Udhëtim në kohë

Libra

Udhëtim në kohë

Nga: Gazmend Çitaku Më: 31 korrik 2018 Në ora: 15:24
Kopertina

Libri ”Udhëtim në kohë” e autorit Ali Gjeçbritaj padyshim se paraqet një minienciklopedi për Krajën dhe banorët e saj. Që nga titulli i librit lexuesi parapërgatitet për diçka interesante mirëpo ajo që përjetohet me shfletimin  e librit askend nuk e lë indiferent para të dhënave historike, dokumentare, etnologjike... andaj udhëtimi në kohë me të vërtetë mbetet i skalitur thellë në mbamendjen tonë duke na rikujtuar ngjarjet e mira dhe të këqia të popullit të kësaj zone por edhe gëzimet apo vështirësitë që ka përjetuar Kraja dhe krajanët.

Libri ”Udhëtim në kohë” është i ndarë në tetë kapituj me gjithsejt 90 tituj. Libri, ashtu siç i ka hije një punëtori të arsimit fillon me kapitullin Arsim në të cilin trajtohen 8 tema të ndryshme nga problematika arsimore e shqiptarëve të Malit të Zi. Autori trajton pozitën e arsimit shqip të Mal të Zi, vendin e gjuhës shqipe, mënyrën e përkthimeve si e teksteve shkollore ashtu edhe e çertifikatave dhe dëftesave shkollore. I dhimbshëm na parashtrohet realiteti i hidhur pse nuk dëgjohet cingërrima e ziles së shkollës në Ftjan dhe udhëzon se si duhet organizuar mësimi në paralelet e kombinuara dhe çfarë duhet të jetë motivim për mësimdhënësit dhe nxënësit në klasë.

Vazhdon kapitulli i dytë me titull Manifestime ku trajtohen 21 tema për të cilat në mënyrë kronologjike raporton rreth ecurive të organizimit, programit, cilësisë dhe mbajtjes së manifestimeve të ndryshme në rajonin e Krajës siç janë: Festa e Gështenjës, Festa e verës por edhe e 7 Marsit – Ditës së mësueseit si dhe disa aktiviteteve tjera.

Kapitulli i tretë me titull Kujtime dhe përjetime autori Gjeçbritaj na sjell dëshmi premtuese siç është renovimi i Ambulacës së Ostrosit por edhe të dhëna shumë prekëse për përndjekjen e intelektualëve, mësimdhënësve dhe patriotëve në periudhën e monizmit me akcent të veçantë pas shfaqes së të famshmeve Afishe ku domosdo duhej shpikur armiku i popullit. Citoj autorin: ”Në shenjestër ishin intelektualët që ata pa pdyshim ishin në shkollë, mësues e arsimatarë pastaj ata që shkruajshin ndonjë shkrim në gazeta, vjersha-poezi, ndonjë tregim apo diçka ngjajshëme, pra kryesisht ata që shkruajn shqip. “Hulumtonin”se kush ka makinë shkrimi, kush ka ndryshuar mbiemrin dhe ka mënjanuar iq-in apo viq-in, kush studjon në Kosovë e kështu me radhë.”

Vazhdon kapitulli i katërt me titull Politike ku për herë të parë na shpalosen të dhëna në formë tabelare të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Krajë që nga fillimi i sistemit shumëpartiak deri në ditët e sotme. Këtu shpalosen edhe procesverbale në periudha të ndryshme kohore si dhe fakte rrënqethëse se si ka ndryshuar vullneti i votuesit shqiptar nga periudha 1990-2018.

Libri vazhdon me kapitujt më relaksues Shënime gazetareske me 3 tituj, pasojnë kapitulli i gjashtë Trashëgimi  me 3 tituj dhe kapitulli i shtatë Udhëpërshkrime me 4 tituj.

Ky libër mbyllet me kapitullin Vështrime ku përfshihen 17 tituj. Autori Gjeçbritaj na sjell vështrime të cilat i kanë bërë të tjerët rreth punës së autorit të librit si dhe vështrime të cilat autori Gjeçbritaj i ka bërë për botimet e autorëve të tjerë apo vështrime për ngjarjet që kanë ndodhë në hapsirën mbarëshqiptare.

Në fund mund të themi se libri Udhëtim në kohë është një libër me interes të madh për lexuesit pasi që brenda tij gjejmë laramani temash, trajtim dhe dokumentim të dhënash të paditura deri me tani si dhe kujtim të ngjarjeve që kanë ndodhur në Krajë. Andaj lirisht mund të themi se ky libër është referencë e domosdoshme për të gjithë ata që në mënyrë serioze dëshirojnë të trajtojnë temën e rajonit të Krajës si nga aspekti arsimor ashtu edhe nga aspekti i trashëgimisë kulturore e kësaj radhe në këtë libër një akcent i veçantë për procesin zgjedhor nga viti 1990-2018 si çështje politike për zgjedhjen e kërkesave të banorëve të Krajës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat