Vjersha që i këndojnë vendlindjes, shkollës, luleve, shiut, borës...

Libra

Vjersha që i këndojnë vendlindjes, shkollës, luleve, shiut, borës...

Nga: Milazim F. KADRIU Më: 9 gusht 2018 Në ora: 14:03
Hajrush Redenica “Urat e vendlindjes”,botoi “ProkultPress” - Prishtinë, 2018

Urë kalimi

Urë bashkimi

Urë lidhjeje

Urë vëllazërimi

Rrugë shkurtimi

Urë takimi

Janë këto vargje të shkëputura nga vjersha Urat e vendlindjes, sipas së cilës  është titulluar edhe libri më i ri  me vjersha për fëmijë i autorit Hajrush Redenica. Në këtë libër autori ka përmbledh 31 vjersha të bukura për fëmijë. Këto vjersha kanë për temë vendlindjen, shkollën, lulet, festat e ndryshme, stinët, shiun, borën, … Vjershat e librit të Redenicës janë me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për më të vegjlit të cilëve edhe ua dedikon vargjet e tij.

Ashtu siç është e veçantë bota e fëmijëve, është e veçantë edhe letërsia për fëmijë si zhanër letrar. Për të shkruar  për fëmijë, duhet njohur mirë botën e tyre dhe shpirtin e tyre të çiltër...

Me vargjet e tij Redenica mundohet të futet në shpirtin e fëmijës dhe me imagjinatën e vet të krijon atmosferë karakteristike që pëlqehet nga fëmijët.

Ky libër me poezi të shkurtra i ngjason buqetës së luleve shumëngjyrëshe, sepse janë poezi  për fëmijë e vetë fëmijët janë lulet me të bukura të jetës!

Autori ndonëse tash nuk jeton në vendlindjen e tij në Kikën e dashur atë asnjëherë nuk e harron dhe shpeshherë hasim vargje kushtuar vendlindjes. Vargje për vendlindjen e tij i gjejmë edhe në këtë libër. Ai ndjen mall për Kikën e tij ku e ka kaluar fëmijërinë dhe ndër tjera në vjershën kushtuar  e tij thotë:

Kika jonë e bukur

Me bregore të larta

...........................

Kika jonë e bukur

Me krojet e tua të freskëta

.....................................

Ah, Kika ime e bukur

Sa mall që kam për ty ...

Po ashtu ai shkruan edhe për shumë bukuri të natyrës, për lulet, malet, fushat, …

Kam shumë lloje lulesh

Në timen bahçe

Më shumë më tërheqin

Ato me mustaqe

Autori  në vargjet e tij gërsheton edhe historinë më bukuritë natyrore të vendit të tij që për te nuk ka vend më të bukur askund në botë.

Buzë lumit Morava

Atje në një kodrinë

Qëndron Kulla e Pogragjës

Na e kujton historinë

Në atë vend kur shkoj

Kaptoj male e livadhe

Fusha të paanë

Me lule përplot

Më i miri vend në botë

Po ashtu në libër hasim edhe shumë vargje me shumë këshilla për fëmijët që ata të mësojnë, ta duan shkollën, librin, prindërit, ta njohin historinë, ta ruajnë natyrën, të kenë respekt për njëri tjetrin dhe të tjerët. Të gjitha këto autori i thotë në vargjet e tij duke pas parasysh se fëmijët janë si lulet, janë zbukurim i jetës së njeriut dhe shoqërisë.  Janë zbukurim i familjes dhe shkollës,  zbukurim i përditshmërisë ... 

Redenica sjell vargje  për stinët e vitit, për ndryshimet që ndodhin me rastin e ndërrimit të stinëve  e që normalisht ndër stinët që më së tepërmi i pëlqen është pranvera, atëherë kur çdo gjë nis e gjallëron.

Kur vjen pranvera

Zbërthejnë lulet

Fillon stinë  e re

..........................

..............................

Aromë e bukur

Në behar

Çdo bilbil dhe ço fëmi’

E shijon këtë mrekulli

Vjershat e këtij libri të Redenicës janë  të shkurta  dhe nuk kanë shumë vargje, ngase ai mundohet që mendimin ta përmbledh në pak vargje duke thënë shumë dhe bukur  dhe komunikon ëmbël me lexuesit e vegjël.

Andaj mund të përfundojmë se Hajrush Redenica ka një botë poetike të pasur dhe me këto vargje që i sjell  në librin “Urat e vendlindjes”  depërton lehtë në botën e fëmijëve. Me pak vargje ai arrin të thotë shumë dhe ato lexohen me një frymë  dhe kemi bindjen se  do të priten mirë nga fëmijët që do të kenë rastin ti lexojnë këto vargje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat