“Babi, mos më vrit…”, historia e trishtë e Megit nga Durrësi

Life style

“Babi, mos më vrit…”, historia e trishtë e Megit nga Durrësi

Më: 25 dhjetor 2016 Në ora: 21:01
Ilustrim

“Babi, mos më vrit…” Kjo është fjala që thotë nën zc, Megi, një vajzë vetëm 17 vjeçare, që jeton çdo ditë me frikën se babi i saj do e vrasë. Përmasat që po merr dhuna në familjet shqiptare është e frikshme, herë e denoncuar dhe në shumë raste e “pranuar” për shkak të frikës dhe turpit se do e marrin veshë të gjithë.

Megi Gj. është gjimnaziste në vitin e tretë pranë një prej në një prej shkollave publike Durrës, e cila rrëfen me ndrojtje historinë e dhimbshme të dhunës së vazhdueshme nga babai i saj. Kjo histori rrëqethëse jetohet çdo ditë nga 3 vajzat e çiftit dhe bashkëshortja, vetëm pak kilometra larg qendrës së Durrësit, ekzaktësisht në Rrashbull, që më ndarjen e re administrative është pjesë e Bashkisë së re të Durrësit.

“Babai ynë Alketi, vjen pothuajse çdo ditë i dehur në shtëpi, mami punon gjithë ditën në rrobaqepësi dhe kur kthehet në shtëpi, rikthehet në ferrin që na torturon. Babi është bërë i padurueshëm, kur kthehemi në shtëpi dhe ai si i papunë që është, rri gjithë ditën nëpër lokale duke pirë alkool dhe ato që vuajmë pasojat jemi ne. Dy motrat e mia, Xh. 13 vjeçe, K. 11 vjece, dhe e vuajtura e 18 viteve martesë, mami jonë”, rrëfen mes lotësh 17-vjeçarja Megi.

E lodhur dhe e drobitur nga vuajtja e vazhdueshme e familjes së saj, tregon më tej se “Rreth 3 vite më parë, së bashku me familjen tonë, që përbëhet nga 5 anëtare, 2 motrat, mami dhe babai im, morëm vendimin për t’u zhvendosur nga një fshat i thellë i Korçës dhe të jetojmë këtu në Rrashbull. Me shumë mund, arritëm të ndërtojmë shtëpinë tone, mami siguroi një punë, ndërsa babi, në pamundësi për t’u marrë me diçka, endet rrugëve, nëpër ambiente të rëndomta, duke ngrënë me njerëz të njohur e panjohur e duke pirë alkool. Kur kthehet në shtëpi, aty fillon tmerri. Ulëret dhe kapet për arsye të paqena, na ofendon me fjalë të rënda, sajon histori të paqena, zihet me mamin, ndërkohë që ajo e shkreta rri me orë të tëra duke punuar që të na sigurojë jetesën neve, ndërkohë që lekët harxhohen për të na bërë jetën ferr”.

Ndërkohë që kjo situatë e rëndë familjare, ka marrë përmasa edhe më serioze sesa një sherr I vazhdueshëm familjar, pasi vitin e shkuar (2015) në një natë kur situata degradoi, në dhunë fizike nga ana e babait të tre vajzave, fqinjët lajmëruan policinë, e cila ndërhyri në kohë për të shmangur një tragjedi të mundshme. Pas qëndrimit disa orësh si i shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrësit, u lëshua një urdhër-mbrojtjeje me afat një mujor, dhe me ndërhyrjen e familjarëve u arrit “kompromisi” që kjo situatë nuk do të vazhdojë më. Pas përfundimit të afatit të urdhrit të mbrojtjes, dhe heshtjeje në familjen e Megit, dhuna u rikthye sërish, duke thyer qetësinë e përkohshme për të miturat, të cilat frekuentojnë shkollën sistematikisht me rezultate të kënaqshme.

Mbrëmjen e së martës, datë 02.02.2016, i ati u kthye në shtëpi i dehur dhe filloi të bërtasë dhe godasë vajzën e madhe, Megin dhe bashkëshorten. I pandërgjegjshëm për gjendjen në të cilën ndodhej, sërish fqinjët dhe të afërmit u turrën për ndihmë, pasi situata ishte tejet e e përkeqësuar. Sërish u lajmërua policia, e cila pas negociatave me të dehurin, e shoqëruan për në ambientet e policisë së Durrësit.

“Ishte ora rreth 22:00 kur babi mbërriti në shtëpi, i dehur dhe i irrituar sërish me ne. Pa asnjë arsye, pa asnjë shkak, filloi të thyej dhe të ulërasë nëpër shtëpi si i çmendur. Mami në tentativë për ta qetësuar, ai e qëlloi duke e quajtur imorale, ndërkohë që i vetmi “faj” i saj është që është punëtore dhe i siguron lekët e alkoolit. Na kërcënoi duke na thënë se nëse lajmërojmë policinë do të na vrasë pa u menduar fare, por rrëmbeva telefonin dhe e strukur në një cep telefonova policinë, pasi po ndjeja që na kishte ardhur fundi i jetës, të paktën të shpëtonte ndonjëra prej nesh.

Motrat qanin dhe dridheshin të frikësuara, mami po ashtu edhe unë, ndërkohë që na erdhën disa fqinj, por që ai ulëriste me justifikimin se ishte në shtëpinë e tij dhe mund të bënte çfarë të donte. Pasi erdhi policia, e mori babin dhe unë bashkë me mamin, shkuam për të ribërë sërish denoncim, me shpresën se diçka do zgjidhej. Në fakt, shumë mendime me ngacmonin, për frikën se ai do të rikthehej prapë, për “turpin” në sy të botës, por para jetës asgjë nga këto nuk vlen. Tashmë kemi përfituar një urdhër-mbrojtjeje me afat një vjeçar, por nuk shoh se kjo është një zgjidhje, pasi kthimi i babit në shtëpi, do të thotë kthimin e ferrit. E di që nuk është e lehtë të flasësh në këtë formë për atë që të ka dhënë jetën, por më mirë do ishte që asnjëra nga ne të tria të mos kishte ardhur në këtë botë. Të jetosh me frikën se do të vrasë babai yt nga moment në moment, është frikë dhimbje dhe hall i madh për familjen tonë. Shpresa jonë e vetme është që Zoti t’i japë drejtim kësaj situate pasi nuk dimë si do na vejë halli”, tregon më tej Megi, për dramën familjare në të cilën vuan çdo ditë.

Duke marrë shkas dhe nga ngjarja e ndodhur më 31 janar të këtij viti, ku babai vrau të bijën 17-vjeçare në Tiranë, pas një sherri në familje, Megi shprehet se “kur dëgjuam në lajme për fatin e 17-vjeçares së vrarë nga i ati në Tiranë, Elidona Ibraj, pamë në sy njëra tjetrën të terrorizuar dhe duke menduar në heshtje, ishallah nuk e kemi ne fundin e saj. Këta njerëz si im atë, dhe si ai babai vrasës, nuk meritojnë të quhen prindër, pasi çdo qenie ka instiktin e mbrojtjes së të vegjëlve, aq më tepër njeriu dhe kjo që po na ndodh ne është e tmerrshme, po aq sa e dhimbshme. I jam lutur mamit që të divorcohet, pasi ka 18 vjet që nuk ka parë një ditë të bardhë në jetën e saj, gjithmonë e nënshtruar, gjithmonë e nëpërkëmbur dhe tani bashkë me të vuajmë edhe në ketë fat të zi”, vazhdon rrëfimi rrëqethës i Megit, vajzës së madhe të familjes.

“Shteti të na ndihmojë, që të mos jemi ne viktimat e radhës së dhunës në familje. Babi të lutem mos na e merr jetën”, e përfundon rrëfimin 17 vjeçarja me frikën se do vijë një ditë që…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat