Doli nga shtypi libri filozofi politike “Etikë dhe Politikë” i autorit Bujar Plloshtani

Libra

Doli nga shtypi libri filozofi politike “Etikë dhe Politikë” i autorit Bujar Plloshtani

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 21:52
Bujar Plloshtani

“Etikë dhe Politikë” është libër që plotëson një boshllëk në fushën e filozofisë dhe politikës, sidomos në teoritë e ekzistencializmit, analizës psikoanalitike dhe teorisë së konceptimit të njeriut. Nëpërmjet qasjeve dhe koncepteve origjinale ai ka trajtuar pikëpamjet e objektivit që studiohen nga fushat e filozofisë dhe politikës. Ky libër filozofiko-shkencor trajton tema që janë tepër praktike dhe funksionale, që i përshtaten kohës moderne dhe shteteve përkatëse të Ballkanit.

“Kjo materie është përafërsisht një reflektim i filozofisë politike, e cila trajton problematika të ndryshme filozofike dhe politike. Ngjarjet e shumta filozofike dhe politike që e karakterizojnë botën sot si kryefjalë kanë diskutimet e shumta, për të arritur modelin e një shteti me qeverisje të mirëfilltë të vlerave demokratike, zbatimin dhe shtrirjen e sundimit të së drejtës në mbarë territorin shtetëror dhe demokracinë, si formë më e mirë e kontrollit të pushtetit”, shprehet në parathënien e tij, autori Bujar Plloshtani.

Bujar Plloshtani, është poet dhe eseist, lindur më 18 dhjetor 1983 në qytetin e Tetovës. Ka kryer studimet për Drejtësi në Universitetin e Evropës Juglindore. Ka punuar në Organizatën SAATCHI, sektori i intervistave, në Shkup. Në Tetor 2007, themelon Shoqatën e artistëve “Pushkin” dhe zgjedhet kryetar i saj.

Në cilësinë e anëtarit të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë merr pjesë në Ekspozitën e Friedrich Schiler. (Jeta dhe Vepra në kohë e shkrimtarit gjerman). Më 2010, emërohet anëtar i Shoqatës së Poetëve të Japonisë. Është Anëtar i Dhomës së Festivalit të poezisë “Ura Poetike AMA-HASHI”, Kyoto, Japoni. 

“Duet of Azure” është libri ku poezitë e tij janë përkthyer në gjuhën angleze dhe japoneze nga JUNPA Books, Japoni. Është fitues i Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2016” - Edicioni II

Çmimi i Parë i Jurisë për esenë “Mbi ekzistencializmin”. Ka marrë pjesë në Festivale Letrare në shkallë vendi dhe jashtë. Redaktor në Agjencinë e lajmeve “Klosi News”.

Botimet:

“Nga regjia e shpirtit” - poezi (2007);

“Traktati mbi arsyen e mendimit” - letra filozofike (2009);

“Mbi arsyen e fjalës” - poezi (2010).

“Etikë dhe Politikë” - filozofi politike (2018)

“Duet of Azure” – poezi e përkthyer (2018)

Intervista me Shkrimtarin Bujar Plloshtani

Bisedoi: Ermira Babamusta

Cili është libri juaj më i ri dhe kur e keni botuar?

Bujar Plloshtani: Libri më i ri që është botuar këtë vit mban titullin “Etikë dhe Politikë”, dhe ndërkohë ky botim vjen nga kolana e filozofisë politike.

Për çfarë bën fjalë libri?

Bujar Plloshtani: Materia në fjalë është përafërsisht një reflektim i filozofisë politike, e cila trajton problematika të ndryshme filozofike dhe politike. Ngjarjet e shumta filozofike dhe politike që e karakterizojnë botën sot si kryefjalë kanë diskutimet e shumta, për të arritur modelin e një shteti me qeverisje të mirëfilltë të vlerave demokratike, zbatimin dhe shtrirjen e sundimit të së drejtës në mbarë territorin shtetëror dhe demokracinë, si formë më e mirë e kontrollit të pushtetit. Përpjekjet e tilla kanë për synim një qeverisje dhe bashkëpunim më të mirëfilltë të institucioneve që rregullojnë në veçanti të gjitha aspektet shoqërore e politike me elementet substanciale që bart shteti i së drejtës.

Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?

Bujar Plloshtani: Është paraqitur ideja për përgatitjen e një lideri ideal për të qeverisur me pushtetin, dhe ndërkohë është vënë në dukje paraqitja dhe roli i politikanit të rastit në vendimmarrjen e politikave në veçanti. Sidomos, edhe çështjet etike siç janë: e mira, e keqja, e lejueshmja, e palejueshmja, e drejta, e padrejta, e vërteta, e pavërteta janë çështje morale që janë bërë lëndë e diskutimit në këtë materie.

Çfarë strukture ka libri?

Bujar Plloshtani: Libri është ndarë gjithsej në katër kapituj, dhe trajton tema të ndryshme nga filozofia, politika dhe shkrime tjera sociale. Kreu i parë i titulluar «Çështje esenciale mbi mendimin filozofik», janë trajtuar çështje të ndryshme që lidhen me filozofinë politike dhe me mendimin filozofik në përgjithësi. Sidomos janë trajtuar esetë mbi etikën, shtetin, botën dhe artikuj tjerë që lidhen me filozofinë.

Kreu i dytë i titulluar «Në përgjithësi mbi mendimin politik», janë trajtuar çështje të ndryshme që lidhen me politikën dhe qeverisjen e shtetit demokratik. Ese mbi nocionin e politikës dhe mbi kuptimin e demokracisë.

Kreu i tretë i titulluar «Përsiatje mbi disa çështje politike», kryesisht janë trajtuar çështje që lidhen me proceset aktuale politike në vendet e rajonit. Kreu u katërt i titulluar «Disa vlera kushtetuese, politike dhe sociale», janë trajtuar çështje që lidhen me të drejtat dhe liritë e njeriut, nocionin e lirisë, zgjedhjet e lira dhe një shqyrtim i shkurtër mbi nocionin e shoqërisë civile.

Çfarë e ka frymëzuar këtë zhanër të librit?

Bujar Plloshtani: Nëse mund ta përkufizojmë shkurt, filozofia politike merret me studimin e qeverisjes dhe marrëdhënieve mes individëve dhe bashkësive me shtetin. Si duket, filozofia politike nuk është lëvruar në masë të gjerë, dhe me vullnet të lirë iu përkushtova kësaj materie të cilën e konsideroj si nevojë të kohës. Të paktën besoj se kjo materie sadopak do të zgjojë interes për lexuesit.

Cilin libër do të veçonit nga veprimtaria juaj?

Bujar Plloshtani: Nëse do të duhej ta veçoja një libër nga veprimtaria ime është pa mëdyshje «Etikë dhe Politikë». Duhet të jetë kaq e vështirë ta veçosh një libër nga veprimtaria, sepse çdo libër konsiderohet për kohën e vet si një pjesë e pandashme dhe unike. Prandaj, mendoj se çdo libër cilësor duhet të jetë i denjë për çfarëdo kohe.

Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?

Bujar Plloshtani: Duhet të jetë mjaft e vështirë të veçosh një libër ose një autor, pasi ka aq shumë libra ose autorë që më tërheqin, saqë s’heq dot një paralele të tillë mes librash ose autorësh. Megjithëse, guxoj të përmend disa edhe atë: «I huaji» i shkrimtarit dhe filozofit francez Alber Kamy, pastaj «Ekzistencializmi është humanizëm» i shkrimtarit dhe filozofit francez Jean-Paul Sartre. Edhe libri «Metafizika e dashurisë» e filozofit gjerman Arthur Schopenhauer. Nuk mund të lësh pa e përmendur dhe «Procesin» e Franz Kafkës, pastaj Pushkinin, Keatsin, Akhmatovën e me radhë. Me një fjalë, më kanë lënë mbresa për mënyrën koncize të të shkruarit dhe sidomos për mendimet brilante që kanë lënë në veprat e tyre.

Çfarë temash ju interesojnë të trajtoni në shkrimet tuaja?

Bujar Plloshtani: Te poezia përpiqem ta kthej botën shpirtërore në një ndikim të domosdoshëm me botrat e ndryshme shpirtërore. Nuk mund ta fsheh dot nën buzë motivin social dhe filozofik. Ndërsa te eseu përpiqem të pasqyroj një mendim a ide për të cilën mund të konstatohet një realitetit a gjykim kritik mbi çështje të ndryshme shoqërore, letrare dhe politike. Temat kryesisht filozofike më interesojnë, pasi trajtimet e tilla i shoh si kontrabandë mendore, dhe kështu mendoj se e bëjnë më interesant dhe më të besueshëm librin.

Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot?

Bujar Plloshtani: Letërsia si art i fjalës është tërësia e domosdoshme e nevojës ideo-estetike e prirur të shërbejë në çdo kohë, dhe si e tillë mundëson ta njohësh ekzistencën e njeriut, konceptin e botës dhe veten si. Letërsia që krijohet sot në mbarë botën është duke u vlerësuar në udhën e duhur. Mirëpo, nëse futemi në thelbin e kritikës, shpesh mund të lexojmë dhe libra që nuk përmbushin kriteret më elementare letrare dhe artistike. Letërsia si e tillë është shkencë që përpiqet të hapërojë në udhë të cilësuara, duke vënë në dukje realitetin shoqëror përmes figurave letrare, dhe vetëm kështu, si e tillë ajo mundëson në njohjen e jetës së njeriut dhe të botës.  

Si ka ndryshuar stili i shkrimit tuaj gjatë viteve?

Bujar Plloshtani: Për shkrimtarin me rëndësi duhet të jetë stili dhe autenticiteti i mendimit që shpaloset brenda procesit krijues. Sipas meje, trajektorja e shkrimeve ka nisur me poezinë dhe habitshëm ka rrugëtuar deri te eseu. Stili mund të kuptohet si veçantia e autorit në një vepër letrare, që duhet kujdesur të shmangë gjuhën e zakonshme. Kur flasim për stilin, këtu e kam parasysh pothuaj stilin që është i ngjashëm me pikëpamjet e mia individuale, duke u përpjekur të ruaj shprehësinë emocionale dhe gjuhën e zakonshme. Kur jemi te pikëpamjet, them mbase kanë ndryshuar në mënyrë të njëtrajtshme. Stili, i cili të ndërlikuarën arrinë ta bëjë mjeshtërisht të kuptueshme për masën, atëherë një vepër do të përmbushte prej vërteti pritshmëritë.

Çfarë e bën të suksesshëm një shkrimtar?

Bujar Plloshtani: Shkrimtari është një sistem kompleks, që vështirë se zbërthehet. Për mua suksesi lidhet me punën në vazhdimësi. Ndërsa puna në vazhdimësi mund ta nxjerrë në dritë një vepër të suksesshme. Një shkrimtar të suksesshëm e bën puna konstante individuale. Kjo është esenca themelore, ndryshe udhë të ndërmjetme nuk ka. Një shkrimtar të suksesshëm e bën vepra që i përmbush pritshmëritë e një procesi krijues, që bazohet në vlerat e mirëfillta qofshin ato letrare ose filozofike.

Image
Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat