“Melania-mania” përfshin Slloveninë

Life style

“Melania-mania” përfshin Slloveninë

Më: 1 janar 2017 Në ora: 19:47
Melania Knaus - Trump

Inaugurimi i Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara po i jep famë Sllovenisë, ku lindi bashkëshortja e tij Melania. Një ndjenjë e re krenarie dhe entuziazmi ka përfshirë vendin dhe qytetin e saj, dhe në fakt disa njerëz kanë gjetur mënyra origjinale për të nderuar bijën e tyre më të famshme.

Sevnica është një qytet mesjetar me një popullsi prej 5 mijë banorësh, që ka vuajtur shkatërrimin e Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës, gjatë periudhës komuniste, u bë qendër industriale. Jo tamam vendi i ëndrrave, por në fakt ato u bënë realitet këtu. Melania Knaus lindi në një nga lagjet e këtij qytetit dhe ndoqi rrugën për famë e pasuri. Tani Sevnica e nderon atë. Ky dyqan ka krijuar një tortë për nder të ish-supermodeles.

“Ne jemi krenarë për suksesin e Melanias. Ajo ishte një si ne dhe ne jemi shumë të gëzuar për të. Prandaj po krijojmë një tortë luksoze dhe të bukur, sikurse ajo”, thotë Nusa Vidmar pronare e dyqanit.

Shumë prej ëndrrave pasqyrohen në tortë: elegancë dhe pak nuanca prej ari.

“Përdorëm përbërësit më të mirë për momentin, sepse për Melanian vlen vetëm më e mira. Përdorëm çokollatë të bardhë, sepse ajo vesh shumë fustane të bardhë”.

Por këtu nderohet edhe bashkëshorti i Melanias. Në një restorant të zonës, shefi i kuzhinës ka përgatitur një hamburger të posaçëm për inaugurimin e presidentit të ardhshëm.

Nis me grimca të skuqura djathi të verdhë slloven tek ai i freskës, në një mbështjellje që tashmë njihet në mbarë botën.

Një shije meksikane, pak salcë për zgarë që i bën gjërat edhe më të mira. Dhe ja tek shfaqet një hamburger presidencial.

“Ideja e djathit vjen nga flokët e tij. Duhet ta dini, nuk po tallemi me presidentin por djathi lidhet disi me të dhe kemi përdorur rukola, si një sallatë pak më e sofistikuar. Cili është mesazhi i salcës meksikane? Mendojmë se gjithkush meriton një shans pavarësisht nga vjen. Ndaj i shtuam pak Meksikë”, thotë Denis Suhopoljac, shef i kuzhinës.

Shitësit e verës po përgatiten të nxjerrin në treg një verë të quajtur “zonja e parë”. Ky prodhues, mik i familjes së Melanias thotë se banorëve u vjen keq që zoti Trump nuk ka qenë asnjëherë në Sevnicë por edhe më shumë që bija më e famshme e qytetit, nuk është kthyer ende.

“Sikur ajo të vinte dhe të përqafonte dikë në qytet apo në Ljubjanë dhe të thoshte ja ku jam. Kjo është diçka që cilido, jo vetëm në Slloveni, por kudo do ta dëshironte”, thotë Zdravko Mastnak, prodhues vere dhe mik i familjes.

Për Melanian, shumë shpejt Shtëpia e Bardhë do të jetë shtëpia e saj, por edhe këtu, zjarri i shtëpisë është në pritje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat