Vendoseni jastëkun në frigorifer

Life style

Vendoseni jastëkun në frigorifer

Më: 20 korrik 2016 Në ora: 21:48
Ilustrim

Gjumë i qetë?
Dëshironi të flini gjumë të qetë dhe të “luftoni” vapën? Një ekspert i gjumit ka zbuluar një “ilaç” shumë efikas: vendoseni jastëkun në frigorifer. Temperaturat e larta, deri në mbrëmje vonë, ndikojnë në procesin e ftohjes natyrale të trupit, ndërsa përgatitemi për të rënë në gjumë. “Trupi normalisht lëshon nxehtësi nëpërmjet duarve, fytyrës dhe këmbëve gjatë periudhës së përgatitjes për gjumë, dhe vazhdon të ftohet deri rreth orës 4.00 të mëngjesit”, thotë dr. Chris Idzikowski, drejtori i qendrës së gjumit i Edinburgut. Por nëse diçka parandalon rënien e temperaturës, cilësia e gjumit zhvlerësohet dhe më pas është e vështirë të flihet përsëri gjumë.

Çfarë duhet të bëni?

Jastëkun në frigorifer, ja ideja
Vendosni jastëkun tuaj në frigorifer gjatë ditës dhe vendoseni më pas atë në krevat përpara se të shkoni të flini. Do t’ju ndihmojë të ndiheni më të freskët dhe ta vuani më pak vapën. Por në përgjithësi më e rëndësishme është zgjedhja e shtresave të krevatit. Fibrat natyrale janë më të mirat, kështu që evitoni një dyshek me material sintetik. “Provoni të përdorni një mbulesë dysheku me mbushje pambuku”, sugjeron Idzikowski. Fibrat natyrale heqin lagështinë nga lëkura. Më mirë përdorni pizhame të gjata, pambuku ose mëndafshi, sesa të flini lakuriq.

Qarkullimi i ajrit
Duhet të siguroheni që në dhomën ku flini ka një qarkullim të mirë të ajrit, duke përdorur një ventilator të fiksuar diku apo të lëvizshëm, ose thjesht mbajini dyert dhe dritaret hapur. Disa të tjerë sugjerojnë që të përgatisni dhomën e gjumit në stilin mesdhetar, duke i lënë perdet pjesërisht ose plotësisht të mbyllura gjatë gjithë ditës, për ta mbajtur dhomën në errësirë. Dritaret hapini pak në mbrëmje, pasi vapa e ditës të jetë zhdukur. Për Idzikowski-n temperatura ideale e dhomës së gjumit duhet të jetë 18 gradë, edhe në rastin kur ju e ndani shtratin tuaj me dikë tjetër, me partnerin, fëmijët etj. Nëse nuk arrini të flini përsëri, pasi keni ndjekur këto këshilla, vendosini kyçet e duarve në ujë të ftohtë për pak minuta. Më pas thajini dhe shkoni përsëri në shtrat.

Një sy gjumë pas një “nate të bardhë”
Një sy gjumë gjatë ditës do t’ju ndihmojë të luftoni efektet e gjumit të humbur. “Çdo sasi gjumi do të jetë e dobishme. Duhet të kompensohet ai që keni humbur gjatë natës”, shpjegon Idzikowski. “Për të rriturit, gjumi është i përbërë nga cikle që zgjasin rreth një orë e gjysmë. Kështu që nëse arrini të flini një sy gjumë për një orë e gjysmë ju do ta merrni veten shumë mirë”, përfundon eksperti. Mos harroni që një nga gjërat që ju ndalon të flini është se mendoni dhe shqetësoheni se nuk keni për t’ia arritur ta bëni këtë, në këtë mënyrë shkoni madje deri në panik.

Dush të ngrohtë para gjumit dhe pini sa më shumë ujë
Një studimi i publikuar në revistën “Sleep” (Gjumi), ka treguar se disa gra që vuanin nga pagjumësia kishin gjetur një zgjidhje për problemin e tyre. Rastësisht, përpara se të flinin, ato bënë dush me ujë të ngrohtë. Më pas, pasi shkuan në shtrat, atyre nuk ju desh shumë kohë për të mbyllur sytë për gjumë, ndërsa ato fjetën më mirë atë natë. Kjo ndodh sepse bërja e një dushi rrit temperaturën bazë të trupit, e cila më pas bie shpejt, menjëherë pas dushit. Në këtë mënyrë trupi freskohet dhe përgatitet më shpejt për t’u qetësuar. Kështu ju do të bëni një gjumë të qetë dhe të gjatë. Ndërkaq, një këshillë tjetër e vlefshme është që të pini sa më shumë ujë përpara se të shkoni në shtrat. Për të ruajtur temperaturën, trupi e nxjerr ujin nëpërmjet lëkurës, që quhet transpirimi. Veshkat filtrojnë më pak për shkak të transpirimit, prandaj duhet të kontribuoni që veshkat tuaja të vazhdojnë të punojnë, duke pirë sa më shumë ujë. Por duhet të keni kujdes me lëngjet tonike. Te çdo njeri duhen parë efektet e kafesë apo çajit, që mund të sjellin probleme me gjumin. Prandaj më mirë parapëlqeni ujin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat