjë seleksionim e kronologji të caktuar, ku dokumentariteti për jetën e tyre shpërfaqet përmes mini-rrëfimeve në tri shkallë të bios-it: persona - familje – fis, ndërkaq lidhja e tyre bëhet nëpërmjet diskursit autoreferencial. Kjo shpeshherë merr premisa të altegrafisë dhe të sociografisë si autobigrafi e zgjeruar në horizontale.

Kujtesa në rigjetjen e momenteve kyçe, më fuqi mendimi e përpjekjesh të natyrshme, për ta shpalos atë që quhet botë fëmijërore dhe atë të mëvonshme djaloshare, përbën diçka që përputhet me perceptimet e autorit, të cilën nuk mund ta përfytyronte të ngadalsuar apo të kapur nga harresa për mungesë të fjalëve. Prandaj, bota reale e autorit, e ruajtur në hambarin e kujtesës, do të ndiqet nga një forcë e brendshme shpirtërore me shpërthim imazhesh të biografemave në tërë tekstin autobiografik.

Përqendrimi i palëkundur i autorit Ibraj, si produkt i kohës, në shkëputjen dhe renditjen e ngjarjeve epizodike, në dinamikën e narracionit brenda nivelit të kujtesës, pastaj strukturimi dhe sistemimi i materialit i fiksuar në mendje për shumë kohë, thjeshtë dëshmojnë praninë e një lëvruesi të kohës që kapin gjurmë mbresash e detaje nga vorbulla e jetës, të pohuara qoftë nga familjarët apo far’e fisi, qoftë edhe nga bashkëmoshatarët e autorit Ibraj.    

Autori vlerëson lartë memoristikën dhe fuqinë e saj, prandaj me shumë kujdes e ndërton tekstin si rrjedhojë e kujtesës kur bëhet fjalë për traditat shqiptare, duke pasqyruar lidhjen midis dy kohëve; të tashmës dhe të kaluarës, plot nostalgji. Ai shkruan:”…tradita zakonore e trashëguar brez pas brezi respektohej nga ne të rinjtë. Në një familje të madhe, siç ishte kjo jona, patjetër përfilleshin fjala dhe urdhërat e kryeplakut, jo në kuptim të diktatit autoritar, por për shkak të respektit dhe autoritetit që gëzonte në familje. I njëjtë dhe i barabartë për të gjithë. Kjo e mbante gjallë familjen tonë shumëanëtarëshe. Kurse rendin dhe qetësinë familjare e ndanin dada Ajshe dhe nëna Zojë, si më të mplakurat. Ishte kënaqësi kur tuboheshim rreth sofrës së madhe dhe kur heshtjen e shurdhët të buzëmbrëmjes e prishte përplasja dhe rrapllima e lugëve mbi tepsinë apo sahanin me gjellë të shijshme, thotë autori Ibraj”.

 Ideja për të shkruar duke /ri/kujtuar shumçka nga e kaluara, qoftë edhe përmes ditarit të ruajtur apo letrave të ndryshme, autori në mënyrë deklara-tive e vetëdëshmon pikëpamjen e tij se, koha aq natyrshëm ia servon mendimet, që nisen nga temat dhe motivet e llojllojshme referenciale si dhe nga shpërthimi i ideologemave që kanë për burim të brendshmën/botën/e tij, pa marrë parasysh rrethanat në të cilat do të shfaqen si shkrim autobiografik apo pjesë të sintetizuara të biografemave të modeluara qoftë si monologema, për ta funkcionalizuar si tërësi dokumentare, me shpjegime e komente të nevojshme për lexuesin, si audiencën e tij më të besueshme.   

 Natyra e mrekullueshme e bjeshkëve të Sejnovës, flora dhe fauna e pasur, ajri me oksigjen të bollshëm, uji kristalin i Gurrës së Madhe, rrezet e pingulta të diellit të jetës, kullosat me barë shumë e bagëti të shëndoshë, argëtimi i çdoditshëm me lojëra të ndryshme fëmijërore e sportive, shakatë gazmore, lëndimet e shpeshta pa ndonjë rrezik për jetën, por edhe koha e leximit të ndonjë libri nën dritën e zbehtë të fenerit, që rri varrur në trarin plak të kasollës, pastaj pushimi i natës mbi postaçia ogiçesh, tregimi i përrallave për të bukurën e dheut, për kreshnikët ; Mujën e Hahilin dhe 30 agallarët e Judbinës, për njerëz të mirë e bamirës për shtojëzovallet, për dragonjë e kuçedra me nëntë krerë, për djallin dhe shtegun e humbur prej tij, për ujkun dhëmbëprehtë që ua sulmonte bagëtinë etj.etj., Të gjitha këto autorit do rrinë të gjalla, si pjesë e rrites dhe e jetës baritore në stanishta e t’bane të kafshuara qëmoti nga koha, të cilat autori Ibraj përpiqet t’i rrëfej në veten e parë.  

Duke marrë përsipër përgjegjësinë e rrëfimtarit, si dëshmi reale e shpjegimit të veprimeve kohezive të personazheve, të cilat, pa dyshim do të bëhen pjesë e pandarë e autobiografemave që plotësojnë këndshëm jetën, punën dhe veprimtarinë e autorit nëpër distanca kohore, si dhe ndodhitë epizodike hapësirave të pafundme të nënqiellit tonë, do ta shëndetësojnë ate për të qëndruar e mbetur faktori kryesor i narrativës autobiografike.

Përmes evokimit të ngjarjeve dhe kujtimeve për figurat dhe  individet me peshë, që asessi s’mund të harrohen, autori do ta rikthej historinë e ditëve të perënduara për t’i promovuar me sjellje e kulturë intelektuali, duke shtegtuar kah horizonte të reja mendimi e veprimi me jehonë frymëzimi për ta ndërtuar të sotmën e fuqishme dhe të nesërmën e panjohur. Ai do ta përjetësoi Bac Isufin përmes narratives shpirtërore, si në vijim: “I binte fyellit mjaft bukur, por edhe këndonte këngë për trimërinë e burrave të hershëm, për kreshnikët e vendit, për heroizmat e tyre brenda hodutit, për kohët e moçme përplotë krenari, kurse Plisi i bardhë i rrinte si borë bjeshke në krye dhe ia mrekullonte fund e krye jetën”.

 Historitë e përmbledhura në librin “Gjurmë bardhësie” dalin si biografema që shpalosin gjendje epizodike në aspektin psikologjik të personazheve që marrin pjesë, me rikthim të kujtimeve, si fakte të argumentuara, do të përbëjnë informacionin objektiv të artikuluar me dëshmi të autorit me zhvendosje situative tek personazhet e tjerë.

Po si na del e vërteta e autorit në këtë vepër, ku për trajtesë ka të dikurshmën, e cila pandërprerë i endet nëpër kujtesë, dhe duke e shpalos ate, e saktëson deri në nivelin e besueshmërisë. Kjo pyetje retorike i shpërfaqet autorit Ibraj, jo vetëm sa për ta shenuar apo sa për t’ia ofruar lexuesit në formën më epizodike, që do t’i bëhen autobiografema, e që, për tendencë ka rrëfimin objektiv të ngjarjeve me motive nga koha e fëmijërisë. Ai me urtësi mëton edhe në veten e tretë: “Bota femërore dhe fëmijët ishin më të kursyerit në punët e rënda dhe në përgjegjësi, jo vetëm në bjeshkë por edhe në punët e tjera; në bujqësi /në mbjelljen dhe korrjen e bereqeteve/, në shtëpi e gjetiu”, dhe për t’i kapë fuqishëm e me seriozitet biografemat e një moshe me rezidente, më të pjekur e më të sinqertë, ku intima herë shpërfaqet si e fshehur diku dhe prêt të zbulohet nga narratori, herë si një kronikë e përqendruar në karakterin përkujtues që rikonfirmon identitetin e personazhit-autorit dhe veprimtarinë jetësore me tërë diskursin e mendimit të zbrazur.

Narrativa emocionale dhe psikologjike e veprës

Momentet psikologjike gjatë narracionit rrëfimtar nuk janë të rastësishme/asgjë s’është e rastit, thuhet/; ato paraqiten kudo nëpërmjet niveleve të ndryshme dalluese që paralajmërojnë se autori, përveç shprehjes emocionale dhe çasteve të dhimbshme që, në instanca të ndryshme traumatizojnë dhe lëkundin indin narrativë të subjektit apo të objekteve të paraqitura. Streset, ëndrrat dhe ëndërrimet kanë notën e vet psikike që ia lëndëzojnë dhe trazojnë mendimin përmes metaforizimit të gjykimit të autorit, qoftë si i saktë dhe i vërtetë apo i pasaktë dhe i pavërtetë. Objektiviteti është i subjektivizuar aq sa subjekti mban përgjegjësi të objektivitetit rrëfimtar.

Megjithatë, e veçanta e këtij shkrimi qendron në atë që, autori nuk posedon status të një shkrimtari, poeti, eseisti apo prozatori të mirëfilltë, ngaqë për nga profesioni është i profilizuar krejtësisht në diçka tjetër. Por aftësitë referente të botës së tij shpirtërore, që do të shpërthejnë si vullkan edhe përtej mundësive të tij si personazh jashtë kësaj fushe krijuese, gjithnjë i sfiduar në kuptim të paraqitjes narratorit me rrëfime herë të gjata e herë epizodike në formë kujtimesh apo ditari të mbajtur e të ruajtur diku në thellësi të qenies së vet, pa dyshim kanë krijuar një si bazë burimore për t’i dhënë kështu, ngjyrë jete kësaj krijese autobigrafike.              

Autorit Ibraj, për të rigjetur saktësinë e ngjarjeve për një rrëfim sa më real, i duhen edhe bisedat me bashkëmoshatarët dhe bashkëkohanikët e tij, ku autori dhe subjekti  i tij dalin të njëjtshëm, por me disa dallime të theksuara që, tek lexuesi ngjallin ndjenjen e një realiteti subjektiv me besueshmëri herë fragmentare herë të qëlluar përfundimisht.

Kontributi në fushën e kulturës dhe kulturës sportive, si përcaktim i rrugëtimit të tij

Nga aspekti i aftësive psikomotorike rol të madh në jetën e autorit kanë pasur ushtrimet fizike-trupore; vrapimet/atletikë/, gjimnastika dhe aktivitetet e tjera psiko-fizike, si rrëfim brenda rrëfimit, duke e artikuluar përvojën dhe mendimin inventiv të një njeriu të zellshëm që, për synim ka shtegun aspirativ me dëshmi përpjekjesh permanente për t’i shndërruar në fjalë e vepra, siç është tashmë kjo monografi e përmbledhur në një krijesë autobiografike.

Në këtë vijimësi të ngjarjeve, autori Ibraj, vëmendje të veçantë do t’i kushtojë metodologjisë së punës dhe metodikës shkollore sportive me bazë shkencore. Prandaj për autorin kanë rëndësi të madhe diplomat, mirënjohjet, lëvdata kolektive e individuale, shpërblimet, shkrimet nëpër gazeta për vete dhe për nxënësit, mbi bazë të cilave do ta ndërton mendimin e besueshmërisë ndaj vetvetes dhe të tjerëve përreth tij. Se të gjitha këto lidhen me kontributin e tij, do të shihen vetëm kur libri të lexohet.

Dialogu me anëtarët e familjes, por edhe me ata të kolektivit ku punoi, gjatë kohës së luftës, kur e keqja e madhe gati sa nuk ua kishte vrarë ëndrrat e jetës, ishin të çdoditshme, rrënqethëse, të gjata e të pambarim. Por falë idealit të lartë për paqe e liri, me kurajo e guximshëm do të bëhen të përballueshme. Autori me paramendim zgjedh kohën dhe vendin për ta ndriçaur mendimin e vet, në mënyrë të përmbledhur e me besueshmëri të plotë, pa qenë indiferent ndaj bisedave më të imëta.               

  Qëndrimi i paluhatshëm i autorit, në kohën e diferencimeve të mëdha politike, kur skandalet dhe traumat do të bëhen të përditshme nga regjimi paranoik serbosllavë, autori Ibraj, së bashku me kolegët e tij shqiptarë pa hamendje e me nivelin e guximit intelektual të atdhetaristit të devotshëm, do të shpërthejë me indinjatë të thellë kundër dënoncimeve dhe dëbimeve nga puna. I ngritur në këmbë, plot mllef, do të reagoi zëshëm: “Nuk i frikësohem as largimit nga puna, as burgosjes dhe se edhe rrënjë bagremi ha dhe asnjë fjalë nuk do e them të keqe për kolektivin tim. Nëse largohet dikush nga puna, largohem unë i pari”. Ky rrëfim do të shpaloset si një kaptinë e veçantë e autobiografisë së autorit, i cili veten e vendos në qendër të tregimit ku rreth tij sillen biografemat e përzgjedhura, për t’i lënë hapësirë të tjerëve, për hir të ecurisë kronologjike të ngjarjeve, duke përfshirë një numër të madh kolegësh të cilët u ballafaquan rreptas me padrejtësitë dhe katrahurat e kohës. Meritat nuk do t’i mbajë vetëm për vete, por proporcionalisht do t’i shpërndajë me të tjerët. Egocentrizmin shpirtëror e kishte të huaj, thotë autori.

Strukturalisht libri ka një shtrirje formatike prej dhjetë titujve që, herë-herë duken si tregime brenda tregimeve, të konfiguruara me një dozë kujtese nga vetë autori dhe nga një plejadë e tërë personazhesh që drejtpërdrejti marrin pjesë në rrëfimin dhe minirrëfimin e ngjarjeve të përshkruara në mënyrë retrospektive.

Gjuha e shkruar është gjuhë e përditësisë, e popullit, e jetësuar me një terminologji të lehtë dhe të kapshme për veshin e lexuesit, me një fjalor të zakonshëm e me emërtime sendesh tipike vendore, gati të harruara, por që autori këto terma i /ri/gjallëron duke u dhënë ngjyrë affirmative pa ia zbehë vlerat tekstit autobiografik, si bie fjala: baçica, maxhetorja, qarraniku, kalavica, sahani, janxhiku, mendili, kalikoz, krimbas, gurapeshë/terma sportive/ etj.,etj. Prandaj, edhe gjuha e përdorur natyrshëm do të identifikohet me ambientin dhe kulturën autentike të autorit, ku ka jetuar e vepruar si fëmijë madje edhe si i moshuar.     

Vlen të përmendet se në disa raste tekstin e ngarkojnë përsëritjet e shumta të fakteve dhe ngjarjeve për shkak të vokabularit/leksikut/ dhe stlit të kufizuar, të përdorur çdoditë e në nivel të jetës individuale të autorit dhe të personazheve të tjerë.

Libri “cbardhësie”, pa dyshim i takon zhanrit autobiografik dhe ka formën e një monografie me elemente të theksuara nëpër vite e dekada të caktuara kohore. Thënë shkurt, libri është produkt mendimesh të artikuluara, si dëshmi e një imagjinate që pasqyron fijet e jetës së tij, ëndrrat e sfilitura nëpër shtigje të panjohura të botës fëmijërore e të mëvonshme, gjithsesi të papërfunduara, të njeriut dhe intelektualit të kohës, Demë S.Ibraj. Në këtë kontekst, libri meriton të lexohet vëmendshëm e me interes të veçantë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat