Varësia ndaj seksit është çrregullim mendor

Life style

Varësia ndaj seksit është çrregullim mendor

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 12:44
Ilustrim

Varësia seksuale mund të cilësohet si çrregullim psikik. Deri më tani, psikiatrit kanë qenë në mëdyshje për ta konsideruar varësinë ndaj seksit si një çrregullim të sjelljes, për shkak të provave të pamjaftueshme shkencore. Por një studim i ri, i kryer nga një grup shkencëtarësh të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, ka testuar një sërë kriteresh për të diagnostikuar këtë sjellje. Rory Reid, studiues dhe docent i psikiatrisë në institutin “Semel Institute of Neuroscience and Human Behavior”, ka drejtuar një grup psikiatrish, psikologësh, terapistë çiftesh dhe asistentësh socialë për të vlerësuar kriteret e gjetura, duke i konsideruar si prova të dobishme për të arritur te një diagnozë e këtij problemi.

Hiperseksualiteti futet te varësitë e reja të ashtuquajtura “pa arsye”, siç është ajo e kumarit dhe e të bërit pazar pa hesap. “Kjo vartësi është një lloj ‘bulimie seksuale’ e pakontrolluar, megjithatë mekanizmi është identik me atë të pasionimit ndaj drogave ose alkoolit, sepse aktivizohen të njëjtat zona të trurit”, shpjegon një psikiatër. Gjatë viteve të fundit, fenomeni është përhapur shumë për shkak të internetit, ku postohen vazhdimisht video me përmbajtje seksuale. Më të rrezikuar nga ky fenomen janë të rinjtë.

Rezultatet e studimit të publikuar edhe në “Journal of Sexual Medicine” janë shumë të rëndësishme, pasi me të mendohet të jetë krijuar edhe një bazë e vërtetë shkencore për sa i përket hiperseksualitetit si një çrregullim mendor. Si i tillë duhet diagnostikuar dhe trajtuar. Kriteret mbi të cilat janë bazuar studiuesit, do t’i ndihmojnë këta të fundit të kërkojnë dhe zhvillojnë strategji parandaluese për individët që rrezikojnë të vuajnë nga ky çrregullim. Aktualisht në “DSM” janë përfshirë varësi si ajo ndaj nikotinës, drogave të ndryshme dhe alkoolit. Ashtu si të gjitha patologjitë e reja, edhe dhënia pas seksit po bëhet pjesë e varësive dhe çrregullimeve obsesivo-maniakale. Ky studim përbën tashmë një provë që tregon se bëhet fjalë për një çrregullim të vërtetë mendor, i cili herët a vonë do të përfshihet në “biblën” e psikiatrisë, ashtu si vartësitë e tjera të reja.

Për të testuar kriteret e hiperseksualitetit, studiuesit ekzaminuan 207 pacientë me gjendje mendore të ndryshme, të cilët kërkonin ndihmë për të luftuar këtë çrregullim ose forma të tjera varësie. Në fund u vu re se 88% e pacientëve ishte prekur nga kjo patologji dhe se varësia seksuale lidhej me çrregullime emocionale, impulsivitetin dhe paaftësinë për të menaxhuar stresin.

Një fakt tjetër që doli nga studimi është se pacientët e dhënë pas seksit kanë pasoja të menjëhershme në krahasim me personat që vuajnë nga çrregullime të tjera psikike. Nga 207 pacientët e ekzaminuar, 17% kishte humbur punën të paktën një herë, 39% ishte detyruar të mbyllte një lidhje, 28% ishte infektuar nga sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe 78% kishte probleme referimi në jetën seksuale.

Sipas studimit, 54% e pacientëve hiperseksualë e kanë kuptuar që vuajnë nga ky çrregullim para moshës 18-vjeçare, ndërsa për 30%, mosha e zbulimit varionte nga 19 deri në 25 vjeç. Sipas studiuesve, kjo e dhënë është mjaft interesante sepse nga njëra anë tregon se problemi lind herët, ndërsa nga ana tjetër jep mundësinë e marrjes së masave parandaluese.

David Duchovny, Tiger Woods, Michael Douglas, Mickey Rourke, Sharon Stone e Billy Bob Tornton janë disa nga personazhet e famshëm që e kanë pranuar me gojën e tyre varësinë ndaj seksit. Disa prej tyre janë kuruar në klinika të specializuara, ku kanë kaluar periudha të gjata për t’u shëruar nga seksi. Në SHBA ekzistojnë edhe shoqata të ndryshme që u bëjnë thirrje njerëzve për ndihmë dhe mbështetje. Megjithatë, ky çrregullim mund të kurohet në varësi të madhësisë së problemit. Mund të veprohet me terapi të ndryshme, duke i kombinuar me ato farmakologjike. Pacienti mund të trajtohet me stabilizues të humorit ose antidepresivë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat