Zonat e përjetimit mes njerëzores dhe hyjnores

Libra

Zonat e përjetimit mes njerëzores dhe hyjnores

Prend Buzhala Nga Prend Buzhala Më 18 korrik 2018 Në ora: 22:36
Kopertina e librit

Se baza e fantastikes mbështetet në rrënjët e realitetit, këtë e shqipton romani “Dimri i shekullit” i Angjelina Marku. Kështu, romani nis me disa kapituj që rrëfejnë të kaluarën e dhimbshme të familjes së Melit (humbjet e jetëve në një fatkeqësi natyrore, sikundër ishte një dimër i madh i vitit 1939, kur nisi Lufta e Dytë Botërore). Është një rrëfim elegjiak i gjyshes për të dashurit e humbur: “Por, kur ne e thamë lutjen e fundit, Zoti kishte fjetur e për fatin tonë të keq nuk na kishte dëgjuar” që vjen si një akuzë romanore e fatkeqësisë dhe tragjedisë. A mund të përsëritet ajo, si një mallkim, te brezat e rinj? Si kapërcehet ky “mallkim” për të mos u rritur fëmijët pa prindër?!

1. Kapërcyelli letrar: nga realja te fantastika

Në kapitullin e pesë jepet një nyje tjetër kompozicionale, ku  autorja e përgatit lexuesin, nëpërmes një tjetër fatkeqësie (të rrëshqitjes së tramvajit me njerëz në një terren të rrezikshëm).

Në kornizën strukturore vendosen ambientet e Vjenës, personazhet, sipas emrave, janë austriakë, po ashtu edhe evokimi i një dimri të shekullit, vendoset po aty.

“ - Kam lexuar në gazetë se ky është dimri i shekullit! ... . Fjala dimri i shekullit i tingëlloi ashpër. Nuk i erdhi mirë. E shtrëngoi fort çantën ngjyrë kafe dhe u fut nën jakën e palltos që i rrinte për bukuri. Zonja plakë kishte dëgjuar nga gjyshja historinë e dimrit të shekullit.”

Pra, “historia” (strukturoa fabulore), ndodh në disa breza, dhe rrëfimet ndërkëmbehen në këto plane kohore. Në fakt, që në kapitullin e parë autorja përzgjedh segmentin psiko-narrativ për të hapur shtegun e kapërcimit të niveleve të rrëfimit:

“- Çfarë po ndodh me mua? Është halucinacion!?, - e përsëriti dy-tri herë. Të kem frikë nga diçkaqë është e punuar nga dora e njeriut është vërtet qesharake.”

Frika, halucinacioni... që nxiten nga një përmendore dhe tutje vijnë togjet tjera të përshkrimit të tillë, të një bote përtej reales. Porse Meli ka dëgjuar rrëfimet e frikshme të gjyshes dhe këtu e ka edhe mbështetjen lindja e një traume, e cila shndërrohet në energji të kapërcimit të së keqes.

Tashmë arketipi i tragjedisë së borës, shfaqet në një tjetër përmasë, përtej fobisë traumatike të personazhes:

“Që dheu hapej e tramvaji shkonte poshtë e më poshtë e vërenin vetëm plaka dhe Ela. Vrima e madhe që ishte hapur para tyre i kujtoi Eles gropën e krijuar në Guatemala. Ajo këtë fenomen e kishte parë para sa viteve në një kanal televiziv ku thuhej se hendeqet e tilla të dërgojnë në ferr.

Të dy gratë e kuptuan se po shkonin drejt ferrit. Ato i shihnin shtresat e dheut dhe shkëmbinjtë që ndaheshin në dysh e me shpejtësi rrufeje e lenin kupën e qiellit plot borë.”

Tashmë, nga ky çast, shfaqet një tjetër botë, mbase e personazhit në “vdekje klinike apo në një përmasë tjetër që arrin ta zbërthejë vetëm arti, për ta krijuar besueshmërinë e rrëfimit:

“O Zot, sa shumë njerëz paska këtu! Sa të frikshme e të tmerrshme qenkan rrugët e ferrit. Gjithçka qenka e papërshkrueshme. Këtë gjë nuk mund ta shpjegoj asnjë profet, filozof, shkencëtar, shkrimtar, kinematograf ose edhe nga ata njerëz që kanë pasur vdekje klinike, as unë vet që po shoh me sytë e mi.- fliste...”

Kapërcimi i niveleve të rrëfimit, bëhet nëpërmes  gërshetimit të reales me fantastiken e rrëfimin e përrallshëm, fantastik (“Trupi i të mallkuarit, tri herë më i madh se trupi i saj, qëndronte i shtrirë në arin e gjithë botës dhe mbante tri koka të frikshme me gjashtë duar të zgjatura si duar kuçedrash që mezi duroheshin pa shqyer dikë.”). Tashmë rrëfimi, përshkrimi dhe situatat romanore shfaqen nëpërmes filtrit narrativ të fantastikes, rrëfimit përrallor, një gërshetim i natyrshëm mes fiksionit fantastik, përrallës, botës së ndërdijshme të personazheve, spiritualitetit dhe konfliktit. Gjithçka tashmë nis me betejat e ashpra midis forcave që personifikojnë të mirën dhe të atyre që personifikojnë të keqen. Betejat e përjetimet parakalojnë si nëpër filmat e horrit fantastik: ka emërtime metaforike personazhesh e figurash letrare, betejash e situatash jetësore ekzistenciale të simbolizuara me përshkrime të tilla metaforike.

Duket sikur autorja nuk dëshiron të vërë kufij midis këtyre botëve. Fantastikes nuk i vihen kufij, kurse kufizimet e realitetit shtrihen gjithandej në të dytën, për të komunikuar të vërtetat njënjëshme (“- Kisha është e mbushur përplot me njerëz lakuriq,” ose“Sytë e mi vrasin, - tha vajza flokëshprishur, - e di ti këtë?” ose “- Po, janë shkatërrues. Unë jam e keqja e vetvetes, por jo e jotja. Jo e të mirëve.”). Nortrop Fraj (Northrop Frye), teoricien dhe kritik letrar i kohëve moderne, duke ligjëruar për këto çështje, imagjinatës ia jep vendin parësor në letërsi. Është thënë shpesh: nuk letërsi pa imagjinatë. Prandaj arketipat letrare që i përkufizon Frye, i saktëson tek mitet, tek trashëgimia ritualeve dhe përrallave. Letërsia nuk bën asgjë tjetër, përpos që i përpunon këto përvoja kolektive të arketipave. Dhe këto strukturime të tilla, edhe në romanin e Angjelinës, i japin forcën dhe energjinë komunikuese.

Personazhet e kësaj vepre, kryesisht, janë të botës femërore dhe bota e ndërliqshme e këtyre qenieve, e preokupon autoren (“-‘Zemra e gruas e pushton botën, por zemra e nënës e pushton edhe Zotin.’’). Është botë më e mishme, më ëndërrimtare, prandaj ai aspirojnë të çuditshmen. Ja si gërshetohen këto dy realitete:

“Meli kurrë nuk e harroi të kaluarën e saj… Edhe atë mbrëmje e futi kokën thellë nën mbulesën e çudirave, e ngriti jorganin lart dhe kur deshi t’i tregonte gjyshes se çfarë po shihte, plaka papritur nisi rrëfimin e dhimbshëm”

E çuditshmja, fobitë, halucinacionet, vijnë si një alter ego e personazheve të tilla, si një “jetë e dyfishtë”, si “vetje të dyta” brenda vetvetes, si dyzime të realitetit, ku mendja a psika prodhon edhe pamje imagjinare,e dhe figura e personazhe imagjinare. Prandaj autorja parapëlqen poetikën e prozës që përafron me fantashkencën e kërkimet e brendshme psiko-sociale.

2. Ndeshjet: depërtimi në botën e të vdekurve dhe në botën e ferrit

Porse Angjelina Marku e përfill, sikundër e thamë në fillim, edhe një tjetër parim krijues që e thekson Frye: që tensionin e ngjarjeve ta shikojë në raportet natyrë-njeri (dimri, fatkeqësitë natyrore): depërtimi në tjetër botë e rikthimi në këtë botë! E nëndheshmja, mbitokësorja dhe tokësorja komunikojnë me njëra-tjetrën. E, mbi të gjitha, autorja dëshiron t’i japë zë forcës botëshpëtuese, botëkrijuese e jetëshpëtuese të femrës.

Sikur ligjësitë e natyrës ndikojnë në ato të ngjarjeve historike a jetësore! E ky zhdrivillim raportesh tashmë mund “të shpjegohet” vetëm në hapësirat e fanatikes. Prandaj kjo hapësirë përfshin edhe atë shpirtërore, edhe atë etike e të së bukurës, estetikes, së shenjte dhe djallëzores. Është një konceptim dualist realitetesh, ngjarjesh, faktesh, betejash, gjërash... Eksziton Princi i Mirë, por ekziston edhe Princi i keq. Ky konceptim ngjet edhe te personazhe tjerë (mbretër, mbretëresha, luftëtarë, femra, shenjtër dhe djaj, shpirt i keq, e shpirt i shenjtë, dashuri dhe urrejtje, luftë dhe paqe...). Nuk është e habitshme, pse te këto arketipa gjejmë edhe besimet, rituale e yshtje, të rikrijuara nga fondi folklori, po edhe ngjarje, ndeshje, strukturime, të rikrijuara nga bota e fantashkencës. Kur përmendëm metaforizimet (e personazheve e ngjarjeve), të gjitha këto thjerrëzohen nëpërmes materializimit të figurimeve letrare-imagjinative e ku ka një gërshetim të suksesshëm të funksionit gjuhësor poetik në atë fantastik. Përshkrimet marrin pamje a imazhe të horrorit, të cilat autorja i jep me sukses:

“Me miliona krijesa të llahtarshme me koka të ngritura vështronin gratë në qetësi. Në mesin e ushtrisë hekur pa ushtarin që duhej të ishte Prijësi. Ai qëndronte hipur mbi kalë të zi.  Koka e kafshës ngjante më shumë në kokën e riqorontit. Burri ishte mbuluar fund e krye me rroba po ashtu të zeza. Mantelin e mbushur pjesërisht me metal e kishte të ngjeshur fort për trupin e tij dhe dhëmbët e nxjerr jashtë buzëve të varura i dukeshin si të dinozaurëve. Sytë e urryer nuk i largonte as një sekondë prej saj.

Prijësi bishë e shihte Elen si shkatërrimtaren e të keqes.”

Personazhet e romanit tashmë ligjërojnë e rrëfejnë nga një botë tjetër, nga ajo e të vdekurve, nga bota “e nëndheshme”, si një botë ferri a Hadi:

“-Vërtet janë të vdekurit që na kanë rrethuar? Por çfarë kërkojmë ne këtu dhe ata prej nesh? Dhe si mund të qeshin të vdekurit? Këtë nuk e besoj dot.- foli ajo.”

Ka gjithandej, një aventurizëm fantastik, që vihet në gërshet me përvojën e jetuar; dhe ku e pam,undshmja bëhet e mundshme (rikthimi nga ajo botë e ferrit, nga vdekja klinike etje) dhe ku e mundshmja mbytet nga e pamundshmja (si rrëfehet për dimrin e shekullit, le ta marrim këtë dimër, si asociacion të luftës së dytë botërore, që solli tragjedi e gjenocide).

Lufta për jetë a vdekje arrin përtej kufijve realë  njerëzorë:

“Të dyja u drithëruan. Kontakti i grave po bënte çudi, vdekja vdiq. Tana me kokën lëshuar në gjoks marrte jetë.”

Më tutje, kjo mbijetesë trashmë zbret në arketipin  një zgjimi tjetër asociativ, pothuajse shqiptar:

“- Ndal, - i tha Tana, - kalorësi për të huajt është i pamëshirshëm.

 - Nuk ka nevojë për jetë ai?

 - Ai nuk ka vdekur kurrë, - u përgjigj Tana, - por megjithatë ka nevojë të jetojë.

 - Po mirë, ku ka lindur ky njeri që është i pavdekshëm?

 - Në truallin e Shqiponjave. Ato e kanë mbajtur të gjallë...

 - Dhe çka do të thotë kjo? Dhe e ngriti dorën e saj ta largonte dorën e Tanës që i kishte ndërprerë rrugën. Në atë moment Shpirti i Shenjtë depërtoi nëpër muret e trasha e duke qëndruar në ajër i foli Eles. Kësaj herë ajo vendosi ta dëgjonte mirë.

- Vetëm të gjallët mund t’i nxjerrin nga kjo errësirë njerëzit që janë dënuar për fajin e pabërë, - fliste shpendi, - dhe dije se kohën e keni të kufizuar. Edhe ju të tjerat mund t’i ndihmoni, prandaj veproni shpejt, ju lutem. Gjejeni daljen. Hapeni derën e shpëtimit.”

Ose:

“- ‘Është Heroi Kombëtar’’. - mu përgjigj ai këmbëkryq. Por, atë kohë unë nuk e kuptoja. Isha e vogël. Në pikturë shihja vetëm portretin e një burri me fytyrë të mbrehtë, hundë të madhe e mjekër të gjatë, që mua nuk më thoshte asgjë. Babushi, i cili ta dinte vlerën, vdiq me mallin që nuk mundi të shkoj tek varri yt, andej kufirit. Unë, jetimja e shkretë, afër ikonës tënde e vara edhe fotografinë e babait. Tani ishit bashkë.”

Figura e asociacioni letrar na shpie tutje: nëse një komb (a shtresa të tjetërsuara nga vetëdija kombëtare) kanë pësuar “vdekje klinike”, atëherë sa dhimbshëm ndodh zgjimi, me sa vuajtje ndodh rikthimi te vetvetja!

A rrëfehet, kjo fantazmagori romanore, nga gjendje klinike apo nga fatkeqëaia e ndodhur? Është princip i imagjinatës së tillë fantazmogorike e të përrallshme, që t'i vërë në veprim dy aspekte të realitetit konkret: mënjanimin e së keqes dhe gjetjen e lumturisë. Le ta kujtojmë, për një çast, "Princin e lumtur" të Oskar Vajldit, i cili vetëflijohet për të jetuar të lumtur të varfrit. Pas arketipit të realizimit të lumturisë për të tjerët, për paqen dhe për mposhtjen e së keqes, jepen edhe personazhet-femra të kësaj proze.

3. Procedimi letrar: çlirimi arrihet pasi përbirohesh nëpër ferr

Të mos harrojmë: duke proceduar artistikisht me fobitë, traumën, pastaj me imagjinatën, me vdekjen klinike, fantazmagoritë e fantastiken, autorja ato i përdor për të depërtuar në thellësi më të mëdha jo vetëm psikologjike, po edhe si mjete (procedime) për ta vënë kontaktin në mes botës fizike e asaj metafizike, për ta vënë kontaktin midis njeriut dhe Shpirtit Shenjt, hyjnores... Me një fjalë, ndeshjet që planin fantastik, janë përleshjet në planin e botës reale... Mbase, si ascociacion: asgjë nuk ishte Lufta e Dytë, po qese vjen një Dimër tjetër tejshkekullor, botëzhdukës.

Së këndejmi, bota artistike ka natyrën e vet të krijimit, sikundër do të thoshte Platoni, se“puna e artistit ndodh në çastet e çmendurisë hyjnore... në aso çastesh kur mendimet dhe imazhet hyjnore kalojnë nëpër të, dmth një njeri-artist shfaqet si ndërmjetës midis Perëndisë dhe publikut.” E pra, idenë platoniane se imagjinata e tillë ëndërrimtare ka pikëpjekje me letërsinë “dhe të dyja janë rezultat i zbulesës hyjnore, duke transformuar njeriun (ëndërrimtarin, shkrimtarin) në një lexues të të vërtetave të Perëndisë.”

Autorja ka bërë përpjekje që të depërtojë në këtë zonë kontakti mes njeriut e hyjnores! Porse gjendja e tillë “klinike” (sipas Platonit: gjendja e çmendurisë hyjnore, ia krijon mundësitë personazheve të depërtojnë edhe në hapësirat e ferrit, për ta mposhtur të keqen, vdekjen. Personazhja quhet Vajzë e paqes e një ushtrie të dashurisë (“përgjegjësia për ta ndryshuar botën e ferrit ishte më e fortë se jeta.”). kah fundi i romanit mbahet premtimi për rrëfimin “se si një grup i vogël i të mirëve arritën ta ndryshojnë ferrin.”

Të ndyrshohet ferri!

Të mundet përfundimisht e keqja! Të shpëtohet njeriu!

A nuk është kjo krye-ide ç’prej se ekziston njerëzimi?

Rikthimi në botën e të gjallëve arrihet:

“Të dashur njerëz, ardhja ime në botën tuaj për ca nuk ishte e rastësishme, por për mua po. Në fillim kur Shpirti i Shenjtë m’i dha shenjat e para se po futesha në një botë misterioze, nuk dija se çfarë po ndodhte. Ishte e frikshme.”

Dhe, pa marrë parasysh se a ndodh rrëfimi nga këndvështrimi fantastik, nga ai i veprimit psikik apo në mos vepron “zona hyjnore” e kontakteve; e vërteta është se, nëpërmes procedimit të tillë letrar, krijohet një botë arti, një botë e re artistike, botë e re përgjithësisht, krejtësisht e ndryshme nga bota empirike. Kjo e dyta, empirikja, shpërndërrohet, rikrijohet, mbasi në realitetit e përditshëm ajo shtypet, i nënshtrohet trysnisë. Porse çlirimi ndodh. Shkrimtarja krijon botët e mundshme, dhuron thelbin shpirtëror dhe emocional.

E pra, nuk ka letërsi pa imagjinatë.

Korrik 2018

Libri u botua në muajin korrik 2018 në kuadër të shtëpisë botuese IWA Bogdani (www.iwabogdani.org)

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat