Demi i tërbuar

Libra

Demi i tërbuar

Nga: Fatmire Duraku Më: 14 gusht 2018 Në ora: 08:35
Nexhat Halimi “Demi i tërbuar”, roman, botoi Shtëpia Botuese “Fad” 2018

Proza e Nexhat Halimit rrjedh në disa shtresa. Sidomos kjo e romanit. Ka inserte të  lidhura, mozaikë ngjyrash dhe dhembjes së përhershme. Në këtë mënyrë autori e nis dhe prozën e fundit, të rrjedh ndërmjet dokumentares së pastër dhe imagjinatës së thellë. Me disa shtresime, në disa rrjedha, shumë natyrshëm, në mënyrë mjeshtërore, autori ia del të bën kalimin përgjatë gjithë tekstit nga e kaluara në të tashmen. Kjo gjë e zgjon te lexuesi lidhjen e kohës, e bën rrëfimin kaq tërheqës dhe të përjetohet vetëm me nuanca.

Një tekst dramatik dhe kaq i shtjelluar bukur.

Kaq ndihet ajo që pritet. Fillimi i vdekjes dhe dhembja për jetën.

Kjo e keqe e kanosë mbarë rejonin.

Libri është ndarë në tri pjesë, të cilat – secila në mënyrën e vet, e flet luftën, jetën dhe vdekjen. Pjesa e parë i kushtohet Asim Vokshit dhe është emëruar “Fuente del Ebro”, pjesa e dytë bën fjalë për jetëshkrimin e Xhemail Kadës dhe është emëruar “Letra e birit të vdekur”, në bazë të një shkrimi të poetit tonë të shquar Esad Mekulit, i cili ndanë kujtime për heroin e Spanjës, me të cilin jetoi te motra e vet në të njëjtën shtëpi me të në Pejë, ku kreu gjimnazin, ndërsa pjesa e tretë “Dashuri e paepur”, është pjesa e cila gërshetohet me rrëfimet e atyre që u përgjakën e mbetën të gjallë të tubuar tash në Kongresin e V të luftëtarëve të Spanjës, si dhe pjesa më e prekshme në shpirtin e lexuesit është rrëfimi – në shtatëmbëdhjetë unaza, ku autori në bashkëveprim me një kolege të gazetës “Miagar Szo” njihet me historinë në të cilën frymojnë, flasin për ullirin tre mijëvjeçar, për Pallatin e Dioklicianit, për mitet e legjendat, të cilat ndrisin shumë detaje nga jeta e ikur dhe e tashmë e mbetur kujtim.

Rrëfimi në këtë mënyrë është i gërshetuar dhe zgjon jetën e vdekjen.

Përshkruhet deri në detaje gjaku i derdhur.

Zgjon etja për jetën.

Në Spanjë shpërthen lufta. Ballafaqohet e zeza kudër të kuqes, kacafyten për vdekje. Në rrugët e Madridit, të Barcelonës, të Andaluzisë,  të Belçitës gjurmë të mëdha të gjakut, kërpudha të flakës tmerrojnë fshatra e qytete. Tronditet  bota paqedashëse, bota revolucionare. Shfaqet solidaritet i paparë në të pesë kontinentet; mbahen demonstrata në mbrojtje të atyre që mbrojnë lirinë, kërkohet të mos ndërhyjë askush nga jashtë, të ndalet kasaphana e re. Mblidhen barëra, ushqime, veshmbathje, sheqer e qumësht për fëmijët, për të moshuarit e nënat, të cilët u bënë mur para fashizmit në Spanjën martire!

 Arrijnë nga të pesë kontinentet dhe vullnetarët e parë, të vdesin për ideal!

            Shfaqet kështu dashuria e madhe e lirisë së një gjenerate; për bukë e paqe, pa kërkuar asgjë, vetëm një armë dhe një vend në front. Lulëzon zjarr i ri në gjakun e secilit, të përbirojë kokën paepur drita e përgjakur e Spanjës tri vjet me radhë, në fund të digjet, ndër kaq vdekje në fushat e betejës...

Dy pika lot i ndrisin Bijes nën sy.

   “... Unë po shkoj, sikur po shkojnë nga të gjitha anët e botës, i bindur se kështu jap kontributin tim, sado të vogël!” E rikujton  ajo ndarjen me Asimin, i cili do të ik  mes atyre që kapërcenin dete e oqeane, male e fusha, për në tokën e  kastanjetas dhe të flamengos; të radhitet në brigadat internacionale dhe deri në frymën e fundit në Spanjë të mbrojë Republikën. Ai nuk do të kthehet më. Do të mbetet mes atyre-në një varr të përbashkët, që me gjak shkruan epopenë e paharruar, do të mbetet në Fuente del Ebro.

Të njëjtën gjë do ta bëj dhe Xhemal Kada.

 Për këta të dy dhe për shtatëdhjetë të tjerë, të cilët do të përgjaken në Spanjë, autori do ta shkruaj romanin e vet të pestë.

Romani  “Demi i tërbuar”,  i punuar ndërmjet jetëshkrimit të Xhemal Kadës e Asim Vokshit, ka tendenca të jetësojë tri shtylla e rrjedha të shpirtit të paepur e human të shqiptarit në kohë dhe hapësira të caktuara. Shkrimi i autorit tashmë të njohur, përmes atyre që nuk e kursyen gjakun e vet për lirinë e Spanjës demokratike, shpreh lashtësinë e trungut arbëror, është gjysmë dokumentar, natyrisht i begatuar me imagjinatën dhe mrekullinë e prozës mjaft lirike. Kjo prozë nuk është e zhveshur nga figurat e metaforat, të cilat gjithnjë e begatojnë rrëfimin dhe ashtu të rrjedhshëm e natyrisht të kapshëm. Gjithë kjo e realizuar, përmes gjurmëve të ngurta dhe atyre që ende marrin frymë. Rrëfim i shtrirë ky në disa treva, në disa shtete të Evropës dhe me inserte jete e vepre të personazheve nga mbarë bota, gjithnjë prej nga vijnë ata të luftojnë për lirinë e demokracinë. Romani pikënisje i ka dy figurat e shquara të Kosovës, Xhemalin e Asim, por dhe ngjarjet e një jave në Split, gjatë tubimit të  vullnetarëve nga të pesë kontinentet e botës -luftëtarë të Spanjës. Me sukses, autori ia ka dalë të përqendrohet dhe në elemente, rrënjë e trungje të lashtësisë, të paraqes mbetjet ilire në truallin në të cilin mbahet kongresi i tyre i pestë, pra në Split të Kroacisë, buzë detit të mrekullueshëm, në hotelin “Lav”.

Gjatë rrugës për në Split autori takohet dhe me reporterin e gazetës “Magiar szo” të Vojvodinës, ndërsa vetë  është reporter i Rilindjes për të shënuar rrëfimet e atyre që ia bënë lavdinë për vite Spanjës demokratike. Ata humbën luftën, por lavdia mbeti të jehojë ndër kohë e breza. Në tubimin në Split, ai e ajo, të dytë reporterë, përveç ngjarjeve tronditëse të atyre që luftuan sypatrembur në Spanjë do të kenë kohë dhe natyrisht kureshtje e etje  t`i gjejë gjurmët e lashta, të cilat dëshmojnë për paraardhësit e banorëve të sotëm aty. Ata vendosen në hotelin Split dhe gjatë kohës së angazhimeve të luftëtarëve të Spanjës do të vizitojnë shumë eksponate në muzeun e qytetit, para të cilave  do të shpreh mahnitje dhe habi të papërshkruar reporteria  hungareze. Ajo do të shfaq jo vetëm interesim për lashtësinë, por do të tregojë mahitje me shtrirjen kaq të madhe të Pallatit të Dioklecianit. Miku i saj tashmë, reporteri i Rilindjes, përveç shënimeve në prospekte do ta njoftojë atë me prejardhjen e pronarit të parë të pallatit, për copat e viseve të shkëputura të tokës ilire, për Teutën e figura të tjera madhore, të cilat do të lënë gjurmë në kohë e hapësirë, në histori. Ai, ndonjë herë do të mbyllet në vete, do të meditojë herë heshtur herë me zë për ullinjtë mbi dymijë vjeçar, të cilët dëshmojnë dhe sot lashtësinë e ndonjë herë përmes ndonjë gjurme dhe brezat e ikur, të cilat lanë prapa shumë relikte. Përveç bisedave të gjalla për t`i ndriçuar jetëshkrimet e Vokshit e të Kadës në  Gjakovë e në Pejë, ai do t`i përshkruajë me durim kullën rrëzë Çabratit, me anëtarë brezash të ndryshëm të Asimit, siç është halla Bija, vëllai Miftari dhe Flaka, e bija tij, Ali Olloni etj. Reporteri gjatë rrjedhës së romanit do të gjej kohë të rikujtojë dhe ndonjë pjesë të ecjes së vet në jetë, që dëshmon për etjet që i kishin, për demonstratat e fundit të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të ikur, apo për demonstratat e më vonshme, për të qenë të njëjtë me të tjerët që këtë trevë e mbanin prej kohësh të robëruar.

Ngjashëm ndodh dhe me bisedat në familjen e Xhemal Kadës, me sinënën e Xhemalit-Sheqeren, me Mahirin, vëllain e  vogël të dëshmorit, si dhe me kujtimet e shkruara enkas të  poetit të shquar Esad Mekuli, i cili shkollimin e mesëm e mbaroi në Pejë, duke e njohur për së afërmi dhe mjaft mirë Xhemalin. Rrëfimi i Esadit është dhënë me besnikëri dhe ndrit shumë çështje të kohës. Kështu ndërlidhen shumë çështje dramatiket dhe jepet një pasqyrë mjaft e ndritshme rrëfimi për kohën, për njerëzit dhe bëmat e tyre në  hapësirë të caktuar. Një kujtim lidhur me Xhemalin, një kujtim të bartur nga brezi paraprak, e thotë dhe Sh. Grabovci... Veçmas janë interesante insertet e Asimit në Spanjë me autorin e romanit “Hasta la vista” të Petro Markos dhe çastet e fundit të Skënder Laurasit e të Xhemal Kadës në Spital. Laurasi kujton: “E kthyen nga pavijoni i operacionit për vdekje të shtrirë, nën fasha.

E vendosën në shtratin e majtë të dhomës nr. 47, në Spitalin e Barcelonës. Arriti ta lëvizte dorën, ta shprehtë dëshirën e fundit: kërkoi të takohet me ndokënd që flet shqip. Me ndonjë shqiptar.

-Të flas në gjuhën e nënës me të, - bëri përpjekje të thoshte. Infermierja që kujdesej për të, kërkon dhomë më dhomë, mos do të gjej ndonjë shqiptar. Nuk gjen. Ama fatit nuk i dihet. Ajo takon aty profesor Skënder Luarasi, i cili gjendej në Spanjën e ndezur flakë; shërbente përkthyes, sidomos nga gjuha gjermane. Punonte në zyrat e brigadave internacionale.

Ai menjëherë do të shkojë të takohet me Xhemalin, i cili dëshironte ta informonte dikush për gjendjen në front. Ta njoftonte për shokët, me të cilët krah për krah luftoi. Ai do të habitej me atë  çfarë e preokuponte Xhamalin në  çastet e fundit të jetës.

-Më ke thirrur, - i tha Skënderi.

Ai nuk mundi t`i kthejë përgjigje. Vetëm pakëz lëvizi gishtat e dorës”.

Përfundon çdo gjë. Lufta kaherë është mbyllur.

Autori rri vetëm në një gur. E shikon mjeshtrin nga e punon mozaikun para ndërtesës së vet në Split. Veten e sheh nga qëndron me respekt përballë ullinjsh dy mijëvjeçar në ullishtat e Ulqinit dhe Tivarit. Aty fle shpirti im i copëtuar, - thotë. Natyrisht, i lidhur me Teutën në Rizonë, te burimi nga ende buron uji në një shpellë dhe hove-hove nxjerr para të imta në shkulmat e veta dhe prapë i merr.

Rrethi Polka gjithnjë mbetet magjik, shkruan.

 Ama, ta harroj këtë punë e të nis të ta shkruaj poezinë e ndarë në  pjesë, përmes së cilës rrjedh kurrizi i vjetërsisë dhe dashurisë së paepur ndër vite. Aty fle shpirti im e qan për nënë tash sa të ketë shpirt ky ujë, ky ajër, kjo tokë e dru ulliri, ky zjarr.

Lulja e mermertë

Tash është qiell me lule të mermertë

Mbi gjirin e  bardhë jashtë murit

Aty të vij zemra e vetmuar e të qajë

Të krenohet ylli me kalanë  e varur mbi bunë

Të pi vogëlushi qumësht

E të rikrijojë besim te zoti

Ta thërras e thërras nënën që s`kthehet

E gjithmonë do të jetë aty me cicat jashtë

Vetëm t`i vihet themeli agut

Tash është veç lule me aromë

Do cekur se autori Nexhat Halimi është dëshmuar vite me radhë publicist, poet, dramaturg dhe romansier. U lind në fshatin Dumnicë të Poshtme të Podujevës, është nga një familje, e cila, para thikës serbe-në verë të vitit 1878, iku nga fshati Tullar i Toplicës.

 Vite me radhë qe gazetar, reporter dhe redaktor në të përditshmen “Rilindja”. Për një kohë redaktoi faqet e kulturës e të letërsisë në “Zëri i rinisë”, në gazetën e përditshme “Yliria post” qe redaktor i shtojcës për kulturë, letërsi dhe art,  pastaj redaktor përgjegjës në gazetën “Pavarësia...”, në të cilën redaktoi dhe shtojcën për kulturë dhe letërsi, disa vite redaktoi revistat për fëmijë “Zog mëngjesi” dhe “Mollëkuqja”, ndërsa në revistën letrare “Verbi’ redaktoi poezinë.  Është autor i një varg librash me poezi, proza e drama.

   Është përkthyer dhe përfaqësuar me poezi dhe prozë në shumë antologji në gjuhën shqipe dhe në shumë gjuhë të botës.

Librat e tij kanë zgjuar interesim të kritikës dhe të lexuesit.

... Ky shkrim, romani “Demi i tërbuar”,  e dëshmon dhe një herë përvojën dhe talentin e  autorit Nexhat Halimi.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat